Fjalimi vjetor i Presidentes Atifete Jahjaga në Kuvendin e Kosovës

I nderuar Kryetar i Kuvendit,
Të nderuar deputetë,
I nderuar Kryeministër dhe kabinet qeveritar,
Të dashur qytetarë të Republikës së Kosovës,
Zonja dhe Zotërinj,

Po ju drejtohem në njërin prej momenteve më kritike të demokracisë tonë të re parlamentare, në një kohë kur vendin tonë e ka kapluar një krizë e thellë politike dhe morale, një përplasje e paparë brenda klasës politike, të cilëve qytetarët e Kosovës i kanë besuar konsolidimin dhe forcimin e sovranitetit dhe shtetësisë së vendit të tyre.

Në këtë krizë, e cila ka hyrë në muajin e katërt, u sfidua rëndë konsensusi bazik demokratik të cilin e vendosëm në themelet e shtetësisë së Kosovës dhe mbi të cilin ndërtuam legjitimitetin tonë shtetëror e ndërkombëtar. U sfidua rëndë rendi dhe ligji. U sfiduan sërish.

Në këtë Kuvend, qytetarët e Kosovës, në vend se të gëzojnë mundësinë historike të fituar me shumë mund e sakrificë nga gjenerata të tëra të jenë zot të vetvetes për ta çuar vendin e tyre përpara, u shndërruan në spektatorë të një tensionimi të skajshëm, të një tronditjeje të thellë, të një dhune të pashembullt, të një arrogance të paparë në historinë tonë të re. Në këtë moment kritik për të ardhmen e Kosovës, a kemi nevojë për një thyerje të tillë? A është e mundur që njerëzit, të cilëve qytetarët e Kosovës ua besuan të bërit shtet, ta sfidojnë mu atë shtet për të cilin dikur sfiduan çdo frikë dhe bënë çdo sakrificë?

Këta muaj jam udhëhequr nga besimi se përfaqësuesit legjitimë të qytetarëve të Kosovës do të gjejnë kurajën që të tejkalojnë agjendat e tyre ditore, ideologjitë dhe interesat e ngushta partiake, për të mirën e përbashkët, për betimin që e kishin dhënë kur ndërtuam institucionet e para të Kosovës së pavarur. Jam përcaktuar me vendosmëri që të mbes e palëkundur nga thirrja që më bën Kushtetuta, që të jem faktore e unitetit dhe garantuese e funksionimit demokratik të institucioneve. Pareshtur i kam takuar, individualisht dhe bashkërisht, si përfaqësuesit e pozitës ashtu edhe të opozitës, për të gjetur rrugëdalje nga kjo krizë. Vazhdimisht kam bërë thirrje për rivendosjen e dialogut politik mes pozitës dhe opozitës dhe çdo herë kërkesa ime është refuzuar apo kushtëzuar.

E kam kuptuar shumë mirë dhe e kam ndier shqetësimin e qytetarëve të Republikës së Kosovës për dy marrëveshjet e nënshkruara mes Qeverisë së Republikës së Kosovës me vendet fqinje - Republikën e Serbisë për krijimin e Asociacionit të Komunave Serbe, të dalë nga Marrëveshja e 19 prillit e ratifikuar nga ky Kuvend, me përkrahjen e një pjese të opozitës, dhe me Republikën e Malit të Zi për demarkacionin e kufirit tonë shtetëror, e cila ende nuk është ratifikuar këtu.

Janë shqetësime dhe brenga që i ndajmë të gjithë sepse me to vendosim për funksionalitetin e Kosovës si shtet dhe të ardhmen e gjeneratave të reja. Vendosim për integritetin territorial të Kosovës. Për sovranitetin e saj shumëfish të sfiduar. Për miqësitë tona, për partneritetet, për aleancat, për vlerat. Për rrugën tonë përpara. Por, jam e bindur që në vend se ta sfidojmë shtetin tonë dhe ta lëkundim besimin e qytetarëve tanë në institucionet që ata i ndërtuan me mund, zgjidhja qëndron te një dialog i munguar se ku po shkon dhe ku po e çojmë këtë vend. Nevojën për një bashkëbisedim mes njerëzve që kanë vendosur ta ndajnë të mirën dhe të keqen në Kosovë. Për të rivendosur një konsensus se Kosova është më e rëndësishme se secili prej nesh. Është për keqardhje që diskursi ynë publik, në vend se t’i kontribuonte krijimit të një atmosfere konstruktive, është shndërruar në një garë patriotizmi me bërje gisht ndaj njëri-tjetrit. Qytetarët e Kosovës, të cilët na besuan për t’i adresuar dhe për të përfaqësuar pakompromis interesat e tyre, nuk e meritojnë këtë situatë që po ua servojmë.

