KOSOVA S’KA TJETËR VIZION POS ANËTARËSIMIT NË BASHKIMIN EVROPIAN DHE NË NATO

Presidenti i Republikës së Kosovës, dr.Fatmir Sejdiu pati një takim me një grup gazetarësh nga disa vende evropiane, me të cilët bisedoi rreth zhvillimeve në Republikën e Kosovës, si dhe u përgjigj në interesimet e tyre.

Është kënaqësi e imja që t’ju shoh dhe t’ju takoj dhe natyrisht të bisedojmë edhe për zhvillimet tona edhe për kureshtjen lidhur me to. Jam i hapur të shtroni çdo pyetje që ju intereson, u tha fillimisht Presidenti Sejdiu gazetarëve nga Polonia, Rumania, Gjeorgjia, Sllovakia, Greqia e vende të tjera.

Ju keni përcjellë zhvillimet e Kosovës, tash gati bëhen dy vjet pas pavarësisë së vendit, janë bërë arritje të mira, absolutisht dhe natyrisht kemi edhe shumë sfida të cilat i kemi në realitetin që kemi para vetes, sidomos ato që kanë të bëjnë me zhvillimin ekonomik të vendit, ato që lidhen me pjesën e njohjeve të mëtejshme të Republikës së Kosovës dhe anëtarësimin e saj në mekanizma ndërkombëtarë dhe çështje që kanë të bëjnë natyrisht me aspekte të përditshme të jetës.

Për ne është shumë me rëndësi që nuk janë realizuar prognozat e këqija për Kosovën shtet i pavarur dhe sovran, pra kemi pasur dhe do të kemi një kujdes të veçantë që Kosova të jetë shtet demokratik i të gjithë qytetarëve, me një kujdes të veçantë ndaj komuniteteve pakicë. Pra, as nuk ka pasur eksodus, as nuk ka pasur revansh ndaj pakicës serbe dhe natyrisht për ne është shumë me rëndësi që trajtimi edhe kushtetues edhe ligjor është trajtim i qytetarëve të barabartë, para kushtetutës së vendit të gjithë janë të barabartë. Dhe, të njëjtën kohë, është përpjekje e institucioneve që të realizohen synimet tona që i kemi pasur edhe në Projektin Ahtisaari, apo projektin Ahtisaari si zotim. Këto ditë jemi në përpjekje të zbatimit të decentralizimit, janë formuar tri komuna me shumicë serbe dhe do të formohen edhe dy të tjera ndërkohë dhe kemi procesin e zgjedhjeve paraprak të 15 nëntorit, për pak ditë që besojmë se do jetë sprovë e mirë për të gjithë institucionet e vendit dhe për qytetarët.

Vizioni ynë themelor i ecjes së Kosovës është që të jemi anëtarë të Bashkimit Evropian dhe të NATO-s dhe po punojmë që të plotësohen kriteret e rëndësishme që janë për të kapërcyer këtë rrugë. Për ne është shumë me rëndësi që kemi raporte të mira me gjithë fqinjët që i kemi përreth, me përjashtim që s’kemi raporte me Serbinë. Ne dëshirojmë që nesër të kemi raport të mira edhe me Serbinë, absolutisht, sepse është në interes edhe të qytetarëve të Serbisë edhe të qytetarëve të Kosovës dhe bisedat tona, komunikimet tona gjithmonë të jenë në nivel të shteteve sovrane, jo asnjëherë biseda të tipit tjetër. E dimë se Serbia bën përpjekje të vazhdueshme që të pengojë njohjet e mëtejshme të Republikës së Kosovës, por ato po vijnë, me gjithë ngadalësinë po vijnë. Mbrëmë kemi edhe një njohje të re, jemi shumë të kënaqur me vendimet që kanë marrë tash 63 shtete për ta njohur Republikën e Kosovës, jemi anëtarësuar në Bankën Botërore dhe në Fondin Monetar Ndërkombëtar dhe natyrisht presim edhe njohje që ndërkohë mund të vijnë.
Nga Bashkimi Evropian kanë mbetur pesë shtete që s’e kanë njohur Republikën e Kosovës, unë them se edhe te këto vende është pozitive se janë me pjesëmarrjen e tyre në kuadër të EULEX-it dhe kanë qenë pjesë të një formë apo formë tjetër të investimeve të rëndësishme ndërkombëtare në Kosovë, qoftë edhe në kuadër të KFOR-it.

