FJALIMI VJETOR I PRESIDENTIT SEJDIU NË KUVENDIN E REPUBLIKËS SË KOSOVËS

Ndihem shumë i nderuar të paraqes para jush fjalimin tim vjetor, me të cilin dua t’ju njoftoj, ju deputetë dhe qytetarë të dashur të vendit tim, për punën time si President i Republikës së Kosovës gjatë një viti.

I nderuar Kryetar i Kuvendit të Republikës së Kosovës, z. Jakup Krasniqi,

I nderuar Kryeministër Thaçi,

Të nderuar deputetë e ministra,

I nderuar shef i EULEX-it, z. Iv de Kermabo,

I nderuar Përfaqësues Civil Ndërkombëtar, z. Piter Feith,

Të nderuar ambasadorë të akredituar në Prishtinë,

Të nderuar përfaqësues të Forcës së Sigurisë dhe të Policisë së Kosovës,

Të nderuar përfaqësues të jetës arsimore, shkencore, kulturore e shpirtërore të vendit,

Të nderuar përfaqësues të medieve,

Qytetarë të dashur të Republikës së Kosovës,

Ndihem shumë i nderuar të paraqes para jush fjalimin tim vjetor, me të cilin dua t’ju njoftoj, ju deputetë dhe qytetarë të dashur të vendit tim, për punën time si President i Republikës së Kosovës gjatë një viti. 


Siç ju kujtohet, më 9 korrik 2009, unë kam mbajtur fjalimin e fundit vjetor dhe gjatë kësaj periudhe dymbëdhjetëmuajshe, ka pasur ngjarje dhe vendime të rëndësishme për të mirën e vendit tonë, ka vazhduar progresi, konsolidimi dhe forcimi si shtet sovran e demokratik.

E kam theksuar kudo që më është dhënë rasti dhe nuk e quaj aspak të tepërt ta përsëris edhe këtu se Republika e Kosovës, gjatë këtyre dy viteve e gjysmë të pavarësimit të saj, ka arritur të bëj hapa vendimtarë për t’i ndërtuar institucionet e saj demokratike; ka arritur të ketë Kushtetutën dhe Ligjet, Gjykatën Kushtetuese, Agjencinë e Inteligjencës dhe Forcën e Sigurisë së Kosovës dhe të gjitha i ka bërë në përputhshmëri të plotë me Pakon e Ahtisarit, duke garantuar plotësisht të drejtat e komuniteteve pakicë, pra me një konsensus cilësor dhe të gjerë. Me këto veprime, Kosova ka arritur t’i kryejë obligimet që mori ndaj bashkësisë ndërkombëtare dhe qytetarëve të saj dhe hodhi poshtë të gjitha prognozat e këqija që u lansuan para pavarësisë së vendit. Sot me krenari mund të themi se është mbajtur stabiliteti i përgjithshëm, megjithëse jo pa sfida dhe probleme, kurse shteti ynë është bërë faktor e kontribues aktiv dhe i rëndësishëm i paqes dhe i stabilitetit në rajon.


Gjatë muajit nëntor ne patëm zgjedhjet për pushtetin lokal, të cilat ishin të parat që u organizuan nga institucionet e vendit. Megjithëse pati edhe vërejtje dhe lëshime, këto zgjedhje morën vlerësime pozitive si nga vëzhguesit e brendshëm, ashtu edhe nga ata të jashtëm. Procesi i konsolidimit të pushtetit lokal dhe i decentralizmit, me qëllim të afrimit sa më ta madh me qytetarin, mori një shtysë të rëndësishme para pak javësh, me zgjedhjet e mbajtura në Komunën e re të Parteshit. Në zgjedhjet e kësaj komune, të banuar me shumicë komuniteti serb, morën pjesë rreth 65 për qind e qytetarëve me të drejtë vote. Kjo pjesëmarrje kaq e lartë është një tregues faktik se Republika e Kosovës po ec sigurt drejt standardeve më të avancuara të shtrirjes së pushtetit lokal sa më pranë qytetarëve.

Të nderuar deputetë,

Në rrafshin ndërkombëtar, Republika e Kosovës çdo ditë e më shumë po e ndërton shtetësinë dhe po punon për thellimin e marrëdhënieve me institucionet, organizatat dhe aleatët e saj kudo në botë. Deri tani kemi njohjen nga 69 shtete dhe kemi ndërtuar një rrjet diplomatik solid, i cili po kryen punë të mirë për ndërtimin e imazhit dhe mbrojtjen e interesave të Kosovës nëpër botë. Unë gjatë kësaj periudhe, mbështetur edhe në kompetencat kushtetuese, isha drejtpërdrejt i angazhuar që ky rrjet diplomatik të ketë shtrirje të duhur dhe të bëhet funksional. 


Duhet të konstatoj se edhe këtë vit, fatkeqësisht, Serbia po e vazhdon qasjen destruktive, me qëllim që të parandalojë njohjen e mëtejme të Kosovës. Megjithatë, ne jemi të sigurt se ky proces sado që duket se ka pengesa, nuk mund të parandalohet, sepse liria dhe pavarësia e vendit tonë janë më të fuqishme se smira dhe urrejtja e kundërshtarëve, se procesi është krejtësisht i pakthyeshëm.

Ndër veprimet joracionale të Serbisë ishte edhe paraqitja e kërkesës për mendim këshillëdhënës të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë për ligjshmërinë e pavarësisë së Kosovës. Dua të theksoj se edhe në këtë proces, unë dhe stafi im, ishim shumë të angazhuar, sikur edhe gjithë institucionet e tjera të vendit. Mbështetja që ka pavarësia e Kosovës u dëshmua me argumente të fuqishme që i paraqiti delegacioni ynë, po edhe të gjitha shtetet që paraqitën deklarata me shkrim apo deklarata gojore në përkrahje të ligjshmërisë së Deklaratës së Pavarësisë. Prandaj, më lejoni që edhe një herë të shpreh mirënjohjen e thellë për këto shtete dhe t’i falënderoj ato veç e veç: Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Mbretëria e Bashkuar, Franca, Gjermania, Shqipëria, Bullgaria, Kroacia, Sllovenia, Republika Çeke, Zvicra, Austria, Finlanda, Polonia, Arabia Saudite, Jordania, Luksemburgu, Estonia, Norvegjia, Holanda, Letonia, Japonia, Irlanda, Danimarka, Maldivet dhe Sierra Leone.

