“Kosova Sot”: JEMI SHQIPTARË, S’BËHEMI TË TJERË

Meqë e nisët me një vit, them se është vit historik për Kosovën. Është një vit i mbarë, për arsye se është vit që shënon përmbylljen e aspiratave shekullore të Kosovës, të shqiptarëve shumicë për shtetin sovran, dhe të pavarur dhe të njohur ndërkombëtarisht.

Kosova Sot: Një vit zhvillimesh nga më të bujshmet në kronologjinë historike të vendit. Cilat zhvillime më të rëndësishme, apo më pak të rëndësishme do t’i veçonit?

Sejdiu:
Meqë e nisët me një vit, them se është vit historik për Kosovën. Është një vit i mbarë, për arsye se është vit që shënon përmbylljen e aspiratave shekullore të Kosovës, të shqiptarëve shumicë për shtetin sovran, dhe të pavarur dhe të njohur ndërkombëtarisht. Mund të them se 17 shkurti, pra si fillim, shënon këtë festë të rëndësishme, që realisht për Kosovën hap një horizont të veçantë në ecjen e saj, duke pasur parasysh se shënon edhe një vit të sfidave të mëdha, me të cilat është përballë populli i Kosovës, institucionet e Kosovës. Në këtë kuadër, do të veçoj, përveç asaj që quhet historike me shpalljen e pavarësisë, miratimin e Kushtetutës së Republikës së Kosovës, që është po ashtu dëshmimi në rrafshe të shumta të zhvillimit apo ecjes në ndërtimin e institucioneve tjera demokratike, që janë pjesë e konstruktit themelor për të qenë një shtet i pavarur. Në këtë kohë ju e dini se janë formuar edhe dy ministri të rëndësishme, Ministria e Punëve të Jashtme dhe ajo e Forcës së Sigurisë së Kosovës, ku tash së fundi kam dekretuar edhe komandantin e FSK-së. Është shumë me rëndësi se janë bërë procese të tjera të mbështetjes ndërkombëtare të Kosovës, flas për konferencën e donatorëve, ku i janë zotuar vendit 1 miliard e 236 milionë euro, si një pjesë e gatishmërisë ndërkombëtare për të mbështetur ecjen e saj si shtet. Është një vit i mbarë dhe që reflekton natyrisht me qasjet e mira të vendeve të tjera ndaj Kosovës. Tashmë 53 njohje ndërkombëtare i janë bërë Kosovës nga vendet më të fuqishme, por edhe nga vendet fqinjë.

Kosova Sot: Në Planin ndërkombëtar, a ka qenë e mundur të bëhet më tepër për njohjen e pavarësisë?

Sejdiu:
Gjithmonë, çdo institucion mund të bëjë më tepër. Sigurisht se është në ambicien e tij normale që të bëjë dhe radiusin më të gjerë. Keni parasysh se MPJ-ja është formuar vonë, por, pavarësisht nga ky fakt, është bërë punë e madhe dhe të gjitha këto njohje që janë bërë janë në politikën e saj. Po ashtu, mund të them se është bërë një punë e veçantë me hapjen e 10 misioneve diplomatike në nivel ambasadash të Republikës së Kosovës dhe po të njëjtën kohë kemi një numër më të madh të institucioneve diplomatike në Kosovë, ku shumica e vendeve, posaçërisht të BE-së dhe SHBA-së, kanë shndërruar zyrat e tyre të ndërlidhjes në ambasada.

Kosova Sot: Politika zyrtare u mbetet besnike obligimeve që ka marrë, mirëpo misioni i BE-së në Kosovë është me emblemën e OKB-së. Si e shihni ju këtë zhvillim?

Sejdiu:
Ne e mbajmë këtë ecje që e kemi zotuar me herët. Për ne është shumë me rëndësi që do të mbesim në përkushtimin tonë për realizimin e projektit Ahtisaari, si një projekt i rëndësishëm, që ka qenë pjesë e negociatave të gjata dhe që është përkushtim i institucioneve për të pasur një Kosovë demokratike, me shanse të barabarta për gjithë qytetarët e saj, me një respekt të fokusuar për komunitetet pakicë, dhe në këtë kuadër një kujdes të veçantë ndaj pakicës serbe.

