Intervistë e Presidentes Atifete Jahjaga në agjencinë e lajmeve Beta

Presidentja e Republikës së Kosovës, zonja Atifete Jahjaga i ka dhëne një intervistë agjencisë së lajmeve “Beta”. Në vijim, intervista e plotë e Presidentes.

Presidentja e Republikës së Kosovës, zonja Atifete Jahjaga i ka dhëne një intervistë agjencisë së lajmeve “Beta”. Në vijim, intervista e plotë e Presidentes.

Pyetje: Presidente e nderuar, si kishit për ta vlerësuar situatën aktuale politike në vend, posaçërisht para raundit të dytë të zgjedhjeve lokale të planifikuara për 1 dhjetor ?

Përgjigje: Kosova ka hyrë në një periudhë të stabilitetit politik, me zhvillime demokratike dhe të rëndësishme për vendin. Gjithsesi se kemi arritur të vendosim një marrëdhënie normale ndërmjet qytetarëve të komuniteteve të ndryshme dhe po punojmë në ndërtimin e një mirëbesimi me qytetarët tanë të pjesës veriore të territorit të vendit. Me zgjedhjet komunale që janë mbajtur më 3 Nëntor,  kemi dëshmuar pjekurinë politike dhe një kulturë të lartë demokratike, si dhe një organizim të mirë të zgjedhjeve. Ne po presim që edhe raundi i ri i votimeve, ai i balotazhit, të jetë i po të njëjtit nivel demokratik sikur edhe tre javë më parë dhe nuk shohim asnjë kërcënim për stabilitetin e vendit. Mekanizmat e sigurisë, ata të mbarëvajtjes së zgjedhjeve dhe për organizimin e tyre kanë dëshmuar bashkëveprim dhe bashkërendim të lartë duke dëshmuar funksionimin e shtetit. Por megjithatë, qytetarët e Kosovës kanë treguar pjekurinë më të lartë demokratike dhe kanë dëshmuar përkushtimin e tyre për ndërtimin e një shoqërie dhe shteti demokratik. 

Pyetje: Si kishit për ta vlerësuar rrjedhën e procesit parazgjedhor dhe zgjedhor në vend?

Përgjigje: Një proces përgjithësisht i mirë dhe pa probleme, me një gjithëpërfshirje, që ka qenë edhe qëllimi i këtyre zgjedhjeve, që për herë të parë në këto 14 vjet të pas luftës janë mbajtur në tërë territorin e Kosovës, njëkohësisht. Me gjithë faktin se i gjithë procesi zgjedhor ka qenë në nivelin demokratik, me një pjesëmarrje të kënaqshme të votuesve, dhe mbi të gjitha me një numër të mirë të qytetarëve serbë që kanë marrë pjesë në zgjedhje, ne kemi parë edhe incidente në veçanti në pjesën veriore të Mitrovicës. Është e rëndësishme se qytetarët e të gjitha komuniteteve kanë marrë pjesë në zgjedhje për të votuar për përfaqësuesit e tyre legalë e legjitim. Gjithashtu po aq e rëndësishme është se zgjedhjet komunale janë mbajtur në gjithë territorin e Republikës së Kosovës, njëkohësisht, se ato janë mbajtur bazuar në ligjet dhe kushtetutën e Kosovës dhe se ka qenë një proces tërësisht në duart e institucioneve të vendit.  Ne kemi kaluar testin tonë të pjekurisë demokratike dhe ne duam që kjo frymë të vazhdojë përgjatë gjithë procesit edhe më 1 Dhjetor.

Pyetje: Në zgjedhjet lokale sivjet për herë të parë kanë marrë pjesë edhe serbët e veriut të vendit. Si kishit për ta vlerësuar rrjedhën e zgjedhjeve në veri duke pasur parasysh edhe incidentin i cili ndodhi në tri qendra votimi në Mitrovicën Veriore?

Përgjigje: Dua të theksoj se qytetarët serbë, qoftë në veri ose në jug, ose në pjesët e tjera të vendit, kanë treguar se duan të jetojnë e të integrohen në institucionet e Republikës së Kosovës, dhe të jenë pjesë e zhvillimit të përgjithshëm të vendit. Pjesëmarrja e tyre në zgjedhjet komunale ka dëshmuar se ata duan të jenë pjesë të proceseve të përgjithshme në vend dhe kjo është dëshmuar edhe me numrin e lartë të tyre në votimet e 3 Nëntorit. Sado që incidenti që ka ndodhur në qendrat e votimit në veri të Mitrovicës, nuk mund ta prishë përshtypjen e përgjithshme për zgjedhje të lira e demokratike, ne duam që drejtësia të vihet në vend. Qytetarët tanë të komunitetit serb janë frikësuar, janë kërcënuar dhe janë penguar në votimin e tyre të lirë në ditën e 3 Nëntorit. E drejtë kushtetuese e secilit qytetar është liria për të zgjedhur për t’u zgjedhur. Një pjesë e tyre kanë qenë të penguar dhe drejtësia do të jetë ajo që do të thotë fjalën e saj. Askush nuk do të mund të amnistohet për shkelje të lirisë së qytetarëve tanë për të votuar.

