Intervistë e Presidentes Atifete Jahjaga në gazetën “Kosova Sot”

“Është herët për një deklarim të tillë, sepse deklarimi për do të nxiste akuza se unë paskam ambicie t’u imponohem partive politike. Deklarimi jo do të thoshte se unë jam vetëm një administratore që dua ta kaloj radhën dhe se nuk paskam ambicie të jem e përkushtuar dhe të jem në shërbim të popullit dhe vendit tim. Për këtë do të vendosi në kohën e duhur dhe në momentin e përshtatshëm”-shprehet në intervistën ekskluzive për “Kosova Sot”, presidentja Jahjaga

Kosova Sot: Znj. Presidente çfarë do të veçonit nga përvoja dymujore e juaja?

Jahjaga:
Ka shumëçka të veçohet, sepse kjo është një përvojë e re për mua, për nga mënyra e zgjedhjes si dhe mënyra e punës është e re edhe për Kosovën edhe për rajonin. Do ta veçoja mënyrën e zgjedhjes sime Presidente e Republikës së Kosovës. Partitë kryesore politike u morën vesh për një kandidat konsensual, unifikues dhe jashtëpartiak. Me këtë zgjidhje vendi shpëtoi nga zgjedhjet e reja parlamentare dhe gjithashtu u kapërcye ngërçi politik në të cilin mbeti Kosova por edhe vetë partitë politike në ndarjen apo marrjen e postit të presidentit të vendit. Zgjedhja ime, Presidente e Republikës së Kosovës, në raundin e parë të votimit më bën nder të veçantë dhe më jep përgjegjësi në angazhimin që këtë detyrë ta kryejë sipas mandatit kushtetues dhe ligjor. Përcaktimi i partive politike për personin tim e rrit pjesën e obligimit tim mandator që të jem në çdo rast, në çdo kohë faktor i unitetit dhe faktor unifikues për të gjitha partitë politike qofshin nga pozita apo opozita. Do ta kisha veçuar pjesëmarrjen në Samitin e Varshavës, ku pata prezantim në mesin e 20 liderëve të Evropës, duke paraqitur pikëpamjet e Kosovës për çështjet rajonale dhe globale. Në kuadër të këtij Samiti i veçantë ishte takimi me Presidentin e SHBA-së, Barack Obama, dhe përkrahja që m’u dha mua dhe politikës së vendit tim. Çështja tjetër që dua ta veçojë është pjesëmarrja në festimin e 150 vjetorit të bashkimit të Italisë dhe sidomos pjesëmarrja në Konferencën “Qyteti Ndëretnik”, krahas sekretarit të përgjithshëm të OKB-së Ban Ki Moon, presidentes së Zvicrës, Micheline Calmy Rey dhe liderëve të tjerë, në të cilën paraqitja ime u vlerësua lart. Do të kisha veçuar aktivitetet për Lidhjen Shqiptare të Prizrenit dhe për Ditën e Çlirimit të kryeqytetit. 
Fjala e presidentes është ligj

Kosova Sot: Mjaft shumë mbaheni të rezervuar në paraqitjet para mediave, ku ka pasur mjaft publikime për këtë. Pse?

Jahjaga:
Konsideroj se Presidentja e vendit e shpreh dhe e përfaqëson unitetin e vendit. Presidentja nuk është dhe nuk duhet të jetë pjesë e debatit publik, Presidentja është pjesë shumë e rëndësishme e vendimmarrjes në Republikën e Kosovës. Nuk mendoj se është mirë që Presidentja të futet në debat për cilëndo çështje përderisa ajo çështje ose dukuri është në shqyrtim dhe në përgjegjësi të institucioneve të tjera. Të jeni të sigurt se Presidentja do ta shpreh qëndrimin e saj dhe do të marrë vendime konform Kushtetutës dhe ligjeve të vendit dhe për këtë do të ketë arsyetimet e saj sa herë që një çështje, një ligj ose një vendim mbërrin për nënshkrim në tavolinën e Presidentes së vendit. Opinioni duhet të bindet se nuk është e dobishme për institucionin dhe për vendin që Presidentja ta shpreh mendimin për një çështje dhe që këtë mendim të mos mundet ta mbështes në vendim përkatës. Pra, fjala e Presidentes është ligj dhe është e pakthyeshme në kuadër të kompetencave që ia garanton dhe përshkruan Kushtetuta e Republikës së Kosovës.  

Kosova Sot: Ka pasur një draft në mes FSK dhe MPB bashkëpunimi për të cilën ka pasur reagime dhe debate të shumta. Çfarë është pozicioni juaj duke qenë që jeni edhe komandant suprem i FSK?