Në këta katër muaj, në bazë të kompetencave të mia kushtetuese - sepse për mua Kushtetuta e Republikës së Kosovës është obligim dhe jo sugjerim – jam angazhuar të kërkoj zgjidhje institucionale dhe gjithëpërfshirëse për dy marrëveshjet e kontestuara. E kam dëgjuar me kujdes elaborimin e Kryeministrit dhe partnerëve të tij të koalicionit për dialogun e zhvilluar në Bruksel. I kam dëgjuar kundërshtimet e përfaqësuesve të opozitës. Kam komunikuar me partnerët tanë për shqetësimet tona. I kam siguruar që Kosova vazhdon të mbesë e përkushtuar në proceset jetike për veten dhe rajonin.

Dhe kam propozuar plan konkret për tejkalimin e bllokadës institucionale, duke dërguar në Gjykatën Kushtetuese parimet e asociacionit të komunave me shumicë serbe për interpretimin e përputhshmërisë së tyre me frymën dhe shkronjën e Kushtetutës së Republikës së Kosovës.

Ne të gjithë mund të kemi mendim për Asociacionin, të kontekstit që e ka jetësuar atë, por Gjykata Kushtetuese, e krijuar dhe e votuar nga ky parlament, është instanca e vetme kompetente që të bëjë interpretim ligjor të parimeve të asociacionit. Ne duhet t’iu besojmë institucioneve që i kemi krijuar vet dhe ato t’i mveshim me fuqinë që të marrin vendime të pavarura, të shkëputura nga frustrimi i përditshmërisë dhe nga gjuha e ashpër që po e karakterizon këtë realitet sot.

Njëjtë kam vepruar për demarkacionin me Malin e Zi, duke propozuar themelimin e një komisioni ad-hoc me ekspertë të huaj, të vendosur pranë zyrës time apo këtij Kuvendi, që do të bëjnë vlerësimin e procesit të demarkacionit të kufirit tonë shtetëror me shtetin malazez, si mënyrën e vetme institucionale dhe kredibile për të adresuar pasaktësitë eventuale në këtë proces. Jam zotuar që gjetjet e një komisioni të tillë do të adresohen dhe gabimet eventuale do të përmirësohen.

Besoj që të dy zgjidhjet konkrete të ofruara nga institucioni të cilin e drejtoj, janë rruga e mesme më e mirë, kompromisi fillestar dhe hapi i parë për një komunikim përtej politikës ditore mes pozitës dhe opozitës. Përpos që adresojnë mosmarrëveshjet dhe ofrojnë zgjidhje për to, këto propozime do të jenë edhe një testament për zotësinë e klasës politike të Kosovës që në rend të parë të vendosë interesin e vendit. E them prapë, Kosova është më e rëndësishme se secili prej nesh, dhe qytetarët e Kosovës nuk na kanë asnjë borxh, asnjërit prej nesh, për të merituar një sjellje të këtillë.

Shfrytëzoj rastin që të përgëzoj qytetarët e Kosovës që, me durimin dhe mençurinë e tyre, refuzuan të bëhen pjesë e kësaj përplasjeje dhe janë ngritur mbi të, duke bërë presion të vazhdueshëm te ju, te të zgjedhurit e tyre, që t’i lëni anash armiqësitë personale e konceptuale dhe t’i ktheheni dialogut me njëri-tjetrin.

Forcën e argumentit nuk mund ta zëvendësojë gazi lotsjellës. As demokracinë tonë nuk mund ta reduktojmë në numra. Niveli i demokracisë tonë dhe kualiteti i saj do të përcaktohen nga dialogu mes pozitës dhe opozitës. Tash për tash mungesa e këtij dialogu rrezikon të zhbëjë parimin fundamental të jetës tonë politike, ta delegjitimizojë vendimmarrjen dhe ta bëjë të pasuksesshme përpjekjen për të krijuar vend ku sundon ligji për të gjithë, sikur për kryetarin e një komune që abuzon me detyrë zyrtare dhe pastaj për t’i ikur drejtësisë lejohet të arratiset nga vendi, ashtu edhe për deputetin që rrezikon jetën e të tjerëve. Të dyja janë praktika të mbrapshta, pasojat e të cilave sot i vuan qytetari i Kosovës, të vetmit që sot në Evropë vazhdon t’i mohohet lëvizja e lirë.

