Intervistë e Presidentes Atifete Jahjaga për “Botën sot”

Ruajtja e sovranitetit dhe e integritetit të vendit është obligim Kushtetues dhe përcaktim politik e moral i Presidentes së vendit, thotë në intervistën ekskluzive për “Bota sot” presidentja Atifete JahjagaNuk jam “nominuar” për presidente nga koha e deklarimeve të z.Dell e Feith

“Bota sot”: Znj. Presidente, mundësinë e zgjedhjes së një femre në postin e  presidentes e kanë përmendur menjëherë pas përfundimit të zgjedhjeve nacionale edhe Piter Feith, edhe ambasadori amerikan Kristofer Dell. A nënkupton kjo se në njëfarë mënyre ju jeni “nominuar” në postin e presidentes që nga kjo kohë?
 
Presidentja Jahjaga:
Jo, kjo nuk e nënkupton se në njëfarë mënyre jam e “nominuar” në postin e presidentes që nga kjo kohë për dy arsye. E para, procedura kushtetuese dhe ligjore e nominimit për postin e presidentes së vendit është e përcaktuar qartë. E dyta, sepse nga popullsia e përgjithshme e Kosovës më shumë se 50 për qind janë femra dhe secila në këtë përmendje e ka parë ”mundësinë e zgjedhjes së një femre në postin e Presidentes së vendit”.  

“Bota sot”. Përmendja e emrit tuaj për kandidate për presidente ka qenë një befasi për skenën politike por edhe për opinionin publik. Ju nuk “zbritët nga qielli” por emri juaj doli nga Selia e Madhe në lagjen Arbëria. A është më shumë nder apo përgjegjësi që të merrni bekimin e Ambasadës Amerikane në Kosovë për postin e presidentes së shtetit?

Presidentja Jahjaga:
Nuk konsideroj se përmendja e emrit tim për kandidate për presidente ka qenë një befasi për skenën politike dhe për opinionin publik, sepse unë jam një profesioniste e dalluar e cila bëri karrierë në Policinë e Kosovës duke kryer detyrat më me përgjegjësi dhe duke arritur gradat më të larta të policisë. Sa i përket çështjes se a është më shumë nder apo përgjegjësi që të marr bekimin e Ambasadës Amerikane në Kosovë për postin e presidentes së shtetit, unë jam mbështetëse e idesë që zgjedhja buron nga populli përkatësisht nga përfaqësuesit legjitim dhe legalë të popullit. Ndërsa pasja e miqve ndërkombëtarë në anën e Republikës së Kosovës dhe liderëve të saj konsiderohet gjë e mirë, por edhe e nevojshme, sepse asnjëherë nuk i kam parë dhe nuk i shoh interesat, por edhe synimet e popullit tim të kundërta me interesat dhe synimet e miqve ndërkombëtarë të Republikës së Kosovës, veçanërisht të SHBA-së dhe të BE-së.  
 
Isha dhe do të mbetem pa anëtarësim në parti politike

“Bota sot”: Presidentët e Kosovës në mandatet e kaluara, vinin nga partitë politike, ndërsa ju jeni a partiake. A e ndieni veten më komod për faktin se nuk keni prejardhje partiake apo po ndiheni e “kufizuar” dhe tepër e kujdesshme, sepse duhet të jeni “mirë me të gjitha” partitë politike?

Presidentja Jahjaga:
Unë e ndiej veten mirë me zbatimin e kushtetutshmërisë dhe të ligjshmërisë në kryerjen e detyrave dhe përgjegjësive të mia. Ndoshta në periudhën e zgjedhjes së presidentes së vendit mund të jetë e një rëndësie anëtarësimi ose mosanëtarësimi në partinë e caktuar politike ose në koalicionin e caktuar, mirëpo pas zgjedhjes Presidentja e vendit është unifikuese dhe përfaqësuese e unitetit të popullit. Gjatë mandatit Presidentja e vendit duhet ta ketë përkrahjen e popullit dhe duhet ta ketë përkrahjen e partive politike të Kuvendit të Republikës së Kosovës. Kjo do të thotë respektim i normës kushtetuese për zgjedhjen dhe për shkarkimin e presidentit të vendit. Isha dhe do të mbetem pa anëtarësim në parti politike, që në asnjë rast, pra edhe kur zgjedhja të bëhet drejtpërdrejt nga populli, nuk do të thotë se nuk do ta kem përkrahjen nga një ose më shumë parti politike.   

