Intervistë e U.D. të Presidentit, dr. Jakup Krasniqi, në RTK

Po e vërteta është se ishte një proces paksa i ngutshëm për zgjedhjen e presidentit të Kosovës. Nuk ishte një komunikim më i miri i mundshëm me subjektet politike që janë pjesë e Kuvendit të Republikës së Kosovës dhe si rezultat i saj partitë shqiptare opozitare në ditën e zgjedhjes nuk morën pjesë në seancën e zgjedhjes së presidentit.

RTK: Z.Krasniqi, brenda një periudhe të shkurtër kohore sërish do të jeni edhe ushtrues detyre i presidentit të Republikës së Kosovës ashtu siç e parasheh edhe Kushtetuta e shtetit tonë. Si e komentoni këtë fakt?
U.D. i Presidentit Jakup Krasniqi:
Po e vërteta është se ishte një proces paksa i ngutshëm për zgjedhjen e presidentit të Kosovës. Nuk ishte një komunikim më i miri i mundshëm me subjektet politike që janë pjesë e Kuvendit të Republikës së Kosovës dhe si rezultat i saj partitë shqiptare opozitare në ditën e zgjedhjes nuk morën pjesë në seancën e zgjedhjes së presidentit dhe këtë çështje e ka vlerësuar edhe Gjykata Kushtetuese e Kosovës si një jopërmbushje, një zgjedhje jokushtetuese, pasi që në seancën e zgjedhjes nuk ishin prezent dy të tretat e deputetëve të Kuvendit të Kosovës kjo si një çështje, dhe çështja tjetër me Kushtetutë kuptohet që zgjedhja e presidentit duhet të bëhet me kundërkandidat. Mungesa e këtyre dy kërkesave kushtetuese e shtyri Gjykatën Kushtetuese të Republikës të Kosovës  të vlerësoj se zgjedhja e presidentit ishte jo kushtetuese.

RTK: Megjithatë, vendimi i Gjykatës dihet se nuk mund të komentohet është një vendim pra që duhet të zbatohet dhe puna është se si të procedohet më tutje. Ju e dini se partitë e opozitës kanë pasur takime në forumet e tyre drejtuese dhe do ta përsërisin drejtimin e njëjtë të mos marrin pjesë në një seancë ku mund të jetë sërish siç është paralajmëruar z. Pacolli kandidat për president të Republikës dhe ky është pra qëndrimi i opozitës. Si e komentoni këtë dhe çfarë zgjidhje sipas jush mund të ketë për të mos shkuar sërish në një krizë?
U.D. i Presidentit Jakup Krasniqi:
E vërteta është se partitë politike opozitare e kanë ndarë vendimin e tyre dhe ata kanë dy kërkesa deri më tani. Kërkesa e parë është që kandidati për president të jetë konsensual, por e kanë edhe një kërkesë tjetër, kërkesa tjetër është që ata kërkojnë që mes partive politike parlamentare të  bëhet një marrëveshje për të ditur afatin e zgjedhjeve të ardhshme. Pra, kërkojnë një kohë të bëhet një reformë zgjedhore e mirëfilltë në Kosovë dhe kjo të bëhet me marrëveshjen e partive politike, kërkojnë një kandidat konsensual. Tani mund të themi se përgjegjësia për zgjedhjen e presidentit të Kosovës nuk është vetëm e koalicionit qeverisës, përgjegjësia është edhe e partive opozitare. Prandaj, kjo gjendje si është krijuar tani për tani kërkon që partitë politike parlamentare që janë pjesë e Kuvendit të ulen, të bisedojnë dhe ta gjejnë një zgjedhje më të mirë të mundshme. Pra, për këtë çështje, pas aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese, është e qartë se kërkohet një konsensus për zgjedhjen e presidentit. Në  këtë rrafsh ne mund të themi se edhe partitë e koalicionit kanë një përgjegjësi më të madhe, ndërsa në mënyrë të veçantë partia që pretendon se e ka të drejtën për ta pasur kandidatin për president duhet vërtet të ulet dhe t’i shohë të gjitha rrethanat që janë krijuar dhe, natyrisht, të propozojë një zgjedhje më të mirë të mundshme. Unë mendoj se zgjidhje ka, partitë politike duhet të bisedojnë, demokracia nënkupton edhe kompromisin, partitë politike, qoftë të pozitës qoftë të opozitës, duhet ta gjejnë një kompromis në mënyrë që institucionet që kanë dalë nga zgjedhjet të funksionojnë mirë dhe Kosova të ecë në rrugën e saj të mëtejshme.

RTK: Partia Demokratike e Kosovës, si partia fituese, e thatë edhe ju, e ka përgjegjësinë kryesore të gjetjes së zgjidhjes. Çfarë, sipas jush, duhet të lëshojë pe PDK-ja në këtë rast, duke pasur parasysh se është një situatë më e ndryshme, pasi tani e kemi qeverinë por nuk e kemi presidentin. A keni ju një ide konkrete se çfarë do t’i ofroni opozitës që edhe ajo të jetë e kënaqur në një kompromis të mundshëm për të ecur më tutje?
U.D. i Presidentit Jakup Krasniqi:
Tani kjo gjendja është kështu si është dhe me Kushtetutë parashihet forma se si mund të dilet nga kjo. Si forma e parë është që partitë e koalicionit realisht të bëjnë një marrëveshje me partitë opozitare ose me ndonjë parti opozitare që i plotëson numrat për të qëndruar në Kuvend apo për të dhënë një propozim për një kandidat që mund të jetë kandidat konsensual, do të thotë kjo është e para në mënyrë që të zgjidhet presidenti dhe të shkohet më tej.
Mundësia se ka një mundësi të dytë dhe të tretë. Mundësia e dytë do të ishte që partitë politike në Kosovë ta shfrytëzojnë këtë periudhë tash deri në afatin në gjashtë muaj që ta ndryshojnë nenin 86 të Kushtetutës që presidenti i vendit të zgjidhet nga zgjedhjet e drejtpërdrejta dhe kjo mendoj që mund të organizohet brenda kësaj periudhe. Dhe mundësia e tretë është nëse nuk mund të zgjidhet në asnjë formë presidenti, as me konsensus, as me ndryshim të Kushtetutës dhe as me zgjedhje të drejtpërdrejta atëherë vendi duhet të shkojë në zgjedhje të parakohshme, por kjo do të ishte tani për tani ndoshta zgjedhja më e keqe që është në mundësi të partive politike në Kosovë.

