BBC: PAVARËSIA E KOSOVËS HAP RACIONAL

Unë nuk i paragjykoj rezultatet. Serbia është ajo që dëshiron t’i paragjykojë këto rezultate dhe t’i imponojë zgjidhjet e saj për njerëzit e drejtësisë ndërkombëtare. Unë them se e drejta e Kosovës është një e drejtë hyjnore dhe e natyrshme që të jetojë e lirë dhe për këtë arsye e ka zgjedhur rrugën e vet dhe e ka gjithë këtë njohje kaq të fuqishme ndërkombëtare.

BBC: Si e shihni Kosovën një vit pas shpalljes së pavarësisë?

Presidenti Sejdiu:
Lirisht mund të them se është një vit i dëshmimit të Kosovës si shtet i pavarur në shumë rrafshe, kjo edhe në pjesën e parapërgatitjes për shpalljen e pavarësisë së vendit, por edhe në pjesën e mëvonshme të zhvillimeve tona. Mendoj se Kosova ka arritur të japë sinjale të mira se mund të funksionojë si një shtet demokratik i vlerave perëndimore, si një shtet që ka ofruar shansin që të jetë atdhe i të gjithë qytetarëve. Kosova në këtë kuadër ka pasur një kujdes të veçantë në garancitë dhe trajtimin e të gjitha etnive, flas për etnitë pakicë që janë në Kosovë.
Kosova, palëkundshëm ka theksuar vizionin e vet për shpejtimin e hapave për të qenë të integruar në BE dhe në NATO.
Po ashtu, mund të them se Kosova me gjithë vështirësitë objektive që ka pasur para vetes, është dëshmuar me një qeverisje, për rrethanat tona, të suksesshme, kjo karshi sfidave të shumta dhe me një përpjekje të veçantë për rigjenerimin ekonomik të vendit.  Janë kryer edhe shumë punë në tre katër rrafshe të punës; është kompletuar struktura qeverisëse e shtetit, është ndërtuar Forca e Sigurisë së Kosovës, janë vënë themelet e ndërtimit të Agjencisë Kosovare të Inteligjencës dhe në po të njëjtën kohë është krijuar mekanizmi apo Këshilli Nacional i sigurisë. Çështja e dytë është se Kosova ka arritur të ketë njohjen e 54 vendeve të botës demokratike dhe të ndërtojë misionet e veta të para diplomatike në vendet më të rëndësishme të botës. Po gjatë kësaj periudhe kemi arritur të kemi një korpus legjislativ që nga kushtetuta e deri te ligjet bazike që dalin nga pakoja e presidentit Ahtisaari.

BBC: President Sejdiu, ju përmendni njohjen e Kosovës nga 54 shtete, ndërkohë që ka shumë vlerësim se Kosova nuk e ka siguruar njohjen e pritur dhe të nevojshme.

Presidenti Sejdiu:
Natyrisht ne do të donim të kishim më shumë njohje. Unë mendoj se kemi pasur një bazë të arsyeshme të besimit, se mund të ketë edhe një grup vendesh që do të procedojnë me njohjen e Republikës së Kosovës, por tash për tash ne e kemi këtë numër që nuk është një numër i vogël, por që thashë se do të donim të kishim më shumë njohje nga të gjithë. Ne po presim që të kemi njohje të tjera dhe unë asnjëherë nuk kam përmendur numrin e shteteve që do të na njohin, sepse kjo është çështje e brendshme e tyre.

BBC: Problemi më i rëndë në njëvjetorin e pavarësisë së Kosovës, mbetet pamundësia e Prishtinës që të ushtrojë pushtetin e vetë në gjithë territorin e Kosovës, apo mungesa e ushtrimit të sovranitetit në tërë territorin. Cili është vlerësimi juaj për këto që thuhen?

Presidenti Sejdiu:
Është një fenomen që ka përcjellë edhe vendet e tjera që e kanë shpallur pavarësinë e tyre, posaçërisht vendet që kanë dalë nga ish-Federata ku kemi qenë edhe ne. Ka pasur edhe shembuj të përgjakshëm apo të luftërave të gjata me viktima të shumta. Unë nuk do të doja që ndokush të këtë përvoja të këqija, por them se Kosova në kuptimin fizik ka integritetin e saj, në kuptimin e mbështetjes ndërkombëtare e ka integritetin e saj të pacenueshëm, por që ka edhe probleme praktike. Është një pjesë në veri të Kosovës, ku ekzistojnë strukturat paralele, të cilat janë struktura që kanë bërë veprime të këqija në Kosovë edhe në fazën paraprake, janë njerëz që duan të mbajnë atë rol që kanë pasur edhe më parë, që të jenë tutorë të të tjerëve dhe të diktojnë me jetën e të tjerëve, e që fatkeqësisht në vazhdimësi, mbahen, ushqehen dhe stimulohen nga Republika e Serbisë.
Qasjet tona në këtë drejtim janë qasje të kooperimit me mekanizma ndërkombëtarë. Ne provokimet e këtyre grupeve nuk do t’i marrim si karrem për të pasur konflikte të natyrës që ata i dëshirojnë. Janë qasje që janë duke dhënë rezultatet e veta, që e kanë mbështetjen e përgjithshme në botën demokratike, prandaj ne edhe këtu jemi dëshmuar si shumë të matur. Por unë besoj se me punën tonë do t’ia arrijmë që edhe këtë pjesë të qytetarëve ta shndërrojmë në pjesë integruese tonën.