Paralelisht, siç dihet, është koha e përfundimit të mandatit ndërkombëtar të UNMIK-ut, për çka mendojmë se ka mundur që ky proces të shkojë edhe më shpejt. Natyrisht, se këto 9 vjet e më tepër janë kohë apo investim i rëndësishëm i OKB-së në Kosovë, por që realisht mund të them se paraqet misionin më të suksesshëm ndërkombëtar dhe, si të tillë, dëshirojmë edhe ta përfundojnë. Mendoj se është tepër e panevojshme që të krijohen konfuzione për mandate të reja ndërkombëtare në tipin e organizatë së OKB-së. Mendojmë se EULEX-i, nga fakti i prezencës simbolike, për pak kohë të asaj që quhet rezolutë 1244, e që realisht ka përfunduar në Kosovë, të jetë një mision i cili do t jetë vetëm mbështetës në dy fusha të rëndësishme, në sundimin e ligjit dhe gjithmonë, them paralelisht, të jetë një mision që do të ndihmojë dhe të nxitë institucionet e Kosovë për të përmbushur kriteret e veçanta të ecjes së tyre drejt proceseve të integrimit në BE.

Kosova Sot: Misioni i EULEX-it do të jetë i paanshëm në raport me statusin e Kosovës si shtetet sovran. A e cenon ky fakt në ndonjë mënyrë pavarësinë e saj?

Sejdiu:
Jo. Unë them se EULEX-i nuk mund të jetë neutral. Ky është një mision që në strukturën e tij themelore përbëhet nga vendet që e kanë njohur Republikën e Kosovës, dhe, deshën apo jo, këto vende s'mund të jenë neutrale në qëndrimet e tyre. Secili prej vendeve që kanë njohur Republikën e Kosovës e kanë deklaruar shumë qartë se njohin Republikën sovrane dhe të pavarur të Kosovës, se njohin zotimin e saj për përmbushjen e projektit Ahtisaari dhe se mirëpresin qasjen dhe ecjen e saj në familjen e vendeve të lira. Prandaj, kjo është formula e parë esenciale për qëndrimin e tyre dhe mbase mund të ketë ndonjë vend që është anëtare e BE-së dhe që deri tash nuk kanë njohur Republikën Kosovës, por që është një element pozitiv se edhe këto vende janë me njerëzit e tyre në Kosovë në kuadër të EULEX-it dhe NATO-s.

Kosova Sot: Besoni se do të ketë lëvizje nga këto vende në drejtim të njohjes?

Sejdiu:
Besoj se disa prej tyre do të lëvizin. Asnjëherë nuk jam ithtarë i asaj që të them datën se kur do të ndodhë, pasi do të jetë pjesë vendimit nga ana e tyre. Është në të drejtën sovrane të secilit vend që të vendosë për lëvizjet që do t'i bëjë. Këto lëvizje që janë bërë, ta zëmë Greqia, njehë pasaportën e Republikës së Kosovës, që jep një sinjal të mirë se është në studim të thellë të kërkesës së njohjes për Republikës së Kosovës dhe po ashtu një lëvizje e Sllovakisë po ashtu ka në vete vendimin e tyre që të njohin pasaportat e Republikës së Kosovës, është një shenjë e mirë dhe besoj se do të ketë lëvizje pozitive edhe nga vendet e tjera.

Kosova Sot: Z. President, korniza ligjore e veprimit të misionit evropian për sundimin e ligjit vazhdon të jetë ende e paqartë. Është Rezoluta 1244, apo sipas Kushtetutës së Kosovës?

Sejdiu:
Ne esencë është Kushtetuta e Republikës së Kosovës, e cila parasheh edhe këtë prezencë të këtij mandati civil ndërkombëtar, sepse vendi, realisht, është në një mbikëqyrje ndërkombëtare, në etapën e parë të zhvillimit të saj. Po ashtu, mund të themi se ka edhe një dokument i rëndësishëm që është dokumenti i Ahtisaarit që e përcakton radiusin e përgjithshëm të prezencës së EULEX-it dhe mandatit të tij, dhe është e veçantë se kjo frymë është e bartur edhe në aksionin e përbashkët të veprimit, pra një plan i cili është miratuar më 4 shkurt nga ministrat e jashtëm të BE-së.