Këto shtete, me të cilat ne kemi punuar ngushtë, bashkë me shumë miq të tjerë të Kosovës, po vazhdojnë ta mbështesin fuqishëm shtetin tonë ri dhe këtu veçanërisht janë të angazhuara edhe vendet e Pesëshes.


Në kuadër të aktiviteteve të shumta në fushën e politikës së jashtme, në shtator të vitit 2009, kam qëndruar në Nju-Jork, ku realizova takime me dhjetëra burrështetas nga e gjithë bota, të cilët po merrnin pjesë në debatin e Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara. Në të gjitha takimet me liderët e shteteve që nuk e kanë njohur ende Kosovën, paraqita argumentet e parrëzueshme që e arsyetojnë deklarimin e vullnetit të popullit të Kosovës për të jetuar i lirë dhe i pavarur. Prandaj, e përsëris edhe këtu se rasti i Kosovës është një rast i veçantë me të gjitha zhvillimet politike, historike, kushtetuese dhe juridike, dhe nuk mund të krahasohet me asnjë konflikt në botë. Duke e njohur të drejtën e Kosovës për të qenë e pavarur, këto shtete do t’i kontribuonin drejtpërdrejt paqes dhe stabilitetit në rajon, sepse pavarësia e Kosovës vërtet është akti i fundit i procesit të zhbërjes së ish-Jugosllavisë.

Unë pata nderin që me ftesë të Presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Barack Obama, në margjina të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, të merrja pjesë në pritjen e organizuar nga ai për burrështetasit pjesëmarrës në debatin e Asamblesë së Përgjithshme. Me këtë rast, edhe një herë i shpreha Presidentit Obama falënderimet e thella të popullit të Kosovës për kontributin që SHBA-të kanë dhënë për lirinë dhe pavarësinë e vendit tonë.


Ne krenohemi me marrëdhëniet speciale me SHBA-të, për të cilat po investojmë bashkërisht, dhe të cilat janë dinamike dhe të përhershme dhe po zhvillohen çdo ditë mbi vizionin për një të ardhme të dinjitetshme për popullin e Kosovës. Prandaj, dua të shpreh sërish falënderimet e thella të çdo qytetari të Republikës së Kosovës për shtetin mik, që na u gjet në kohët më të vështira dhe vazhdon të qëndrojë pranë nesh me përkrahje të padilemë.


Përveç pritjes nga Presidenti Obama, kam qenë i ftuar në pritjen e organizuar me rastin e festës së përvjetorit të Organizatës së Konferencës Islamike nga Sekretari i Përgjithshëm i kësaj organizate, z. Ihsanoglu, një mik i Kosovës. 


Edhe me këtë rast jam takuar me mbi njëzet liderë të shteteve islamike, disa prej të cilave ende nuk e kanë njohur Kosovën. Atyre u kam shpreh mendimin se populli i vendit tim me të drejtë pret mbështetjen e tyre dhe njohjen e shpejtë të së drejtës legjitime të vendit tonë për të qenë i pavarur. Shpresoj që këto shtete të Konferencës Islamike, të cilat nuk e kanë njohur ende Kosovën, nuk do të vonojnë ta bëjnë këtë.

Në kuadër të vizitave zyrtare që kam pasur gjatë vitit 2010, do t’i veçoj (në mënyrë kronologjike) disa që kishin peshë të madhe për Kosovën dhe për marrëdhëniet e shkëlqyeshme që ajo ka ndërtuar me miqtë e saj. 


Në shkurt të vitit 2010, me ftesë të Presidentit të Republikës së Turqisë, Abdullah Gul, kam qëndruar në vizitë zyrtare në Turqi, ku jam pritur me nderimet më të larta shtetërore. Përkrahja e fuqishme që Turqia i ka dhënë Kosovës ka dëshmuar miqësinë e thellë mes popullit të Kosovës dhe popullit turk dhe të gjithë qytetarët e Kosovës prore do t’i jenë mirënjohës Turqisë për këtë ndihmë të parezervë në momentet kur na është dashur më së shumti. Kam theksuar edhe më parë dhe dua të theksoj edhe tani se komuniteti turk në Kosovë dhe qytetarët e Turqisë me prejardhje nga Kosova do të vazhdojnë të jenë një urë lidhëse e rëndësishme që këto marrëdhënie të thellohen edhe më tutje. Në takimet me intelektualë, biznesmenë, qytetarë të zakonshëm me prejardhje nga Kosova, një potencial i madh ky, takova përkushtimin e fuqishëm për të ndihmuar zhvillimin e vendit tonë. I kam ftuar dhe inkurajuar ata të investojnë në të gjitha fushat me interes reciprok.

Vizita zyrtare që kisha në Gjermani në maj 2010, dëshmoi edhe një herë fuqishëm qëndrimin miqësor dhe përkrahës të shtetit gjerman për pavarësinë e Kosovës si proces të pakthyeshëm, si dhe për integritetin e plotë territorial të Kosovës. U thashë liderëve të vendit mik se ne kemi pasur fatin që ta kemi Gjermaninë aleate të përhershme të lirisë dhe të pavarësisë sonë. Ky shtet, si edhe shumë shtete të tjera të Evropës dhe botës, ka shërbyer si shtëpi e dytë për qindra-mijëra kosovarë, të cilët u dëbuan nga regjimi që synonte shfarosjen e popullit tonë. Gjermania do të vazhdojë të jetë një kontribuese qenësore e sigurisë dhe pranisë ndërkombëtare. Në takime të veçanta, unë ftova bizneset gjermane t’i vazhdojnë investimet në fushën bankare, të shërbimeve, të energjetikës etj.

