Intervistë e Presidentit Pacolli në gazetën “Express”

Presidenti i ardhshëm zgjidhet direkt nga populli. Mandatin tim nuk do ta ndërpres për qejf të dikujt. Deri në fund të vitit do t’i sjellim Kosovës së paku 25 njohje. Gruaja ime nuk është ruse. Behgjet Pacolli, President i Kosovës, në një intervistë për Express, u përgjigjet të gjitha akuzave dhe dilemave rreth zgjedhjes së tij në krye të Shtetit.

Prishtinë, 1 mars.

Express: Nga pozicioni i Presidentit të Shtetit, si e shihni, sa mund të jetë i qëndrueshëm koalicioni mes AKR’së e PDK’së, kur zyrtarë të lartë të kësaj partie, z. Krasniqi, z. Limaj kanë qenë kundër zgjedhjes suaj?
Pacolli: Unë do të dërgoja një mesazh prej këtu, që të ketë bashkëpunim të mirë, që institucionet e Kosovës të veprojnë, të punojnë për interesat e qytetarëve. Çka mund të dalë nga ajo ana negative, unë nuk mund as ta paramendoj. Nuk më mbetet mua që të them sot se AKR’ja, PDK’ja kanë probleme. Kosovës i nevojiten institucionet.

Express: Të flasim rreth legalitetit të zgjedhjes suaj në krye të Presidencës. A mendoni që ju ndoshta vetë duhet të kërkoni sqarime prej Gjykatës Kushtetuese për atë që ka ndodhur?
Pacolli: Unë nuk konsideroj se duhet të kërkoj sqarime, për arsye se unë punoj sipas instinktit tim, veprimeve të mia që i kam bërë nga vullneti im, nga shpirti im. Çdo gjë që kam bërë deri tani, sidomos prej procesit parazgjedhor, i kam bërë gjithmonë në sensin pozitiv.    

Express: Zgjedhja juaj President e ka përçarë skenën politike. Ndërkohë që e ka bërë një vijë të trashë ndarëse në skenën politike të Kosovës?
Pacolli: Unë nuk besoj në këtë. Por prapë duhet t’ju them se unë jam President i gjithë kosovarëve, pa marrë parasysh përcaktimin e tyre politik, fetar. Unë nuk mendoj se ka përçarje për shkak të Presidentit të Kosovës në mes të spektrit politik, gjegjësisht partiak. Unë besoj se në qoftë se ka diçka, ato janë hidhërime të momentit. Edhe një familje e vogël mund të ketë batica dhe zbatica, e lëre më aty ku formohet një Qeveri, ku të gjithë duan të bëhen pjesë e saj. Në këto raste edhe hidhërimet janë të arsyeshme, por unë nuk besoj se do të ketë përçarje. Nuk do ta preferoja atë, por do t’u lutesha të gjithëve që të jemi unikë dhe të bashkëpunojmë. Kosova është duke kaluar në një periudhë shumë të rëndësishme delikate dhe ne duhet të koncentrohemi në zhvillimin ekonomik – kusht ky për përmirësimin e jetës të qytetarëve të Kosovës.

