Intervistë e Presidentit Sejdiu në “La Libre Belgique”

“Po bëjmë progres. Prognozat e atyre që janë kundër pavarësisë së Kosovës nuk janë realizuar. E kundërta, e kemi konsoliduar bazën e një zhvillimi të qëndrueshëm. I kemi themeluar institucionet tona dhe kemi përfunduar legjislacionin tonë, si dhe Kushtetutën. Deri më tani, Kosovën e kanë njohur 65 shtete. Jemi anëtarësuar në FMN dhe në Bankën Botërore.

“Ne kemi popullatën më të re në Evropë, dhe është e prekur rëndë nga papunësia. Duhet të bëjmë më shumë për të krijuar vende të punës. Përparësia jonë është që shumica e të rinjve janë të edukuar shumë mirë. Më mirë është të kemi të rinj të shkolluar mirë dhe pa punë, sesa të kemi të rinj të pashkolluar dhe pa punë”, ka theksuar Presidenti Sejdiu i pyetur në lidhje me shkallën e lartë të papunësisë në vend. “Për çështjen ekonomike kemi ende shumë punë për të bërë, por mos harroni se ne kryesisht kemi privatizuar ekonominë tonë dhe kemi miratuar një mekanizëm për garantimin e investimeve të huaja”, vijoi ai
Ndërsa, i pyetur në lidhje me raportet me Beogradin, Presidenti Sejdiu është shprehur se qasja jonë është paralele. Është fakt se Beogradi vazhdon t’i mbështesë strukturat paralele në një pjesë të Kosovës. Në vitin 2008 dhe 2009, serbët kanë shpenzuar më qindra miliona euro për të financuar strukturat paralele.
Imagjinojmë se ju jeni në një tavolinë të negociatave, për çfarë do të bisedonit me Beogradin, ishte pyetja në vijim, duke u përgjigjur në të cilën Presidenti Sejdiu theksoi se do të bisedonim për tema të interesit reciprok për dy shtete të pavarura të regjionit: zhvillimi i eksportit, sigurimi i lirisë së lëvizjes së qytetarëve, bashkëpunimi për energji elektrike, luftimi i krimit të organizuar.
“Ne gjithherë ia kemi zgjatur dorën Serbisë (...) ndërsa Serbia kurrë nuk ka kërkuar falje për krimet që ka bërë në Kosovë. Ne nuk do ta harrojmë tragjedinë të cilën e kemi përjetuar. Ajo është pjesë e memories tonë. Krimet kundër njerëzimit nuk parashkruhen”, tha ai.
Në konstatimin e gazetës se Serbia po bën progres dhe se ajo sapo ka arrestuar personat të cilët dyshohet se kanë vrarë babanë e Agim Çekut, ish-kryeministër i Kosovës, Presidenti Sejdiu tha: “Këto janë ngjarje të frikshme. Pse Serbia ka pritur kaq gjatë? Evropa duhet të bëjë presion tek Beogradi... Serbia ka vendin e saj në Unionin Evropian dhe në NATO. Por thjesht besoj se para se të anëtarësohet, Serbia do të duhej ta braktisë qasjen e saj irracionale.
I pyetur rreth korrupsionit si fenomen, Presidenti Sejdiu theksoi se Kosova nuk është imune ndaj këtij fenomeni. “Ne duhet të përmirësojmë dhënien e kontratave, të sigurojmë se gjykatat funksionojnë dhe të koordinojmë të gjitha institucionet e drejtësisë. Supozojmë se zyrtarë të lartë janë të implikuar në korrupsion, është një problem i rëndë për t’u menaxhuar sepse politika ndërhyn”, tha ai.
Ndërsa, i pyetur nëse një pjesëtar i qeverisë do të ishte i implikuar, kush do ta arrestonte, Presidenti tha se kjo është një pyetje hipotetike. Drejtësia duhet të vendosë, tha ai, dhe askush nuk është mbi ligjin.
Ju së fundi e keni takuar Kryeministrin belg, i cili është alarmuar për ardhjen e papritur në Belgjikë të imigrantëve shqiptarë nga Maqedonia dhe nga jugu i Serbisë, falë liberalizimit të vizave, u interesua gazeta.
“Ne kemi pasur një bisedë të përzemërt dhe të sinqertë. Ne dëshirojmë që liberalizimi i vizave të shtrihet gjithashtu edhe në Kosovë. Kjo lehtësi nuk është destinuar që t’u mundësojë njerëzve që ta lëshojnë vendin dhe të jetojnë në një shtet të Unionit Evropian. Jam gati i sigurt se njerëzit tanë nuk do ta lëshojnë Kosovën. Një grup i vogël ndoshta, por jo shumica. Kujtoni eksodin masiv të vitit 1999. Një milion njerëz ishin zhvendosur. Më shumë se 80 për qind janë kthyer”, tha Presidenti Sejdiu.