Po ashtu mund të them se Kosova është sui generis, që nuk mund të jetë shqetësim për ndonjë vend që mund ta kuptojë se mund të jetë trazim i brendshëm por nuk është qëndrim i drejtë. Prandaj, në këtë kuadër ne do të bëjmë përpjekje edhe më tej që të prezantojmë të arriturat tona edhe në zhvillimin, rigjenerimin ekonomik të vendit por edhe në raporte të tjera që kanë të bëjnë me bashkëpunime ndërkombëtare. Mund të them se për çështjen e investimeve ka një strukturë ligjore të qëndrueshme, pra mund të bëhen investime të guximshme dhe pa probleme. Unë besoj se keni informacione të bollshme për Kosovën, sigurisht.

Kosova paraqet një hapësirë jashtëzakonisht të pasur me minerale, sidomos ato që kanë të bëjnë me plumb, argjend, zink, ari dhe të njëjtën kohë me thëngjill që është një basen i pashtershëm dhe po ashtu ka një popullsi shumë të re. Rreth 52 për qind e popullsisë së përgjithshme është nën moshën 27 vjeçare dhe si e tillë natyrisht se është edhe e shkolluar dhe mendoj se është një shans i mirë për të pasur thjesht ofertën që duhet t’ju ofrohet edhe nga shteti, vende pune më shumë dhe bashkëpunim më shumë. Dhe për këtë arsye ne na nevojitet jo për të përzënë njerëzit, por për të pasur një nguti në kuptimin e liberalizimit të vizave për Kosovën, sepse njerëzit mund të shkojnë dhe të kthehen dhe nesër do të jetë e përbashkët ajo evropiane që ajo që a punon në Paris a në Berlin nuk është shumë me rëndësi, me rëndësi që është në Evropë bashkë.

Realisht kemi probleme me papunësinë, rreth 40 % e popullsisë është e papunë ende dhe ju mund të pyesni si bisedoni me këta njerëz. Unë asnjëherë s’kam dashtë as s’dua t’jua hijeshoj dhe të them është gjithçka idile dhe nuk është idil por ka çështje, ka sfida që duhet të përballen ashtu siç janë dhe besoj se qytetarët e kanë kuptuar mirë dhe janë pjesë e proceseve, por duhet natyrisht të investojmë më shumë edhe nga ana e institucioneve të vendit edhe me bashkëpunim ndërkombëtar për një zhvillim ekonomik, të shfrytëzohen mirë mjetet e zotuara në Konferencën e Donatorëve dhe investimi në projektet kapitale të jetë me rezultat, përndryshe nëse shkojmë t’i harxhojmë paratë, ato harxhohen shumë shpejtë.

Prandaj, qëndrimi i Qeverisë, qëndrimi ynë është që të kemi kujdes të veçantë dhe në këtë mezokohë janë ndërtuar edhe institucionet më vitale të shtetit, është ndërtuar edhe Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës, Agjencia Kosovare e Inteligjencës, Këshilli Nacional i Sigurisë, Forca e Sigurisë e Kosovës, janë ndërtuar krejt në parimet e NATO-s dhe bashkë me strukturat e NATO-s, ndërsa të tjerët janë në bashkëpunim edhe me EULEX-in dhe me institucionet e tjera ndërkombëtare.
Ne vizion tjetër s’kemi, po si të shpejtojmë rrugën për të qenë anëtarë të Bashkimit Evropian dhe të NATO-s dhe të kemi një Kosovë partnere të mirë në proceset e paqes, edhe të fqinjësisë së mirë edhe të bashkëpunimit rajonal dhe të ecjeve tjera, tha Presidenti Sejdiu, duke folur para gazetarëve.

Pyetje: Z. President, sa jeni të kënaqur me prezencën e Bashkimit Evropian?