Express: Gjatë tre muajve të fundit që para zgjedhjeve ka pasur plot fjalë dhe është komentuar çdo hap juaji. Cili është shpjegimi juaj për gjithë këto që ndodhën në media e debate të ndryshme?
Pacolli: Unë e njoh vetveten. Merrem me vetveten time. Jam përgjegjës për veprimet e mia. Në mënyrë morale dhe materiale iu përgjigjem veprimeve të mia kurdoherë që ato kanë ndodhur. Ju garantoj dhe i siguroj qytetarët e Kosovës se asnjë veprim në jetën time nuk e kam bërë që ka shkuar në dëm të qytetarëve të Kosovës dhe shtetbërjes së Kosovës. Unë kam vepruar për këtë dhe do të veproj për një ardhmëri më të mirë të qytetarëve të Kosovës. Jeta ime ka qenë e tillë dhe ka qenë e pamundur pa krijuar kuriozitet te njerëzit. Mund të them se jeta ime është një histori e suksesit. Aty ku ka sukses, ka koncentrim të opinioneve të cilat ndahen në dy pjesë. Janë ato konstruktive, por janë edhe ato negative, të cilat vijnë prej xhelozive të ndryshme, prej dëshirës shumë të madhe që dikush vetë do të kishte dëshirë t’i bënte ato që i kam bërë unë. Ka dhe shumë të tjera, prandaj për mua është e qartë të flas për eksperiencën. Suksesi im, rrugëtimi im, normalisht nuk ka qenë i mirëseardhur për të gjithë. Është e pamundur që të mos përflitet nga puna ime – një kosovar i thjeshtë që shkon në një shtet demokratik, në një shoqëri demokratike, në një shoqëri super të zhvilluar ekonomikisht. Në qendër të Zvicrës dhe aty të bëhet faktor me punën e tij. Shembull, ish-kompania ime “Mabetex”, në vitet ’90 ishte njëra nga 74 kompanitë më të mëdha të llojit të vet në Zvicër. Merreni me mend tani se çfarë ekonomie botërore është e koncentruar në Zvicër. Ish-kompania ime ishte njëra nga dhjetë firmat tatimpaguese më të mëdha që paguanin tatimet në kantonin ku ajo vepron. Dhe, krejt kjo normalisht ka ngritur tema për të diskutuar. Unë ju them se të veprosh në Zvicër, ku mbi të gjitha është Ligji dhe pas 30 vitesh punë të kesh një ekstrakt të pastër nga regjistri i të hetuarve, është vështirë. Kjo është vështirë t’i ndodhë një punëtori të thjeshtë atje, e lëre një kompanie. Unë ju them se sot e kam një ekstrakt të pastër nga shteti zviceran se asnjëherë gjatë 30 viteve të punës nuk kam qenë i dënuar. Asnjëherë nuk kam pasur llogari bankare të bllokuar. Asnjëherë nuk kam qenë i dënuar. Më falni, po flasim për një shtet si Zvicra, e jo për shtete siç pretendon dikush. Ne jetojmë në një botë demokratike dhe njerëzit mund të flasin. Unë ju them juve tani se po ta filloja prapë jetën, unë do ta zgjidhja të njëjtën rrugë që kam jetuar deri tani.

Express: A mendoni se do të ushtroni postin e Presidentit deri në fund të mandatit, apo ndryshimet kushtetuese mund t’jua ndërpresin mandatin për të zgjedhur Presidentin me votë direkte?
Pacolli: Unë e di se në Kosovë kemi nevojë të bëjmë disa ndryshime në legjislacion dhe në Kushtetutë. Nëse ju kujtohet, kam qenë i pari që kam ngritur këtë çështje në reformat zgjedhore. Ligji aktual zgjedhor nuk është ai që garanton zgjedhje të lira dhe fer. Unë kam insistuar shumë herë që nga viti 2007 edhe tek ish-Presidenti i kaluar, mirëpo nuk është marrë në konsideratë kërkesa ime. Nga pozicioni që ishim më herët si parti e tretë në vend dhe në opozitë, nuk kishim mundësi të bënim diçka më shumë. Këtu kemi dështuar deri tani si vend, por jo për fajin tonë. Në fjalimin tim si President, unë kam premtuar se bashkë me spektrin politik të Kosovës dhe shoqërinë civile, do të punoj për ndryshimin e Ligjit zgjedhor. Një prej premtimeve të tjera në këtë drejtim e kam bërë për referendumin, të cilin e konsideroj qelizë kryesore të demokracisë në bazë të cilës qytetarët e Kosovës mund të shprehen. Kjo do të eliminonte të gjitha influencimet dhe opinionet e partive dhe grupeve të ndryshme për një çështje të caktuar për qytetarët. Një tjetër premtim ka qenë që Presidenti të zgjidhet prej qytetarëve. Kjo ka qenë dëshirë e imja prej kur kam hyrë në politikën e Kosovës. Atëherë pata deklaruar se Presidenti duhet të zgjidhet nga vota e qytetarëve. E dini mirë se unë jam kritikuar kur e pata bërë këtë propozim. Tani të gjithë janë dakord me propozimin tim. Madje edhe zyrtarë të lartë nga Brukseli e mbështesin këtë ide.       

Express: Kur do të ndodhin këto ndryshime në Ligj zgjedhor dhe për zgjedhjen e Presidentin direkt nga qytetarët?

Pacolli: Unë do t’ia filloj shumë shpejt konsultimeve me këshilltarët e mi. Do të formoj një grup ekspertësh dhe do të fillojmë konsultat me spektrin politik, shoqërinë civile, por edhe me qytetarët dhe do të formalizohet pastaj ndryshimi kushtetues edhe për zgjedhjen e Presidentit. Jam i bindur se Presidenti i ardhshëm do të zgjidhet nga vota e qytetarëve, e jo nga vullneti i partive të ndryshme.