Pyetje: Qeveria e Serbisë ka përkrahur një nga më shumë se tridhjetë subjekte politike të bashkësisë serbe të cilat kanë marrë pjesë në zgjedhjet lokale. Nisma qytetare Srpska ka pas përkrahjen e pakursyer politike, logjistike dhe tjetër të Qeverisë së Serbisë. Sa ka ndikuar një sjellje e tillë e Serbisë që subjektet e tjera të mos jene të barabarta në procesin parazgjedhor dhe zgjedhor?

Përgjigje: Qytetarët tanë të komunitetit serb janë të barabartë me të gjithë qytetarët e të gjitha komuniteteve të tjera në Kosovë. Kjo përpara Kushtetutës dhe ligjit. Ne nuk i kemi parë ndryshe dhe nuk mund të bëjmë dallime mes tyre, kudo që të jetojnë në Kosovë. Ne i kuptojmë ndjenjat e tyre për Republikën e Serbisë, por gjithashtu duam që së bashku të ndërtojmë vendin tonë të përbashkët, Republikën e Kosovës. Kemi qenë me fat se nuk ka qenë vetëm Lista Srpska që ka marrë pjesë në zgjedhje, por edhe një numër tjetër i subjekteve politike e nismave qytetare serbe, që janë organizuar dhe kanë vepruar politikisht në Kosovë. Demokracia nënkupton edhe pluralizëm, dhe gjithsesi edhe mendim ndryshe. Në veçanti demokracia nënkupton mosndërhyrje në çështjet e brendshme të një vendi tjetër të pavarur. Kosova nuk do të jetë vend i bashkëqeverisjes me askënd, përveç me qytetarët e saj, të të gjitha komuniteteve. Prandaj unë ju bëj thirrje të gjithë qytetarëve tanë, edhe atyre të komunitetit serb në veri të territorit të Kosovës, që të marrin pjesë në procesin e votimit më 1 Dhjetor, sepse vota e tyre e lirë do të ndihmojë ata në përfshirjen e tyre në proceset e zhvillimit të vendit. Gjithashtu kjo do të nënkuptojë edhe integrim më të plotë të tyre që të ardhmen tonë ta ndërtojmë së bashku, drejt integrimeve evropiane, synim ky yni i përbashkët. Ne e kuptojmë se për një periudhë të gjatë kohore posaçërisht në veri institucionet tona nuk kanë qenë të pranishme. Le të jemi të sinqertë, besimi i qytetarëve tanë të komunitetit serb në veri është luhatur dhe ne, institucionet e Kosovës, jemi ato që duhet t’u ndihmojmë të inkuadrohen në shoqërinë e vendit. Natyrisht se edhe Serbia duhet të bëjë punën e saj, duke hequr dorë nga financimi i strukturave ilegale, që nënkupton shuarjen e tyre të plotë dhe duke mos e penguar integrimin e qytetarëve tanë, që nënkupton zbatim të plotë të Marrëveshjes së Brukselit për Normalizim të Marrëdhënieve.  

Pyetje: Të ndalemi edhe pak te zgjedhjet. Miqtë tanë ndërkombëtarë, prej SHBA-ve deri te UE-ja kërkojnë reformën zgjedhore për të krijuar kushte për mbajtjen e zgjedhjeve parlamentare.  Si presidente e vendit dhe përfaqësuese e unitetit të tij a konsideroni se ka vullnet politik që në zgjedhjet parlamentare të shkohet pas reformës zgjedhore?


Përgjigje: Çështja e reformës zgjedhore është çështje që është adresuar edhe përmes një komisioni të krijuar nga Kuvendi i Kosovës, që ka kryer pjesën më të madhe të punës së tij. Reforma zgjedhore është çështje e partive politike dhe subjekteve të tjera dhe unë kam parë vullnet e gatishmëri të të gjitha subjekteve për të gjetur një zgjidhje të pranueshme. Idetë, zgjidhjet dhe përfundimi i reformës është në duart e tyre dhe unë i kam inkurajuar që nga fillimi i mandatit që të gjejnë zgjidhjet më të mira bazuar në standardet e vendeve të zhvilluara e demokratike.  Unë besoj se në zgjedhjet e ardhshme të përgjithshme në vend do të hyjmë me reformë zgjedhore të pranueshme nga të gjithë dhe që i përshtatet një sistemi demokratik zgjedhor në vend. 

Pyetje: Kosova dhe Serbia kane arritur një marrëveshje mbi normalizimin e marrëdhënieve ndërshtetërore siç po quhet në Kosovë. Keni folur shumë herë për rëndësinë e kësaj marrëveshjeje. Po ju pyesim se sa jeni e kënaqur me implementimin e saj dhe marrëveshjeve tjera sektoriale te arritura në kuadër të bisedimeve Kosovë-Serbi?