Presidenti Sejdiu:
Ne e kemi ftuar që Bashkimi Evropian apo EULEX-i, ICO të jenë në Kosovë. T’ju them të drejtën ka qenë një vonesë e paarsyeshme në momentet dhe kohën e vendosjes, sepse ajo ka shkaktuar pasoja dhe ka shkaktuar praktikisht edhe disa keqkuptime që kanë dalë. Ishte jo e drejtë ajo që filloi më herët me çështjen e gjashtëpikëshit, pra ishte një çështje që ishte bërë pa konsultimet me institucionet e vendit dhe pa pëlqimin tonë. Natyrisht se kemi refuzuar një qasje të tillë, por s’kemi refuzuar asnjëherë bashkëpunimin me EULEX-in, as me bashkësinë ndërkombëtare, mirëpo janë disa fakte që janë të njohura dhe janë zhvillime pozitive që i kemi bërë bashkë. Pra, edhe pavarësia e Kosovës është shpallur në mënyrë të koordinuar Kosova është njohur si shtet sovran dhe i pavarur nga të gjitha vendet dhe natyrisht ne kemi pasur këtë vendosje të mëvonshme, ka rezultate të mira, kemi bashkëpunim të mirë, që mund të bëhet më shumë them se mund të bëhet edhe më shumë, por gjithmonë në kuadër të mandatit absolutisht. Në kuadër të asaj që parashihet me projektin Ahtisaari dhe që është e paraparë me Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe të njëjtën kohë me Joint Action Plan të shkurtit të 2008.
Prandaj, ne e çmojmë investimin që bëhet për sigurinë e mbështetjes në fushën e sundimit të ligjit, veçanërisht dhe të sigurisë dhe do të vazhdojmë.

Pyetje: Çka mund të bëhet më shumë?

Presidenti Sejdiu:
Po, më shumë, të shtohet efiçenca sidomos në shuarjen e strukturave paralele, të bëhet vendosja e doganave në efiçencë të plotë në veri, kthimi në funksion të mirë i gjykatave në veri dhe natyrisht në funksionimi i plotë e pa pengesa i Policisë së Kosovës. Kjo është pjesë e mbështetjes që duhet të na jepet, absolutisht kemi nevojë për këtë qasje, problemi themelor është se në një kohë vërtet ka pasur vonesa, pra kapacitetet ekzistojnë, shpejtojmë.

Pyetje: Sa gjatë do të qëndrojë komuniteti ndërkombëtar në Kosovë dhe çfarë mendoni për planet Beogradit që ka për dhe mbi Kosovën?

Presidenti Sejdiu:
Rreth çështjes së parë, unë them se duhet të jetë sa më e shkurtër, absolutisht por varet prej punës që e bëjmë bashkë. Nuk ka ndonjë precizim të saktë se sa do të jetë mandati i gjatë, kryesisht mund të supozohet një periudhë që lidhet me etablimin e gjithë zotimeve që i kemi me projektin Ahtisaari dhe ato gati janë kah përfundojnë.
Parashikohet çështja e rishikimit të asaj, ta zëmë krye motmoti, krye dy vjetëve, por ne dëshirojmë që vërtet të shpejtojmë bashkë, unë besoj se njësoj edhe në vendet anëtare të cilat janë me prezencë të tyre në EULEX, nuk ka qasje tjetër.
Rreth çështjes së dytë, se çfarë mendon Beogradi, mendon se mund të them është një vazhdim i politikave fatkeqësisht që i ka pasur edhe Milosheviqi, me përjashtim të luftës. Ne e kuptojmë se i është dhënë një mbështetje Tadiqit dhe njerëzve që ai ka për të ardhur në pushtet, për të marrë qeverinë, me bindje dhe me shpresë gjithmonë se do të jetë i orientuar në dëshmim të politikave proevropiane, properëndimore, le të shpresojmë ende por deri tash nuk ka prova. Unë them se edhe qeveria e Tadiqit sikur edhe qeveritë e tjera e dinë mirë se ku janë kriminelët e luftës, ta zëmë shembulli i Mlladiqit dhe të tjerëve dhe nuk i kanë dorëzuar, është në radhë të parë një borxh ndaj njerëzisë, është borxh ndaj Tribunalit, e dyta është se asnjëherë s’ka kërkuar falje për krimet e bëra, as ai vetë, edhe për krimet që janë bërë në Bosnjë, edhe për krimet që janë bërë në Kosovë dhe, e treta, përpiqet në vazhdimësi të mbajë tensione në Kosovë me ushqimin e strukturave paralele dhe me harxhimin e parave të shumta me to.
Ne kemi disa të dhëna se vetëm vitin e kaluar kanë harxhuar 235 milionë për të ushqyer strukturat paralele, për t’i bërë destruksion Kosovës dhe mbajnë një retorikë shumë të ashpër me deklarimet se “Kosova është Serbi“ e shumë të tjera të tilla. Pastaj paralelisht bëjnë përpjekje të vazhdueshme për të penguar pavarësinë, hajde i kuptojmë por janë çështje irracionale totalisht, dhe natyrisht ne s’ju kemi përgjigjur asnjëherë në retorika të tilla. Në pushtetin serb, në qeverinë serbe, në kishën serbe ka njerëz ende që kërkojnë me pas një luftë të re, p.sh. peshkopi Artemije del me thirrje se vetëm një luftë e re në Ballkan mundet t’i rregullojë çështjet dhe kjo kërkesë e ka shti Serbinë në luftë edhe përpara ndaj të gjithë të tjerëve, edhe kundër Kroacisë, edhe kundër Bosnjës, edhe kundër Kosovës edhe kundër të gjithëve. Dhe sot i keni shtetet e pavarura, secili prej tyre ka dashtë të jetë e lirë, pse Kosova të mos jetë e lirë, p.sh. edhe malazezët që janë bazë sllavike, sikur edhe të gjithë të tjerët s’kanë dashtë të jetojnë me ta, për çka ta bëjnë shqiptarët, andaj janë iluzore dhe Kosova asnjëherë me vullnet të saj s’ka qenë pjesë e Serbisë. Se çfarë kanë menduar e dini edhe ju, të gjitha projektet e tyre kanë qenë për asgjësim të shqiptarëve, qoftë me ekzodus, me përzënie, me kolonizim, qoftë me vrasje masive. Njerëzit që kanë qenë edhe në qeveri deri vonë, kanë kërkuar që shqiptarët të hidhen në deti, duhet të dërgohen përtej Bjeshkëve të Nemuna... Ne s’e dëshirojmë ashtu. Ne dëshirojmë që serbët e Kosovës ta përjetojnë Kosovën si atdhe të tyre dhe do të punojmë me ta të integrohen, ne s’dëshirojmë që ata të bëhen mekanizëm i keq për të ardhmen e tyre por të jenë njerëz që të krijojnë atë që është e nevojshme për zhvillimin e tyre, i kanë të gjitha të drejtat.
Vetëm t’ju them një shembull, shqiptarët janë mbi 90 % janë të barabartë në kuptimin e të drejtave politike sikur edhe serbët që janë më pak 5 %, në Kosovë janë dy gjuhë zyrtare në nivel të barabartë janë shqipja dhe serbishtja, ndërsa gjuhët e minoriteteve tjera janë në përdorim zyrtar atje ku janë, p.sh. gjuha boshnjake, turke apo gjuha rome.

