BBC: JO PROTOKOLLEVE QË CENOJNË KOSOVËN

BBC: Kush u pajtua për nënshkrimin e protokollit të debatueshëm për bashkëpunim ndërpolicor ndërmjet EULEX-it dhe Beogradit zyrtar, javën e kaluar?

Presidenti Sejdiu:
Ka qenë një proces interesant, do të thosha, që nga fillimi dhe mund të them se pala kosovare nuk ka qenë aktor në këtë situatë. Është po ashtu me rëndësi të theksohet, se ne për njoftimet e thella të mbajtjes së kësaj materie, apo të këtij dokumenti ne i kemi shprehur qëndrimet tona.
Dhe them se, edhe atë për të cilën është pajtuar edhe EULEX-i, askush në emër të Kosovës nuk mund të negociojë me një vend tjetër, duke pasur parasysh se në situata të caktuara apo në disa formula të caktuara cenohej, do të thosha, drejtpërdrejt struktura e institucioneve të vendit përkatësisht ajo që nuk është vetëm në aspektin figurativ por ajo që paraqet sovranitetin e një vendi.

Andaj ne kemi shprehur kundërshtimin tonë për qasjen, kemi shprehur kundërshtimin tonë për formulat e ofruara dhe kemi shprehur kundërshtimin tonë që të mos lejohet asnjë formë, asnjë mënyrë që eventualisht do të derivonte në një situatë e cila do të ishte e papranueshme për Kosovën.
Në ndërkohë, ne vërtetë kemi pasur disa ditë takime të ngjeshura dhe bashkë me qëndrimin tonë ne kemi bërë edhe paralajmërimin e drejtpërdrejt, duke mbështetur natyrisht, bashkëpunimin me EULEX-in, si të nevojshëm për Kosovën edhe në këtë periudhë edhe në periudhat që kemi para vetes, mirëpo njëkohësisht kemi theksuar se për Kosovën do të jetë tepër e rëndësishme që të merret parasysh roli i tij si rol ndihmës me Republikën e Serbisë.

Por, them gjithmonë duke qenë një faktor që do të ofrojë raportet e ardhshme mes dy vendeve sovrane dhe që në një situatë apo në një tjetër do të ndihmonte sidomos në misionin parësor që është i theksuar edhe për rolin e EULEX-it në mbështetje të institucioneve të vendit sidomos në fushën e sigurisë dhe të sundimit të ligjit.

Ka qenë në një moment, të themi, edhe një qëndrim shumë i qartë se për formulimet e tilla edhe nuk mund të bëhet fjalë. E dimë se ndërkohë ka pasur, dhe ju e keni përcjellë me siguri, një shqetësim të veçantë se cili do të jetë fati i mëtejmë i këtyre dokumenteve.

Për ne, natyrisht se ne e kemi përfunduar me atë përmbajtje dhe nuk kemi dëshiruar që të hyjmë absolutisht në formulime apo për të qenë akterë në proces, por është shumë e rëndësishme, kujtojmë, paralelisht me atë që e kemi bërë botërisht, apo që e kanë botërisht edhe institucionet evropiane, se ky dokument, sipas vlerësimit të tyre, nuk cenon sovranitetin, pavarësinë dhe tërësinë tokësore të Kosovës dhe se BE-ja është shumë e interesuar, në këtë rast bashkë me EULEX-in dhe mekanizmat e tjerë, dhe në këtë kuadër edhe SHBA-ja, që të ndihmojë dhe të vlerësojë punën e institucioneve të Kosovës drejt integrimeve euroatlantike.

Prandaj ne themi, apo e përsërisim atë që e kemi shprehur në qëndrimin tonë, se nuk është një dokument në të cilin pala kosovare ka qenë aktor në proces dhe në të njëjtën kohë shprehim zotimin tonë të bashkëpunimit të ngushtë me institucionet ndërkombëtare në Kosovë, në këtë rast edhe me EULEX-in, ICO-në, edhe me KFOR-in por edhe me vendet veç e veç që janë brenda nesh.

E dimë që ka qenë një qëndrim i BE-së që të shkojë në mbështetjen e një protokolli të tillë dhe e dimë po ashtu që është bërë në një nivel të ulët të përfaqësimit, vetëm të një dimensioni apo qasjeje të dikasterit të policisë. Pra një bashkëpunim të zyrtarëve të EULEX-it dhe nënshkrimit që ata e kanë bërë pas nënshkrimit të mëhershëm nga Ministria e Brendshme e Republikës së Serbisë.

