Presidenti Ivanov shtroi darkë për Presidentin Sejdiu

Ohër, 11 korrik. – Presidenti i Republikës së Kosovës, dr.Fatmir Sejdiu po qëndron për vizitë në Republikën e Maqedonisë, me ftesë të Presidentit Gjorgje Ivanov, për të marrë pjesë në manifestimin “Vera e Ohrit”.

Mbrëmjen e së shtunës, Presidenti Ivanov ka shtruar në Ohër një darkë për Presidentin Sejdiu. Në një ambient miqësor e të përzemërt, të dy presidentët kanë biseduar për marrëdhëniet mes dy shteteve, bashkëpunimin rajonal dhe një varg temash me interes të përbashkët për të dy vendet.


Duke theksuar se Maqedonia paraqet për Kosovën një partner strategjik, Presidenti Sejdiu tha se Kosova dhe Maqedonia kanë shumë pikëtakime, që lidhen si me historinë ashtu edhe me synimet e të dy vendeve për integrim sa më të shpejtë në Bashkimin Evropian, në NATO dhe në mekanizma të tjerë ndërkombëtarë.


Edhe Presidenti Ivanov ka paraqitur qëndrimin se vendi i tij është i përkushtuar për ta shtuar bashkëpunimin me Republikën e Kosovës.
Sejdiu e Ivanov kanë theksuar bashkëpunimin e mirë që kanë Kosova dhe Maqedonia, si dhe hapat për thellimin edhe më tej të këtij bashkëpunimi, me theks të veçantë në liberalizimin e lëvizjes së qytetarëve, bashkëpunimin ekonomik e fusha të tjera.


Ata gjithashtu kanë theksuar rëndësinë që ka bashkëpunimi rajonal dhe janë pajtuar që i gjithë rajoni duhet të përqendrohet në realizimin sa më të shpejtë të synimeve të përbashkëta për integrimet euroatlantike.