Të nderuar deputetë,

Për ta ndërtuar subjektivitetin e saj ndërkombëtar, Republika e Kosovës duhet të ndërtojë raporte të mira me shtetet e të gjitha kontinenteve. Megjithatë, për t’i ndërtuar këto raporte është jetike që Republika e Kosovës të njihet nga këto shtete dhe të hapen rrugët për vendosjen e marrëdhënieve diplomatike me to. Në këtë kontekst, gjatë këtij viti, unë kam realizuar vizitat e para në kontinentin e Azisë dhe në kontinentin e Afrikës.

Në maj të këtij viti, jam pritur me nderimet më të larta shtetërore në Malajzi, ku kam qëndruar me ftesë të kryeministrit Abdul Razak për t’iu adresuar Forumit Botëror Ekonomik Islamik. Në këtë Forum, ku morën pjesë mbi 2000 përfaqësues nga e gjithë bota, dhe shumë liderë nga këto shtete, pata rastin të përcjell thirrjen e popullit të Kosovës për t’iu njohur e drejta e tij për të jetuar i lirë dhe i pavarur. Më lejoni që t’i shpreh falënderimet e përzemërta shtetit të Malajzisë, por në veçanti kryeministrit të këtij vendi, si dhe liderëve të tjerë që takova aty, Sulltanit të Brunejit dhe Presidentit të Maldiveve, për përkrahjen që ata i dhanë Kosovës.

Gjithashtu, në margjinat e punimeve të këtij Forumi, pata biseda të gjata dhe shumë konkrete edhe me Presidentin e Indonezisë, me Presidentin e Senegalit, me Kryeministren e Bangladeshit, por edhe me zyrtarë të tjerë nga shumë vende të botës. Vlerësoj se rëndësi të posaçme kësaj vizite në Kuala Lumpur i jep fakti se prijës të shquar shtetërorë, si vetë Kryeministri i Malajzisë dhe Presidenti i Maldiveve, në seancën kryesore të këtij Forumi, përsëritën ftesën e tyre drejtuar të gjitha vendeve pjesëmarrëse që ta njohin sa më parë pavarësinë e Republikës së Kosovës, ndërsa liderë të disa vendeve premtuan që do ta shqyrtojnë seriozisht kërkesën tonë.

Gjatë muajit qershor, me ftesë të Presidentit të Republikës së Malavit, Bingu Wa Mutharika, i cili është edhe udhëheqës i Unionit Afrikan, kam qëndruar për vizitë shtetërore në këtë vend, ku përveç pritjes madhështore të bërë nga populli i Malavit, kam pasur rastin të diskutoj mundësitë që Presidenti Mutharika, një mik i madh i Kosovës dhe njohës i shkëlqyeshëm i zhvillimeve në rajonin e Ballkanit, të ndikojë te shtetet e tjera të Afrikës me argumentet për njohjen e pavarësisë së Kosovës.

Siç e thashë edhe më parë, argumentet e Kosovës për pavarësinë e saj janë të parrëzueshme. Por, është me rëndësi që ato të paraqiten në mënyrë të zëshme, në mënyrë që të dëgjohen nga të gjithë anekënd botës. Prandaj, secili prej nesh duhet ta luajmë rolin tonë në këtë proces me përgjegjësi, gjithnjë duke pasur interesin e shtetit tonë synim parësor. Për këtë arsye, edhe ligjëratat që kam mbajtur në disa nga institucionet akademike më prestigjioze në botë dhe institucionet e tjera që merren me politikën e jashtme (siç janë Oxford Union në Britani, World Affairs Council në San Francisko, Fondacioni “Konrad-Adenauer” në Gjermani, Universiteti i Ankarasë dhe universitetet të tjera.), pastaj intervistat e shumta për media prestigjioze, besoj kanë peshën dhe jehonën e vet në qarqe intelektuale, publike dhe vendimmarrëse ndërkombëtare. Për më tepër, përveç aktiviteteve ndërkombëtare që unë i kisha gjatë këtij viti, Republika e Kosovës ka qenë e nderuar me vizitat e një numri liderësh nga e gjithë bota, në të cilat janë shtruar rrugët dhe mundësitë e bashkëpunimit për shumë marrëveshje të reja ndërkombëtare.

Të nderuar deputetë,


Bota mbrëmë ndoqi me shumë vëmendje ngjarjen më ta madhe sportive të vitit, finalen e Kampionatit botëror në futboll. Duke i përgëzuar vendet pjesëmarrëse, ashtu siç e kam thënë ngado që më është dhënë mundësia, unë u bëj edhe një herë thirrje të gjitha institucioneve ndërkombëtare të sportit, Komitetit Olimpik Ndërkombëtar, FIFA-s, UEFA-s dhe të gjitha institucioneve të tjera sportive që t’i pranojnë federatat tona të sportit në kuadër të tyre, në mënyrë që sportistët e Kosovës, të rinjtë e shumtë e të talentuar të vendit tonë, të mos mbeten të getoizuar edhe më tej. 


Kosova ka qenë gjithnjë përplot me sportistë shumë të shkathtë, të cilët kanë arritur rezultate të admirueshme në arenën ndërkombëtare. Të tillë ka përplot edhe sot, por atyre u mohohet padrejtësisht e drejta për të konkurruar me të tjerët. 


Në Afrikën e Jugut kombëtarja e Zvicrës pati tre përfaqësues nga Kosova, shumë kombëtare të tjera në të gjithë Evropën kanë në përbërjet e tyre lojtarë të lindur në Kosovë. Por, fatkeqësisht, ata nuk mund të luajnë me fanellën e Kosovës, ngase atdheut të tyre të origjinës nuk i lejohet të jetë pjesë e këtyre garave. 


Në shumë takime me liderë dhe përfaqësues institucionesh ndërkombëtare kam theksuar se nëse sporti është ambasador i paqes dhe i miqësisë mes popujve, nëse sporti është urë lidhëse e miqësive të reja në mes vendeve, vërtet është shumë johumane që të rinjve të Kosovës të mos u lejohet pjesëmarrja në aktivitetet sportive të rangut ndërkombëtar.