“Bota sot”: Ju dhe stafi juaj jeni përgjigjur ndaj kritikave për qëndrim asnjanës politik se presidentja nuk do të jetë pjesë e debatit publik. Megjithatë sa mund të jetë “imune” dhe indiferente presidentja e shtetit ndaj vendimit të FMN-së, ndaj nivelit të lartë korrupsionit, grevës së ish-luftëtarëve të UÇK-së apo politizimit të administratës shtetërore? 
 
Presidentja Jahjaga:
Presidentja e vendit asnjëherë nuk do të jetë indiferente apo anash cilitdo proces. Presidentja e vendit nuk do të jetë pjesë e debatit publik si palë edhe pse opinioni publik do të merret me Presidenten dhe me punën e saj. Presidentja e vendit ashtu si edhe në çdo vend tjetër demokratik do të jetë pjesë e debatit institucional përkatësisht pjesë e vendimmarrjes institucionale. Pra Presidentja do ta ketë rolin e vet të përcaktuar me Kushtetutë dhe këtë rol me përgjegjësi dhe kompetencë do ta ushtrojë në secilin rast dhe në secilën çështje.  

Nuk e pranoj ndarjen e vendit, as termin “Veri i vendit”


“Bota sot”: Keni marrë detyrën dhe përgjegjësinë në një kohë “të papërshtatshme” për vendin. Prej bisedimeve me Serbinë nuk do të përfitojë vetëm Kosova por edhe Serbia, dhe realisht kur një palë përfiton diçka tjetra humb diçka. Pra nuk ka “duel” me dy fitues. A e ndjeni peshën e përgjegjësisë se ndoshta në fund të këtyre bisedimeve, e para e shtetit duhet të nënshkruajë (të pranojë) një kompromis të dhimbshëm për vendin, nën trysninë ndërkombëtare?

Presidentja Jahjaga:
Unë konsideroj se me dialog fitojnë të dyja palët, sepse dialogu para së gjithash, është bisedë e të barabartëve, marrëveshje e vullnetshme dhe respektim i interesave të njëri tjetrit. Në dialogun ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë, të ndërmjetësuar e lehtësuar nga BE-ja, do të respektohet kushtetutshmëria dhe ligjshmëria e vendit dhe marrëveshjet do të jenë në dobi të dy shteteve dhe qytetarëve të të dyja vendeve, por edhe të mbarë rajonit si faktor paqeje dhe stabiliteti. Presidentja e vendit asnjëherë nuk do të nënshkruajë asgjë që nuk është në harmoni me Kushtetutën dhe me ligjet e vendit. Ky nuk është vetëm obligim Kushtetues, por përcaktim politik dhe moral i Presidentes.

“Bota sot”: Bisedimet me Serbinë megjithëse po deklarohen teknike, në qarqe të caktuara jo vetëm në Beograd, po shtrohet edhe çështja e ndarjes së Kosovës. Ju disa herë jeni deklarua se nuk do të ketë ndarje të Kosovës por realisht Veriu i vendit është jashtë pushtetit të Prishtinës. Nëse nuk do të ketë ndarje “de jure”, atëherë deri kur do të tolerohet kjo ndarje “de facto” e Veriut të vendit?

Presidentja Jahjaga:
E kam deklaruar dhe e theksoj sërish se në dialogun ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë nuk është temë ndarja e Serbisë, ndarja e Kosovës apo shkëmbimi i territoreve dhe i popullsisë ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, apo zgjidhja e mosmarrëveshjeve historike ndërmjet popullit shqiptar dhe popullit serb, siç deklaron presidenti serb Boris Tadiq. Si Presidente e Republikës së Kosovës nuk mund të flas dhe as të pretendoj për kurrfarë ndarje “de facto” të një pjese të territorit të Republikës së Kosovës apo, siç i thoni ju, “Veriut të vendit”.

Ideja themelore e shekullit tonë është integrimi euro-atlantik
 
“Bota sot”:  Ka parti politike në Kosovë e Shqipëri që kërkojnë bashkimin kombëtar, bashkimin  Kosovës me Shqipërinë dhe bashkimin e trojeve shqiptare në një shtet. Cili është qëndrimi i presidentes së shtetit për bashkimin kombëtar?