Jahjaga:
Megjithatë po përgjigjem duke ruajtur nivelin profesional dhe ligjor të temës. Ministritë mund të nënshkruajnë memorandume mirëkuptimi dhe bashkëpunimi ndërmjet vete. Kjo madje bëhet edhe ndërmjet ministrive të vendeve të ndryshme por çdo herë memorandumi apo marrëveshja duhet të jetë në harmoni me ligjet dhe Kushtetutën e vendit. Së fundi, marrëveshje të tilla janë në kompetencë të Qeverisë dhe Qeveria me vendim të posaçëm shpreh qëndrim ndaj tyre. Unë jam komandante Supreme e FSK dhe Presidentja e vendit ka kompetenca të caktuara në fushën e sigurisë. Të gjitha këto janë të përcaktuara me Kushtetutën e vendit. Të jeni të sigurt se unë në kohën e caktuar dhe çështjen e caktuar do t’i shfrytëzojë të gjitha këto kompetenca. Për çështjen për të cilën po pyesni niveli i debatit dhe i shqyrtimit nuk ka qenë në kuadër të fushëveprimit të Presidentes së Kosovës.  

Kosova Sot: Sipas marrëveshjes politike mandati i juaj është i kufizuar. Ndërkohë me rastin e konstatimit të rezultatit të votimit në Parlament, është thënë se presidenti ka mandat të plotë 5 vjeçar. A do t’i nënshtroheni marrëveshjes politike apo do të insistoni zbatim të Kushtetutës?

Jahjaga:
Për të dyja keni të drejtë. Unë jam zgjedhur në saje të marrëveshjes politike dhe këtë detyrë e kryej në saje të përkrahjes së partive politike që më kanë votuar por edhe të partive politike parlamentare. Është përgjegjësi e Kuvendit të Kosovës mandati i Presidentit  të vendit, përkatësisht emërimi dhe shkarkimi i tij. Vetëm Kuvendi i Kosovës mund të përcaktohet nëpërmjet procedurave të përcaktuara me Kushtetutë dhe me ligj, për faktin se sa do të zgjas mandati i Presidentes. A do të jetë ai i plotë apo do të ndërpritet në momentin e caktuar. Nuk i përket Presidentit të deklarohet për këtë. Unë nuk mund të jem Presidente pa përkrahjen e Kuvendit, të subjekteve politike që më kanë votuar dhe që më votojnë dhe gjithashtu nuk mund të ushtrojë asnjë ditë mandatin tim jashtë normave dhe kompetencave Kushtetuese.   

Kosova Sot: A do të kandidoheni për presidente duke marrë parasysh se presidenti do të zgjidhet drejtpërdrejt nga populli?
 
Jahjaga:
Është herët për një deklarim të tillë, sepse deklarimi për do të nxiste akuza se unë paskam ambicie t’u imponohem partive politike. Deklarimi jo do të thoshte se unë jam vetëm një administratore që dua ta kaloj radhën dhe se nuk paskam ambicie të jem e përkushtuar dhe të jem në shërbim të popullit dhe vendit tim. Për këtë do të vendosi në kohën e duhur dhe në momentin e përshtatshëm. Element kryesor për vendimin tim do të ishin rezultatet e mia, do të ishte stabiliteti dhe prosperiteti i vendit, do të ishte sa do ta përmbush njëmend misionin që të jem faktor uniteti, sa do të kem suksese si Presidente e vendit në arenën ndërkombëtare dhe në paraqitjen ndërkombëtare të Kosovës dhe gjithsesi shumë e rëndësishme është përkrahja e partive politike edhe pse me ndryshimet kushtetuese zgjedhja e presidentit do të bëhet drejtpërdrejt nga vota e popullit. 

Raportet me liderët

Kosova Sot: Cilat janë raportet tuaja me partitë politike?

Jahjaga:
Shumë të mira. Kemi informata të përhershme të ndërsjella dhe mbaj takime të rregullta dhe dreka pune më liderët e tyre.
Kosova Sot: Cilat janë raportet tuaja me kryeministrin?
Jahjaga: Po, shumë të mira, shumë korrekte, shumë institucionale. Mbajmë takime të rregullta javore ashtu si edhe me kryeparlamentarin dhe sipas detyrës dhe angazhimeve me zëvendëskryeministrat. Ndërsa dua të theksoj se bashkëpunim të jashtëzakonshëm kam me ministrin dhe Ministrinë e Punëve të Jashtme. Kjo për shkak të kompetencave kushtetuese që presidentja e vendit i ka në politikën e jashtme dhe në prezantimin dhe përfaqësimin e shtetit në arenën ndërkombëtare. 

