BBC: KOSOVA NUK MUND TË KRAHASOHET ME OSETINË DHE ABHAZINË

Ky është një moment i rëndësishëm që shënon pjesën e përkushtimit tonë në ndërtimin e strukturave të shtetit, të institucioneve, me këtë rast edhe të rrjetit diplomatik të Republikës së Kosovës. Paralelisht bëhet një punë e madhe në njohjen e mëtejme të Republikës së Kosovës nga vendet e tjera.

BBC: Keni dekretuar përfaqësuesit e parë të diplomacisë kosovare në botë.

Presidenti Sejdiu:
Unë mendoj se përzgjedhja që është bërë është e tillë që garanton cilësi. Mendoj se është një hap i rëndësishëm që në fillim me këtë njerëz. Me rëndësi është se ne kemi zhvilluar konsulta të thella me kryeministrin, me ministrin e jashtëm për një periudhë të gjatë kohore për të nxjerrë këtë listë.

Kujtoj se edhe ekipet e tjera që do të jenë bashkë me ta do të jenë kompetente. Për ne ka qenë e rëndësishme që të propozojmë dhe në fund të bëjmë edhe dekretimin e këtyre njerëzve që do të jenë, që lirisht po e quaj, do të jenë bërthama e parë e diplomacisë së Kosovës, në kuptim të qëndrueshmërisë kohore, pra ajo që gjithmonë mëtohet, në vendet e demokracisë së zhvilluar, që të jenë diplomatë të karrierës.
Për ne është ky një fillim, unë dëshiroj të vazhdojmë sikur që ka qenë kjo qasje e bashkëpunimit të thellë dhe e përzgjedhjes jashtë konturave partiake, sepse pjesa dërrmuese dhe si tërësi janë të tillë, pra nuk ka ndonjë refleksione të lidhshmërisë organike të strukturave partiake të të propozuarve.
Pra, janë njerëz që do të prezantojnë denjësisht Kosovën, janë njerëz që kanë një horizont në ndërtimin edhe profesional dhe të kulturës. Kjo do të jetë një uverturë e mirë për ecjet e mëtejme.

BBC: President ju i dekretuat përfaqësuesit e parë diplomatikë të Kosovës në kohën kur opozita kishte shtuar kritikat ndaj politikës së jashtme kosovare…

Presidenti Sejdiu:
Ky është një moment i rëndësishëm që shënon pjesën e përkushtimit tonë në ndërtimin e strukturave të shtetit, të institucioneve, me këtë rast edhe të rrjetit diplomatik të Republikës së Kosovës. Paralelisht bëhet një punë e madhe në njohjen e mëtejme të Republikës së Kosovës nga vendet e tjera.

Ne s'mund të publikojmë ose të trumbetojmë se biseduam këtu dhe me këtë njeri, kemi këtë ndërhyrje ose kemi këtë porosi të përcjellë. Është me rëndësi se puna nuk ndalet. Krahas institucioneve të Kosovës, flas këtu nga kabineti im, nga ministria e punëve të jashtme dhe nga kryeministri i Republikës, ne kemi po ashtu një përkushtim të veçantë të vendeve mike të Kosovës që të ndihmojnë atë në njohjet e reja.

Mund të them se ndonjë prej vendeve që mund të paralajmërohet si meritë e ndonjërit nga njerëzit tanë mund të them se paralajmërimet janë shumë më të hershme në rrugë zyrtare dhe kanale zyrtare. Me këtë nuk dua të nënçmoj angazhimin e secilit njeri që mund të kontribuojë për Kosovën në atë që ne mund ta quajmë në mirëbesim, por rruga institucionale është përparësi e të gjithëve. Por këtu përfshihet edhe bashkëpunimi me personalitete.

Në këtë rast dua të them se për ne është me rëndësi të ruajmë një komunikim të mirë me vendet që e kanë njohur Republikën e Kosovës, me vendet që janë në përgatitje të njohjes së Republikës së Kosovës.