Besoj që tash e kemi të qartë që asnjëra palë nuk do të korrë fitore. Dhunën nuk do ta shndërrojmë në mjet politik, sepse në atë mënyrë do ta zhbëjmë, do ta rrënojmë Kosovën. Por, njëkohësisht, askush nuk e gëzon të drejtën e arbitrit në Kosovë. Rruga jonë përpara duhet të trasohet me dialog të brendshëm, me strategji të qartë për të avancuar proceset tona integruese, si në raport me etnitë e tjera, qytetarë të Kosovës, ashtu edhe me vendet fqinje dhe me partnerët tanë ndërkombëtarë, që qëndruan pranë nesh në periudhën tonë më të errët. Investimi ynë është i përbashkët.

Po humbim shumë kohë të çmuar për t’i shtyrë përpara reformat aq të domosdoshme, që do ta bëjnë Kosovën shtet të sundimit të ligjit dhe vend të prosperitetit. Për ta zhvilluar ekonominë, dhe jo për ta cunguar më tej rritjen tonë ekonomike, edhe ashtu të pamjaftueshme për t’i bërë ballë papunësisë dhe zhvillimit të përgjithshëm të Kosovës. Po testojmë rëndë përkrahjen ndërkombëtare për Kosovën. Po lëkundim besimin e miqve tanë, pa të cilët avancimi i momenteve jetike në të cilat gjendemi dhe konsolidimi i mëtejmë i shtetësisë tonë do të jetë i pamundur.

Si klasë politike, po vazhdojmë pa përmirësim ta testojmë rëndë besimin dhe durimin e qytetarëve, të cilët na kanë zgjedhur për të ofruar perspektivë dhe të ardhme në Kosovë.

Nga kjo foltore, tash një vit kam paralajmëruar për dëshpërimin që kishim mbjellur në shpirtin e qytetarëve tanë me dështimin për t’i konsoliduar institucionet pas zgjedhjeve të suksesshme parlamentare. Ai dëshpërim u përkthye në skena të mijëra qytetarëve që nga stacioni i autobusëve po braktisnin vendin e tyre në kohë paqeje.

E fillova vitin duke i lutur qytetarët të mos e braktisin Kosovën dhe po e përmbyll këtë vit duke ju lutur ju, të nderuar deputetë, të rivendosni një dialog me ata që ju kanë zgjedhur. Distanca mes qytetarit të Kosovës dhe institucioneve tona kurrë nuk ka qenë më e madhe. Komunikimi me votuesit tuaj jo vetëm që është obligim në një sistem demokratik që të sigurojë transparencë në vendimmarrje, por është edhe domosdoshmëri për të mos u shkëputur nga kërkesat e tyre.

Në Kosovë na duhet më shumë llogaridhënie. Llogaridhënie për bisedimet në Bruksel, llogaridhënie për planprograme zhvillimore, llogaridhënie për veprime dhe mosveprime. Përgjegjësia bie mbi ne, për të gjetur zgjidhje për sfidat tona, sikur që mbajmë përgjegjësinë për zgjedhjet që i bëjmë.

Prandaj, ju bëj edhe një herë thirrje subjekteve politike, që pa humbur kohë të ulen në tryezën e bisedimeve. Institucionet i kemi. Proceset ekzistojnë. Kompromiset janë të domosdoshme. Synimet janë të qarta. Ta rivendosim konsensusin bazik për rrugën tonë përpara. Kjo rrugë nuk duhet ta përjashtojë askënd, sepse është rrugë e përbashkët deri në përmbylljen e përpjekjes tonë për ta konsoliduar Kosovën shtet.

Qytetarët tanë duhet ta ndjenjë sigurinë që garanton një rend demokratik, një gjyqësor i pavarur, një politikë që përfaqëson interesat e tyre për ta. Ne nuk mund ta humbim shansin për ta bërë shtetin tonë vend ku gjeneratat e ardhshme mund të realizojnë vullnetin dhe ëndrrën e tyre.

