Presidenti Sejdiu dekoroi Ambasadoren Tina Kaidanow me Medaljen e Artë për Shërbim Civil në Kosovë

Presidenti i Republikës së Kosovës, dr.Fatmir Sejdiu priti sot në një takim lamtumirës Ambasadoren e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në vendin tonë, znj. Tina Kaidanow.

Presidenti Sejdiu e falënderoi znj. Kaidanow për angazhimin e saj në vendin tonë në një periudhë mbi dhjetëvjeçare dhe sidomos angazhimin e pakursyer si ambasadore e SHBA-ve në Prishtinë në periudhën më të rëndësishme të zhvillimeve historike për popullin dhe institucionet e Republikës së Kosovës, si dhe për rolin e saj në forcimin e institucioneve demokratike në Kosovë.


Presidenti Sejdiu, gjithashtu, sot e dekoroi Ambasadoren Tina Kaidanow me Medaljen e Artë për Shërbim Civil në Kosovë.


Në vendimin e Presidentit për dekorim thuhet: 


“Në bazë të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, neni 48, pika 28 si dhe në bazë të Rregullores mbi Dekoratat, Urdhrat dhe Titujt e Nderit të Kosovës që i jep Presidenti i Kosovës dhe Procedurat e Dhënies së tyre, neni 3, 18, 34 dhe 49, Presidenti i Republikës së Kosovës merr vendim për dekorimin e Tina Kaidanow, Ambasadore e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Republikën e Kosovës, me Medaljen e Artë për Shërbim Civil në Kosovë, për kontributin e veçantë të dhënë për lirinë dhe pavarësinë e Republikës së Kosovës dhe ndërtimit të shoqërisë dhe shtetit tonë demokratik.


Kjo medalje u jepet qytetarëve të Kosovës dhe të huaj që kontribuojnë në shërbimet civile të Kosovës”.


Ndërsa, Ambasadorja Kaidanow shpreh respektin e saj për zhvillimet dhe arritjet në Republikën e Kosovës. Ajo, po ashtu, theksoi se Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë bërë gjithë çka është e mundur për të ndihmuar Kosovën dhe popullin e saj në rrugën drejt së ardhmes së tij.


“Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të jenë edhe në të ardhmen përkrah institucioneve dhe popullit të Republikës së Kosovës”, tha Ambasadorja Kaidanow, duke e siguruar Presidentin Sejdiu se SHBA-të do ta mbështesin fuqishëm vendin tonë në procesin e integrimeve euroatlantike.