Pyetja: A keni raporte me shtetin rumun?

Presidenti Sejdiu:
Ne kemi pasur Zyrën Rumune në Kosovë për një kohë dhe ka qenë edhe kontingjenti rumun në kuadër të KFOR-it dhe janë edhe në kuadër të EULEX-it. T’ju them të drejtën, kontakte të tjera, të niveleve me përfaqësues të shtetit nuk kemi pasur. Ka qenë një takim i Ministrit të Jashtëm me Ministrin e Jashtëm, kam pasur unë një takim me dy ish-presidentët e Rumanisë, jo me presidentin aktual, dhe u kemi shpjeguar arsyet e qenies së Kosovës shtet i pavarur dhe kërkesën që të na njihni. Nuk dua të hyjë në shqetësimet eventuale që mund t’i ketë Rumunia, nuk e di apo për çfarë arsyesh të tjera nuk e njeh Republikën e Kosovës, por ne kemi të drejtë të shikojmë edhe nga këndi ynë, arsyet çfarë mund t’i ketë Rumunia nuk lidhen me arsyet pse Kosova është bë e pavarur.
Kosova ka qenë pjesë e një shteti që është shkatërruar, ka pasur të drejtat e barabarta si çdo njësi tjetër, ka pasur dhe ka kufijtë e saj të definuar shumë qartë, ka pasur një luftë të përgjakshme dhe me pasoja tragjike shumë dhe një intervenim ndërkombëtar dhe një zhvillim më vonë të institucioneve mbi bazë të proceseve demokratike dhe qëndrim ndërkombëtar edhe në kuadër të Grupit të Kontaktit ku ka qenë edhe Rusia, ka qenë e shprehur shumë qartë qëndrimi se Kosova do të duhej të zgjidhë çështjen e saj në bazë të vullnetit të shumicës. Sikur që ka qenë rezoluta 1244 e Këshillit të Sigurimit, askund 1244 nuk e pengon pavarësimin e vendit dhe natyrisht se një shtet që ka qenë më herët që është thirrur në të, ai s’ekziston më, edhe njëherë e përsëris. Atë çka ne duam t’jua themi rumunëve edhe përmes jush dhe u kam thënë përmes shumë gazetarëve që kanë qenë më herët, është një realitet pozitiv i zhvilluar në Kosovë dhe dëshirojmë të kemi raporte të mira me vendin tuaj, absolutisht dhe unë besoj se s’i keni harruar as kontributet e Basilio Lupes apo të Elena Gjikës, që të dytë kanë qenë shqiptarë...
Të gjithë njerëzit e vullnetit të mirë për ne janë të mirëseardhur. Unë nuk kam mund të siguroj kontakt me z.Basesku, kam tentuar përmes disa njerëzve që të kem kontakte edhe përmes zyrës suaj, por atë që ne e themi janë mesazhet e mira kur të kenë nevojë për bashkëpunim.