RTK: A do të ketë takime midis lidershipit të PDK-së dhe LDK-së?
U.D i Presidentit Jakup Krasniqi:
Po mendoj që do të ketë. Ne do të përpiqemi që të bisedojmë me të gjitha partitë parlamentare, në mënyrë që ta gjejmë rrugën më të shpejtë dhe më të mirë për të dalë nga kjo situatë në të cilën tani për tani gjendemi.

RTK: Dihet tashmë se edhe në lidershipin e partisë suaj ka qëndrime të ndryshme sa i përket kësaj situate dhe mënyrës se si kemi ardhur deri këtu me koalicionin mes PDK-së dhe AKR-së. Besoni se do të tejkalohen këto qëndrime të ndryshme për të arritur te kompromisi ?
U.D. i Presidentit Jakup Krasniqi:
Ne mendojmë se mendimet e kundërta nuk e dëmtojnë procesin, por megjithatë ne mendojmë se duhet të jetë një kompromis mes partive të ndryshme politike për ta gjetur një konsensus ose një shtegdalje nga kjo gjendje. Natyrisht se unë jam i bindur se edhe në Partinë Demokratike do të jetë një çështje e unifikuar, do ta gjejnë atë formulën e daljes nga kjo gjendje dhe unë shpresoj që edhe përbrenda Partisë Demokratike por edhe përbrenda partive tjera politike që kanë dallim në nuanca se si të dilet nga kjo situatë do të xhindet një kompromis se në fund të fundit Kosova është atdhe i të gjithëve dhe të gjithë kanë të drejtë të japin kontributin e tyre për të dalë nga kjo gjendje.

RTK: Në cilësinë e Ushtruesit të Detyrës së Presidentit, a do të inicioni gjatë këtyre ditëve ndonjë tryezë kombëtare të partive, në mënyrë që të kemi bisedime konkrete?
U.D. i Presidentit Jakup Krasniqi:
Unë fillimisht do të bëj përpjekje që të bisedoj me të gjitha partitë parlamentare që janë pjesë e Kuvendit të Kosovës dhe pastaj mbi bazën e këtyre bisedimeve mund të vihet deri në tryezën e përbashkët të këtyre partive politike për ta gjetur një konsensus të përbashkët për të dalë dhe për ta krijuar institucionin më të lartë përfaqësues të shtetit, pra për ta zgjedhur presidentin e Republikës së Kosovës.

RTK: Z. Kryetar, keni presione ndërkombëtare në këtë fazë sa i përket gjetjes së zgjidhjes, sepse ju e dini zakonisht në këto situata të ndjeshme politike ndërkombëtarët, diplomatët që janë të akredituar në Prishtinë përzihen nga pak, japin edhe ata sugjerimet e tyre?
U.D i Presidentit Jakup Krasniqi:
Po sugjerimet dhe mundësitë për të ndihmuar në këtë proces janë të mirëseardhura, edhe pse nganjëherë ndërhyrjet bëhen dhe janë ndërhyrje veç sa për t’i zgjedhur disa çështje dhe disa procese. Ne mendojmë që ndërhyrjet do të ishin të mirëseardhura për t’i ndihmuar partitë politike, për të krijuar një konsensus dhe për të dalë nga gjendja. Tani për tani, sa i përket ne pozicionin tim nuk ka kurrfarë as presionesh, as kërkesash, megjithatë presione dhe kërkesa nëse mund të themi kështu ato më tepër janë të drejtuara në drejtim të kryetarëve të partive politike.

RTK: A do të lejoni si Kryetar i Kuvendit që të procedoni një seancë parlamentare ku do të shkohej me skenarin e njëjtë, pra z. Pacolli do të shkonte në kandidim, do të kishte edhe një kandidat tjetër formal për të plotësuar atë që e kërkon Kushtetuta, pa u arritur kompromisi. Do ta lejonit një seancë të njëjtë si herën e parë apo vetëm nëse ka një marrëveshje politike?
U.D i Presidentit Jakup Krasniqi:
Kuvendi është një organ kolektiv dhe nëse Kuvendit i bëhet një kërkesë me nënshkrimet e dyzet deputetëve, ne jemi të obliguar ta procesojmë. Kjo është e paraparë edhe me Kushtetutë, kjo është e paraparë edhe me rregulloren e punës së Kuvendit.

RTK: Por sigurisht ky nuk është skenari që ju do e mbështesni, sepse do të kishim historinë e njëjtë pastaj?
U.D i Presidentit Jakup Krasniqi:
Po ne nuk do ta mbështesnim, por janë partitë politike ato që e imponojnë.