Në këtë kuadër janë disa sosh dhe nuk dua të përmend emra për të marrë dhe për të thënë se kjo do të ndodh këtë ditë, ose ky vend do ta bëjë këtë ditë. Për ne është me rëndësi që të kemi sa më shumë njohje.

BBC: President, kjo është diplomaci në krijim. Por a mund të bartet ajo me diplomacinë serbe që ka nisur ofensivën e saj madje edhe në OKB për të shqyrtuar ligjshmërinë e shpalljes së pavarësisë?

Presidenti Sejdiu:
Unë nuk mund të them se kjo është një garë, por një përballje e dy qasjeve që mund të kenë edhe nivele të përballjes në mekanizmat ndërkombëtarë, por është përballje e dy kauzave. Asaj që Serbia pretendon edhe tash, çmendurisht, që të rikthejë pozicionet koloniale ndaj Kosovës dhe të jetë hegjemone edhe ndaj vendeve të tjera juglindore dhe që nuk mund të ketë argumente që ta mbrojë këtë qasje. Madje as në kërkesën e saj që të vë në bankën e zezë çështjen e Kosovës dhe vendet që e kanë njohur paralelisht pavarësinë e Kosovës. Në anën tjetër kemi argumentet tona që janë të mbështetura ndërkombëtarisht.
Unë edhe njëherë ripërsëris se Kosova është njohur nga më shumë se tri të katërtat e BE-së dhe këto ditë do të ketë edhe njohje të tjera, nga ndonjë prej vendeve anëtare të BE-së dhe natyrisht është e njohur nga vendet më të fuqishme të botës. Për këtë arsye themi se ne jemi në një rrugë të drejtë, por kjo s'do të thotë që të mos japim përgjigjet tona dhe këtë do ta bëjmë në nivele të ndryshme.
Kujtoj se kjo qasje, dhe kjo nismë që Serbia e ka iniciuar, do të thosha drejtpërdrejtë, për të shpërlarë retorikën e vet të ashpër ndaj qytetarëve të vet dhe ndaj ndonjë vendi që ka trumbetuar për të mendoj se do të mbete pa efekte.
Ne do të vazhdojmë rrugën tonë të zhvillimit, rrugën e raporteve të mira me të gjitha vendet fqinje në rajon, pra edhe me vendet që ende nuk e kanë njohur Republikën e Kosovës, por që janë në proces të studimit dhe atë që ne duam ta themi, ndërtimin e Kosovës si shtet demokratik, shtet i të gjithë qytetarëve të saj, me garanci të veçanta për komunitetet pakicë. Orientimet tona themelore janë integrimi në BE dhe në NATO dhe partneri e miqësia e mirë me vendet që e kanë mbështet gjatë Republikën e Kosovës, në këtë rast SHBA-në dhe BE-në.

BBC: Do ta pengojë kjo nismë e Serbisë Kosovën në rrugëtimin e saj të mëtejmë?

Presidenti Sejdiu:
Unë nuk besoj se do të ketë pengesa. Mbase mund të ketë ndonjë vend, tepër i rrallë, që mund të shtrojë para vetes dilemën që ta studiojë lëndën e Kosovës edhe ndonjë ditë. Unë nuk besoj se Serbia do të arrijë që të pengojë vendet në ecjen e tyre për njohjen e këtij realiteti praktik që kemi në Kosovë, pra Republikën sovrane të Kosovës, që është e njohur nga shumë vende të botës.

BBC: President ju keni deklaruar më herët se rasti i Kosovës nuk mund të krahasohet me asnjë rast tjetër në botë. Por a mendoni se bllokada në KS të OKB-së dhe këmbëngulësia ruse në Këshill të Sigurimit mund ta pengojë Kosovën në të ardhmen?