Ne duam që këtë sekuencë që e kemi pasur para vetes të mos e kemi të përsëritur. Qëndrimi ynë është shumë i qartë, se ka edhe disa prej fushave të tjera të cilat vërtetë janë të ndjeshme, të paralajmëruara si të tilla, siç është, çështja e doganave dhe ajo e gjyqësisë, por themi se për Kosovën janë të pranueshme të gjitha aspektet të cilat lidhen esencialisht me projektin Ahtisaari.

Asgjë që mund të dalë jashtë idesë së projektit Ahtisaari dhe asaj që është e lejuar me Kushtetutën e Republikës së Kosovës, me ligjet në fuqi, nuk do të jetë e Kosovës.

BBC: Zoti President ju i paralajmëruat edhe dy protokollet e tjera. Njëherë thatë si udhëheqës të institucioneve të Kosovës se e mbyllni debatin. Do të lejoni debate për dy protokolle të tjera, apo e keni mbyllur çdo gjë për këtë çështje?

Presidenti Sejdiu:
Unë them se çdo gjë që mund të cenojë interesat e Republikës së Kosovës do të jetë e papranueshme. Këtë e përsëris edhe njëherë. Mendoj se EULEX-i do të ketë kujdes të veçantë në fushën që ai mbështet institucionet e vendit dhe natyrisht kjo të kuptohet gjithmonë në mënyrën më të sinqertë të mundshme.

Nuk mund të kuptohet si diçka që EULEX-i të jetë partner i përhershëm për të mbyllur fuqinë e veprimit të institucioneve të vendit, sepse realisht atëherë do të arriheshin efekte negative por do të jetë një periudhë që vërtetë do të vinte në shesh apo në funksionin më të mirë edhe fuqinë e institucioneve të vendit.

Jo në aspekte të bllokimeve, jo në aspekte që do të krijonin situata të tensioneve, apo në situate të pakapërcyeshme në kuptimin e ndërtimit të raporteve të ardhshme edhe me Republikën e Serbisë, në këtë kuadër, por edhe në aspektin e bashkëpunimit të nevojshëm do të thosha mes institucioneve ndërkombëtare, në këtë rrafsh EULEX-it dhe të Republikës së Kosovës.

Unë mendoj se Qeveria do ta ketë një obligim të drejtpërdrejtë që në këto dy fusha, që mund të jenë nga pikat e rëndësishme të mbështetjes së raporteve, ta thotë fjalën e vetë si duhet dhe besoj se nëse do të jetë nevoja edhe në nivelin më të lartë nuk do të pranohet asgjë e cila në një ose formën tjetër do të ishte cenim i interesave të Kosovës.

Këtu flas edhe në planin afat shkurtër edhe në atë afatgjatë, se nganjëherë jemi mësuar të themi se mund të krijohet një dëm tash por do të jetë një dobi e mëvonshme. Ne nuk jemi të ngurtë, jemi jashtëzakonisht bashkëpunues. Dëshira jonë është që ky bashkëpunim të kuptohet drejt dhe të kuptohet gjithmonë në funksion të realizimit të frymës së projektit Ahtisaari.

BBC: Më lejoni zoti President. Ju po flisni për kundërshtimin ndaj projekteve të BE-së dhe njëkohësisht po flisni për bashkëpunim me BE-në. Mos janë në kundërshtim këto dy gjëra?

Presidenti Sejdiu:
Jo, jo. Unë nuk them në kundërshtim të projekteve për ndihmë dhe mbështetje. Unë them në kundërshtim të formulave që eventualisht mund të dëmtojnë dhe të kuptohen keq. Ne do të jemi faktor bashkëpunues në të gjitha periudhat.

Por ndonjë formulë që në njërën ose në formën tjetër do të ishte jo e qëndrueshme dhe mund të interpretohet në mënyrë të padrejtë, do të thosha keq, apo do të jepte shkas që të interpretohej keq, sigurisht që do një kujdes të veçantë.