Express: Edhe deklarata e Ambasadës amerikane ka qenë pas zgjedhjes suaj se Presidenti duhet të zgjidhet nga qytetarët. A është kjo një prej kompromiseve që ju të vini në karrigen e Presidentit?
Pacolli: Nuk jam dakord me pyetjen për arsye se që nga viti 2007, kur kam hyrë në politikë, gjithmonë e kam kërkuar këtë që Presidenti të zgjidhet nga qytetarët. Unë nuk mund të them tani me saktësi kur do të ndodhë, sepse ne kemi tani prioritete shumë më të mëdha sesa këto. Ne duhet të fillojmë të punojmë dhe ta ndërrojmë këtë gjendje, të cilën unë e shoh në shumë familje. Besoni se kur i shoh, shpirti më dhemb. Ne duhet t’ia fillojmë punës, të ndërrojmë situatën e mjerueshme në Kosovë. Vetëm me rritje ekonomike, vetëm me punë mund të ecim përpara.

Express: Ju jeni në Postin e Presidentit dhe nga ky pozicion nuk keni shumë hapësirë që të merreni me ekonomi?
Pacolli: Unë nuk besoj se në Kushtetutën e Kosovës limitohet veprimi i Presidentit për një punë, e cila shkon drejtpërdrejt në interesin e qytetarëve të Kosovës. Prandaj, unë do të jem lobues shumë i madh i zhvillimit ekonomik. Unë do të punoj edhe me ministrat e Kosovës që janë të involvuar në sektorin ekonomik dhe do t’u jap shumë sinjale valide që të veprojnë në mënyrë që të sjellin sa më tepër investitorë të huaj, në mënyrë që të sjellim projekte që sa më shpejt ekonomia kosovare të përfitojë.

Express: A mendoni ta përfundoni ju mandatin pesëvjeçar, e pasardhësi të zgjidhet direkt apo do të ndërpritet ky mandat i juaji për hir të mbajtjes së zgjedhjeve direkte për Presidentin?
Pacolli: Sigurisht unë këtu për hir të dëshirave të dikujt nuk do ta ndërpres asnjëherë punën ose mbarëvajtjen e shoqërisë kosovare. Mund t’ju them se prioritet është tani funksionimi dinjitoz i të gjitha institucioneve të Kosovës. Prioritet do të jetë implementimi i të gjitha kushteve që na mundëson që shoqëria jonë të integrohet në qarqet evropiane dhe globale. Prioritet do të jetë që Kosovës t’i sjellim sa më tepër njohje. Duke respektuar miqtë tanë, tani duhet të krijojmë miq të tjerë që Kosova të jetë pjesë e organizatave të ndryshme globale, që Kosova ta ndreqë imazhin e vet. Mos harroni se këtu ka ndodhur një storie e suksesit. Këtu është shpallur pavarësia e një shteti. Për këtë storie kanë folur edhe shpirtrat e zinj. Raporti i Dick Martyt nuk është i rastit. Një raport i tillë do të ishte edhe nëse do të lindte një shtet diku në demokracitë më të lashta. Ju them se suksesi jo gjithmonë falet. Prandaj, të keni parasysh se ne këto përfolje duhet t’i tejkalojmë me shembuj të mirë, me zhvillim demokratik të shoqërisë kosovare, me rritje ekonomike dhe imazhin tonë ta bëjmë me punë, e jo me fjalë. Ky është një nga prioritetet. Prioritet tjetër yni është që të funksionalizojmë komplet infrastrukturën juridike dhe gjyqësore në Kosovë, që ajo të funksionojë. Që mos të kemi raste që qe 10 vjet janë të harruara, por të funksionojë drejtësia dhe ajo të vërehet, sepse ndikon te qytetarët dhe në imazhin tonë të jashtëm. Pastaj, kemi tani dialogun me Serbinë, me të cilën kemi çka të bisedojmë. Jam i lumtur që tani bisedojmë prej dy pozitave të barabarta. Dhe e kemi bërë me dije se nuk ka diskutim për statusin e Kosovës, për integritetin territorial apo ndarjen e Kosovës. Çdo gjë tjetër që shkon në përmirësimin e jetës së qytetarëve ne me vullnet do ta bëjmë dhe duhet ta bëjmë dhe të punojmë për një të ardhme më të mirë të njerëzve. Kosovës i nevojitet shumë punë, marrëdhënie të mira ndërfqinjësore. Kosovës i nevojitet një lëvizje e lirë e njerëzve, ideve, kapitalit dhe mallrave. Mes kohës ne do të ngremë edhe kualitetin e legjislacionit, por edhe do të plotësojmë Kushtetutën tonë që meriton të përmirësohet. Ju e dini se në çfarë kushtesh ka lindur Kushtetuta jonë dhe ajo do të jetë gjithmonë subjekt apo objekt i ndryshimeve, për arsye se ndërron jeta, ndërrojnë kushtet dhe normalisht edhe Kushtetuta duhet të amandamentohet.  