Presidenti Sejdiu:
Unë mendoj se ai trajtim që e kemi dhënë më herët dhe që është në mbështetje të përgjithshme ndërkombëtare është se Kosova është sui generis dhe nuk mund të jetë as shembull precedenti për zgjedhje apo për situata në hapësira të tjera të globit. Ju e shihni se forcërisht këtë qëndrim e mbajnë edhe sot e kësaj dite vendet kryesore të BE-së, të SHBA-së por edhe të vendeve të tjera. Rusia ka hyrë në një situatë, që edhe në aspektin psikologjik por edhe në aspektin e lëvizjeve strategjike është bukur e komplikuar.

Ne kemi shprehur shqetësimet tona për viktimat që kanë ndodhur në Gjeorgji, por paralelisht themi se është i nevojshëm investimi ndërkombëtar për të ndërprerë ecjen e mëtejme të trazimit të asaj pjese të botës, duke pasur parasysh këto angazhime të veçanta që i bëjnë SHBA, Britania e Madhe e Franca. Për ne është me rëndësi që ta vazhdojmë bërjen e Kosovës funksionale në kuptimin e shprehjes së identitetit dhe të vlerave të saj në mënyrën më të mirë të mundshme si shtet i të gjithë qytetarëve.
Paralelisht mund të themi në të njëjtën kohë, ka edhe shqetësime të veçanta që kanë ardhur edhe tek pala serbe në kuptimin e marrëdhënieve të saj me Federatën Ruse. Ju e keni parë "kujdesin" ose moskujdesin për deklarimet që i bën Federata Ruse për vendet që ajo mendon se mund t'i ketë në një rrafsh të përbashkët, për të njohur Abhazinë ose Osetinë Jugore. Ne kthehemi edhe njëherë në formulën tonë se Kosova është sui generis dhe nuk mund të jetë shembull krahasues me askënd, me asnjë vend, dhe në këtë rast as me këto dy hapësira që janë në kuadër të shtetit të Gjeorgjisë.
BBC: Me sa e kuptoj ju mendoni se pozicioni i Serbisë përballë Kosovës në këto çaste është më i dobësuar?
Presidenti Sejdiu: Unë mund të them se Serbia ka marrë edhe një përgjigje shtesë nga ajo që ka mësyrë në një rrugë të keqe. Kujtoj se ajo gjendet në një dilemë të madhe. Ju i shihni edhe lëvizjet që i gjejmë në pjesën e diplomacisë së saj, në reflektimet e herëpashershme të njerëzve të institucioneve se çka të bëjnë dhe në përplasjet e mëdha që janë brenda vetvetes. Nuk mund të them në këtë rast të pozitës dhe opozitës por të dy qëndrimeve eventuale që mund të jenë të pranishme në politikën serbe, e para të asaj retorikës së ashpër dhe joracionale me të cilën është udhëhequr deri më tani dhe dyta, të zërave që mund të jenë me një arsye të re apo me një gjykim të ri që e duan Serbinë të shkëputet nga rruga që e ka nisur dhe të vazhdojë, të pranojë dhe të përkrahë nismat perëndimore për integrimin e saj dhe për lëvizjet pozitive që duhet t'i ketë e që në radhë të parë janë interes edhe i vetë Serbisë.

BBC: Zoti President jeni të gatshëm që të takoheni me Beogradin zyrtar për të diskutuar çështjet e interesit të përbashkët?

Presidenti Sejdiu:
Në situata të ecjes të mëtejmë, gjithmonë si dy vende sovrane, në temat që mund të jenë në interes të qytetarëve të njëri dhe vendit tjetër, po, absolutisht po. Natyrisht se në këtë periudhë ne japim edhe një përgjigje paralele se me Beogradin asnjëherë s'do të ketë takime dhe tema të cilat lidhen me statusin.

Kosova ka përfunduar procesin e pavarësimit të saj, ajo është njohur ndërkombëtarisht nga shumë vende. Kosova ka pasur dhe ka shumë miq që e kanë mbështetur këtë rrugë të lirisë së saj dhe të lirisë së njerëzve të saj, pra të të gjithëve.

