“Deutsche Welle”: SERBËT DUHET TË JENË PJESË INTEGRUESE E PROCESEVE POLITIKE

Tri takimet e para kanë qenë një sprovë e mirë për delegacionin e Kosovës, për bashkësinë ndërkombëtare por edhe për delegacionin serb.

Deutsche Welle: Zoti President, jemi vetëm pak ditë para takimit të radhës në Vjenë, ku do të diskutohet sërish për decentralizimin, bazuar ne rrjedhat e takimeve të deritashme që janë zhvilluar. Sa jeni te bindur se kjo çështje do të përfundojë me një rezultat pozitiv?

Fatmir Sejdiu:
Tri takimet e para kanë qenë një sprovë e mirë për delegacionin e Kosovës, për bashkësinë ndërkombëtare por edhe për delegacionin serb. Siç e dini ne kemi ofruar versionin tonë që ka qenë i studiuar shumë mirë dhe ka marrë atë karakter duke u mbështetur në standardet ndërkombëtare, për të krijuar hapësirë për një integrim të bollshëm për komunitet. Ajo që mund të them është se qasja e deritashme edhe në aspektin e dokumentacionit dhe në aspektin e pjesëmarrjes së drejtpërdrejtë, pra qasja e delegacionit të Kosovës është mirëpritur nga bashkësia ndërkombëtar dhe kujtoj se këtë qasje do ta kemi edhe në fazën që vjen, pavarësisht në atë se kundërshtimet janë shumë të qarta, sidomos të asaj serbe.

Deutsche Welle: Në takimin e katër majit në Vjenë do të flitet për krijimin e komunave të reja në Kosovë. Pala serbe ka kërkuar të paktën 20 komuna, ndërkohë që kjo kërkesë është hedhur poshtë nga Grupi Negociator i Kosovës, atëherë në këtë linjë çfarë do tu ofroni serbëve të Kosovës?

Fatmir Sejdiu:
Përpjekja jonë është që të ofrojmë për qytetarët e Kosovës në përgjithësi, dhe në këtë mes bëjnë pjesë edhe serbët e Kosovës. Dëshira jonë është që serbët të jenë pjesë aktive në ndërtimin e shoqërisë së Kosovës. Pala serbe nuk mund të diktojë se sa do të jetë numri i komunave dhe cilat komuna duhet të jenë në Kosovë. Kriteret e ndërtimit të komunave janë kritere që mbështeten në parimin e qëndrueshmërisë së tyre, në radhë të parë ekonomike dhe shtrirjes territoriale dhe kjo qëndrueshmëri e tyre ekonomike të jetë një garanci e mirë për një funksionim efektiv të sistemit komunal. E dyta: çështja e ndërlidhjes efektive të këtij niveli të pushtetit lokal me pushtetin qendror të Kosovës, që duhet të jetë në një kornizë ligjore që duhet të ndërtohet dhe në kuptimin e asaj, që komunat e reja që do të krijohen në Kosovë të mos marrin karakterin e krijimit të një strukture të brendshme të bllokuar. Propozimi serb që ka ardhur është që komunat të kenë lidhje funksionale dhe territoriale dhe kjo atëherë të merrte karakterin e krijimit të autonomive brenda territorit të Kosovës. Është mirë që është bërë e qartë edhe nga bashkësia ndërkombëtare se nuk mund të ketë autonomi të tilla në Kosovë.

Deutsche Welle: Zoti President, Prishtina zyrtare është pajtuar që Mitrovica të ketë dy njësi komunale, një shqiptare dhe një serbe, por duke e ruajtur tërësinë e qytetit. Jeni të bindur se do të funksionojë kjo formulë?

Fatmir Sejdiu:
Ne akoma nuk e kemi përfunduar projektin për Mitrovicën e cila është në një situatë faktike që nga përfundimi i luftës. Për ne është shumë më rëndësi që projekti integrues për qytetin të jetë dominant. Çfarëdo organizimi që mund të bëhet si pjesë e projektit që mund të kishte mbështetjen edhe ndërkombëtare të jetë në funksion, që qytetarët e Mitrovicës dhe të komunës së Mitrovicës si shtrirje të gjerë të realizojnë plotësisht interesat e tyre si qytetar, siç janë liria e lëvizjes, çështja e pronës dhe komunikimeve të ndërsjella.

Deutsche Welle: Zoti President, një çështje tjetër në kuadër të bisedave është edhe trashëgimia kulturore e fetare, në këtë kuadër me problematike është bërë çështja e një vendimi ekzekutiv të shefit të UNMIK-ut, i cili përcakton një zonë të veçantë prej 800 hektarësh përreth manastirit të Deçanit, a do të thotë kjo se në Kosovë do të ketë ekstraterritore për kishat dhe manastiret?

Fatmir Sejdiu:
Ne nuk kemi asnjë ide dhe asnjë pëlqim që kjo çështje mund të shkojë nga një rrugë e tillë e krijimit të zonave, që mund të marrin karakter eksterritorial me të cilat dikush të qeverisë nga jashtë në hapësirat e Kosovës. Ajo që zoti Petersen ka ndërmarrë si një masë mbrojtëse, këtë unë doja ta interpretoja në kuptimin më pozitiv të mundshëm, është thjesht një pjesë e vërejtjes që kjo hapësirë tokësore përreth Manastirit te Deçanit të jetë në dispozicion të plotë të pronarëve dhe ata ta shfrytëzojnë pronat pa asnjë pengesë. E vetmja gjë që duhet të ketë parasysh është që ata duhet të kenë një kod të mirësjelljes së tyre në aspektin ekologjik apo aspekte të tjera të ndërtimeve që mund të bëhen. Pra, kërkoj që ata t’i përmbahen kësaj rregullative.

Deutsche Welle: Zoti President, nëse i bëni një analizë zhvillimeve në Kosovë tash e shtatë vjet, çfarë janë raportet ndëretnike në Kosovë?

Fatmir Sejdiu:
Mendoj se është një fazë e zhvillimeve tona të përgjithshme si shoqëri dhe kujtoj se oferta e institucioneve të Kosovës dhe qytetarëve shumicë shqiptarëve është e dinjitetshme, në kuptimin që bën një joshje të vazhdueshme integruese për komunitetet pakicë. Rezultatet me pakicat joserbe janë inkurajuese, ata janë të integruara në shoqërinë kosovare. Mirëpo, problematike mbetet çështja me komunitetin serb. Ju e dini rolin që ka ndërhyrja e vazhdueshme e Beogradit mbi serbët e Kosovës në kuptimin e instrumentalizimit, që ata të mos jenë pjesë e proceseve, të mos marrin pjesë në zgjedhje, në institucione dhe të refuzojnë të ardhura nga buxheti i Kosovës. Sidoqoftë, qëndrimi i institucioneve të Kosovës është që ata duhet të jenë pjesë integruese e proceseve politike dhe të jetës së përditshme.