Presidentja Jahjaga hapi konferencën për bashkëpunim ekonomik "Mundësitë Globale" në Chicago të SHBA-së

Presidentja e Republikës së Kosovës, zonja Atifete Jahjaga hapi sot konferencën për bashkëpunim ekonomik në Chicago të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Konferenca prezanton mundësitë dhe kushtet e investimit në Kosovë.
 
Njëherit konferenca "Mundësitë Globale" do të diskutojë sinergjitë e bashkëpunimit në mes të Kosovës, shtetit të Ilinoit dhe Izraelit.
 
Presidentja në këtë konferencë shoqërohet edhe nga Ministrja e Tregtisë dhe Industrisë, zonja Hykmete Bajrami.
 
Në fjalën e mbajtur me këtë rast, Presidentja Jahjaga tha:

 
I nderuari Z. President i Odës Ekonomike Amerikano-Izraelite,
Të nderuar përfaqësues të Shoqatës Shqiptaro-Amerikane të Intelektualëve, Ndërmarrësve dhe Aktivistëve,
Zonja dhe Zotërinj,
Të dashur miq,
 
Kam kënaqësinë të jem këtu me ju këtë mëngjes dhe të marrë pjesë në këtë konferencë mbi mundësitë globale të bashkëpunimit, me fokus të posaçëm në  mundësitë e bashkëpunimit në fushën e biznesit në mes të Republikës së Kosovës, Shteteve të Bashkuara dhe Izraelit.
 
Dëshiroj të falënderoj të gjithë ata të cilët nëpërmes punës së tyre në organizimin e këtij evenimenti dhe nëpërmes takimeve të cilat do t’i kem gjatë ditës, kanë ngritur nivelin e marrëdhënieve në mes të vendeve dhe kombeve tona.
 
Me Izraelin dhe popullin hebraik, ne kemi një lidhje të fortë e cila na bashkon.
Kjo lidhje gjendet në paralelet e vuajtjes së pamasë dhe në historitë e dhimbshme të popujve tanë, gjatë ballafaqimit me persekutim, luftëra dhe shfarosje.
Gjendet në historinë e jashtëzakonshme të shpëtimit të mijëra hebrenjve gjatë Luftës së Dytë Botërore nga shqiptarët në Kosovë, Maqedoni dhe Shqipëri.
 
Kjo gjendet edhe në mbështetjen të cilën populli i Kosovës e ka gjetur tek aktivistët hebraikë të cilët avokuan për përfundim të represionit dhe si refugjatë, të cilëve u është ofruar strehë në Izrael gjatë momenteve më të rënda të historisë sonë. Burri im dhe familja e tij ishin në mes të atyre njerëzve.
 
Në kontekste dhe kondita të ndryshme, dhe në periudha të ndryshme të historisë së njerëzimit, ne kemi storie të fuqishme rreth asaj se si shoqëritë tona u bënë bashkë për të ndërtuar shtetet tona. Janë storie të mbijetesës dhe zhdërvjelltësisë. Ne jemi të vendosur  në ndërtimin e demokracive tona dhe për t’u bërë anëtarë të barabartë të komunitetit ndërkombëtar i cili aspiron për prosperitet.
 
Kjo fije e përbashkët e progresit, e lëvizjes përpara, duhet po ashtu të bëhet edhe themel i miqësisë dhe bashkëpunimit tonë të dyanshëm.
 
Dhe është mjaft e qëlluar që shpresën tonë për një fillim të ri ta bëjmë në Shtetet e Bashkuara, këtë vend të cilit i kemi aq shumë borxh për shpëtimin e Kosovës dhe popullit të saj, për besimin në dëshirën e tyre për ndërtimin e një shteti demokratik dhe në paqe, aty ku një kohë represioni dhe diskriminimi ishin ligj. Në një mundësi për të shkruar vetë historinë e tyre. Të jenë zotërues të fateve të tyre.
 
Shtetet e Bashkuara janë aleati ynë kryesor. Ata kanë ecur krah për krah me ne për të na ndihmuar që të ndërtojmë një shoqëri në frymën e lirisë, demokracisë dhe sundimit të ligjit.
 
Kosova sot frymon ndryshe nga si frymonte para një dekade. Ne kemi përfunduar fazën emergjente të rindërtimit dhe rikonstruktimit të vendit i cili para vetëm 16 vitesh ishte plotësisht i anashkaluar ose i shkatërruar.
 
Sot, sfidat tona janë të ngjashme me ato të vendeve në zhvillim. Ajo që ndodhi në Kosovë pas shpalljes së pavarësisë është ndryshimi i madh tranzicional i sistemit tonë ekonomik, nga një treg i centralizuar në një ekonomi të udhëhequr nga tregu e cila  i thekson liritë individuale.
 
Qytetarëve tanë për herë të parë iu dha mundësia të vendosin vetë se si të prodhojnë, si të shesin dhe si të përdorin burimet vetjake, duke respektuar të drejtën e tjerëve që të veprojnë njëlloj. Liria ekonomike të cilën qytetarët e Kosovës e gëzojnë sot, ka ngritur të ardhurat, ka ulur nivelin e varfërisë, ka rritur punësimin dhe standardin e jetesës, më shumë se ndonjëherë përpara në Kosovë.
 
Në mbesim të vendosur që të kultivojmë vlerat e lirisë dhe demokracisë dhe të lejojmë sektorin privat të zhvillohet, gjë të cilën e konsiderojmë si shtyllë mbajtëse të ekonomisë sonë.
 
Ne jemi të vetëdijshëm se sektori privat është produkt i ambientit në të cilin vepron. Për këtë arsye, ne jemi fokusuar në përmirësimin e ambientit ndërmarrës dhe sundimit të ligjit si parakushte kryesore të zhvillimit tonë.
 