Kosova Sot: Po raportet tuaja me kryetarin e opozitës?

Jahjaga:
Gjithashtu janë shumë të mira, sepse siç e dini unë u zgjodha Presidente edhe me votat e opozitës dhe të partive të komuniteteve pakicë. Edhe me kryetarin e opozitës mbaj takime të rregullta. Të gjitha këto takime me liderët e vendit dhe të partive politike janë obligime të mia që dalin nga normat kushtetuese si faktor i unitetit por edhe i harmonizimit të qëndrimeve të ndryshme për çështjet që janë me interes për kombin dhe vendin. Kuptohet këto takime mbahen larg syve të opinionit sepse janë takime pune, raportime dhe harmonizim i politikave dhe qëndrimeve për të gjitha çështjet që janë në interes për vendin.

Kosova Sot: Keni pasur një takim edhe me z. Pacolli. Thuhet se ka pasur disa kërkesa që kryesisht kanë pasur të bëjnë me mbështetjen e kërkuar. Të çfarë natyre kanë qenë ato?

Jahjaga:
Po. Ndoshta është dashur që një takim i tillë me zotëri Pacolli të mbahet më herët por për shkak të angazhimeve është zhvilluar këtë javë. E falënderova për konstruktivitetin e mbajtur gjatë procesit të zgjedhjes së presidentit të vendit dhe për harmonizimin e kërkesave të koalicionit qeverisës. Zëvendëskryemninistri Pacolli po bën një punë të mirë në lobimin për njohjet efektet e së cilit lobim duhet të shihen së shpejti. I biseduam disa çështje dhe shqetësime për gjendjen e përgjithshme në vend që zotëri Pacolli i shprehu duke u thirrur ne përvojën e tij dhe ndikimin që ka nga subjekti politik i cili vjen. 

Jo dialog për ndarje

Kosova Sot: Si e shihni procesin e dialogut të deritashëm dhe si i vlerësoni deklaratat e zyrtarëve serbë për ndarje?

Jahjaga:
Procesi i dialogut ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë pasoi pas mendimit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë në Hagë, për përputhshmërinë e shpalljes së pavarësisë së Kosovës me ligjet ndërkombëtare dhe pas miratimit të Rezolutës në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së. Dialogu është në interes të të dyja vendeve dhe në interes të qytetarëve të gjithë rajonit. Unë e mbështes dialogun dhe angazhohem që ky dialog të jetë i suksesshëm, sepse kështu e kapërcejmë një gjendje që në disa fusha është e paqëndrueshme dhe kështu i normalizojmë marrëdhëniet ndërmjet dy shteteve. Me dialog zgjidhen çështjet praktike, që janë në interes të të gjithë qytetarëve, por është me rëndësi që, duke u zbatuar norma, standardi dhe përvoja evropiane, Serbia detyrohet ta pranojë realitetin dhe t’i kryejë ato detyrime, që është dashur t’i bëjë përpara më shumë se dhjetë vjetëve. Procesi i dialogut që lehtësohet nga BE-ja konkretisht do të tregojë se kush çfarë qëndrimi mban dhe cili shikon përpara drejt integrimeve evropiane, e kush është për kthim prapa apo zgjidhje retrograde. Ajo që dua të theksoj është se Kosova në secilin rast do ta respektojë Kushtetutën dhe ligjet e saj, do ta respektojë sovranitetin, integritetin dhe subjektivitetin e saj. Kosova nuk do të bisedojë më askënd për çështjet e brendshme të saj, që janë të rregulluara me Kushtetutën dhe me ligjet e vendit. Nuk dialogohet, as nuk bisedohet me askënd, e më së paku me Serbinë për, siç po thonë, ndarjen e Kosovës, ndarjen e Serbisë apo për shkëmbim territoresh. Kjo nuk është kurrfarë zgjidhje për askënd dhe kjo nuk i kontribuon paqes dhe stabilitetit në rajon, e gjithashtu nuk është kurrfarë perspektive evropiane, as shembull i mirë për askënd. Edhe Kosova, edhe Serbia e kanë përpara vetes rrugën e integrimeve euroatlantike, që siguron konkurrencë të lirë, që siguron barabarësi dhe dinjitet për të gjitha kombet dhe që siguron qarkullim të lirë të ideve, njerëzve dhe të kapitalit.
 
Kosova Sot: Çka nëse tentohet që kjo çështje të shtrohet në tavolinën e dialogut?