Të nderuar deputetë,
Zonja dhe zotërinj,


Kam qenë shumë i përkushtuar, sikur ju, sikur populli i Kosovës, që shteti ynë i dashur të dëshmohet si faktor i paqes dhe stabilitetit në rajon. Ne jemi të inkurajuar që së bashku me fqinjët tanë po ndërtojmë raporte që i kontribuojnë shpejtimit të rrugës sonë të përbashkët drejt integrimeve euroatlantike. Shtetet e rajonit kanë dëshmuar përkrahjen e tyre duke e njohur pavarësinë e Kosovës në momentet më kritike dhe duke vendosur marrëdhënie diplomatike me shtetin tonë. Deri më tash, Kosova ka nënshkruar një numër të madh të marrëveshjeve bilaterale me shumë shtete në rajon dhe këto kanë ndërtuar bazën ligjore për ta konkretizuar bashkëpunimin në shumë fusha.

Me fqinjët tanë të parë, Maqedoninë, Shqipërinë dhe Malin e Zi, ne tashmë kemi ndërtuar raporte të shkëlqyeshme, të cilat po zhvillohen në mënyrë konkrete çdo ditë e më shumë. Unë pata nderin që gjatë muajit qershor të këtij viti të jem nikoqir i Samitit të Tretë të liderëve të rajonit, i cili u mbajt në një ndër vendet me të bukura të Kosovës, në Prevallë të Prizrenit. Sikur edhe dy takimet e para, të mbajtura në Vlorë dhe në Ohër, edhe takimi i mbajtur në Prizren dëshmoi gatishmërinë tonë të përbashkët që të gjejmë mënyra praktike për ta lehtësuar lëvizjen e lirë të qytetarëve si bazë e rëndësishme për proceset integruese. Në këto tri takime, unë kam përsëritur idenë që kam paraqitur qysh në fillim të vitit 2008, për një Mini-schengen ballkanik, që do t’ua lehtësonte lëvizjen e ndërsjellë qytetarëve të shteteve tona dhe do të nxiste edhe më shumë bashkëpunimin në aspektin ekonomik dhe në të gjitha fushat e tjera. Jam krenar se frytet e këtij angazhimi tashmë kanë filluar të ndjejnë edhe qytetarët e vendit tonë. 


Përveç me fqinjët e parë, Republika e Kosovës çdo ditë po i thellon marrëdhëniet e mira me shtetet e tjera të rajonit. Unë kisha nderin të merrja pjesë në ceremoninë e inaugurimit të Presidentit të Kroacisë, Ivo Josipovic, dhe ne do të vazhdojmë të kultivojmë edhe më tej marrëdhëniet e shkëlqyeshme me shtetin kroat. Në këtë ceremoni jam takuar edhe me burrështetas të tjerë të rajonit dhe më gjerë dhe të gjithë jemi pajtuar se bashkëpunimi i ngushtë e shkurton rrugën e shteteve që ende nuk janë në BE për të arritur të jetojnë nën kulmin e përbashkët evropian. Dua te veçoja takimin me presidentin slloven Turk, me të cilin trajtuam çështje me interes për të dy vende dhe proceset e integrimeve në rajon dhe më gjerë. 


Prandaj, do ta vazhdojmë bashkëpunimin e sinqertë me të gjitha shtetet e rajonit, përfshirë Kroacinë, Slloveninë, Hungarinë, Bullgarinë, Turqinë dhe vendet e tjera, sepse ky bashkëpunim është në të mirë të popujve tanë dhe siguron një të ardhme më të ndritur për ta. Kosova sheh në secilën prej këtyre shteteve një mik të vërtetë dhe i sigurojmë ato se kjo miqësi përherë do të jetë reciproke dhe e dobishme për popujt e vendeve tona.


Po ashtu, në muajin prill, unë mora pjesë në varrimin e Presidentin të Polonisë Lech Kaczynski, i cili pësoi bashkë me bashkëshorten dhe me shumë drejtues të lartë të shtetit polak në një aksident ajror në Rusi. Ndonëse ato ditë pothuajse të gjitha aeroportet në Evropë kishin anuluar fluturimet, për shkak të hirit vullkanik që kishte prekur ato ditë tërë kontinentin e vjetër, unë me ekipin tim bëmë çmos për të arritur në Krakovë dhe për të marrë pjesë në këtë ceremoni, me qëllim që t’i shprehnim popullit polak dhe institucioneve të këtij vendi solidaritetin e plotë pas asaj ngjarjeje shumë tragjike, si dhe mirënjohjen për përkrahjen e vazhdueshme që Polonia i ka dhënë vendit tonë.

I nderuar Kryetar i Kuvendit të Republikës së Kosovës, z. Jakup Krasniqi,
Të nderuar deputetë dhe gjithë ju të pranishëm,


Gjatë këtyre dymbëdhjetë muajve, që nga fjalimi im i vjetshëm para jush, unë nuk kam reshtur së angazhuari edhe në detyrën time si Komandant Suprem i Forcave të Sigurisë së Kosovë. Konstatoj me kënaqësi se FSK-ja dita-ditës po rritet, profesionalizohet dhe modernizohet. Ajo po bëhet një institucion serioz dhe i besueshëm, reflektues dhe mbështetës për të gjithë qytetarët e Kosovës. FSK-ja shumë shpejt do të jetë në gjendje të marrë përgjegjësi shtesë.


Në takime me drejtuesit politikë e ushtarakë të NATO-s unë jo një herë kam kërkuar që pjesëtarët e FSK-së, qoftë edhe në mënyrë simbolike, të jenë pjesë e misioneve paqësore në botë dhe besoj se kjo ditë nuk është e largët. 


Përveç bashkëpunimit të ngushtë që kam me Komandën e FSK-së dhe me Ministrinë e Forcës së Sigurisë, unë njëkohësisht kam mbajtur kontakte të vazhdueshme me drejtuesit e misionit të KFOR-it në Kosovë, ekspertët e të cilit po e ndihmojnë profesionalizimin e pjesëtarëve të FSK-së sipas standardeve të NATO-s. 