Të gjithë e kuptojnë se pse përmendet 1244-shi. Bëhet pikërisht për të pasur njohjen e përbashkët edhe të faktorëve të tjerë për të dalë nga kjo bllokadë në vendosjen e EULEX-it, flas për politikat që zhvillohen në kuadër të BE-së, por që mandati esencial i Rezolutës 1244 ka kapërcyer.

Kosova Sot: A mund të bashkëjetojnë të gjitha autoritetet në një hapësirë unike pa u përplasur?

Sejdiu:
Është një periudhë që mund ta quajmë shumë e limituar kohore, e mbylljes së ciklit të veprimeve të UNMIK-ut në Kosovë, e marrjes së përgjegjësive nga institucionet e Kosovës dhe natyrisht e marrjes së përgjegjësive në atë mandat çfarë do të kemi misioni EULEX në Kosovë. Në këtë kuadër, them se është shumë me rëndësi që të mos ketë iluzion se do të ketë dy apo tri mandatë ndërkombëtare, se nganjëherë bëjmë edhe një veçim të mandatit të trupave të NATO-s, që kanë një mandat specifik dhe në këtë kuadër po ashtu mos të kemi iluzione se do të ketë një garë midis këtyre dy misioneve tash, flas UNMIK-un në përmbyllje të mandatit të tij dhe EULEX-in në fillim të mandatit të tij.

Kosova Sot: Gjashtë pika janë futur në raportin e Sekretarit të Përgjithshëm, Ban Ki Moon, për të cilat Beogradi insiston që të zbatohen. Do të zbatohen apo jo?

Sejdiu:
Në raportin e sekretarit të përgjithshëm të OKB-së është përfshirë edhe qëndrimi i Prishtinës dhe them se edhe njëri, edhe tjetri variant i ofruar dhe i debatuar në KS, nuk përbëjnë një dokument ndërkombëtar në kuptimin e një vendimi, apo të një rezolute ndërkombëtare. Shumë qartë dihet edhe në këtë nivel se Kosova është e pavarur, ka nxjerrë një kushtetutë të vetën, se vendi administron me ligjet e veta.

Prandaj, mund të them se për ne është e papranueshme çdo qasje eventuale që dikush mbase mund ta ketë dëshirë për të realizuar 6-pikëshin. Ajo është një interferencë e drejtpërdrejtë në sovranitetin e brendshëm të Kosovës. Kosova mund të mbahet peng i qasjeve apo tekeve të Serbisë për të mbajtur tensione në veri dhe të njëjtën kohë për të penguar kudo që mundet njohjen e mëtejshme të pavarësisë dhe për të adresuar kërkesën e saj në GJND. Por, paralelisht ne e dimë edhe këtë qasje që ne e kemi, se fundja për Kosovën vendos populli i saj, sovrani i Kosovës ka vendosur që Kosova të jetë e pavarur dhe s’mund të ketë asnjë kthesë.

Kosova Sot: Doni të thoni se s’do të ketë probleme të mëtejme, sidomos te një pjesë e serbëve?

Sejdiu:
Sovrani i Kosovës, në ndjenjën e vet për liri dhe pavarësi, mbështetet nga vende më të fuqishme të botës dhe këtë nuk duhet ta harrojmë. Do të ketë probleme. Unë s’them se do të ketë një transformim të përnjëhershëm të asaj vetëdije që e gjen tek një pjesë e qytetarëve serb, që janë peng dhe robër të retorikës së tyre të ashpër, qëndrimeve dhe veprimeve të tyre kriminele edhe në fazat e mëhershme. Unë them me plot arsye dhe argumente se një pesë e tyre janë njerëz që kanë bërë krime ne BH, në Kroaci, përgjakje dhe krime në Kosovë dhe me ta do të merret drejtësia ndërkombëtare. Këtyre njerëzve nuk u intereson stabiliteti, nuk u intereson shteti ligjor, perspektiva e të tjerëve. Për ta do të jetë shumë e rëndësishme që në Kosovë, në këtë pjesë veriore, të ketë kontrabandë.