Jahjaga:
Nuk mund të paragjykoj se kjo do të paraqitet si kërkesë zyrtare e delegacionit të Serbisë. Nuk mendoj se palët e kanë një mandat të tillë dhe gjithashtu lehtësuesi evropian që do ta pranonte një koncept të tillë, i cili i takon shekujve të kaluar dhe i cili nxit reaksione zinxhirore. Nëse e hap këtë temë, nuk mendoj se Serbia, duke e pasur parasysh hartën etnike të saj, mund të mbetet në kufijtë e tashëm.
 
Për mini-shengenin ballkanik

Kosova Sot: Në dy takime, atë të Varshavës dhe të Romës, presidenti serb e ka refuzuar pjesëmarrjen. Si e komentoni Ju këtë veprim të tij?

Jahjaga:
Kjo është çështje e vetë liderit serb dhe përgjegjësisë së tij përpara kombit dhe shtetit të vet, i cili ia ka dhënë mandatin dhe besimin. Secili lider dhe zgjedhësit e tij i vlerësojnë vetë dobitë dhe dëmet e veprimeve të tyre. Ky veprim i tij nuk ka të bëjë asgjë me Kosovën dhe me përgjegjësinë time si Presidente e vendit.

Kosova Sot: Çfarë ka ndryshuar në jetën tuaj që nga marrja e këtij posti?

Jahjaga:
Shumëçka, para së gjithash përgjegjësitë dhe obligimet, edhe paraqitjet e mia publike dhe jeta private, si dhe daljet në publik. Orari i angazhimit tim në punë ka mbetur i njëjtë. Edhe më herët kam punuar 14 ose 15 orë në ditë.
 
Kosova Sot: Ku do ta shohim znj. Jahjaga pas përfundimit të mandatit. Keni planifikuar gjë në lidhje me këtë?

Jahjaga:
Nuk kam të drejtë në këtë kohë të mendoj për këtë, sepse me tërë qenien dhe kapacitet e mia i jam përkushtuar detyrës së Presidentit të vendit. Do të mendoj dhe do të përcaktohem kur të vijë koha, pra pas përfundimit të mandatit.
 
Kosova Sot: Sa jeni e kënaqur me stafin e juaj?

Jahjaga:
Unë jam e kënaqur. Janë profesionistë të mirë, njerëz të dëshmuar secili në profesionin e vet, kanë aftësi për bashkëpunim dhe koordinim dhe që të punojnë nën dinamikë të fortë dhe nën kushte të stresit. Të gjithë janë besnikë ndaj profesionit dhe institucionit.
 
Kosova Sot: Sa i merrni parasysh këshillat nga stafi?

Jahjaga:
Gjithmonë, sepse puna është e përbashkët dhe ekipore. Krijohet atmosfera e besimit të ndërsjellë dhe e rrahjes së mendimeve dhe paraqitjes së argumenteve.
 
Kosova Sot: A keni marrë ndonjë ftesë për samitin e mini-Ballkanit, i cili është vendosur të mbahet gjatë këtij viti në Maqedoni?

Jahjaga:
Po, jemi duke punuar intensivisht në dokumentin që është propozuar të miratohet dhe gjithashtu në paraqitjen time të çështjeve që konsideroj se janë të rëndësishme për Kosovën, por edhe për katër shtetet e rajonit. Unë angazhohem që Kosova, Maqedonia, Shqipëria dhe Mali i Zi mund të krijojnë një mini-shengen dhe programe të përbashkëta zhvillimore, por edhe të tjera kulturore, arsimore, të turizmit dhe me këtë të jemi shembull për vendet e tjera dhe ta ndihmojmë njëri-tjetrin në rrugën e integrimeve euroatlantike. Kam disa propozime dhe nisma konkrete që do t’i prezantoj në samitin, që do të mbahet në Ohër.
 
Kemi shumë detyra për liberalizimin
 
Kosova Sot: Znj. Presidente, Kosova vazhdon të mbetet jashtë procesit të liberalizimit të vizave. Çfarë është duke u ndërmarrë në rrafshin e politikës së jashtme lidhur me këtë proces tejet të rëndësishëm?