Në kuadër të këtij angazhimi, në mars të këtij viti, unë takova në Bruksel ambasadorët e shteteve anëtare të Këshillit të Atlantikut Verior. Edhe në këtë takim, sikur edhe në takimin e mëvonshëm në Prishtinë, potencova bashkëpunimin shumë të mirë në mes institucioneve të Republikës së Kosovës me KFOR-in, i cili vazhdon të ketë një besim të madh te qytetarët e vendit.

Në përputhje të plotë me interesat shtetërore dhe me gjendjen e sigurisë në rajon, unë ritheksova kërkesën tonë që procesi i reduktimit të numrit të ushtarëve të KFOR-it duhet të jetë në harmoni me politikat e përbashkëta të shteteve anëtare dhe me përmirësimin e nivelit të sigurisë në vend, që nënkupton edhe me shtimin e potencialeve të institucioneve të vendit, si të FSK-së, ashtu edhe të Policisë së Kosovës.

Deputetë të nderuar,
Qytetarë të dashur të Republikës së Kosovës,


Rëndësi të posaçme për ne kanë marrëdhëniet me vendet e Bashkimit Evropian, të cilat dëshirojmë të kenë një politikë të përbashkët ndaj Kosovës. Mosnjohja nga pesë vende anëtare të BE-së nuk duhet ta pengojë avancimin e Kosovës në procesin e saj të integrimit dhe ne na gëzon fakti se nga Brukseli, tani së fundi, kanë ardhur sinjale inkurajuese, të cilat e rikonfirmojnë përkushtimin evropian për Kosovën. Së pari, gjatë vizitës së tij në Prishtinë, z. Herman Van Rompuy theksoi qartë se është vetëm një e ardhme për Kosovën dhe ajo është Bashkimi Evropian. Së dyti, perspektivën e padiskutueshme evropiane të Republikës së Kosovës e ripohoi Parlamenti Evropian, i cili miratoi të premten, me shumicë votash, Rezolutën për Kosovën, nëpërmjet së cilës jo vetëm që u pozicionua fuqishëm pro pavarësisë së Kosovës, por edhe u bëri thirrje pesë vendeve anëtare të BE-së që ende nuk e kanë njohur vendin tonë, që sa më parë ta bëjnë këtë. 


Ndërkohë që vendet e rajonit, Maqedonia, Serbia dhe Mali i Zi tashmë janë pjesë e liberalizimit të vizave, ndërsa Shqipëria dhe Bosnja e Hercegovina do të jenë së shpejti, as Republika e Kosovës nuk mund të mbetet jashtë këtij procesi. Prandaj, ripërsërisim thirrjen që Komisioni Evropian t’i japë Kosovës Udhëzuesin për liberalizimin e vizave dhe ta fillojë sa më shpejt dialogun për liberalizim.


Derisa liberalizimi të arrihet, unë do të angazhohem që të gjitha shtetet anëtare të ndihmojnë në procesin e fascilitimit të vizave me Kosovën, në mënyrë që sadopak të lehtësohet lëvizja e lirë e qytetarëve të Kosovës në këtë periudhë, Bashkësia ndërkombëtare dhe sidomos Bashkimi Evropian duhet të kërkojë nga Serbia që ajo të luajë një rol më konstruktiv në iniciativat për bashkëpunim rajonal, meqë, për fat të keq, kjo nuk ka ndodhur deri më sot. Ne besojmë fuqishëm se e ardhmja e Kosovës është në Bashkimin Evropian, siç është edhe ajo e mbarë rajonit. 


Republika e Kosovës do të vazhdojë t’i adresojë të gjitha sfidat e raportit të progresit duke i marrë raportet e reja si udhëzues për përmbushjen e kritereve të domosdoshme. Të gjitha institucionet e vendit duhet t’i marrin me seriozitetin më të lartë të gjitha vërejtjet, në mënyrë që viti tjetër të na gjejë me hapa të shpejtuar drejt anëtarësimit.

Të nderuar deputetë,

Një nga fushat e angazhimit tim të përhershëm në këtë periudhë kishte të bënte me funksionimin e shtetit ligjor, sundimin e rendit, sepse ligji nuk guxon të mbetet detyrë vetëm e sistemit të drejtësisë. Përkundrazi, është obligim i secili qytetar dhe i secilit institucion të Republikës të bëhet krah i punës dhe i suksesit të domosdoshëm të këtij sistemi. Të gjithë miqtë ndërkombëtarë, të gjitha institucionet në të cilat synojmë të anëtarësohemi na thonë qartë se luftimi i krimit të organizuar dhe i korrupsionit është sot detyra kryesore që duhet ta bëjë Kosova. Këtë të vërtetë nuk kemi pse ta fshehim, as ta relativizojmë. Dukuria aq e përfolur e korrupsionit duhet të hiqet njëherë e përgjithmonë nga fjalori i ditës dhe kjo nuk bëhet vetëm me pjesën e fjalës dhe të retorikës sonë, por me veprime konkrete, të cilat duhet t’i bëjnë institucionet përkatëse, prokuroritë dhe gjykatat.

Republika e Kosovës nuk guxon të lejojë që të shihet nga të tjerët si një vend transiti, aq më pak si një vend i krimit të organizuar, i shpërndarjes së narkotikëve, i trafikut me njerëz apo i formave të tjera që e njollosin imazhin e saj. Prandaj, nevojitet veprim i pakompromis, me qëllim që të gjitha dukuritë që e dëmtojnë shtetin dhe prestigjin e tij, të mposhten që në zanafillë.

Kam punuar dhe kam insistuar veçmas që gjyqësori të respektohet dhe të trajtohet si shtyllë e pavarur dhe e barabartë me të gjitha institucionet e tjera të Republikës së Kosovës. Kjo duhet të reflektohet edhe me trajtim të barabartë buxhetor, ndaj unë përshëndes zotimin e Qeverisë së Kosovës për mbështetje më të fuqishme financiare të gjyqësorit.


Vlerësoj se është bërë një veprim i duhur në muajt e fundit kur unë emërova gjyqtarët dhe prokurorët. Etapa e parë dhe e dytë tashmë kanë përfunduar me sukses, ndërsa pres që etapa e tretë të realizohet në tetor 2010.