Në këto llogari nuk vjen shprehje delli nacional i lirisë, apo i stabilitetit të një vendi. Por, është ajo që mund të quhet delli i profitit të momentit. Prandaj, është e interesit të vendit edhe ndërkombëtar që të mbyllen këto porta të komunikimeve të këqija dhe që Serbia njëherë e përgjithmonë të ndërpresë këtë investim të mbrapshtë. Është shumë me rëndësi që ditën e parë, në Portat 1 dhe 31, janë vendosur njerëzit e EULEX-it, por edhe të KFOR-it, që janë në kontroll të rëndësishëm të vrojtimeve të përhershme dhe vigjilente në brendi të asaj minihapësire ku janë kontrabanda dhe krimi i organizuar ekonomik.

Kosova Sot: Si e vlerësoni bashkëpunimin e partnerëve të koalicionit?

Sejdiu:
Mendoj se është bashkëpunim korrekt. Natyrisht se ka nevojë gjithmonë që koalicionet qeverisëse të ushqehen me një mirëkuptim reciprok dhe kjo është e nevojshme jo vetëm si pjesë e teorisë, por edhe e veprimeve praktike. Mendoj se ka qenë një koalicion që ka arsyen e vet për momentin e veçantë në të cilin Kosova është gjetur. Është me rëndësi të bëhet punë e mirë e përbashkët në vend dhe të njëjtën kohë është krejt normale që secili subjekt politik, pra edhe partnerët në koalicion kanë projektet e tyre të veçanta në kuptimin e asaj se mbesin rivalë politikë sikur ky rivalitet politik në skenën plurale të Kosovës të një vendi normal duhet të ekzistojë si i tillë. Andaj, mund të them se është një shkrirje themi e energjive të përbashkëta për të qeverisur në një projekt të përbashkët për Kosovën dhe kujtoj po ashtu se është kualitet të veçantë në muajt e mëhershëm për një bashkëpunim jashtëzakonisht të frytshëm edhe me opozitën. Kini parasysh se momentet më të rëndësishme që lidhen me këtë histori të re të Kosovës janë të përbashkëta. Edhe shpallja e pavarësisë së Republikës së Kosovës, edhe miratimi i simboleve shtetërore, i Kushtetutës dhe i ligjeve speciale, apo specifike që dalin nga obligimet e vendit për planin e Ahtisaarit. Prandaj, nëse sot, nëse pasnesër, gjejmë ide apo përplasje të ideve në kuptimin e bashkëqeverisjes së mirë, apo të keqe, apo se duhet të ketë shenjim të pikave të dobëta të qeverisë dhe anasjelltas, mendoj se janë normale. E them gjithmonë se për opozitën nuk do të jetë mirë që të jetë shënjuese apo snajperiste vetëm me njolla, sikur që të njëjtën kohë them se nuk duhet të presë edhe pozita që të marrë shenjat nga opozita për lëshimet që mund t’i bëjë.

Kosova Sot: Ka diçka nga obligimet kushtetuese që nuk keni arritur t’i përmbushini, qoftë për shkaqe objektive apo subjektive?

Sejdiu:
Po, ne jemi në proces. Kini parasysh se tash jemi në ndërtimin e FSK-së dhe unë jam pjesë e këtij mekanizmi, si komandant suprem i FSK-së, dhe është me rëndësi, natyrisht, që të krijohet edhe struktura. Është me rëndësi se do të kem rol të veçantë në ndërtimin e Gjykatës Kushtetuese, që ende nuk është bërë. Para dy ditësh e krijova Këshillin Konsultativ të Komuniteteve. Pastaj do të ketë një fushë e veçantë, që do të investojë posaçërisht me reformën në sistemin e gjyqësisë. Pra, është një proces që e pret vendin që nuk lidhen me rolin e presidentit, por presidenti ka rolin e nominimeve. Me rëndësi është që mekanizmat që janë përgjegjës për këtë kuadër MD-ja, dhe Këshilli Gjyqësor-Prokurorial, në rrafshin e vet të veprimeve, që të iniciojë dhe të ketë një proces më të gjallë.