BBC: Serbët akoma nuk janë të gatshëm që të jenë pjesë e institucioneve të Prishtinës. Është kjo pasojë e një oferte të pamjaftueshme të Prishtinës ndaj tyre, apo rezultat i ndikimit të fortë të Beogradit?

Presidenti Sejdiu
: Them se janë disa faktorë që ndikojnë në një qasje të tillë joracionale të këtyre njerëzve. E para është se ata nuk e kanë interesin që në veri të krijohet një rend ligjor dhe të ketë një perspektivë zhvillimi atje. E dyta është se një numër i këtyre njerëzve ka mbetur peng i fjalëve të vështira që ata i kanë dhënë në periudha të mëhershme kohore - se Kosova do të jetë gjithmonë Serbi, dhe ndikimi i këtyre njerëzve nga qeveria e Serbisë. Së treti është mungesa e guximit nga Serbia, e cila para botës deklarohet për politika paqësore evropiane dhe anasjelltas vepron në të kundërtën për ta mbajtur nën presion këtë pjesë. Një element shtesë i kësaj gjendjeje është edhe toleranca që u është bërë këtyre strukturave tash e nëntë vjet.
Nuk ka qenë e drejtë as qasja e misioneve ndërkombëtare ndaj këtyre njerëzve të cilët janë lënë të inkurajuar në veten e tyre për të bërë veprime të dëmshme për Kosovën dhe për vetë serbët.
Unë them se është koha për masa dhe veprime më energjike. Unë nuk them që Kosova të ketë qasje të depërtojë me dhunë, por që të shkohet me projekte zhvillimore që kanë të bëjnë me ofertën se kjo është Kosovë e të gjithëve, dhe që ata që e duan Kosovën për atdhe të tyre, le ta duan me punë, ndërkaq ata që nuk e duan, e kanë mundësinë që të zgjedhin kudo tjetër.

BBC: Në shkurtin e vitit të shkuar ka pasur një mbështetje të madhe ndërkombëtare për pavarësinë e Kosovës. Vazhdon të ekzistojë kjo mbështetje apo është zbehur?

Presidenti Sejdiu:
Jo, unë them se ekziston. Të gjitha vendet që kanë qenë të përkushtuara për të pasur një epilog të tillë, akoma janë në këto pozita. Ne presim që këto vende mike të kenë një influencë më të madhe tek vendet e tjera, që kanë qëndrim tjetër ndaj Kosovës. Ndoshta kjo do të jetë pjesë e një pune të përbashkët. Por as kjo pjesë nuk është e lehtë.

BBC: Dy prej projekteve më të suksesshme të Kosovës shtet janë kushtetuta dhe krijimi i Forcës së Sigurisë së Kosovës. Që të dyja këto projekte vazhdojnë të kenë probleme të shumta. Pse është kështu?

Presidenti Sejdiu:
Këto janë procese që gjenden në fillet e veta. Nëse e marrim Kushtetutën p.sh., sigurisht se ka ende probleme në tipin çfarë do të dëshironim ne të kishim, ka nevojë që të shtohet efiçenca e organeve të vendit dhe atyre ndërkombëtare, të mos lejohen diversionet për të minuar të ardhmen politike të Kosovës dhe ka nevojë po ashtu që institucionet e ndryshme të shtojnë punën e tyre.

E pranoj se nuk është gjithçka idilike, por kjo duhet parë edhe në relacion me përvojat që kanë pasur vendet e tjera të rajonit, siç janë Kroacia, Bosnja etj.
Sa i përket Forcës së Sigurisë, sipas nesh duhet të ndërtohet sipas parametrave të NATO-s dhe do të jetë shumetnike. Dikush mund ta shikojë ndryshe dhe është një trembje e paarsyeshme. Dhe së dyti duhen parë dhe zgjidhur ankesat që kanë ata që nuk janë përfshirë në këtë forcë e që kanë qenë pjesëtar të TMK-së.

BBC: Ju do të thoni se pavarësia e Kosovës ka ndikuar në stabilitetin e rajonit. A mund të mi jepni disa elemente pse është kështu?

Presidenti Sejdiu:
Kosova i ka marrë përgjegjësitë e veta në këtë drejtim. Ka pasur trembje dhe fryrje të vazhdueshme se çka do të ndodhë pas pavarësisë së Kosovës.
Kundërshtarët e pavarësisë kanë thënë se në momentin e pavarësimit të Kosovës do të kemi një largim total të pakicave etnike nga Kosova, do të ketë një eksod që do të shkaktohen turbulence, se do të krijohet Shqipëria e madhe, se do të krijohet një Kosovë e madhe, se do të rrezikohet e ardhmja e Maqedonisë, se do të rrezikohej e ardhmja e Malit të Zi, se do të rrezikohej Ballkani e kështu me radhë. Por ne e kemi dhënë përgjigjen tonë me prova të drejtpërdrejta. Pavarësia e Kosovës shënon hapin më racional të kohës në dhënien e mundësive që një popull të jetojë i lirë, në paqe me fqinjët dhe me aspirata për t’u integruar në familjen e madhe evropiane.

BBC: Çfarë prisni nga gjykata ndërkombëtare e Hagës për rastin e Kosovës?

Presidenti Sejdiu:
Unë nuk i paragjykoj rezultatet. Serbia është ajo që dëshiron t’i paragjykojë këto rezultate dhe t’i imponojë zgjidhjet e saj për njerëzit e drejtësisë ndërkombëtare. Unë them se e drejta e Kosovës është një e drejtë hyjnore dhe e natyrshme që të jetojë e lirë dhe për këtë arsye e ka zgjedhur rrugën e vet dhe e ka gjithë këtë njohje kaq të fuqishme ndërkombëtare.