Presidentja Jahjaga:
Në këtë pyetje ju i përfshini tri çështje apo tri variante të ngjashme dhe të ndryshme të një çështjeje që ju e cilësoni si bashkim kombëtar e që në konceptin e pyetjes nënkupton edhe përkufizimin territorial. Në retrospektivën historike, në shekullin XIX, kur u krijuan shtetet e Ballkanit, në pjesën më të madhe në parimin etnik të përkufizimit të territorit shtetëror, populli shqiptar në rrethanat e kohës nuk e bëri këtë. Unë jam përkrahëse e ideve që shohin përpara, që marrin mësime nga e kaluara por që nuk kthehen në të kaluarën dhe nuk e projektojnë atë si të tashme për të ndërtuar të ardhmen. Ideja themelore e shekullit tonë është integrimi Euro-Atlantik, ndërtimi i shtetit demokratik me të drejta të barabarta për të gjithë qytetarët pa dallim përkatësie kombëtare, fetare, racore, gjinore, krahinore apo tjetër. Unë si presidente e vendit obligohem të zbatoj Kushtetutën dhe ligjet e vendit. Sa i përket partive politike në shtetin e Kosovës dhe në shtetin e Shqipërisë ato kanë programet, metodat e zbatimit të këtyre programeve dhe e kanë elektoratin që i mbështet. Këto janë normat e demokracisë me të cilat duke respektuar Kushtetutën dhe ligjet, por edhe vullnetin të shprehur lirshëm të qytetarëve, realizohen synimet politike dhe përjetësohet programi politik. Demokracia parlamentare është një e arritur e madhe edhe për popullin dhe shtetin e Kosovës.  

Jam krenare që rrjedh nga familja e Agës së Rashkocit

Bota sot: Zonja presidente, ju rridhni nga një familje me nam nga Dukagjini, nga familja e Agës së Rashkocit. Çka keni trashëguar nga familja, çka mbani mend nga tradita e familjes suaj, pra çka ruan Presidentja nga tradita familjare?

Presidentja Jahjaga:
Familja do të thotë shumë si për të mirën po ashtu edhe për të keqen. Po ashtu edhe bazamenti i familjes është shumë i rëndësishëm për çdo njeri. Unë e kam pas fatin të rrjedh nga familja e Agës së Rashkovcit, që është një familje shumë e njohur në pjesën e Dukagjinit, apo siç  thuhet në pjesën e Rekës së Keqe. Është krenari të rrjedhësh nga një familje e tillë që ka një traditë qindra vjeçare, që cilësohet kryesisht për butësinë, mençurinë, familje kjo që gjithmonë është munduar të gjejë zgjidhje paqësore, në oda të burrave për hasmëritë në mes të familjeve në Kosovës dhe më gjerë, pra jo vetëm në familjet në Dukagjin e  Kosovë por edhe më gjerë. Pra atëbotë ka pasur edhe shumë familje të tjera të cilat kanë ndarë pleqni bashkë me kryefamiljarët tanë që nis nga Mehmet Agë Rashkoci e këtej. Unë kam mësuar shumë nga familja të cilës i përkas, pra familjes Jahjaga të Rashkocit, e mbi të gjitha dua të veçoj përkushtimin, kurajën, durimin, butësia dhe mençurin të cilat gjithmonë do t’i ruajë e trashëgojë në çdo rast kur më duhet të marrë vendime.

“Bota sot”: Pra ju rridhni nga një familje që në një kohë të caktuar ka pajtuar gjaqe. A do të thotë kjo se ju do ta “pajtoni” skenën politike të Kosovës?

Presidentja Jahjaga:
Nuk kisha thënë ashtu. Unë do të mundohem t’i përmbush të gjitha detyrat e mia, përgjegjësitë e mia kushtetuese dhe ligjore. Në detyrën time si presidente e konsensusit politik, do të mundohem që të krijoj një unitet të plotë dhe frymë të unitetit përbrenda të gjitha partive politike dhe kjo nuk është vetëm obligim i imi kushtetues, por edhe vullneti e dëshira e të gjithë qytetarëve të Kosovës.

