BBC: SEJDIU KUNDËR BISEDIMEVE SHTESË ME SERBINË

Unë nuk besoj të ketë diçka tjetër nga një përkushtim shumë i qartë dhe i theksuar i SHBA-së, që nuk është i kahmotshëm dhe së fundi kemi parë dhe dëgjuar për qëndrimin decidiv të presidentit Bush në vizitën e tij të fundit në Romë dhe Tiranë por edhe në Bullgari.

BBC: Cili është komenti juaj mbi takimin e presidentëve Bush e Putin në SHBA?

Zoti Sejdiu:
Realisht është një pritje e përgjithshme e qytetarëve të Kosovës, të them edhe e udhëheqësve të institucioneve, që në këtë takim të ketë një përqendrim të përforcuar rreth çështjes së Kosovës. Për ne është me rëndësi që kemi një zotim të deklaruar qartë të presidentit Bush dhe të administratës amerikane në mbështetje të pavarësisë së Kosovës, dhe kjo është thënë jo njëherë. Mund të them se presim në ditët në vijim, dhe në javët, megjithëse s'do ta thosha një afat të caktuar, që të ketë një dinamikë të shtuar dhe një konkretizim në projektin e SHBA-së, për të sforcuar punën e tyre në nxjerrjen e një Rezolute mbështetëse për pavarësimin e Kosovës, do të thosha një Rezolutë në KS. Është e qartë se po kështu kemi parasysh këtë pjesë të shtrëngesave që Federata Ruse i ka paraqitur në proces dhe qëndrimet e deritashme të presidentit Putin. Mendoj se në ditët në vijim do të kemi më shumë informacione rreth zhvillimeve që kanë ndodhur në këtë takim me rëndësi, mes presidentit Bush dhe presidentit Putin. Ajo që mund të jetë një sinjal i rëndësishëm është një pjesë e agjendës në proces të zbatimit, në kuptimin e bisedimeve, për të gjetur një formulë më të mirë, që ka marrë sekretarja Rice me homologun e saj rus, në këtë periudhë, në ditët që pasojnë. Për ne është shumë me rëndësi se kemi shprehur urgjencën e intensifikimit, apo për intensifikimin e punëve në drejtim të definimit të statusit. Mendoj se ecja e deritashme ka qenë një ecje në koherencë të përbashkët, në orarin apo dinamikën me bashkësinë ndërkombëtare. Ajo që është paraqitur para qytetarëve ka qenë pjesë e një realiteti të asaj që është zhvilluar në kuptimin e gjithë rrjedhës së bisedimeve të deritashme dhe të pritjeve reale. Gjithashtu mund të them se në këtë periudhë ka edhe shqetësime në radhët e qytetarëve se mos me këtë qasje zvarritëse do të zvarritet edhe procesi më gjatë. Ne edhe më parë kemi shprehur por edhe tani shprehim besimin e parezervë në përcaktimin e SHBA-së dhe të aleatëve të saj në BE, për të përmbyllur njëherë e mirë çështjen e Kosovës, pra çështjen e vetme të mbetur të pambyllur në Evropën Juglindore, natyrisht konform vullnetit politik të saj dhe për të hyrë në procese të tjera të nevojshme që ne i quajmë rrugë të integrimeve të Kosovës në BE dhe në NATO.

BBC: Zoti president, Bush dhe Putin u takuan. Pala ruse ka kundërshtuar fuqishëm planin Ahtisaari dhe edhe pavarësinë e Kosovës. Besoni ju se mund të ketë dalë ndonjë gjë nga takimi i presidentëve që ta ketë zbutur qëndrimin rus?

Zoti Sejdiu:
Unë nuk besoj të ketë diçka tjetër nga një përkushtim shumë i qartë dhe i theksuar i SHBA-së, që nuk është i kahmotshëm dhe së fundi kemi parë dhe dëgjuar për qëndrimin decidiv të presidentit Bush në vizitën e tij të fundit në Romë dhe Tiranë por edhe në Bullgari. Unë do të thosha se ndoshta e gjithë përpjekja është që të kapërcehet, me një mbështetje të them të përbashkët, një tekst i cili realisht nuk do të dëmtonte vizion politik dhe as paketën e presidentit Ahtisaari dhe thelbin e tij, dhe ne e kemi thënë gjithmonë se është bërthama kryesore dhe është e panegociueshme si materie, për të ardhur po ashtu në një mbështetje të përgjithshme në ecjen e mëtejme që do të hapte rrugën e Kosovës edhe në proceset e anëtarësimit të saj në mekanizmat ndërkombëtar. Ne kemi thënë se rruga më e mirë është mbështetja në një Rezolutë të përbashkët në KS të OKB-së, por po ashtu kemi thënë dhe e përsërisim se Kosova nuk mund të jetë peng i zvarritjeve të vazhdueshme që realisht pastaj do të ishin kundërproduktive.

BBC: Pra ju po prisni miratimin e një Rezolute, sikur ajo p.sh. e para disa ditëve me të cilën parashihet një afat prej 120 ditësh të vazhdimit të bisedimeve?