BBC: Zoti President ka pasur kundërshtime edhe nga shoqëria civile, kishte kundërshtime edhe nga qytetarët e Kosovës ndaj protokolleve. U krijua një klimë e rëndë në Kosovë. Kush mban përgjegjësi për mundësinë e përshkallëzimit të situatës në Kosovë?

Presidenti Sejdiu:
Unë them çdo qytetar i Kosovës. Unë them po ashtu se nuk është një situatë që s’duhet të dramatizohet dhe të kalohet në një gjendje e cila do të rezultonte me veprime te paarsyeshme. Unë mendoj se kjo situatë edhe si e tillë është tejkaluar.
Ne kemi garanci të fuqishme, e thash edhe më parë, edhe nga BE-ja edhe nga pesë vendet e Quintit, bashkë me SHBA-në, por edhe strukturat udhëheqëse të BE-së se Kosova në asnjë formë dhe në asnjë moment nuk do të cenohet, në këtë rast nuk do të cenohet sovraniteti dhe integriteti i saj.
Në këtë kuadër, duke pasur parasysh edhe objektivin themelor të ecjes sonë në drejtim të integrimeve euro-atlantike, për ne është shumë me rëndësi të jemi shumë të matur në veprimet tona. Prandaj Kosovës nuk i duhet diçka që do ta vinte jashtë binarëve normalë jetën e saj. Unë them se është e drejtë e çdo kujt që të jap mendimin e vet, qoftë edhe në formë të protestës.
Por absolutisht çdo formë tjetër që mund të kapërcejë nga një rrugë normale që është parashikuar dhe e lejuar me ligj, e që është e drejtë e qytetarëve të vendit, sikur edhe në çdo vend tjetër demokratik, do të ishte e papranueshme.
Ne e kemi shprehur qëndrimin tonë edhe ndaj asaj pjesës së reagimeve të dhunshme ndaj EULEX-it, që është totalisht e papranueshme dhe them se kjo pjesa tjetër që njerëzit kanë shprehur mendimin e vet, organizata joqeveritare, apo forma të tjera, është në një suazë normale të një reagimi qytetar të një grupëzimi njerëzish apo të organizatave joqeveritare që të shprehin mendimin e tyre.

BBC: Por a nuk ishin protokollet një mundësi e mirë që Kosova të faktorizohej karshi BE-së dhe Serbisë në këtë rast?

Presidenti Sejdiu:
Mendoj se kjo formë në rrugën si ka filluar nuk ka qenë në rregull. Por në pjesën e përfundimit si e ka interpretuar BE-ja dhe mendoj se ka bërë hapa të rëndësishëm të mëtejmë, mendoj se fjala e Kosovës ka qenë meritore.
Kam parasysh se Kosova nuk është në një periudhë në të cilën mund të kuptohet se në njërën ose formën tjetër, do të jetë në valë të tjera jashtë konceptit të saj themelor drejt integrimeve, por në të njëjtën kohë është edhe në një stad të zhvillimit të saj, të identitetit të saj shtetëror që të thotë fjalën e vet.
Absolutisht. Dhe, kjo nuk nënkupton pjesë të bllokadave ndaj aksioneve, do ta quaja, afirmative të ecjes dhe zhvillimit të Kosovës por edhe të vendeve të tjera të Evropës Juglindore, por natyrisht Kosova e do hisen e vet në trajtimet normale që mund t'i ketë dhe që duhet t'i ketë BE-ja në ndonjë vend.

BBC: Në një intervistë, pikërisht një vit më parë, i keni thënë BBC-së se jeni të gatshëm që të takoni presidentin Tadiq, homologun tuaj serb. A nuk mendoni se ishte kjo një mundësi e mirë që të krijohej një klimë mirëbesimi mes Kosovës dhe Serbisë. Apo është humbur edhe një rast?