Prandaj nuk ka asnjë hapësirë që të zë vend ndonjë përkushtim në kërkesat apo temat që Beogradi dëshiron t'i shtrojë si të pakryera apo t'u qaset apo riqaset se s'kemi pasur mundësi të arrijmë pëlqimet. Rreth çështjeve të statusit asnjëherë nuk mund të arrihet pëlqimi.

Ne e kemi përfunduar në mënyrën më të mirë të mundshme në një proces ndërkombëtar. Ndërsa temat që kanë të bëjnë me relacionet që lidhen apo me marrëdhëniet mes shteteve sovrane ato janë të nevojshme të trajtohen, pse jo.

BBC: Me ndërmjetësim apo pa ndërmjetësim të UNMIK-ut?

Presidenti Sejdiu:
Unë në këtë rast nuk e quaj UNMIK-un partner që do të hyjë në ndërmjetësime të veçanta në tema, por mund ta quaj si pjesë të një faktori ndihmëtar së bashku me EULEX-un që mund të lehtësojnë apo të japin një relaks në marrëdhëniet tona, në kuptim të investimit për të rënë tensionet. Një gjë e mirë është se nga ana e Kosovës nuk ka impulsime për të pasur tensione me Serbinë.

Krahas asaj që mund të quhet paradoksale, kemi dhënë sinjale më të mira të mundshme për raportet e ardhshme mes dy vendeve, karshi elementit se Serbia asnjëherë nuk ka kërkuar falje për viktimat që ka shkaktuar dhe për shkatërrimet që i ka bërë në Kosovë.

Në anën tjetër, nëse Serbia e zgjedh ende që të mbajë tensione dhe të involvohet në forma të ndryshme në mbajtjen dhe ushqimin e strukturave paralele, sigurisht se nuk do të jetë poen pozitiv për vetveten dhe mendoj se do të krijojë edhe një iluzion për një kohë tek qytetarët serbë, të cilët mendojnë, sidomos ajo pjesa radikale e cila është eksponuar në këto forma, se do të kenë shanse të rikthimit të Kosovës, me dhunë, në kuadër të vetvetes.

BBC: Por a mund të ketë përplasje mes Kosovës dhe Serbisë për çështjen e veriut të saj?

Presidenti Sejdiu:
Mendoj se koha e konfrontimeve ka kapërcyer. Për ne është me shumë rëndësi se Kosovën, kufijtë e Kosovës dhe integritetin e saj e mbron armata më e fuqishme botërore, që është e cilësuar si armatë e paqes, e stabilitetit dhe e ruajtjes apo mbrojtjes së lirisë njerëzore. Në këtë kuadër ne kemi një partneritet të jashtëzakonshëm me NATO-n.
Asnjëherë nuk mendojmë se duhet të hyhet në një luftë të re për çështje të natyrave apo të formave siç kanë qenë në këtë rast siç thoni edhe për çështjen e veriut. Veriu i Kosovës është i Kosovës, është pjesë integrale e Kosovës. Natyrisht se ka probleme, por që do të tejkalohen me një investim dhe inkurajim të asaj pjese të popullatës por edhe me programe zhvillimore. Gjithashtu do të them se ata që duan të përplasen me NATO-n e kanë shansin të përplasen nëse dëshirojnë.

BBC: Dhe më lejoni. Jeni të gatshëm të uleni në një bisedë të drejtpërdrejt me presidentin serb, Tadiq?

Presidenti Sejdiu:
Në çështjet e fqinjësisë dhe të raporteve mes dy vendeve sovrane gjithmonë, nuk ka ndonjë problem asnjëherë.

BBC: Ku do të takoheshit?

Presidenti Sejdiu:
Do të takoheshim gjithmonë, natyrisht me një prani të rëndësishme ndërkombëtare sikur e kemi pasur deri tash me miqtë tanë.