Zoti Sejdiu:
Kjo është një përpjekje që është dhënë në variantin e presidentit francez Sarkozy. Ne e kemi konsideruar si një qasje e cila do të jepte garancitë e fillimit të njohjes automatike, apo hyrjen automatike në fuqi të paketës së presidentit Ahtisaari dhe që nënkupton se kjo paketë nuk hapet. E gjithë kjo pjesë tjetër do të quhej si një pjesë e konsultave të nevojshme për mënyrën që duhet të përfillet në kuptimin e realizimit të kësaj paketë. Kjo do të nënkuptonte, po ashtu, një përpjekje të bashkësisë ndërkombëtare për të konceptuar paralelisht, edhe më mirë rolin e saj në Kosovë, në periudhën që ne e quajmë prani civile ndërkombëtare, sidomos që ka të bëjë me përqendrimin e përgjegjësive në BE.

BBC: Por nëse nuk ka një Rezolutë të KS dhe nëse nuk ka një marrëveshje mes presidentëve Bush e Putin, a ka atëherë një rrugë alternative të zgjidhjes së problemit të Kosovës?

Zoti Sejdiu:
Po mendoj se në atë variant do të qartësoheshin po ashtu çështjet. Për ne është me rëndësi që të vazhdojmë bashkëpunimin në mënyrën më konstruktive të mundshme me të gjithë ata që e kanë ndihmuar Kosovën dhe që kanë shprehur qartë vizionin e tyre politik për pavarësinë e Kosovës. Realisht, në një situatë të tillë, Kosova do të ketë nevojë të përfilljes së një rruge alternative, një rrugë që prapë do të shkonte në bashkëpunim të drejtpërdrejt me këto vende dhe që nënkupton paralelisht se Kuvendi i Kosovës do të shpallte pavarësinë e Kosovës apo do të rikonfirmonte pavarësinë e Kosovës dhe që pastaj do të kishte njohjen nga vendet veç e veç.

BBC: Dhe ju jeni të gatshëm që ta bëni një hap të këtillë të njëanshëm?

Zoti Sejdiu:
Unë nuk do ta quaja hap të njëanshëm. Unë them prapë se qasja jonë themelore do të jetë për një Rezolutë të përbashkët por nëse konstatohet dhe nxirret një përfundim i përbashkët se nuk ka Rezolutë të përbashkët dhe se procesi mbetet peng në pafundësinë e vet, atëherë ne do të konsultohemi dhe bashkëpunojmë me vendet që do të ndihmojnë Kosovën edhe në ecjen e mëtejme. Kjo qasje nuk është risi, sepse kemi shembuj të shumtë të njohjes ndërkombëtare të vendeve që kanë proklamuar pavarësinë e tyre, shembuj edhe nga vendet e ish federatës së shpërbërë.

BBC: Nëse flasim me afate, atëherë cili është afati i fundit që ju do t'i jepnit bashkësisë ndërkombëtare për një hapësirë që të veprojë në zgjidhjen e problemit të Kosovës përmes Rezolutës dhe që pastaj t'i thoni stop se do të vazhdojmë me hapin tonë të ardhshëm?

Zoti Sejdiu:
Jo unë nuk do të saktësojë një datë apo një afat me prerje kohore. Çështja është se ne do përfillim në proces këtë ecje të deritashme, por me nevojën e shtimit të intensitetit të saj, pavarësisht se vera mund të jetë një periudhë e vakuumit që ka refleksionet e veta në këtë dinamizëm. Por, realisht për ne do të ishte shumë e rëndësishme që në këtë proces të nisjes që është në KS, sidomos në periudhën e parë të muajve të vjeshtës së hershme, ta quaj, të ketë një përpjekje tjetër, dhe përpjekje të vendeve veç e veç marrë parasysh këtë angazhim që kanë SHBA dhe një pjesë e rëndësishme e vendeve të BE-së.

BBC: Zoti president a besoni ju se kjo periudhë shtesë që po ofrohet për bisedime mes Prishtinës dhe Beogradit do të ndryshojë agjendën e bisedimeve, madje edhe vetë paketën Ahtisaari?

Zoti Sejdiu:
Ne e kemi thënë se bisedime shtesë me Serbinë rreth statusit nuk do të ketë. Absolutisht. Unë prapë po them se mund të jetë konsulta që lidhen me sqarime të mëtejme mes anëtarëve të KS dhe besoj se edhe vetë presidenti Ahtisaari do të ketë rolin e tij në këtë drejtim. Ju e dini se paketa e tij është e mbyllur, ai është një dokument i balancave dhe dokument i kompromiseve të mëdha dhe çdo tendencë që kjo paketë të hapet dhe në një apo formën tjetër të hapet edhe çështja e statusit politik është e papranueshme.

BBC: Mendoni ju se këto bisedime do të jenë të një formati siç ka qenë konferenca e Rambouillet-it ose e Dayton-it?