Pyetje: Qeveria e Gjeorgjisë dëshiron në njëfarë mënyre t’i rekomandojë
SHBA-së që në njëfarë mënyre ta anulojnë njohjen e pavarësisë. Si e komentoni këtë?

Presidenti Sejdiu:
Unë s’kam koment, unë s’e kam dëgjuar këtë. Unë kam takuar njerëzit e juaj dhe të gjithë e kanë përshëndetur pavarësinë e vendit tonë dhe e kam takuar edhe Presidentin Shakashvilli dhe natyrisht se çështja e Kosovës është çështje e një realiteti pozitiv të krijuar dhe rrota e historisë nuk mund të kthehet prapa.

Pyetje: E kam një pyetje të njëjtë sikurse kolegu im nga Rumania, sepse unë vij nga Sllovakia e cila po ashtu s’e ka njohur pavarësinë e Republikës së Kosovës, dhe pyetja ime është a ka ndonjë dallim në mes të raporteve me Sllovakinë dhe Rumaninë?

Presidenti Sejdiu:
Jo, jo unë e them në nivel parimor, absolutisht. Ne kemi nevojë për njohjen edhe nga Sllovakia, edhe nga Spanja edhe nga Qipro, edhe nga Greqia. Ne jemi në Evropë, nuk jemi në Orient, nuk jemi në Amerikën Latine, por jemi në zemrën e zhvillimeve të përbashkëta. Dhe natyrisht është interes i Evropës që të përmbyllë një cikël me krijimin e politikave të përbashkëta që janë edhe ashtu në interes të paqes dhe të stabilitetit. Evropa s’ka interes tjetër.

Kam pasur takime me njerëzit e juaj edhe me ministrin Kubis edhe me ministrat e mëvonshëm dhe kemi njerëz tuaj që janë në Prishtinë, kemi një kontingjent të shkëlqyeshëm sllovak bashkë me atë çek dhe unë kamë thënë gjithmonë një përvojë të mirë që keni pasur ju me çekët. Ndarjen e vendit në baza të vullnetit politik të njërit dhe të vendit tjetër, ne s’e kemi pasur të njëjtën, ne kemi pasur gjakderdhjen. Unë them se rrallë mund të gjesh familje shqiptare që s’ka pasur pasoja tragjike, sepse ka qenë asisoj, ka qenë një regjim jo vetëm ai por në vazhdimësi dhe jemi sot në këtë realitet që besoj se ne e kërkojmë dhe besoj se me një përcjellje po ashtu të mesazheve për qytetarët e Sllovakisë, falënderimin për punë që janë bërë me mbështetje, pavarësisht që nuk e kemi njohjen ende por besojmë se do të ndodhë. Me rëndësi që ka elemente pozitive, pasaportat e Republikës së Kosovës njihen edhe në Sllovaki edhe në vende tjera që nuk e kanë njohur Republikën e Kosovës. Mirë është që sllovakët janë edhe në EULEX edhe në KFOR, dhe qytetarët e vendit tonë lëvizin edhe në Sllovaki. Qytetarët e Kosovës me pasaportat e Republikës së Kosovës sipas informacioneve tona lëvizin edhe në Sllovaki por edhe në Greqi.

Pyetje: A mund të na flisni për pjesëmarrjen e serbëve në veri të vendit në zgjedhjet lokale dhe për strukturat paralele të mbështetura nga Beogradi?