Express: Z. President, sa keni qenë jashtë institucioneve, keni udhëtuar në shumë shtete që nuk na kanë njohur. Si do të udhëtoni tani për të lobuar?
Pacolli: Unë nuk do ta ndal asnjëherë lobimin. Normalisht, unë do të shikoj mundësitë deri ku më lejon Kushtetuta e Kosovës që të jem jashtë vendit. Do të shikoj se çfarë më lejon Kushtetuta që unë prapë ta përdor kapitalin tim privat për Kosovën. Unë do të shikoj pra mënyrën që më lejohet të loboj. Lobimi duhet të ndodhë dhe do të jetë e imja, por tani në bazë të Kushtetutës dhe ligjeve për Presidentin. Ju them prapë, lobimi nuk do të ndalet. Ne do t’i funksionalizojmë ato qelizat lobuese që kanë vepruar për mua, të veprojnë për shtetin e Kosovës.

Express: Z. Pacolli, ju po ashtu keni thënë se nga pozita e Presidentit të Kosovës do të mund  të sillni shumë njohje të reja”.
Pacolli: Ashtu është. Shumë e vërtetë,  nga pozita e Presidentit mund t’i sjellë Kosovës shumëçka për arsye se përpos Pacollit që kam qenë përpara, kam edhe institucionin prapa. Unë ndihem shumë komod për këtë. Unë nuk do të përdor mënyrat e tjera siç kam ardhur deri te takimet e ndryshme me burrështetasit, ku ndoshta kam përdorur më tepër subjektin tim ekonomik ose partinë time, kryetar i së cilës kam qenë. Tani unë e di se do të depërtoj te të njëjtit burrështetas, por tani duke përdorur pozitën time si president i Kosovës, që sigurisht do ta kem shumë më lehtë.

Express: A keni ndonjë parashikim, sa njohje mund të siguroni gjatë këtij viti?
Pacolli: Unë kam biseduar edhe me Ministrin e ri të Punëve të Jashtme, Enver Hoxhaj. Unë e inkurajova atë që të veproj, sepse duhet t’i tregojmë botës se jemi këtu, kemi një diplomaci shumë moderne, shumë intensive. Një diplomaci shumë fleksibile. Një diplomaci që duhet ta aplikojmë sipas vendit ku duam të kemi marrëdhënie diplomatike, jo të ngurtë, vetëm telekamerat, ato nuk bien suksese. Pse ka pasur shumë sukses diplomacia e Mbretërisë së Bashkuar? Ka pasur sukses vetëm për atë se është adaptuar në shtetet ku ata kanë sunduar. Comonwelthy ka qëndruar aq shumë, sepse ata kanë aplikuar një diplomaci të veçantë. Në Indi kanë bërë diplomaci për indianët, pastaj në Australi. Në këtë mënyrë duhet të veprojë edhe Kosova. Unë besoj se diplomacia e Kosovës, e kësaj qeverie, do të jetë shumë efikase, sepse do të jetë moderne dhe do të aplikohet nga një gjeneratë e re e diplomatëve. Po ashtu, ne kemi biseduar me Ministrin e Jashtëm se do të kemi një qëllim. Qëllimi ynë është që gjatë këtij viti të arrijmë deri në 100 njohje. Kjo duhet të ndodhë. Nuk mund të ketë shmangie nga ky qëllim.

Express: Z. Pacolli, a do të punoni që shtëpinë tuaj private ta shndërroni në rezidencë presidenciale gjatë ushtrimit të postit tuaj si President?
Pacolli: Unë kam disa gjëra që  mund t’ia vë në dispozicion funksionit tim, por unë së pari do të respektoj ligjet e Kosovës, do të respektojë Kushtetutën e Kosovës. Nëse e shoh që ligji ose rregullat e lejojnë këtë, unë do t’i vë në dispozicion për  çdo gjë që kam. Prej rezidencës sime deri te aeroplani dhe mundësitë e tjera, të cilat mund t’ia vë në dispozicion Presidencës. Por, po e përsëris, vetëm nëse këtë e lejon ligji, rregullat dhe Kushtetuta.