Kosova Sot: Raportet e juaja me kryeministrin, nga segmente të caktuara të politikës, vlerësohen si raporte përtej kushtetuese?

Sejdiu:
Jo. Kushtetuta nuk ndalon që të ketë komunikime të mira mes njerëzve edhe mes bartësve të institucioneve. Mund të them se komunikimi ynë është institucional dhe njerëzve që kanë përgjegjësi për të udhëhequr institucionet. Nuk është dëm që njerëzit merren vesh dhe të bisedojnë. Mbase, mos të ishte kjo, do të kishit pyetjen tjetër: A keni pasur rast që ndonjëherë të takoheni? Unë praktikojë që gati çdo të hënë, me përjashtim të rasteve objektive, të zhvillojë takime të rregullta me kryeministrin dhe kryetarin e Parlamentit dhe me dy zëvendëskryeministrat. Por, të njëjtën kohë, për sektorë të caktuara, takohem edhe me ministrat gjegjës. Ka raste që i thërrasë edhe shefat e grupeve parlamentare, bisedoj me ta, por edhe me liderët e partive opozitare.

Kosova Sot: Por, cilat janë raportet e juaja me ta, duke qenë se ka pasur edhe zëra kritikë?

Sejdiu:
Janë raporte shumë korrekte nga qasja ime. Dëshiroj të theksojë se kam pasur takime me të gjithë, jo vetëm në situata nganjëherë që mund të vlerësohen të nxehta, të vlimeve në Kosovë, por edhe takime të zhvillimeve normale. Kam takuar Haradinajn, Pacollin, Dacin si dhe liderët komuniteteve pakicë dhe kemi biseduar. Natyrisht, kam vështrimet e tyre për problemet dhe sigurisht në temat e rëndësishme që kanë qenë këto ditë, para vendosjes EULEX-it, por edhe një periudhë të komunikimeve që kemi pasur me Sekretarin e Përgjithshëm të OKB-së. Kam dëgjuar dhe më vjen keq që ndonjëri prej tyre ka deklaruar se nuk është ftuar nga unë.

Kosova Sot: Por, për kë është fjala?

Sejdiu:
S’dua ta mbajë mend këtë dhe s’dua të them se cili. Por, është me rëndësi që njerëzit i kam takuar, kam biseduar me ta dhe mbaj nivelet e afërsisë personale për atë që është pjesë e borxhit institucional dhe të një komunikimi të lirshëm, jo të asaj që mund të quhet të pjesës së distancës. Në këtë kuadër, e çmoj kontributin e edhe të tyre dhe e çmoj këtë që sjell, themi mozaikun e përgjithshëm të klimës politike të brendshme, pavarësisht se mund të ketë nganjëherë tensione të caktuara, që janë normale.

Kosova Sot: Do të ketë zgjedhje të reja parlamentare siç kërkon opozita?

Sejdiu:
Jo, e di se është një cikël normal i zgjedhjeve lokale më 2009. Ndërsa, zgjedhjet e reja nuk parashihen, sepse është një cikël 4 vjeçar i ndërtimit të institucioneve dhe ky ndërtim i institucioneve me zgjedhjet e vitit të kaluar është bërë mbi bazën e pakos së Ahtisaarit. Unë kam dëgjuar dhe më janë prezantuar kërkesat për zgjedhje. Është e natyrshme dhe këtë nuk duhet ta vë në pozicion të pozitës apo opozitës. Por, e natyrshme është gjithmonë se ajo që mund të konsideroj veten si opozitë të nesërmen e pas rezultateve të një procesi zgjedhor, nëse s’është i kënaqur do të ketë të deponuar kërkesën që të ketë zgjedhje. Por, kjo më tepër është pjesë e vendimeve politike në nivel të brendshëm, në kuptimin e mbajtjes së mandateve në ciklin e tyre normal. Kosova nuk është në situatë të jashtëzakonshme për të pasur procese të jashtëzakonshme dhe forma të tjera.