Presidenti Sejdiu:
Shikoni, ne i kemi dhënë në vazhdimësi shansin tonë. Dhe këtë e kemi ofruar që në kohën e negociatave. Edhe në takimet e treshes ndërkombëtare ne kemi ofruar traktatin për miqësi dhe fqinjësi të mirë mes dy vendeve, që nënkupton raporte të mira ndërshtetërore të cilat do të ishin në favor jo vetëm për këto dy vende por edhe në favor për rajonin përgjithësisht.
Prandaj ne mbesim në këtë qasje. Por fatkeqësisht deri tani nga pala serbe nuk ka sinjale të tilla por përkundrazi ka sinjale negative, sepse ata fatkeqësisht kanë instruktuar dhe kanë mbajtur struktura paralele që kanë krijuar tensione në pjesë të caktuara të Kosovës.
Dhe kanë shpenzuar miliona euro që është një qasje jo vetëm joracionale por është një qasje do ta quaja e një tipi të një agresioni të heshtur apo në vazhdimësi, që Republika e Serbisë e bën ndaj Kosovës. Ne nuk do të dëshironim që një qasje e tillë të vazhdojë deri në pakufi, sepse mban peng edhe vetë qytetarët serbë të Republikës së Kosovës, mban peng proceset e rëndësishme që kanë të bëjnë edhe me fatin e vet Serbisë.
Unë mund të them se pavarësisht një oferte që do ta ketë Serbia tani në procesin e liberalizimit të vizave, por do të jetë po ashtu karshi saj edhe një kërcënim i vazhdueshëm që të heqë dorë nga kjo qasje jo e drejtë që ka Serbia ndaj vendeve të rajonit.  Fundi i fundi,t kanë kaluar, e kam thënë shumë herë, kohërat kur ajo ka diktuar politikën e të tjerëve për fatin ose perspektivën e saj të papengesa bashkë me problemet që mund t'i ketë ose t'i shkaktojë. Në këtë kuadër ne do të vazhdojmë me qasjen tonë për të pasur, nesër, flas figurativisht, raporte të mira me Republikën e Serbisë por jo asnjëherë në pozicionin e inferioritetit.
Askush mos të mendoj, pra as Republika e Serbisë, se Kosovës i ka plasur zemra që tani mezi pret ta ketë një takim me presidentin Tadiq, për të thënë eja hajde se ishte çka ishte. Jo. Ne jemi për ofertën e drejt më njerëzore të asaj çfarë mund ta bëjnë njerëzit, udhëheqësit e vendeve sovrane dhe natyrisht do të vijë një kohë sigurisht që do të kemi edhe raporte të tilla mes shtetesh.
Pra, jo vetëm ato, që nganjëherë mund të kuptohen si pjesë e shtytjes së drejtpërdrejt të një momenti të caktuar, që dikush mund ta thotë se është pjesë instiktive absolutisht jo. Por them një raport që mund të ndërtohet në relacione që pasojnë pas sinjaleve të mira të njërit apo vendit tjetër.
Unë personalisht si president i vendit dhe kryeministri dhe po ashtu edhe udhëheqësit e partive politike, të faktorëve politikë kryesorë në vend, nuk kemi dhënë sinjale negative për raportet që duhet t'i kemi me Republikën e Serbisë. Kemi thënë të kundërtën, gjithmonë një ofertë të mirë.
Dhe e themi paralelisht atë që ne e kemi ofruar për qytetarët serbë në Republikën e Kosovës do të dëshironim që edhe Serbia ta ndërtojë edhe për qytetarët, apo pakicat që i ka brenda vendit të saj dhe të shohim ku jemi.

BBC: E përmendët procesin e liberalizimit të vizave. Kosova është jashtë këtij procesi, për dallim nga Serbia dhe një pjesë e vendeve të tjera të rajonit. Cila është perspektiva evropiane atëherë meqë është thënë ditëve të fundit se Kosova ka marrë udhërrëfyesin për perspektivën evropiane?

Presidenti Sejdiu:
Unë mund të them se do të arrijmë. Për ne është me rëndësi të themi se pavarësisht kësaj qasje të tashme, që në një ose formën tjetër sikur mbetet si një qëndrim shtrëngues ndaj Kosovës dhe nuk do të thosha sanksion, nuk duhet të dekurajohemi që të bëjmë punën tonë në drejtim të përmbushjes së kritereve parësore dhe pastaj edhe të kritereve të tjera të nevojshme për të qenë faktor në ecje për integrim në BE dhe në NATO si proces paralel.

Sigurisht se çështja e liberalizimit të vizave është një jo karrem por një port që mundëson shpejtimin e proceseve të mëtejme dhe në këtë kuadër them se politikat e përgjithshme të BE-së do të duhej të ishin një ofertë për të gjithë, për të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor.