Express: Z. Pacolli, djali i ish-presidentit Rugova, Uka, është parë ulur afër juve në Kuvend. Cili është bashkëpunimi juaj me Ukën?

Pacolli: Kam një respekt shumë të madh për familjen Rugova. Kam shumë respekt të madh për Ukën, djalin e ish-presidentit Rugova. Ulja afër e tij sigurisht se nuk ka qenë e planifikuar. Ka qenë shumë spontane. Kjo ndodh vetëm te njerëzit që kanë një simpati mes veti, një energji të përbashkët. Unë nuk jam tash deputet i Kuvendit të Kosovës, por po të isha, do ta kaloja mandatin tim duke e ulur afër meje Ukë Rugovën, por pa paragjykime për askënd. Unë kam një respekt shumë të madh për të.

Express: T’i kthehemi edhe një herë seancës së Kuvendit. Të nesërmen kanë dalë në Express dhe Koha Ditore mesazhe të shkëmbyera mes jush dhe këshilltarit tuaj. Çfarë ndodhi atë ditë? A kishit aq nevojë për konsultime me Dellin? Cilat janë komentet tuaja për ato mesazhe?
Pacolli: Së pari, ekziston një realitet në Kosovë. Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë një meritë shumë të madhe për ekzistencën e shtetit të Kosovës dhe shtetformimin e Kosovës. Ai që e kundërshton këtë, nuk ka të drejtë. SHBA’ja bashkë me shtete të BE’së, kanë një meritë të jashtëzakonshme në këtë dhe ne i falënderojmë për këtë. Së dyti, nuk ka pasur asnjë veprim, as të SHBA’së, as të BE’së që e kanë futur Kosovën të veprojë diçka që është kundër interesit të Kosovës, popullit tonë dhe shtetbërjes së Kosovës. E treta, ka qenë rekomandim i fuqishëm edhe i BE’së, edhe i SHBA’së, që institucionet e Kosovës të formohen sa më shpejt në bazë të rezultateve të zgjedhjeve. Çdo ditë që Kosova do të mbetej pa institucionet e saj, do të shëmtonte Kosovën. Do të fuste Kosovën në një hendek edhe më të madh. Atëherë kur Kosova ka më së tepërmi nevojë për zhvillim ekonomik dhe përmirësim të imazhit të vet ndaj miqve të vet, gjegjësisht t’u tregoj miqve të vet se nuk kanë investuar në Kosovë diçka që është humbur, por kanë investuar diçka, e cila jep rezultate. Rezultat i kësaj ka qenë edhe formimi i institucioneve të Kosovës. Nuk kishte me qenë dobësi e askujt në Kosovë, jo vetëm e imja, ndoshta të ketë një këshillë prej miqve duke e ditur gjithmonë se këshillat nevojiten. Kosova nuk ka qenë në gjendje të veprojë e vetmuar. Kosova është shtet edhe duke iu falënderuar miqve tanë. Unë në jetën time kam vepruar gjithmonë jo me vendimet e mia vetanake, por me vendimet që i kam marrë me njerëzit e mi. Disa nga njerëzit e mi, që i falënderoj shumë, janë edhe këshilltarët e mi, pa marrë parasysh cilët janë ata, ku dhe si veprojnë.
Unë në SMS-të e mi që i kam marrë nga këshilltari im nuk shoh asgjë që prek Kushtetutën, mënyrën e zgjedhjes ose ndonjë presion që i kam bërë ndaj dikujt për zgjidhjen time si president. Lexoni, bile ju të Expressit i keni krejt dhe lexojini ato. Unë me sa e di, prej krejt SMS-ve kam pyetur vetëm për një këshillë. Unë kam pyetur këshilltarin tim si ta përballojmë raundin e tretë të votimit. Asgjë tjetër. Çdo gjë tjetër që spekulohet me këta SMS nuk do të ishte korrekte. Kanë qenë të karakterit privat. Të miat me këshilltarin tim.

Express: Nëse nuk ka pasur presion, si ndodhi që ndryshoi aq shumë votimi i deputetëve në raundin e tretë?