Zoti Sejdiu:
Ju po i prejudikoni bisedimet vazhdimisht në insistimin tuaj. Unë e quaj prapë si një nevojë e një konsulte që mund të jetë në përmbyllje të procesit edhe në këtë nivel, sepse konsiderojmë se ai është i përmbyllur si i tillë për periudhën paraprake. Takimet e Vjenës kanë dëshmuar se ne nuk mund të gjejmë asnjëherë pajtim me qasjet që ka Serbia dhe janë qasje që vazhdojnë si të tilla. Pavarësisht nga lojërat që ata i bëjnë, me plasimin e ideve të ndryshme, dhe për ne të gjitha janë të njohura sikur është e njohur edhe ambicia e saj. Por për ne është me rëndësi që të paraqesim para bashkësisë ndërkombëtare, në këtë rast para vendeve anëtare të Grupit të Kontaktit por edhe të BE-së, dhe të SHBA-së, që besoj se e njohin shumë mirë gjendjen e përgjithshme dhe lëvizjet në Kosovë, se ne do të kemi mundësi të ecjes së suksesshme nëse realisht merret një vendim sa më i shpejtë. Përndryshe nëse insistohet që të shkohet në bisedime të pafundme dhe nëse insistohet që të komprometohet ky proces i deritashëm atëherë do të kishim rreziqe të veçanta që do të kapërcenin një nivel të paparashikueshëm dhe që mund të kenë pasoja. Ajo që unë mund të them është se para vetes ne kemi edhe shumë procese të tjera përfshirë edhe procesin e kapërcimit apo të hyrjes në afatin e legjitimitetit të institucioneve të Kosovës, që udhëheqin edhe procesin. Realisht në nëntor bëhet një vit kur kalon afati i zgjedhjeve në nivel lokal dhe po kështu në tetorin e këtij viti do të jetë kapërcimi i afatit legjitim që ka të bëjë me zgjedhjet. Për ne është me rëndësi që deri tash kemi pasur një mbështetje të përgjithshme dhe një kontribut të jashtëzakonshëm të qytetarëve të Kosovës edhe për procesin në mbajtjen e stabilitetit të vendit. Mendoj se ky kontribut dhe kjo qasje serioze do të vazhdojë por po ashtu është me rëndësi të theksojë se çdo rrjedhë tjetër ose qasje që në njërën ose formën tjetër dëshiron të prishë këtë koncept të ecjes për pavarësimin e Kosovës dhe të përmbylljes së statusit politik të saj mbi bazën e vullnetit politik të Kosovës do të ishte me elemente që do të rrezikonte shumëçka. Prandaj Kosova, populli dhe institucionet e saj, nuk janë të gatshëm që të hyjnë dhe pranojnë ndonjë rrugë e cila do t'i kthente në një kahe tjetër. Ata nuk janë të gatshëm që të pranojnë koncepte që në forma të ndryshme janë duke u servuar edhe ne qarqe diplomatike nga ana e Serbisë.

BBC: Dhe më lejoni zoti president t'ju pyes. A jeni të gatshëm dhe a keni mundësi që të menaxhoni ose më mirë kontrolloni ju, klasa politike e Kosovës, gjendjen në Kosovë në rast të shtyrjeve të mëtejme të zgjidhjes së statusit të Kosovës?

Zoti Sejdiu:
Për ne është me rëndësi që ne si institucione të Kosovës të jemi në bashkëpunim me qytetarët e Kosovës. Dhe po ashtu është me rëndësi të theksohet se ne nuk kemi mandat tjetër përveç mandatit për mëvetësinë e Kosovës. Dhe po ashtu paralelisht është me rëndësi të themi se Ekipi i Unitetit, Qeveria e Kosovës, Kuvendi i Kosovës dhe të gjitha subjektet politike që kanë qenë të përfshira në proces kanë bërë punën në mënyrën më të mirë të mundshme. Mund të ketë çështje që mbase do të mund të bëheshin me ndonjë qasje tjetër apo rrugëtim tjetër. Por ajo që na ka bashkuar dhe na ka mbajtur është pikërisht koherenca e vazhdueshme dhe konsistenca jonë në një vizion politik. Prandaj ne s'kemi ndonjë mandat tjetër nga ai që kanë qytetarët e Kosovës dhe nuk duam të kemi një fat tjetër nga ai fat i përbashkët i qytetarëve të Kosovës, sepse jemi pjesë e mandatimit të tij dhe pjesë e vizionit politik të popullit të Kosovës. Prandaj këtë ua kemi thënë dhe do t'ia themi edhe bashkësisë ndërkombëtare dhe mund të konstatojmë paralelisht se në këtë periudhë e gjithë pesha kryesore e procesit të vendimmarrjes është në nivelet më të larta ndërkombëtare. Prandaj këto janë hezitime të deritashme që kanë dëmtuar realisht procesin, por duhet të mbesim me besim në përkushtimin e vendeve të rëndësishme siç janë SHBA-ja dhe BE-ja për të nxitë procesin dhe për të mbyllë këtë çështje njëherë e mirë siç duhet.