Presidenti Sejdiu:
E para është se për herë të parë kemi një paraqitje të mirë për të marrë pjesë në zgjedhje, nga mbi 70 e sa subjekte politike që do të marrin pjesë në zgjedhje, 22 janë të komunitetit serb, janë parti politike apo individë, ne kemi formuar tri komuna të reja sipas planit të Ahtisaarit, sipas përgatitjeve dhe sondazheve ka disa eho pozitive, dëgjoj se serbët në Graçanicë dhe Kllokot se do të dalin në zgjedhje, që s’ka qenë shumë fenomen më herët, pavarësisht kësaj ne kemi dy serbë si ministra në Qeveri, kemi 10 vende të rezervuara në Parlament dhe në institucione të tjera. Zgjedhjet i kemi shpallur në të gjithë territorin e Kosovës, duke përfshirë edhe veriun. Mund të ketë individë që dalin, mund të ketë më shumë, nuk kam ndonjë prognozë për tri komunat në veri. Gjithë përpjekjet janë bërë që ata njerëz të dalin dhe të marrin pjesë në zgjedhje, kam formuar edhe Këshillin Konsultativ për Komunitete, në kuadër të të cilit kemi edhe serbë nga veriu. Kam bërë ftesë të sërishme për pjesëmarrje në zgjedhje, dje kam informacionin se mbi 100 intelektualë nga Serbia kanë kërkuar nga serbët që të marrin pjesë në zgjedhje, është hap i mirë dhe shumë pozitiv, por Serbia zyrtare ende është duke bërë pengesa. Ka dikush që ka dhënë idenë e krijimit të “fait acompli” atje dhe të bëjë ndarje, por ato janë karta të rrezikshme që me hapjen e Kutisë së Pandorës do të dilnin probleme të mëdha, ne e themi se Kosova e pavarur është zgjidhja më racionale e përkrahur edhe nga qytetarët dhe bashkësia ndërkombëtare, çdo qasje për ndarje të Kosovës do të krijonte situata të paparashikueshme. E keqja është se këta njerëz mbahen peng nga politika e Beogradit, shumë nga ta janë nga brendësia e Kosovës, shumë nga ta kanë apartamente në Prishtinë p.sh. i lëshojnë apartamentet me qira dhe në veri krijojnë probleme. Ideja jonë është që njerëzit të kthehen në shtëpitë e veta, edhe shqiptarët të kthehen në shtypit e tyre, asnjëherë me dhunë por me vullnetin e tyre.

Pyetje: Cilat janë për marrëdhëniet bilaterale në mes të Kosovës dhe Greqisë? Cili është qëndrimi i serbëve për zgjedhjet dhe si po zhvillohet procesi i decentralizimit?

Presidenti Sejdiu:
Më vjen mirë që jeni edhe nga vendet që ende nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës. Me Greqinë, përkundër faktit që ajo ende nuk e ka njohur pavarësinë, ne kemi raporte shumë të mira, njerëzit e biznesit lëvizin, kemi njohjen e pasaportave, ne kemi pasur këtu prezent zyrtarë të lartë të Greqisë, si ministrin e Jashtëm, sikur që kemi pasur takime edhe në Selanik dhe në vende të tjera.

Çështja e komunitetit serb dhe decentralizimit është sfidë, ashtu siç e ka thënë Presidenti Ahtisaari, si metaforë, për tango të mirë nevojiten gjithmonë dy veta, dhe natyrisht edhe pjesa hezituese e serbëve duhet ta kuptojë ofertën dhe ta pranojë ofertën e ofruar.

Në Parlament kemi shumicën e dy të tretave ku serbët mund të bllokojnë edhe shumë vendime, kjo nuk është në vende të tjera. Një qasje afirmative e bërë, nganjëherë quhet diskriminim pozitiv, te kontestet pronësore mbi 99 % janë zgjedhur, deri tash të gjitha investimet kanë qenë që serbët të kthehen në shtëpitë e tyre. P.sh. çka të bëjmë kur në një fshatë p.sh. në Svinjar të Vushtrrisë, ndërtohen shtëpitë e qytetarëve serbë, u jepen çelësat, i marrin ata dhe kur Beogradi iu bën ftesë që të kthejnë çelësat e shtëpive ata i kthejnë ata dhe ç’të bëjmë me ata. Prandaj, njerëzit i kthejnë sepse mbahen në presion, nuk ka asnjë konflikt të natyrës etnike, mund të ketë krime ordinere si ka gjithkund edhe për shqiptarët edhe për të tjerët kriminelët janë kriminelë, por me motive etnike nuk ka, në çdo institucion pjesëmarrja e tyre është dy tri herë më shumë sesa që është përqindja e tyre, janë në Policinë e Kosovës, mirë që janë kthyer mbi 400 policë pas bojkotit, janë në Forcën e Sigurisë së Kosovës, në Gjykatën Kushtetuese dhe Supreme, në të gjitha gjykatat e Kosovës dhe kemi idenë e shpërndarjes së granteve qeveritare në komunat ku janë në shumicë, dhe nuk di çka të bëjmë më shumë për ta. Serbët që janë në institucione janë në presion të madh nga Beogradi.

