Mesazhi i Presidentes Jahjaga për pjesëmarrëset e Samitit Ndërkombëtar të Kajros për Fuqizimin e Gruas dhe Ndërmarrësinë

Presidentja e Republikës së Kosovës zonja Atifete Jahjaga ka dërguar një videomesazh për të përshëndetur pjesëmarrëset e Samitit Ndërkombëtar të Kajros për Fuqizimin e Gruas dhe Ndërmarrësinë si dhe Kongresin Ndërkombëtar për Ndërmarrëset Gra që i ka filluar punimet më 29 prill dhe zgjat deri më 1 maj.

Në këtë Samit marrin pjesë mbi 300 gra nga e tërë bota të cilat përfaqësojnë gra ndërmarrëse, lidere botërore, asociacione të bizneseve të grave, Unionin Afrikan, Komisionin Evropian, Agjencitë e OKB-së, si dhe të gjitha agjencitë dhe organizatat e tjera të interesuar për Fuqizimin e Gruas dhe Ndërmarrësinë, për të promovuar Objektivat e Zhvillimit të Mijëvjeçarit, Agjendën e Zhvillimit pas 2015-tës, si dhe mbështetjen për zhvillimit ekonomik ndërmjet ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme.

Mesazhi u transmetua gjatë ceremonisë së hapjes së Samitit.

Më poshtë gjeni mesazhin e Presidentes Jahjaga:

Të nderuara Zonja,

Po ju drejtohem me një kënaqësi të veçantë, juve gra të guximshme nga e mbarë bota, të mbledhura në këtë Samit të mrekullueshëm, të përkushtuara për të sjell ndryshimin që dëshironi ta shihni në shoqëritë tuaja, ndryshim i cili do të përcaktojë të ardhmen e botës ku ne jetojmë.

Do të doja që të jem me ju sot, por për shkak të angazhimeve të mia shtetërore nuk kam pasur mundësi t’ju bashkohem. Por, dëshiroj t’ju dërgoj një mesazh mbështetjeje në emër të grave të Kosovës dhe t’ju përcjell urimet e mia më të përzemërta për misionin të cilin e keni ndërmarrë për të thyer barrierat dhe për tu ofruar më shumë mundësi grave në mbarë botën.

Një mundësi më shumë për gruan po provojmë të ofrojmë edhe në vendin tim, Republikën e Kosovës, që ka kaluar një periudhë të vështirë të historisë së saj, të një lufte që ka lënë gjurmë të pashlyeshme në shpirtrat e qytetarëve të mi. Një historie të dhunshme, që ka marrë jetë njerëzish dhe ka shkatërruar familje të shumta, por ku gruaja ka luajtur një rol të rëndësishëm edhe në përkujdesje për fëmijët, edhe duke luajtur rolin e kreut të familjes por edhe duke ndërtuar të ardhmen e vendit të tyre.

Ato u shndërruan në shtylla të shtetësisë së Kosovës dhe ato sot janë bartëse të proceseve të rëndësishme në vend. Megjithëkëtë, ne ende po provojmë të tejkalojmë barrierat gjinore, po provojmë të ndërtojmë besimin në gruan, gjysmën e popullatës së vendit, dh eta bëjmë atë pjesë të pandashme të secilit proces të shoqërisë.    

Gratë janë themeli i shoqërive tona, dhe nëse dëshirojmë të arrijmë prosperitet të qëndrueshëm dhe demokraci kuptimplotë, ne duhet të garantojmë pjesëmarrjen aktive të grave në tavolinat vendimmarrëse në të gjitha fushat e jetës. Investimi në grua është një investim në vizionin e një vendi, që ndikon drejtpërdrejtë në rritjen ekonomike, mirëqenien sociale dhe zhvillimin demokratik të secilit shtet.

