BBC: SEJDIU: HAPA TË SHPEJTË DREJT PAVARËSISË

Nuk besoj se do të mund të shkojë në një votim sikur është provuar në korrikun e kaluar. Por besoj se do të intensifikohen të gjitha veprimet edhe të BE-së dhe me vendet e tjera kyçe, filluar nga SHBA-ja dhe vendet e tjera anëtare të KS dhe që janë në një valë të përbashkët të këtij procesi.BBC: Zoti president ju i keni ofruar dorën e fqinjësisë së mirë Serbisë, por ajo ka kërkuar që të vazhdohet me bisedime meqë konsideron se zgjidhja e problemit të Kosovës nuk mund të bëhet në një mënyrë tjetër.

BBC: Cili është vlerësimi juaj rreth mbledhjes së KS të OKB-së?

Sejdiu:
Mendoj se ka qenë një ngjarje e rëndësishme dhe historike për Kosovën, sepse patëm rastin që edhe ne t'i drejtohemi KS në mënyrë të drejtpërdrejtë në një takim formal, edhe pse ishte i mbyllur. Në këtë takim u prezantuan të gjitha zhvillimet që kanë të bëjnë me Kosovën deri tash.
Të dyja delegacionet, edhe ne edhe Beogradi, paraqitëm vizionin tonë për Kosovën, ato qëndrime që dihen deri tani. Ne kërkuam që ky proces të përfundojë dhe të përmbyllet, duke marrë parasysh edhe gjithë përkushtimin tonë gjatë gjithë procesit të bisedimeve dhe pohuam se të gjitha mundësitë janë shterur. Tani ka ardhur koha për të marrë vendime.

Ishin me rëndësi gjithë debatet që u zhvilluan nga të gjithë anëtarët e KS dhe të cilët dhanë refleksionet e tyre për këtë çështje. Është me rëndësi që shumica dërrmuese e tyre ka mbështetur këtë qasje të deritashme ndërkombëtare dhe në veçanti projektin e presidentit Ahtisaari, si zgjidhja më e mirë, që ndërlidhet me formulën e pavarësisë së mbikëqyrur të Kosovës.

Nga ana jonë dhamë garanci se do ta zbatojmë këtë projekt duke pasur parasysh edhe nevojën e koordinimit të vazhdueshëm me vendet që kanë mbështetur dhe vazhdojnë ta mbështesin pavarësinë e Kosovës. Në këtë rrafsh flas edhe për SHBA-në dhe vendet e BE-së por edhe për vendet e tjera të botës demokratike. Prandaj edhe debati i zhvilluar ishte në një përkushtim të thellë dhe ne e çmojmë.

BBC: Por zoti President ka pasur dallime të mëdha në mbledhjen e KS të OKB sidomos mes vendeve perëndimore dhe Rusisë?

Sejdiu:
Është një përsëritje e qëndrimeve që Rusia i ka shprehur në fazat e mëhershme dhe një gjë e tillë ka ndodhur edhe tash, duke kërkuar vazhdimin e bisedimeve dhe duke insistuar se palët mund të gjejnë një formulë të përbashkët të marrëveshjes.  Gjithashtu Rusia ka thënë se kjo kohë e deritashme mund të shërbejë vetëm si një qasje e parë dhe se ka shanse për të ecur më tej. Por qëndrimi i SHBA-së, Britanisë së Madhe, Francës e Italisë dhe Belgjikës e vendeve të tjera ishte në një vijë të përbashkët dhe i prerë dhe ai shënonte një mbështetje të fuqishme të gjithë kësaj ecje ndërkombëtare në projektin Ahtisaari duke analizuar edhe vetë përpjekjet e mëdha që janë bërë në kuadër vetë KS. Ishte prandaj ky një adresim konkret ndaj Rusisë që ta kuptojë realitetin dhe të jetë kontribuuese në procesin e përbashkët.

BBC: Zoti president a do të thotë kjo se KS i OKB-së nuk mund të arrijë një marrëveshje për Kosovën në bazë të asaj që ju keni parë?

Sejdiu:
Unë nuk dua të paragjykoj për proceset e mëtejme por është me rëndësi që në takim ka qenë prezent edhe sekretari i përgjithshëm i OKB-së. Ai natyrisht se do të përfillë një proces të shpejtë.
Nuk besoj se do të mund të shkojë në një votim sikur është provuar në korrikun e kaluar. Por besoj se do të intensifikohen të gjitha veprimet edhe të BE-së dhe me vendet e tjera kyçe, filluar nga SHBA-ja dhe vendet e tjera anëtare të KS dhe që janë në një valë të përbashkët të këtij procesi.

BBC: Zoti president ju i keni ofruar dorën e fqinjësisë së mirë Serbisë, por ajo ka kërkuar që të vazhdohet me bisedime meqë konsideron se zgjidhja e problemit të Kosovës nuk mund të bëhet në një mënyrë tjetër.

Sejdiu:
Ne e kemi mbajtur këtë përkushtim edhe tash pavarësisht nga qasjet e saj që dëshiron të ecë në një kthim prapa apo të paraqes idetë retrograde lidhur me procesin.

Ne jemi zotuar se kemi nevojë për një fqinjësi të mirë me të gjitha vendet përreth dhe në këtë rrafsh edhe me Serbinë dhe të japim garancitë tona për një trajtim të veçantë të të gjitha komuniteteve pakicë, e në këtë rast të komunitetit serb, e që do të mund të shërbente si një urë ndërlidhëse e raporteve të ardhshme të mira mes dy vendeve sovrane.

Dora jonë mbetet e shtrirë dhe i mbetet udhëheqjes serbe që të gjejë shtegun më të mirë të mundshëm që të kapërcejë këtë mënyrë të luhatjes, do të thosha, të vetvetes dhe të hyjë në një proces të ri të bashkëpunimit në proceset e reja që na presin përpara e në veçanti në ato të integrimeve euroatlantike.

BBC: Më lejoni, zoti president, a do të thotë kjo se Kosova po ecën drejt shpalljes së koordinuar të pavarësisë së saj?

Sejdiu:
Unë mund të them lirisht se jemi në hapat e fundit dhe është me rëndësi të madhe që kjo ngjarje në KS është një analizë e thellë e gjithë asaj që ka ndodhur. Dhe gjithashtu një përkushtim për ecjen e mëtejme.

BBC: Dhe kjo do të thotë se shumë shpejt mund të ndodh një hap i tillë?

Sejdiu:
Ne besojmë se do të koordinohemi ashtu siç e kemi thënë edhe më herët dhe procesi do të ecë shpejt.