“Bota sot”: Në fund edhe një pyetje. Nga disa qarqe nuk është pritur mirë “prejardhja” prej Policisë së Kosovës. Pse e zgjodhët profesionin e policës menjëherë pas luftë, pse nuk jeni bërë gjyqtare, avokate pse jo edhe gazetare?

Presidentja Jahjaga:
Ka dhjetëra profesione të ndryshme që kam mundur t’i zgjedh. Bile unë rrjedh prej një familje që kryesisht janë mjekë, në familjen e ngushtë dhe të gjerë, po ashtu edhe në familjen e bashkëshortit janë kryesisht mjekë dhe stomatologë. Ndoshta ka qenë vullneti i ndryshimeve në familjen time që është reflektuar te unë, sepse fusha e sigurisë ka qenë e paimagjinueshme për komunitetin tonë në tërësi. Ju e dini se para lufte kur është folur për policinë, gjithmonë është paramenduar forca e represionit ndërsa në këtë strukturë femra ka qenë e padukshme fare. Pra policia është konsideruar një profesion i meshkujve e jo i femrave. Prandaj qëllimi kryesor imi pas lufte ka qenë që të bëhem pjesë e disa ndryshimeve pozitive që ndodhnin në vendin tonë dhe popullin tim. Unë besoj se në vitet e para të përfundimit të luftës ka qenë një vendim i duhur dhe i drejtë imi dhe kjo po dëshmohet sepse sot Policia e Kosovës konsiderohet se është ndër institucionet më të avancuara dhe më të lakmuara dhe pranueshme nga ana e komunitetit tonë në përgjithësi dhe mund të them lirisht se edhe në rajon është një nga institucionet më të profesionalizuara. Kështu që ndihem shumë krenare që kam pasur rastin të jap një pjesë të kontributit tim në Policinë e Kosovës  dhe besoj që kjo do të jetë edhe një kurajë shtesë që gjithmonë ka shpresë për institucionet të cilat fillojnë nga filizi të ndërtohen mbi bazë të shëndosha. Kjo ka ndodhur me Policinë e Kosovës, dhe tani pas 12 vjetësh kemi një institucion që mund të krahasohet me institucionet profesionalizuara në mbarë botën.

Box 1
Me Amerikën

Pasja e miqve ndërkombëtarë në anën e Republikës së Kosovës dhe liderëve të saj konsiderohet gjë e mirë, por edhe e nevojshme, sepse asnjëherë nuk i kam parë dhe nuk i shoh interesat, por edhe synimet e popullit tim të kundërta me interesat dhe synimet e miqve ndërkombëtarë të Republikës së Kosovës, veçanërisht të SHBA-së dhe të BE-së.  

Pa parti
Unë e ndiej veten mirë me zbatimin e kushtetutshmërisë dhe të ligjshmërisë në kryerjen e detyrave dhe përgjegjësive të mia. Isha dhe do të mbetem pa anëtarësim në parti politike, që në asnjë rast, pra edhe kur zgjedhja të bëhet drejtpërdrejt nga populli, nuk do të thotë se nuk do ta kem përkrahjen nga një ose më shumë parti politike.   

Për dialogun
Në dialogun ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë, të ndërmjetësuar e lehtësuar nga BE-ja, do të respektohet kushtetutshmëria dhe ligjshmëria e vendit dhe marrëveshjet do të jenë në dobi të dy shteteve dhe qytetarëve të të dyja vendeve por edhe të mbarë rajonit si faktor paqeje dhe stabiliteti.

Për të ardhmen
Unë jam përkrahëse e ideve që shohin përpara, që marrin mësime nga e kaluara por që nuk kthehen në të kaluarën dhe nuk e projektojnë atë si të tashme për të ndërtuar të ardhmen. Ideja themelore e shekullit tonë është integrimi Euro-Atlantik, ndërtimi i shtetit demokratik me të drejta të barabarta për të gjithë qytetarët pa dallim.

Për familjen
Është krenari të rrjedhësh nga një familje e tillë që ka një traditë qindra vjeçare, që cilësohet kryesisht për butësinë, mençurinë, familje kjo që gjithmonë është munduar të gjejë zgjidhje paqësore, në oda të burrave për hasmëritë në mes të familjeve në Kosovës dhe më gjerë, pra jo vetëm në familjet në Dukagjin e  Kosovë por edhe më gjerë.