Krasniqi në “Express”: Rruga drejt zgjedhjeve

Mocioni që do të hidhet sot në votim, është i rregullt. Nëse së paku 61 deputetë e votojnë, unë do ta procedoj shumë shpejt shpërndarjen e Kuvendit dhe caktimin e datës për zgjedhje të jashtëzakonshme. Pjesa e parë e dhjetorit është më e përshtatshmja për zgjedhje. Buxheti dhe Strategjia për PTK’në votohet në Parlamentin e ri. Kryetari i Kuvendit njëherësh U.D Presidenti, Jakup Krasniqi flet për Express.

Express: Z. Krasniqi, si do të zhvillohet seanca e së martës, ku në rend dite është Mocioni për mosbesim të Qeverisë?
Krasniqi:
Kjo çështja e mocionit është e paraparë edhe me Kushtetutë, por edhe me rregullore të Kuvendit. Mocioni që do të votohet të martën, është i nënshkruar nga 40 deputetë, gjegjësisht nga një e treta e deputetëve. Kushtet pra janë të plotësuara për këtë mocion që e ka iniciuar Grupi Parlamentar i AKR’së dhe i mbështetur nga deputetë të grupeve tjera. Seanca është paraparë të fillojë në orën 12:00. Por, paraprakisht do të mbajmë edhe një mbledhje të Kryesisë së Kuvendit, ku do të marrin pjesë edhe shefat e grupeve parlamentare dhe do të bisedojmë se si do ta procedojmë këtë çështje.

Express: Nëse mocioni votohet me shumicë votash, çfarë duhet të bëni ju si Kryetar i Kuvendit dhe U.D. President?
Krasniqi:
Nëse Mocioni kalon ashtu siç është paraparë nga parashtruesit e tij dhe nëse për të votojnë së paku 61 deputetë, atëherë vijnë procedurat e tjera. Ndoshta është mirë të sqaroj se ky mocion ndodh sipas pikës kushtetuese ku flitet për Kuvendin dhe në fund të këtij kapitulli, në Nenin 82 parashihet se nëse mocioni i mosbesimit mbështetet nga 61 deputetë, atëherë nuk ka më procedura të tjera në Kuvend. E vetmja procedurë mbetet shpërndarja e Kuvendit dhe caktimi i datës për zgjedhje. Edhe kjo bëhet sipas kohës më së paku 30 ditë, e më së shumti 45 ditë pas shpërndarjes së Kuvendit.

Express: Pra, nëse kalon mocioni të martën, kur mund të pritet shpërndarja e Kuvendit?
Krasniqi:
Paraprakisht siç thashë, të martën ne do të kemi një takim të Kryesisë së Kuvendit. Me  Kushtetutë është paraparë që pasi të kaloj mocioni, kam të drejtë që deri në dhjetë ditë të shpërndaj Kuvendin dhe pastaj ta dekretoj datën e zgjedhjeve. Por ndoshta këtu duhet të ketë procedura më të shpejta për shkak se koha na obligon që të kemi procedura më të shpejta. Sido që të jetë, ne do të veprojmë gjithmonë duke u bazuar në normat e parapara me Kushtetutë.

Express: A keni pasur këtyre ditëve takime me përfaqësuesit e subjekteve politike për të diskutuar për ecurinë e procesit dhe a besoni se mocioni tashmë konsiderohet punë e kryer?
Krasniqi:
Ne të martën e kemi pasur një takim në Kryesi të Kuvendit, ku është biseduar dhe është vendosur për mocioni. Ka pasur vërejtje të vogla, por natyrisht asnjëri nga 40 deputetët nënshkrues të mocionit nuk ka kundërshtuar. Për ne ka qenë çdo gjë në rregull dhe kemi proceduar me séance. Mund të them se seanca është caktuar me konsensus të plotë. Pak a shumë, Grupi i AAK-së, edhe pse nuk ka marrë pjesë në nënshkrim të mocionit, është deklaruar se janë për rrëzimin e kësaj qeverie. Por mund t’i ndryshojnë fjalët. LDK-ja nuk është prononcuar në ato biseda. Megjithatë ne duhet ta presim votimin final dhe të shohim rezultatin.

Express: Z.Krasniqi, çfarë do të bëhet me buxhetin, Strategjinë për privatizimin e PTK-së? Do të mbesin për Kuvendin e ri?
Krasniqi:
Mendoj se të dyja janë të rëndësishme. Buxheti për vitin e ardhshëm është rregulluar edhe me ligj, por edhe me Kushtetutë që mund të shfrytëzohet në periudhën tremujore në fillim të vitit paraprak. Sa i Përket Strategjisë për privatizimin e PTK-së,. Ajo duhet ti kthehet seancës, në mënyrë që të jetë një konsensus nga së paku shumica e deputetëve, në mënyrë që ai që do ta blejë PTK-në të jetë më i sigurt. Ne ndoshta kemi pasur të drejtë të shkojmë në shitjen e saj tani, por blerësi nuk do të ndihej shumë I sigurt ndoshta. Kështu që mendoj se kjo duhet të zgjidhet në mandatin e ardhshëm të Kuvendit.

Express: Keni kërkuar nga Gjykata Kushtetuese përgjigje, nëse është shkelje kushtetuese në qoftë se nuk jepni dorëheqje nga posti në PDK. A keni marrë përgjigje?
Krasniqi:
Unë nuk kam përgjigje. Do të thotë kërkesën e kam bërë. Ata më së miri e parashohin se a kanë nevojë të përgjigjen, megjithëse këtë e saktëson Kushtetuta. Presidenti pasi që të zgjidhet, jep dorëheqje nga pozita në parti. Kështu që unë jam President I zgjedhur, por  President që kam ardhur për shkak se Kushtetuta e parasheh që Kryetari i Kuvendit ta ushtrojë këtë detyrë, kur Presidenti largohet nga detyra. Megjithatë, unë e kam bërë një inicim të tillë në gjykatë për t’u thënë tjerëve që unë nuk jam i interesuar në asnjë fazë që të shkel Kushtetutën dhe ligjet që janë në fuqi.

Express. Në çfarë kohe parashikoni ju se mund të zhvillohen zgjedhjet e jashtëzakonshme nëse kalon mocioni?
Krasniqi:
Pjesa e pare e dhjetorit është më e përshtatshmja. Ndoshta do të mund të shtynim deri në fund të vitit, por për shkak se na duhen vëzhgues ndërkombëtarë, duhet të kemi parasysh këtë dhe në pjesën e dytë të dhjetorit ka shume festa dhe mbikëqyrësit nuk do të kishin shumë interesim të vijnë. Ne do të shikojmë interesin tone në rend të pare, por edhe interesin që kemi që këto zgjedhje të mbikëqyren nga faktori ndërkombëtar.

Express: Kur pritet të formohen institucionet e reja nëse zgjedhjet mbahen në dhjetor?
Krasniqi:
Tash varet rrjedha e proceseve pas zgjedhjeve se kur do të përfundojë rezultati definitiv. Pastaj ekziston një kohë që partitë politike të bëjnë koalicione. Por muaji janar shpresoj se do të jetë me institucione të reja. Kuptohet, nëse votohet mocioni të martën.