Kam tërhequr vërejtjen se për të mundësuar funksionimin më efikas të gjyqësorit, duhet të miratohet sa më parë Ligji për Gjykatat, së bashku me disa ligje të tjera qenësore për gjyqësorin, siç është edhe Ligji për Këshillin Gjyqësor të Kosovës. Angazhimet e mia ishin dhe do të vazhdojnë për ngritjen e përgatitjes dhe cilësisë së kandidatëve për gjyqësor dhe prokurori, si dhe për thjeshtëzimin e procedurave burokratike në procesin e inkuadrimit në këto institucione.


Dua të përsëris se temë e veçantë sot është lufta kundër korrupsionit në institucione, e cila mbetet pengesë për proceset tona zhvillimore dhe integruese. Luftimi i korrupsionit nga organet e drejtësisë nuk bën të mbetet vetëm slogan, mirëpo duhet të vendosen mekanizmat që e luftojnë korrupsionin në çdo nivel. Lufta kundër korrupsionit është interes nacional dhe ajo duhet të shndërrohet në një prioritet qenësor.

Sundimi i ligjit kërkon një sistem efikas dhe një bashkëpunim të pashkëputshëm në mes prokurorisë, policisë dhe gjykatave, po edhe të EULEX-it në pjesën e vet të përgjegjësive. Prandaj, unë kam përkrahur të gjitha veprimet që krijojnë hapësira për bashkëpunim efikas dhe kontribues në mes institucioneve të Republikës së Kosovës dhe EULEX-it, i cili është këtu me ftesën tonë për të na ndihmuar në procesin jetik të sundimit të ligjit në të gjithë vendin. Andaj, bashkërendimi i përpjekjeve nga të gjitha palët e interesit, si vendëse, ashtu edhe ndërkombëtare, si dhe bashkëpunimi dhe koordinimi i të gjitha institucioneve të sundimit të ligjit: organeve të ndjekjes, prokurorisë dhe gjyqësorit, është i domosdoshëm.

E ripërsëris, funksionimi i shtetit demokratik nënkupton pavarësinë e plotë të sistemit prokurorial dhe gjyqësor dhe moslejimin e asnjë lloj ndërhyrjeje politike në punët e tyre.

Pushtetet në Republikën e Kosovës janë të ndara. Këtë duhet ta kenë të qartë të gjithë dhe përgjithmonë!

Sa i përket legjislacionit, mund të them se kam përcjellë dhe kam kryer detyrën time lidhur me miratimin e vazhdueshëm të legjislacionit bashkëkohor, i cili është në përputhje me standardet ndërkombëtare, posaçërisht me ato evropiane. Mirëpo, dua të tërheq vëmendjen se sfidë më vete mbetet zbatimi i këtij legjislacioni, meqë sado të mira që të jenë ligjet, ato nuk vlejnë asgjë po qe se nuk zbatohen në praktikë.

I nderuari Kryetar Krasniqi,
Të nderuar deputetë dhe ministra,
Zonja dhe zotërinj.


Ekonomia mbetet sfida kryesore e shtetit të ri të Kosovës, sepse ajo është parakusht për të gjitha zhvillimet e tjera në vend. Përderisa bota ka njohur krizën globale, këto vitet e fundit, ne në mënyrë konstante kemi pasur një rritje modeste të ekonomisë. Sipas ekspertëve të kësaj fushe, sivjet kjo rritje mund të jetë përafërsisht 4 për qind. Ndonëse në aspektin statistikor ky duket një trend pozitiv, kjo rritje natyrisht që nuk është e mjaftueshme, kur dihet se në Kosovë kemi shkallë shumë të lartë të papunësisë dhe jemi ndër vendet më të varfra të Evropës. 


Pra, që të dalim nga kjo tablo e pafavorshme ekonomike, ne na duhen veprime shumë më radikale, në kuptimin më pozitiv, sepse kemi nevojë për shumë më tepër investime për nxitjen e zhvillimit ekonomik, sidomos investime të jashtme, të cilat në disa vende të rajonit kanë rezultuar si çelës i daljes nga kriza ekonomike.

Kam inkurajuar institucionet kompetente që sektorët strategjikë të ekonomisë së Kosovës të bëhen prioritet buxhetor. Po kështu theksoj se buxheti i Kosovës mund të ballafaqohet me deficit serioz, nëse nuk merren hapa urgjentë për stimulimin ekonomik.

Ne duhet të bëjmë përpjekje të gjithanshme që të krijojmë një mjedis edhe më të favorshëm për biznese, sepse ka rënie të rangut të mjedisit biznesor të Kosovës për “doing-business” në krahasim me vitin e kaluar. Arsyet për këtë rënie duhet të eliminohen, sepse përndryshe do të ballafaqohemi me dobësim të sektorit privat, që njëherësh duhet të jetë shtylla kryesore e ekonomisë së vendit.

Investimet e huaja të drejtpërdrejta, aq të rëndësishme për ekonominë e brishtë të vendit tonë, varen edhe nga mënyra se si i trajtojmë dhe si u qasemi ne vetë investitorëve para hyrjes së tyre në Kosovë. Pra, duhet të vetëpyetemi: a jemi sa duhet seriozë në trajtimin e tyre dhe sa dimë të jemi joshës për ta? Logjika e biznesit të shëndoshë kërkon një mjedis të sigurt për investime, një legjislacion të qartë që u garanton siguri investuesve potencialë dhe një lehtësim të procedurave të stërzgjatura burokratike, të cilat mund të bëhen shkaktarë për ikjen e investuesve nga tregu ynë. Në shumë takime me biznesmenë dhe zyrtarë të huaj, kam parë shqetësimin e tyre për indiferencën e pranimit të këtyre investimeve që janë më se të domosdoshme për të ardhmen e vendit tonë.

Po ashtu, është çështje imediate angazhimi për zvogëlimin e debalancit tonë tregtar me vendet e tjera. Importet vazhdojnë t’i tejkalojnë shumëfish eksportet, ndaj duhet të analizohen të gjitha mundësitë për të investuar në sektorët ekonomikë që krijojnë prodhime dhe eksporte.