Pyetje: Çka mendoni për situatën e mospagesës së energjisë në pjesën veriore?

Presidenti Sejdiu:
Kanë qenë disa probleme atje, duan të kenë qasje separate atje. KEK-u ka marrë veprime për shkyçjen e atyre që nuk paguajnë obligimet dhe që kanë mundësi të paguajnë, janë mbi 100 milionë euro që njerëzit kanë borxh KEK-ut dhe nuk i paguajnë. Pse të mos paguhet kur shpenzohet për ekonominë e tyre, a e bën këtë Greqia, Spanja apo Shqipëria, çdo vend i Evropës, paguhet sepse është shpenzim, ata që nuk kanë mundësi të paguajnë bëhet ndonjë zgjidhje por jo të politizohet kjo.

Pyetje: Austria, Gjermani dhe vende të tjera janë duke bërë biseda me autoritetet e Kosovës për arritjen e marrëveshjeve për kthimin e qytetarëve të Kosovës në shtëpitë e tyre? Si do t’i integroni kaq shumë njerëz kur keni numër aq të madh të papunëve?

Presidenti Sejdiu:
Së pari i falënderojmë të gjitha ato vende që kanë pranuar shumë njerëz për të qenë shtëpi e dytë e tyre. I dini arsyet e emigrimit, një kohë presioni i madh politik dhe ekonomik dhe më vonë edhe konsekuencat e tyre, por ne do të pranojmë të gjithë qytetarët e vendit tonë të cilët duan të kthehen, të të gjitha komuniteteve pa dallim etnie. Ka probleme për kthimin e menjëhershëm, nuk ka vende pune për njerëzit që janë këtu. Ne do të vazhdojmë koordinimin me vendet mike, qytetarët që nuk kanë arritur të rregullojnë statusin e tyre normalisht që duhet të kthehen, janë proceset cilat bëhen në marrëveshje, konsultime teknike, se s’më pëlqen fjala deportim, por natyra e bashkëpunimit që njerëzit të kthehen në vendin e tyre është në rregull.

Pyetje: Ju flisni gjuhën serbe dhe mund t’i adresoheni serbëve në gjuhën serbe?

Presidenti Sejdiu:
Po, ju kam adresuar edhe në Parlament, e kam bërë këtë edhe me rastin e zgjedhjeve, dhe gazetarëve serbë u flas edhe në gjuhën serbe.

Pyetje: Sa serbë janë kthyer në Kosovë pas shpalljes së pavarësisë?

Presidenti Sejdiu:
Nuk ka shënime shumë të sakta, por mund të jenë mbi 18 mijë deri 20 mijë. Është me rëndësi se shumica e serbëve të Kosovës janë në brendi të Kosovës, dy të tretat. Serbët kalkulojnë me shifra jo të sakta se janë mbi 350.000 deri 400.000 serbë, dhe gjysma e tyre janë në Serbi ende. Ne u përgjigjemi me shifrat e tyre zyrtare të regjistrimit që ka bërë Milosheviqi. Në vitin 1991 ka bërë regjistrimin Milosheviqi dhe jo ne dhe sipas atij regjistrimi ka pasur pak mbi 194.000 serbë. E dimë shtimin natyror që është, nuk është shtim por regres, që është trend edhe në vendet e tjera. Edhe në këtë numër nuk kanë qenë të gjithë serbë të Kosovës, kanë qenë kolonizatorë, oficerë, xhandarë. Ka pasur disa koloni që ka ndërtuar Serbia.
Këta të kthyerit pas pavarësisë janë këtu dhe jetojnë në Kosovë, edhe në Prishtinë dhe nuk kanë kurrfarë telashesh. Këto shifra janë nga Ministria e Kthimit, e cila udhëhiqet nga serbët.

Pyetje: Si e ndjeni identitetin e ri, si populli i Kosovës, shqiptarët e ndjejnë identitetin e ri. A ka dallim në mes të shqiptarëve të Shqipërisë dhe Kosovës?