Sepse do të ishte tepër e padrejtë që një vend, si Serbia, me paralajmërimin për liberalizim të vizave, që si vend ende nuk i ka dorëzuar kriminelët e luftës, një vend siç e thash më herët krijon probleme në vendet e tjera, në këtë rast në Kosovë drejtpërdrejt, një vend që me përpjekjet e përgjithshme mundohet që në të gjitha "portat e dynjasë" të pengojë ecjen, zhvillimin dhe rehatinë e Kosovës, sigurisht do të ishte një kriter tepër i rëndë të thotë nuk e ke kohën.
Në këtë rast dua të veçojë deklarimet e personaliteteve të fuqishme të politikës botërore me një theks të veçantë që para pak ditësh e tha edhe presidenti Ahtisaari.

BBC: Zoti President a nuk janë zgjedhjet lokale të këtij viti, një prej standardeve për perspektivën evropiane të Kosovës?
Presidenti Sejdiu:
Unë besoj se po. Edhe zgjedhjet edhe çdo proces tjetër. Zgjedhjet janë një mundësi e drejtpërdrejtë e dëshmimit të pjekurisë së institucioneve të vendit. Në këtë kuadër unë them se janë duke u bërë përgatitje të mira.
Klima e përgjithshme para zgjedhjeve, tash për tash, është jashtëzakonisht e mirë. Unë e çmoj dhe e shoh si normale atë që mund të quhet pjesë para fushatës në reagimet e partive politike apo në qëndrimet e tyre në pjesën e ofertës së heshtur apo të zëshme që e bëjnë para njerëzve, por në të njëjtën kohë e them si një refleksion i kulturës së përgjithshme politike që kanë njerëzit e Kosovës.
Paralelisht do të thosha se janë bërë hapa të mirë në mundësinë që të zhvillohen zgjedhje edhe në tri komuna të tjera me shumicë të komunitetit serb, ashtu siç e parasheh projekti Ahtisaari. Besoj se kjo paralelisht është një ofertë e madhe edhe për qytetarët serbë që të marrin pjesë.
Shenjat e para janë inkurajuese. Do të shihet me kohë se cilat do të jenë veprimet e këtyre njerëzve por do të dëshironim që vërtetë ata të jenë akterë të rëndësishëm në procesin demokratik për të qenë vendimmarrës për jetën e tyre të përditshme në nivelet lokale, por natyrisht edhe akterë të rëndësishëm me ndikim në jetën e përgjithshme të vendit.
Krahas kësaj sigurisht se ka edhe shumë procese të tjera. Unë them se kriter i rëndësishëm për të ecur drejt proceseve integruese është çështja e reformës së gjyqësorit, është çështja e një reforme në vazhdimësi dhe e përsosjes së institucioneve të sigurisë së vendit, është çështja edhe e veprimit të mekanizmave të tjerë në atë që ne e quajmë pushtete të ndara edhe në legjislativ edhe në ekzekutiv edhe në gjyqësor përgjithësisht.
BBC: Meqë i përmendët serbët dhe pjesëmarrjen e tyre në zgjedhje. Ka pasur deklarime të Beogradit zyrtar për mospjesëmarrje të tyre në zgjedhje, Ju keni bërë thirrje që ata të jenë pjesë të këtij procesi. Nëse serbët e Kosovës nuk marrin pjesë në zgjedhje, cili do të jetë qëndrimi juaj?