Në Kosovë duhet të përmirësohet edhe qeverisja e korporatave, të cilat, nga ana e tyre, duhet të kenë parime të qëndrueshme të qeverisjes duke përfshirë kontrollin dhe përcaktimin e mjeteve me të cilat synojnë të arrijnë caqet që ia vënë vetes, por edhe monitorimin dhe përdorimin efikas të burimeve të tyre.

E ritheksoj se qytetarët e Kosovës kanë nevojë për mbështetje më të madhe të iniciativave të tyre, sidomos në ekonominë e vogël dhe kjo mund të bëhet me kredi më të lehta, sepse kamatat që japin aktualisht bankat te ne janë ende më të pafavorshmet në rajon. Ky është një faktor që e ndrydh shumë iniciativën private dhe ndikon drejtpërdrejt në ngadalësimin e zhvillimit ekonomik të vendit.

Dua të tërheq vëmendjen se kërkohen më shumë veprime për të shtuar punësimin dhe zbutur varfërinë, si dhe për të ndihmuar ata që kanë nevojë. Mendoj se duhet të jenë më përgjegjës ata që kishin detyrime ndaj punëtorëve, fabrikat dhe objektet e punës të të cilëve u privatizuan dhe ende mbas kaq vitesh nuk u kryen detyrimet ndaj tyre. Ata që bënë privatizimet, duhet të kryejnë detyrimet konform ligjeve dhe obligimeve që kanë dhe nëse këtë nuk e bëjnë, duhet ndërmarrë masat që parashihen me procedurat e privatizimit. Kjo duhet të bëhet, sepse nuk mund të lejohet transformimi ilegal i funksioneve të objekteve dhe pronave të privatizuara duke mbajtur peng kështu zhvillimin më të shpejtë të vendit tonë.

Të nderuar deputetë,
Zonja dhe zotërinj


Duhet të kemi më shumë vëmendje për arsimin dhe kulturën. Arsimi cilësor është çelësi kryesor për realizimin e shumë reformave të nevojshme për zhvillimin e vendit tonë.


Angazhimet e mia për të rinjtë, veçmas për nxënës dhe studentë, ishin të fokusuara që pozita e tyre të ndryshojë, për të krijuar kushte më të mira mësimi, studimi dhe pune. Duhet pasur parasysh se vetëm duke marrë një përgjegjësi më të madhe profesionale dhe karriere të rinjtë tanë, ne mund të presim zhvillim më të qëndrueshëm ekonomik, social dhe kulturor. Në institucionet tona duhet të punohet më me përkushtim, në mënyrë që të ketë përafrim të kërkesave të dijes dhe tregut të punës, sepse plotësimi i standardeve bashkëkohëse të arsimimit do të krijojë mundësi për konkurrencë aktive dhe kreative jo vetëm në fushën e arsimit, por edhe në të gjitha fushat e tjera.


Në institucionet e Kosovës ende ka një mungesë të theksuar të punës kërkimore-shkencore. Pa institute të ngritura kërkimore-shkencore, nuk ka ndonjë vend që ka njohur zhvillim dinamik ekonomik dhe human.


Dua të tërheq vëmendjen se testet e organizuara, ai i arritshmërisë, ashtu edhe testi i maturës, duan përmirësime të qenësishme. Lëshimet që janë vërejtur, duke krijuar jo pak disproporcion mes dijes dhe vlerësimit real, mund të paraqiten me efekte negative afatgjata për karrierën e ardhme të të rinjve tanë. Po ashtu, kujdes i veçantë mendoj se duhet t’i kushtohet politikës së kuadrove në arsim, veçanërisht asaj në arsimin e mesëm dhe të lartë, meqë ndërhyrjet e politikës jo një herë e kanë dëmtuar përzgjedhjen cilësore të kuadrit të institucioneve arsimore, duke ua pamundësuar qasjen në proces studiuesve të dëshmuar e me pedigre të lartë profesionale, pedagogjike e njerëzore. 


Fatkeqësisht, në Republikën tonë ende ka të rinj, të cilët nuk e përfundojnë arsimimin primar. Kjo duhet të na shqetësojë dhe të na alarmojë të gjithëve. Braktisja e shkollës nga nxënësit duhet të ndalet. Nuk bën të lejohet që në shekullin XXI të ketë ende njerëz qw nuk përcjellin arsimimin. Kjo do të thotë se ardhmja e këtyre të rinjve është e paracaktuar që ata të mos jenë konkurrentë në një treg të gjerë të dijes e të punës.

I nderuar kryetar Krasniqi,
I nderuar kryeministër Thaçi,
Të nderuar deputetë,
Zonja dhe zotërinj


Paqja, stabiliteti dhe përparimi i Kosovës janë faktorë shumë të rëndësishëm edhe për të ardhmen e tërë rajonit, prandaj ata që duan ta mbajnë peng të ardhmen e Kosovës, duan ta shohin tërë rajonin të zhytur ende në urrejtje etnike, e cila i solli kësaj pjese të Evropës Juglindore tragjedi të tmerrshme, të cilat bota nuk i kishte parë që nga Lufta e Dytë Botërore. 


Ende veprojnë forca krimi që vazhdojnë ta pengojnë suksesin e Kosovës, duke nxitur e duke krijuar skena dhune e terrori në pjesë të caktuara të vendit, veçmas në veri të Mitrovicës. Ato janë drejtpërdrejt nën urdhrat e atyre që e përgjakën në mënyrë brutale Kosovën edhe në dekadën e fundit të shekullit XX. Para pak ditësh, pak kilometra nga ky Kuvend, ne i dëgjuam thirrjet “Vrasje shqiptarëve!”. Këto thirrje kobzeza, për fat të keq, na i rikujtojnë skenat e dikurshme të thirrjeve shoviniste antishqiptare të grupeve ekstremiste të Sllobodan Millosheviçit, të cilat e çuan rajonin në lufta të përgjakshme, plagët e të cilave popujt e kësaj pjese të botës ende nuk po mund t’i shërojnë. 


Ne kemi detyrim kushtetues dhe ligjor ndaj qytetarëve të Kosovës për t’u siguruar jetën në paqe dhe të pacenuar nga banda të orkestruara. Paqja jonë të mos i mashtrojë këto grupe se mund të kthehen sërish me arsenale krimi. 