Përgjigje: Marrëveshja për Normalizimin e Marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve tona, e arritur në Prill, është e arritura më e madhe e dialogut ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë. Ne kemi thënë se kjo pashmangshëm hap rrugën tonë drejt zgjidhjes së çështjeve të tjera mes dy vendeve tona dhe gjithashtu edhe drejt integrimeve evropiane. Marrëveshja ka kuptim vetëm atëherë kur zbatohet e plotë, secila pikë e saj dhe secila pjesë e saj. Ne duam që zbatimi i marrëveshjes të mbikëqyret nga BE-ja si lehtësuese dhe SHBA-ja si mbështetëse e dialogut, sepse vlerësojmë se kjo do të ndihmonte që të dyja palët të jenë të përgjegjshme në zbatimin e asaj për të cilën janë pajtuar. Gjithsesi se duhet të ketë mbikëqyrje sepse rruga drejt anëtarësimit në BE - çon vetëm përmes normalizimit të plotë të marrëdhënieve tona. Dua të them se e ardhmja e qytetarëve tanë nuk mund të mbetet peng e mosgatishmërisë dhe paaftësisë për të hapur rrugën drejt integrimeve dhe për ta pranuar një realitet të krijuar, që njihet nga një pjesë shumë e madhe e botës.

Pyetje: Ka vlerësime të ndryshme rreth rëndësisë së këtyre marrëveshjeve, prej atyre që konsiderojnë se në këtë mënyrë Kosova po i kthehet Serbisë deri te ato se këto definitivisht kane zgjidhur problemin e largimit të Serbisë nga Kosova. Na intereson vlerësimi i juaj?


Përgjigje: Marrëveshja na ofron më shumë me BE-në, si dy shtete të pavarura dhe sovrane, fqinje të mira që duan të jetojnë në paqe dhe përparim. Po e përsëris Kosova është një realitet në Evropë dhe ky realitet është i njohur nga më shumë se 100 vende të botës. Madje është edhe pjesë e organizmave të rëndësishëm ndërkombëtar financiar. Gjithsesi se ka rrugën respektove drejt BE-së, ashtu siç e kanë të gjitha vendet e rajonit të Evropës Juglindore, në këtë mes edhe Serbia. Marrëveshja ka për qëllim të relaksojë raportet mes nesh dhe t’i bazat për një normalizim të marrëdhënieve ndërmjet dy shteteve. Mos të harrojmë një gjë: BE-ja nuk është vend ku zgjidhen problemet ndërmjet fqinjëve dhe ne duhet që përpara se të anëtarësohemi si dy shtete të pavarura, t’ia pranojmë njëri-tjetrin ekzistencën. Të jem e qartë; Kosova është fakt, nuk ndahet me askënd, nuk bashkëqeveriset dhe nuk do të rivizatojë asnjë kufi të saj. Qytetarët e Kosovës janë të barabartë përpara kushtetutës dhe ligjeve të vendit. Kosova është shtet dhe sa më parë që kjo të pranohet do të jetë më e lehtë dhe më e shpejtë edhe rruga e integrimeve në BE.

Pyetje: Zonja presidente, keni thënë gjithnjë se bisedimet jane mjet me i mire dhe i vetëm për zgjidhjen e problemeve në mes te Kosovës dhe Serbisë.  A konsideroni se kërkesat dhe sjelljet e liderëve politikë dhe shtetëror nga Serbia gjate vizitës Kosovës paraqesin përzierje flagrante në punët e një vendi të pavarur dhe sovran?

Përgjigje: Vazhdoj të besoj se dialogu është mënyra e vetme për gjetur zgjidhje për problemet ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë. Gjithashtu konsideroj se periudha e luftërave dhe hegjemonisë ka përfunduar dhe prandaj zgjidhja është dialogu. Ne i kemi parë disa rezultate të tij dhe është e qartë se ai po funksionon. Si shtete që synojnë anëtarësimin në BE, ne duhet të respektojmë integritetin e njëra tjetrës dhe gjithsesi duhet të mos i pengojmë proceset e brendshme të njëri-tjetrit. Është e pandershme dhe mbi të gjitha është e papranueshme që udhëheqës të vendeve të tjera të vizitojnë Kosovën në kohën e fushatës parazgjedhore sepse kjo nënkupton përzierje të drejtpërdrejt në çështjet tona të brendshme dhe sepse kjo nënkupton mos respektim dhe cenim të integritetit tonë. E kuptoj rëndësinë që një shtet të ketë përkujdesje për pakicën e tij jashtë kufijve të tij, por cenimi i integritetit të shtetit tjetër pengon proceset e brendshme demokratike, pengon procesin e pajtimit ndërmjet njerëzve dhe dëmton përpjekjet për zgjidhjen e çështjeve të hapura. Kosova respekton të drejtat e secilit qytetar, pa dallim dhe ne kultivojmë vlerat demokratike. Qytetarët duhet të kenë të drejtën dhe lirinë e tyre të zgjedhin vetë, pa frikë dhe të lirë. Kjo është e bukura e demokracisë – dhe jo trysnia për të votuar dikë që ju imponohet.