Nëse ne investojmë në fuqizimin ekonomik të grave, ne njëkohësisht investojmë në të ardhmen e zhvillimit ekonomik, social dhe politik të vendit dhe po ashtu edhe në të ardhmen e gjeneratave të reja.

Siç e kemi dëgjuar të thuhet shpesh herë, tani është momenti i duhur që të ballafaqohemi me padrejtësinë e shekullit tonë, me padrejtësinë e gjeneratës sonë për t’ju ofruar të drejta, liri dhe mundësi të barabarta grave dhe vajzave.

Ne duhet të garantojmë dhe të sigurohemi që barazia gjinore të jetë synim dhe pjesë përbërëse e të gjitha politikave të vendit. Ne duhet të sigurojmë integrimin e grave në zhvillim ekonomik duke ju ofruar qasje të barabartë në mundësitë, kapital dhe kredi. Ne duhet ti thyejmë barrierat strukturore dhe kulturore të cilat i pengojnë gratë të japin kontributin e tyre në zhvillimin e vendit.

Prandaj dhe duhet të jetë mision i secilit prej nesh që të ndalojmë të gjitha llojet e diskriminimit ndaj grave dhe vajzave, të thyejmë çfarëdo barriere  që i privon vajzat të shkollohen, të largojmë paragjykimet sociale dhe kulturore si dhe ndryshojmë politikat dhe praktikat të cilat i bëjnë gratë grup të margjinalizuar në shoqëritë tona.

Përpara nesh kemi një rrugë plot me sfida. Pengesat do të vazhdojnë të bllokojnë rrugëtimin tonë dhe ta ngadalësojnë progresin tonë, por ne do të jemi të suksesshëm për ta bërë fuqizimin e grave  një realitet, në secilin shtet, secilin qytet dhe secilin fshat.

Është përgjegjësia e jona, e gjeneratës sonë, që të vazhdojmë të trasojmë këtë rrugë për gjeneratën e ardhshme dhe ato më pas, deri atëherë kur nuk do të flasim më për të drejtat e grave dhe të burrave, por për mundësi për secilin anëtarë të shoqërisë, pavarësisht gjinisë.

Të nderuara Zonja,

Pas përfundimit të këtij Samiti ju do të jeni të fuqizuara. Dhe do të keni fituar forcën për të fuqizuar shumë gra të tjera në komunitetin tuaj duke zgjeruar bizneset tuaja, duke investuar më shumë në edukimin e fëmijëve tuaj dhe duke i rritur vajzat dhe djemtë tuaj si të barabartë. Sepse ju jeni agjente të ndryshimit në shoqëritë tuaja.

Dëshiroj t’i përgëzoj organizatorët e këtij Samiti të mrekullueshme të grave që dëshmon se gratë janë promotore të zhvillimit ekonomik, rezultate të cilat dëshmohet  çdo ditë.

Kjo platformë e ideve dhe vizioneve, e praktikave dhe strategjive më të mira, rrjeteve dhe partneriteteve me të cilat gratë tejkalojnë kufijtë dhe dallimet, ideologjitë rigjide dhe politikat e ngushta, duke folur me një zë, ofron një plan për përmirësimin e jetërave të secilës nga ju. Dhe si rrjedhojë ju do të keni ndikim në jetërat e shumë tjerave. Sepse gratë janë shtylla e shoqërisë, secili vendim që ndikon ato, ndikon në mirëqenien e fëmijës, familjes, komunitetit, shoqërisë dhe vetë shtetit.

Unë fuqimisht besoj se investimi në gra është thelbësor për arritjen e ndryshimeve sociale dhe ekonomike për të cilat kemi nevojë si shoqëri globale. Ju inkurajoj që të jeni të guximshme dhe që tu besoni aftësive tuaja transformuese.

Fuqizimi i grave duhet të jetë lëvizja shoqërore e shekullit të 21-të. Është e drejtë, është e mençur dhe ne duhet të veprojmë drejt saj.

Ju faleminderit.