Ftoj zyrtarët e Beogradit, edhe presidentin Tadiç, të distancohen nga grupet e tilla që nxiten dhe përkrahen për të shkaktuar tensione dhe dhunë. Fryma e nxitjes doli në pah edhe pas incidentit të fundit në Mitrovicë, në të cilin pësoi një qytetar i komunitetit boshnjak, ndërsa dhjetë të tjerë, pjesëtarë të komunitetit serb, u plagosën. Po kështu, edhe sulmin ndaj deputetit të këtij kuvendi, z. Petar Miletiç, i cili njëkohësisht është kryetar i Grupit parlamentar të Partisë Liberale Serbe dhe drejtues i Këshillit Konsultativ për Komunitete në kuadër të Zyrës së Presidentit, Beogradi zyrtar u përpoq ta paraqesë si “pasojë e shpalljes së njëanshme të pavarësisë së Kosovës” duke provuar ta gjuajë gurin dhe ta fshehë dorën.


Kërkoj, edhe nga këtu, që aktorët e krimeve të tilla të gjenden dhe të marrin dënim të merituar. Bandat e krimit nuk duhet të lejohen të vazhdojnë me shkaktimin e trazirave dhe incidenteve që prore kanë pasoja të rënda njerëzore dhe ekonomike për Kosovën, rajonin dhe paqen në tërësi.


Prandaj, ritheksoj thirrjen tonë për bashkësinë ndërkombëtare, në rend të parë për Bashkimin Evropian, që Serbisë t’i thuhet shkurt dhe hapur se ajo nuk mund të synojë anëtarësimin në familjen evropiane pa hequr dorë nga politika e saj nacional-hegjemoniste, e cila solli pasoja të tmerrshme për të gjithë popujt e rajonit, duke përfshirë edhe vetë popullin serb, prijësit e të cilit ende nuk po mund të distancohet nga ajo politikë.

Ne kemi dhënë aq shumë dëshmi dhe po japim ende se jemi për paqe, për bashkëpunim dhe normalizim marrëdhëniesh me Serbinë. Por, edhe pse ripërsëritja ka rrezik të shndërrohet në refren, ne do të vazhdojmë të mbajmë këtë kurs të kujdesit dhe të retorikës së matur, edhe pse gatishmërisë sonë për bashkëpunim pala tjetër i përgjigjet përherë me destruksion.

Njëkohësisht, ritheksojmë se me Serbinë mund të bisedojmë kudo dhe kurdo për të gjithat temat që janë me interes për dy shtete sovrane dhe fqinje, por asnjëherë për çështjen e pavarësisë dhe të integritetit territorial të Republikës së Kosovës, sepse kjo çështje është përmbyllur njëherë e përgjithmonë më 17 shkurt 2008. 


Nga ky Kuvend, ne ju themi sërish të gjithë atyre që flasin për ndryshime kufijsh dhe shkëmbime territoresh në mes Kosovës dhe Serbisë, se ne e kundërshtojmë forcërisht çdo ide të tillë të pamatur, sepse çmojmë realitetet ekzistuese në këtë pjesë të Evropës Juglindore. Pra, secili zot në shtëpi të vet, pasi që ne nuk kemi asnjë pëllëmbë tokë për t’i falur askujt.

Idetë për lëvizje kufijsh janë gjithmonë të rrezikshme, por ato janë veçmas të rrezikshme në rajonin tonë. Burizanët e këtyre ideve duhet ta dinë se një eksperiment i tillë do të hapte Kutinë e Pandorës për krejt Ballkanin Perëndimor, sepse çështje të ngjashme mund të hapeshin lehtë në të gjitha vendet e kësaj hapësire.

I nderuar Kryetar Krasniqi,
Të nderuar deputetë,


Në sistemet demokratike, konjukturat politike vijnë e shkojnë. Ajo që mbetet është vlerësimi i qytetarit për to. Konjukturat politike vlejnë aq sa arrijnë të fitojnë besimin e qytetarit, i cili është sovrani i një vendi, është përcaktuesi i peshës politike të secilit. 


Prandaj, duke u nisur nga kjo premisë e palëkundshme, si President i vendit, ju bëj thirrje të gjithëve, juve që jeni në pushtet dhe juve që jeni në opozitë, juve që merreni aktivisht me politikë dhe juve që nuk keni ndonjë angazhim politik, moto të angazhimit tuaj ta keni gjithmonë interesin e qytetarit dhe të shtetit të Kosovës.

Ne jemi kalimtarë, i përhershëm është vetëm interesi i qytetarit, është atdheu ynë. Përjetësia e tij është mbëltuar nga baballarët tanë, nga njerëzit e mirë të Kosovës që punuan dhe u flijuan shekuj me radhë për të. Meqenëse ne, si brez, të rinj e të moshuar, patëm fatin e madh të jetojmë shekullin e lirisë e të pavarësisë së Kosovës, njëkohësisht jemi të dënuar të bartim, edhe peshën e madhe të suksesit apo të mossuksesit. Pra, ne mbase kemi qenë më fatlumët e gjithë brezave, por duhet të punojmë shumë që të kujtohemi për vepra të mira. Kur them këtë nuk dua të mbjell as frymë defetizmi, as optimizëm bosh. Vetëm ju ftoj që ta kemi parasysh së bashku se kujtimin që ua lëmë gjeneratave të ardhshme, qoftë për mirë, qoftë për keq, e shkruajmë vetë. Unë do të vazhdoj t’i mbetem besnik kësaj motoje, se, mendoj, është në interesin e qytetarëve dhe të vendit tonë. Unë, nga pozita e presidentit, nuk do të kursej energjitë dhe gjithë dijen time, për t’i vënë në shërbim të ndërtimit, forcimit dhe zhvillimit të përhershëm të vendit tonë të dashur, Republikës së Kosovës.
 
Zoti e bekoftë Republikën e Kosovës!
Zoti i bekoftë miqtë e Republikës së Kosovës!
Ju faleminderit!