Kosova Sot: Konsideroni se Kosova po ndërton një identitet të ri kombëtar?

Sejdiu:
Kosova po e ndërton identitetin e vet shtetëror. Ky identitet është i shprehur me Deklaratën e Pavarësisë, me dokumentet e saj bazike, me Kushtetutën, me ligjet specifike, me Ligjin mbi shtetësinë, me simbolet shtetërore. Por, Kosova ka po ashtu një horizont të veçantë të cilësisë së saj, ka një shumicë shqiptare që ka identitetin nacional të pacenueshëm. Ne jemi shqiptarë dhe s’mund të bëhemi të tjerë. Por, të njëjtën kohë, Kosova çmon realitetet politike, ka identitetin e vet shtetëror, dhe si e tillë prezantohet në bashkësinë ndërkombëtare, ka mbështetjen dhe do të jetë në një lëvizje të rëndësishme të ecjes së saj për proceset e integrimit. Mendoj se këto procese do të jenë të mira në kuptimin e heqjes së barrierave, apo komunikimeve mes popujve. Për ne është me rëndësi që si Kosovë çmojmë prezencën e komuniteteve etnike pakicë. Pavarësia e Kosovës nuk do të thotë pavarësi vetëm për shqiptarët si shumicë, por edhe për qytetarët e tjerë dhe them realisht edhe për qytetarët serbë, që janë të periudhave të gjata kohore dhe që Kosovën e njohin atdhe të tyre. Tjetër është ajo pjesë e njerëzve që kanë ardhur me investime të mbrapshta në Kosovë, si kolonë apo oficerë, xhandarë, si njerëz që kanë pasur misionin e shtypjes së popullsisë shumicë. Prandaj, jemi në këtë identitet dhe si të tillë do ta zhvillojmë. Për ne është shume me rëndësi që e nesërmja e afërt para proceseve të integrimeve në BE dhe aty do të jetë një pjesë e komunikimit të lirë dhe pa pasaporta dhe viza. Këtë ide e kam shprehur në vizitën zyrtare që kam pasur në Republikën e Shqipërisë. Pse të mbahen pasaportat midis Kosovës dhe Shqipërisë nesër, po ashtu midis Kosovës dhe Mali i Zi, apo Maqedonisë.

Kosova Sot: Ka pasur mjaft zhvillime në LDK. Si i vlerësoni ato?

Sejdiu:
Si çdo pati tjetër, edhe LDK-ja ka pasur zhvillimet e veta dhe mendoj se LDK-ja ka energji, ka strukturë potenciale që t’i bëjë zhvillimet më të mira demokratike, sepse është nga subjektet politike prijëse në proceset politike të pluralizmit politik dhe konsideroj se do të dëshmohet me qasjen e saj edhe në qeverisje, por edhe zhvillim të mëtejshëm brenda partisë. Mendoj se kanë energjinë dhe kanë projekte të qarta për të lëvizur suksesshëm.

Kosova Sot: Jeni të kënaqur me nivelin e bashkëpunimit ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë?

Sejdiu:
Janë raporte të natyrshme dhe mendoj se duhet të zhvillohen edhe më tej në kuadër të marrëveshjeve bilaterale, si shtete sovrane në shumë çka që do të lehtësoj komunikimin e qytetarëve, në lëvizjen e lirë të mallrave. Ajo që mund të quhet pjesë e marrëveshjeve për tregtinë e lirë të materializohet edhe me aspekte të lëvizjes, do ta quaja në mënyrë më të mirë të mundshme në kritere moderne. Ju e dini se mes vendeve të BE-së nuk mund ta hetosh ku është kufiri. Është një bashkëpunim jashtëzakonisht i mirë dhe ky do të zhvillohet edhe më tej në të gjitha fushat e mundshme.

Kosova Sot: Ku do t’i kaloni festën e fundvitit të parë të pavarësisë?

Sejdiu:
Në shtëpi, mbase brenda dite mund të vizitojë ndonjë institucion, mjedis, në ndonjë familje sikurse vitin e kaluar, ku kam vizituar familjen Çerkezi në Gjakovë, që ka gjithë anëtarët e familjes të zhdukur, përveç nënës.