Pacolli: A jam unë i pari ai? Jo! U ka ndodhur me sa e di unë të gjithë presidentëve të Kosovës që janë zgjedhur deri më tani. Sa e di unë, ka ndodhur bile edhe te Ibrahim Rugova. Në mes dy votimeve të para dhe votimit të tretë ka pasur një javë pauzë. Te zoti Fatmir Sejdiu, e dini mirë, bile diferenca mes dy raundeve të  para ka qenë më e madhe se sa diferenca ime. Normalisht, askush nuk ka të drejtë ta gjykojë këtë. Përndryshe nuk do të kishte kurrfarë arsyeje të ekzistojë as raundi i dytë, as raundi i tretë. Raundet janë shumë demokratike. Në raundin e tretë unë kam kaluar. Kam mundur edhe të mos kaloj, normalisht. As unë, as dikush që unë e di, nuk ka bërë presion mbi deputetët që të votojnë në këtë ose atë mënyrë. Unë konsideroj se jam president i mbi 90 për qind të deputetëve që kanë qenë në sallë, që kanë formuar kuorumin për të zgjedhur presidentin e Kosovës.

Express: Zoti President, cila do të jetë vizita juaj e parë jashtë vendit? A keni ndonjë sinjal nga ndonjë vend?
Pacolli: Unë kam marrë shumë urime, shumë falënderime nga presidentë të ndryshëm të shteteve, duke filluar prej SHBA’së, shteteve të BE’së, etj. Dua t’ju them se unë vizitën e parë do ta bëj në Shqipëri. Këtë javë do të caktohet edhe agjenda. Jam jashtëzakonisht krenar që vizitën e parë e bëj në shtetin shqiptar. Biseda të cilat do të zhvillohen pa përkthyes. Pastaj unë tashmë kam një ftesë për vizitë nga presidenti i Maqedonisë. Kjo do të konfirmohet pas vizitës në Shqipëri. Unë do të vizitoj edhe Malin e Zi. Duke ditur gjithmonë se edhe atje ka pjesë shqiptare dhe janë fqinjët tanë. Më tutje do të kem edhe shumë vizita të tjera që janë në agjendën e protokollit që për opinionin do të dihen në kohë të caktuar. 

Express: Është shkruar dhe është folur shumë për kombësinë e bashkëshortes tuaj. A mund të sqaroni këtë dhe të tregoni se cili do të jetë roli i saj tani në Kosovë?
Pacolli: Së pari, unë dëshiroj të theksoj se e dua shumë bashkëshorten time. E dua familjen. Bashkëshortja ime është pjesë e familjes. Unë  besoj në dashuri, kam besuar, duke përjashtuar çdo pengesë si gjuha, konfesioni apo kombi. Unë e di se kam një familje shumë të shëndoshë. Kam tre fëmijë me bashkëshorten time: Kam Hanën, Isën dhe Diarin, të cilët flasin shqip hiç më pak sesa bashkëmoshatarët e tyre që jetojnë gjithë kohën në Kosovë. Me bashkëshorten kemi një respekt të ndërsjellë shumë të madh. Ajo sot është shumë krenare që burri i saj është Presidenti i Kosovës. Ajo është e përgatitur që ta përcjellë burrin e saj në çdo sfidë që vjen. Dhe të drejtën t’jua them, realizohet tani edhe një dëshirë shumë e madhe e bashkëshortes sime nëse hapet edhe një fushë, edhe një diapazon ku ajo mund të veprojë me veprimet e saj humanitare. Bashkëshortja ime aktualisht është drejtuesja e Fondacionit për fëmijët e rinj të quajtur “Ibrahim Kodra” dhe është duke punuar aty me dashuri të madhe. Jam i bindur se shumë shpejt ajo do të vijë dhe do të organizojë drejtimin e një muzeu dhe shkolle të artit për të rinjtë me emrin Ibrahim Kodra. Ajo e ka ndërmend të veprojë edhe në shumë sfera të tjera humanitare. Kështu që aspak nuk jam i zhgënjyer që e kam një bashkëshorte që vjen nga Rusia, e cila nuk është ruse, por e ka shtetësinë ruse. Po të kisha mundësi sërish të kthehesha pas prapë, do ta bëja të njëjtën gjë.

Express: Thatë se bashkëshortja juaj nuk është ruse, por vetëm shtetësinë e ka ruse?     
Pacolli: Ajo është pasardhëse e një shqiptari shumë, shumë të vjetër, po mendoj të viteve 1800 që ka emigruar nga Jugu i Shqipërisë në Rusi dhe nëna e saj vjen nga Burjati, një fis që nuk ka lidhje aspak me rusët. Burjati është një fis mongol. Këtë nuk po e përmendi për t’u justifikuar, por vetëm po ju shpjegoj meqë më pyetët.