Presidenti Sejdiu:
Ne kemi qenë qytetarë të RSFJ dhe kohët e mëvonshme kanë qenë të papranueshme për shqiptarët, dhe sepse pozita kushtetuese e Kosovës është suprimuar në kohën e Milosheviqit pa vullnetin e Kosovës dhe e lëmë këtë anash, ka shkuar...
Shqiptarët e Kosovës në Kosovë janë gjithmonë, kanë qenë këtu që nga origjina e tyre, ne natyrisht jemi një popull sikur edhe shqiptarët në Shqipëri sikur që janë gjermanët në Gjermani, Zvicër apo Austri. E çmojmë realitetin ekzistues të ndërtuar në vend sovran, jemi natyrisht në shumicë mbi 90 % në Kosovë dhe nuk dëshirojmë që pakicat të kenë të njëjtin fat që kemi pasur në kohën e okupimit serb. Për këtë arsye ne duam të kemi një kujdes të veçantë për pakicat. Kosova është e lirë dhe ka ardhur gëzimi në fytyrat e të gjithë fëmijëve të Kosovës. Lufta dhe tragjika kanë përfunduar, ne nuk mund të harrojmë çka na ka ndodhur ne, por nuk do merremi me revansh asnjëherë. Le të jetë pjesa e kujtesës në histori, në arkiv dhe të ecim më tutje. Nëse kthehemi te historia ajo për shqiptarët është shumë më e hershme sesa për serbët në këto hapësira, sepse jemi me origjinën dhe nuk duam t’u themi serbëve që nuk është Kosova edhe atdheu i tyre, kjo është qasja jonë, por Kosova nuk është djepi i Serbisë, sepse Serbia është përpjekur gjithkund të bëjë djepa, deri në nivelin e prezantuar me një iluzion të mbrapsht se janë popull hyjnor dhe të tjerët nuk vlejnë.

Pyetje: A besoni se Kosova do të bëhet anëtare e Bashkimit Evropian në vitin 2014, cilat janë pritjet?

Presidenti Sejdiu:
Nuk kemi folur asnjëherë për data apo vite, sepse janë procese jo të lehta, dëshira është që nesër, por ka nevojë të ecet në proces normal të bashkëpunimit normal dhe të shkurtohet rruga. Nuk është e lehtë.

Pyetje: Si do të reagonit nëse veriu do të vendoste të ndahet?

Presidenti Sejdiu:
Veriu është pjesë e Kosovës dhe Kosova me njohjen ndërkombëtare si shtet integral dhe natyrisht çdokush dëshiron ta ketë tërësinë e vet, dhe besoj në vullnetin e qytetarëve të Kosovës që të jetojnë së bashku të gjithë, në zotimin edhe të miqve të Kosovës, të EULEX-it, NATO-s, në mbrojtje të integritetit territorial të Kosovës dhe natyrisht punojmë që ai integritet të jetë i tillë.

Janë deklaruar edhe më parë të gjitha veprimet e tyre ilegale nga UNMIK-u, edhe nga OSBE edhe nga EULEX, janë çështje që janë në kundërshtim me dokumentet ndërkombëtare për Kosovën por edhe me legjislacionin e Kosovës.

Pyetje: Cili është kërcënimi kryesor për shtetin e ri?

Presidenti Sejdiu:
Janë vështirësitë me integrim të një pjese të komunitetit serb, çështja e zhvillimit ekonomik që është nevojë dhe shpejtimi i plotësimit të kritereve për integrim në Unionin Evropian dhe në NATO, ky është vizion e jo fiksion.

Pyetje: Pse Kosova i do ende aq shumë Shtetet e Bashkuara të Amerikës, më shumë sesa evropianët?

Presidenti Sejdiu:
Jo, ne i duam edhe amerikanët por edhe evropianët, dhe i respektojmë investimet e tyre, por është me rëndësi që Shtetet e Bashkuara kanë qenë në krye të investimeve të mëdha, posaçërisht me intervenimin ushtarak, bashkë me Bashkimin Evropian. Në kuptimin e investimeve ushtarake thjesht për të ndalë shkatërrimin e Kosovës, sulmet ajrore të NATO-s për 78 ditë, por kemi konsideratat më të larta edhe për të gjitha vendet e Bashkimit Evropian dhe nuk kemi kurrfarë qasjeje të rezervës së relacioneve miqësore apo të tjera. Është me rëndësi që shumica e vendeve të Bashkimit Evropian kanë investuar në Kosovë, ka edhe shtete që në një formë apo në një formë tjetër kanë ndihmuar.