Jahjaga:
Çështja e liberalizimit të vizave dhe agjenda evropiane për Kosovën është një nga kërkesat e vazhdueshme dhe është një inicim i vazhdueshëm imi në takime të ndryshme, sepse dëshira dhe vullneti i popullit janë obligimet dhe detyrimi im. Dëshiroj të theksoj se në të gjitha takimet, si brenda, ashtu edhe jashtë, kam kërkuar që Kosova të mos mbetet i vetmi vend që të mos përfitojë nga procesi i liberalizimit të vizave dhe se Kosova nuk duhet të mbetet e izoluar në rajon dhe t’i zhvillojë aktivitetet e veta në mënyrë të izoluar. Jemi një popull i ri, kemi kapacitete, vizion dhe përkushtim, kështu që duhet të na bëhet e mundur të kemi liri të udhëtojnë jashtë Kosovës, të mund të shkëmbejmë ide, vizion dhe përkushtim. Kemi shumë obligime dhe detyra që duhet t’i plotësojmë dhe kritere që duhet përmbushur, sepse ky është rrugëtim i gjatë, e nuk është vetëm një proces që fillon dhe përfundon posa të merret udhërrëfyesi. Duhet pranuar se ka shumë kritere që duhet t’i plotësojmë në procesin e integrimeve. Sot kam pasur takim edhe me përfaqësues të KE-së dhe kërkova specifikisht prej tyre se çfarë duhet përmbushur, në mënyrë që të lëvizim në këtë drejtim. Fuqimisht besoj dhe i inkurajoj të gjitha institucionet tona, sidomos pjesën e Ekzekutivit, që t’i përmbushin të gjitha detyrat dhe obligimet, sidomos në fushëveprimin e reformave të brendshme, që janë si parakusht kryesor për procesimin e mëtutjeshëm të marrjes së udhërrëfyesit për liberalizimin e vizave. Është një nga qëndrimet e vazhdueshme dhe kërkesat e mia të vazhdueshme që ky proces të ecën tutje dhe që populli ynë ta ketë të hapur portën dhe rrugëtimin drejt BE-së.
 
Kosova Sot: Sa i përket zhvillimit ekonomik, sikur ekziston një çalim në fushën e investimeve të jashtme?

Jahjaga:
Një nga sfidat e vazhdueshme të Kosovës mbetet çështja e zhvillimit ekonomik. Nëse kthehemi disa vite prapa, sidomos para viteve ’99, dhe shumë më herët, Kosova e ka pasur një ekonomi të qëndrueshme, sidomos me kapacitetet, me të cilat kemi vepruar në atë kohë. Në aspektin e zhvillimit ekonomik, është e domosdoshme të ketë një ritëm më shumë. Në takimet e vazhdueshme që kam me partnerë tanë ndërkombëtarë, si brenda, ashtu edhe jashtë vendit, kam kërkuar që vendi të jetë pjesë e Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit, sepse kjo është hapje e mundësive për Kosovën, që ta ketë zhvillimin e mëtutjeshëm ekonomik. Mirëpo, besoj se këto sfida paralele, si liberalizimi i vizave, çështja e zhvillimit ekonomik, çështja e marrëdhënieve kontraktuale me BE-në janë çështje që ndërlidhen ndërmjet veti dhe që nga takimet e mia të para kam kërkuar nga përfaqësues të BE-së që Kosova me çdo kusht duhet të bëhet pjesë e marrëdhënieve kontraktuale.

Box: Takimet ndërkombëtare

Kosova Sot: Gjatë kësaj periudhe që po flasim, keni pasur disa takime të rëndësishme jashtë vendit. Bashkëbiseduesit ju kanë siguruar mbështetje për njohje nga vendet tjera, por pa specifikuar ato. Nëse mbani në konfidencë vendet që janë afër njohjes, së paku nga cilat kontinente mund të jenë?

Jahjaga:
Në këto takime është biseduar për zhvillimin e marrëdhënieve dypalëshe, për përkrahjen Kosovës në lobim dhe njohje të reja për pavarësinë e Kosovës. Janë dhënë premtime konkrete që si në rastet e kaluara ju mbetet atyre shteteve të zgjedhin kohën kur do ta bëjnë publike njohjen. Kam ftesa për vizita në disa shtete dhe në disa forume ndërkombëtare. Gjithashtu është shprehur përkrahja për anëtarësim të Kosovës në organizatat e ndryshme rajonale dhe globale.
    
Box: Mbipartiake

Kosova Sot: Ndiheni të hendikepuar që nuk keni mbështetje të drejtpërdrejt politike nga asnjë subjekt, pasi nuk jeni nga asnjë nga ngjyrimet politike?

Jahjaga:
Jo aspak sepse kështu jam mbipartiake dhe njëkohësisht e të gjitha partive politike. Askush nuk më sheh si përkrahëse të njërit apo tjetrit subjekt. Të gjitha më pranojnë si të tyren dhe askush nuk me konsideron kundërshtare, ose të një orientimi tjetër. E mira e kësaj është se të gjitha partitë politike i harmonizojnë çështjet në institucionin e Presidentit. Unë këtë qëndrim jam e obliguar ta mbajë gjatë gjithë mandatit tim, mirëpo ky qëndrim është vetë bindja ime personale por para së gjithash politike.