Ne dëshirojmë të sigurohemi se të gjitha prekonditat relevante për një zhvillim të qëndrueshëm janë përmbushur, duke përfshirë edhe mbrojtjen ligjore dhe institucionale të sistemit ekonomik, forcimin e konkurrencës së papenguar, përgjegjësinë fiskale, si dhe krijimin e infrastrukturës aq të nevojshme, duke përfshirë edhe rindërtimin e rrugëve si mënyrë për t’u ndërlidhur me tregjet e reja dhe forcimin e sigurisë energjetike.
 
Përgjatë këtyre viteve, Kosova ka hartuar ligje të cilat janë në përputhje me standardet më të mira të BE-së dhe të cilat lehtësojnë zhvillim ekonomik në kushtet e ekonomisë së tregut. Legjislacioni ynë siguron trajtim kombëtar dhe mbrojtje ligjore të investitorëve të huaj, ndalon diskriminimin e tyre dhe i mbron nga shpronësimi. Ne kemi adoptuar euron si valutë lokale dhe rrjedhimisht vendi ynë nuk përballet me ndonjë rrezik nga menaxhimi i valutës apo i kursit të këmbimit. Në vijë të njëjtë, euro ka forcuar stabilitetin tonë makroekonomik, dhe inflacioni vazhdon të përcjellë nivelin e Eurozonës.
Ne kemi krijuar një sistem shumë të thjeshtë tatimor, i cili vendosë një rëndesë shumë të ulët tatimore mbi biznese.
 
Qeveria në mënyrë të vazhdueshme shqyrton politikat fiskale dhe planifikon që ofron nxitjen financiare dhe jofinanciare drejt rritjes së investimeve të huaja direkte.
Tregu ynë i punës është shumë kompetitiv, ligji i punës është miqësor ndaj bizneseve dhe kostoja operacionale është më e ulëta në regjion.
 
Pa marrë parasysh sa inkurajuese janë këto zhvillime të ekonomisë sonë, ne nuk mund të mbetemi të kënaqur sepse akoma ka sfida të mëdha me të cilat duhet ballafaquar. Papunësia dhe varfëria janë të parat. Rritja afatgjate dhe e qëndrueshme e zhvillimit ekonomik do të jenë të mundshme vetëm nëse përdoren potencialet e mëdha të vendit tonë. Qëllimi ynë është të zhvillojmë një ekonomi garuese e cila i shërben të gjithë qytetarëve duke kombinuar potencialet e burimeve njerëzore, burimet natyrore dhe ato të sektorit privat.
 
Një zhvillim i tillë nuk mund të ndodhë  si i izoluar nga regjioni, bota dhe zinxhirët e vlerave ndërkombëtare.
 
Ekonomia jonë nuk mund të bëhet më garuese nëse vazhdon të ballafaqohet me kufizime strukturore siç janë si tregu i vogël lokal, kapaciteti i ulët eksportues, mundësi të limituara për inovacion dhe mungesë të kapitalit.
 
Ne duhet të tërheqim më shumë investime të huaja direkte të cilat do ta sjellin kapitalin e nevojshëm dhe dijen, dhe do ta bëjnë ndërlidhjen e tregjeve për sektorin tonë privat.
Është vizion i yni që ta forcojmë bashkëpunimin me botën, posaçërisht me miqtë tanë si SHBA-të dhe Izraeli, në mënyrë që ti zhvillojmë ekonomitë tona dhe t’i lirojmë kapacitetet tona të mëdha për zhvillim dhe inovim.
 
Për këtë qëllim, kam sjellë me vete një numër të ndërmarrësve dhe ndërmarrëseve nga sektori i teknologjisë informative dhe komunikimit të Kosovës, sepse dëshirojmë të dedikojmë një pjesë të madhe të angazhimeve tona në themelimin e një bashkëpunimi primar në fushën e teknologjisë dhe inovacionit.
Ne të gjithë ballafaqohemi me sfida të njëjta globale, të cilat rrjedhin nga ndryshimet shumë të shpejta të teknologjisë.
 
Ne jemi duke jetuar në kohë digjitale, ku nanoteknologjia, inteligjenca artificiale dhe robotika janë ngjarje ditore. Shkencëtarët flasin për Revolucionin e Tretë Teknologjik. Dhe Kosova dëshiron të jetë pjesë e këtij revolucioni. Në fakt, Kosova i ka të gjitha parakushtet që të jetë pjesë e saj.
 
Burimi ynë kryesor është popullata e jonë e re, mirë e arsimuar e cila flet shumë gjuhë, jo vetëm në Kosovë, por në mbarë botën, kudo që jeton diaspora jonë. Prandaj, kam kënaqësinë që shoh këtu në audiencë një numër të madh të pjesëtarëve të diasporës sonë, të cilët janë edukuar këtu në SHBA, kanë marrë përvoja në mbarë botën dhe janë të gatshëm ta mbështesin atdheun e tyre Kosovën, me ide, kapital dhe dije.
 
Nga ana jonë, institucionet dhe qeveritë e tri vendeve tona duhet të vazhdojnë të dialogojnë rreth gjetjes së zgjidhjeve për nevojat e bizneseve dhe shtrimit të rrugës për një bashkëpunim të suksesshëm. Atëherë kur kushtet janë krijuar, u mbetet iniciativave private që të marrin udhëheqjen dhe të kryejnë punët e tyre.
 
këtë në mendje, zonja dhe zotërinj, ju uroj një diskutim inspirues dhe frutdhënës. Shpresoj të zhvilloni ide për bashkëpunim të cilat mbështesin dhe pasurojnë vendet tona dhe angazhimet tona zhvillimore.