Presidenti Sejdiu:
Ne do të ripërsërisim edhe në këtë rast një ftesë, atë që ua kam drejtuar edhe më herët qytetarëve serb, që të marrin pjesë sepse është për të mirën e tyre. Shpreh keqardhjen për zërin e vazhdueshëm, trazues, të Beogradit për fatin e tyre.
Flas në këtë kuadër edhe për thirrjen e tyre për të mos dal në zgjedhje. Dhe kjo paralelisht është një dëshmi për qasjet që kemi në politikën moderne.
Nëse Beogradi vazhdon me këtë qasje karshi qytetarëve serbë, dhe në këtë kuadër tema themelore, apo kryefjala është Kosova, do të shihet shumë qartë se është një vend që realisht dëshiron që edhe problemet e veta të brendshme, që i ka në vazhdimësi t'i bartë tek të tjerët.
Dhe në këtë kuadër që të mbajë peng edhe proceset e rëndësishme që nuk kanë të bëjnë vetëm me dy vendet, por edhe proceset e rëndësishme të paqes dhe stabilitetit rajonal.
Deshëm nuk deshëm ne, nëse ndërpriten komunikimet ekonomike, apo edhe politike, nëse bëhen bojkotime të konferencave ndërkombëtare apo të formave të tjera të kërcënimeve kjo është një diçka që nuk i shërben të ardhmes së raporteve mes vendeve, në këtë kuadër edhe në mes Republikës së Kosovës dhe asaj të Serbisë por që reflekton realisht në tensione dhe në situatën psikologjike edhe të qytetarëve serbë në Kosovë.
Nuk mund të jenë të rehatshëm, them, qytetarët serbë, nëse në vazhdimësi Beogradi u rri mbi kokën e tyre me shpatën e Demokleut dhe t'i kërcënojë vazhdimisht që po e bëtë këtë do ta keni atë. Unë mendoj se është koha edhe e një reforme të madhe në qasjen edhe të trysnisë ndërkombëtare mbi serbët e Kosovës por edhe mbi Beogradin.
Njerëzve t'u thuhet, atë që unë e kam dëgjuar për relacionet ndërmjet Kroacisë dhe Bosnjës. Një shembull të jashtëzakonshëm ka përcjellë presidenti Mesiq në një kohë të mëhershme. Kroatët e Bosnjës atdhe të tyre e kanë Bosnjën.
Natyrisht se askush nuk ua shemb identitetin e tyre kombëtar por është shumë me rëndësi që ata ta ndjejnë veten shtetas, akterë dhe ndërtues të një vendi sovran.
Dhe në këtë kuadër e them edhe unë: serbët e Kosovës janë shtetas të Kosovës dhe atdhe i tyre është Kosova, sikur që është atdhe edhe për shqiptarët, për boshnjakët, turqit e të tjerët.
Dhe vetëm nëse kështu kuptohet, pavarësisht përqindjes së popullsisë, atëherë ky vend vërtetë do të jetë ofertë e mirë për të gjithë dhe do të ketë shansin të ecë dhe lëviz më shpejt. Dhe jo të kuptohet gjithmonë se çfarë tastiere po ndrydhet në Beograd për të pasur pastaj lëvizjet e brendshme këtu, për të turbulluar.
Unë e kam dëgjuar dhe e përsëris gjithmonë, një shembull eklatant të një familjeje serbe të rrethit të Vitisë, Kllokotit. Ai thotë "unë punoj, shoqja më punon, fëmija shkon në shkollë. Askush nuk na ngacmon por ne frikësohemi".
Cili është ai gogol që ju frikëson? Është presioni që ju vjen nga Beogradi? Dhe nganjëherë mund të jetë ajo që kërkon kohë, ngarkesa psikologjike me të bërën apo të pabërën që kanë ndodh në periudhat e mëhershme. Ne kemi ofruar shansin. Duam që ai shans të shfrytëzohet për të mirën e tyre dhe për të mirën e Kosovës dhe të ecim.

BBC: Do të garantoni zgjedhja të lira dhe drejta, marrë parasysh gjithë kritikat dhe ankesat për zgjedhjet e vitit 2007?

Presidenti Sejdiu:
Për aq sa varen nga unë ato do të jenë proces i tillë. Është punë e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve që ta bëjë atë më së miri, është punë e partive politike që të jenë akterë të ndershëm në proces. Dhe është punë paralele e vrojtimit të të gjithë këtyre nga mekanizmat e rëndësishëm ndërkombëtarë siç monitorojnë edhe në vendet e tjera.

BBC: Dhe për fund më lejoni zoti President. Ju do të shkoni në Nju-Jork, në periudhën e takimeve të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së. Pikërisht në kohën kur edhe përfaqësuesit e lartë serbë do të bëjnë përpjekje për të ndaluar njohjet e mëtejme të pavarësisë së Kosovës. Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë ka marrë përsipër që të jap një mendim këshillues. Do të mund të pres Kosova njohje të reja?

Presidenti Sejdiu:
Ne do te bëjmë punën tonë, Serbia e bën punën e keqe të veten. Ne do të vazhdojmë kontaktet me vendet e shumta. Nuk është krejt lehtë. Por mendoj se do të kemi rezultate të mira.