Unë nuk them që na ka ikur koha që t’i kthejmë punët për së mbari në Kosovë. Por, do të them se është koha e fundit që shteti ynë të bëhet vend i denjë për të jetuar, me mobilitet ekonomik dhe politik që siguron regjenerim vlerash dhe që u jep fund praktikave të korruptuara që rrezikojnë të kriminalizojnë një shoqëri të tërë.

Kjo nënkupton edhe përmbushjen e obligimeve që kemi marrë në rrugën tonë drejt Bashkimit Evropian dhe NATO-s.

Këtë vit Kosova bëri një hap të rëndësishëm kur vendosi marrëdhënie kontraktuale me Bashkimin Evropian, përmes Marrëveshjes për Stabilizim Asociim, marrëdhënie kjo me të drejta dhe detyrime të ndërsjella. Kjo marrëveshje do të ndihmojë në zbatimin e reformave në shumë sektorë, si dhe do ta thellojë dialogun politik ndërmjet Kosovës dhe Bashkimit Evropian.

Përfitimet e Kosovës janë të shumta, sidomos në nxitjen e investimeve të jashtme dhe në krijimin e kushteve sa më të mira për zhvillim të qëndrueshëm ekonomik të vendit.

Rruga jonë drejt Bashkimit Evropian kushtëzohet edhe me dialogun për normalizimin e marrëdhënieve me Republikën e Serbisë, sikur që pamë se si Serbisë i kushtëzohet integrimi evropian me tërheqjen e plotë të strukturave të veta ilegale nga Kosova. Kapitulli 35 do ta shfuqizojë dualizmin e imponuar nga Serbia në Kosovë që nga përfundimi i luftës dhe garanton që rruga e Serbisë për në Bashkimin Evropian do të varet ekskluzivisht nga përmbushja e detyrimeve ndaj Kosovës e deri te nënshkrimi i marrëveshjes obligative që do të sigurojë njohjen e pavarësisë së Kosovës.

Dialogu për ne vazhdon të mbetet i domosdoshëm. Në prag të shpalljes së pavarësisë dhe pas përfundimit të pavarësisë së kushtëzuar, ne trashëguam një realitet të komplikuar, një vend të ndarë etnikisht dhe një sovranitet të sfiduar. Dialogu i drejtpërdrejtë me Serbinë në kornizën e integrimit evropian me ndërmjetësim të BE-së dhe përkrahje të SHBA-së është momenti i fundit që ta detyrojmë Serbinë të shkëputet nga Kosova. Që Serbia ta zyrtarizojë realitetin e pakthyeshëm që tashmë e ka pranuar. Që ne si shtet t’i jetësojmë në praktikë premtimet e ngërthyera në planin e Ahtisaarit e më vonë në Kushtetutën e Kosovës, për të mbrojtur pakicën serbe dhe ta garantojmë qëndrueshmërinë e tyre në Kosovë. Mbi këtë zotim ne arritëm të bëhemi shtet. Ky obligim që e morëm na legjitimoi si shtet, në procesin që mban vulën e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë e që është i pakthyeshëm.

Jemi dëshmitarë që dialogu si proces dhe rezultatet e tij po kontestohet gjithandej. Qeveria si bartëse e dialogut, por edhe institucionet e tjera, jemi nën presion të vazhdueshëm publik të arsyetojmë konstruktivitetin dhe përkushtimin që e kemi treguar gjatë këtyre viteve në Bruksel. Në takime të shumta gjatë këtij viti, kam kërkuar me ngulm zbatimin e marrëveshjeve të arritura në Bruksel, si dëshmi që dialogu nuk duhet të përbëjë thjesht përmbushje të standardeve të BE-së në letër, por si proces që do të nxisë pajtimin mes dy popujve dhe dy shteteve.

Unë vazhdoj të besoj që Kosova nuk ka alternativë tjetër për të rivendosur sovranitetin mbi tërë territorin e saj dhe për ta ruajtur integritetin e vet territorial, duke i akomoduar komunitetet e tjera etnike brenda jetës sonë institucionale dhe shoqërore. Ky akomodim duhet të jetë i plotë dhe i sinqertë.

Në këtë ndërmarrje ne na duhet një konsensus më i gjerë që unë besoj do të rezultonte me një subjektivitet më të fuqishëm në tryezën e dialogut në Bruksel. Ne duhet të insistojmë në qartësi nga partnerët tanë. Duhet ta definojmë deri në detaj se çfarë nënkuptojmë me normalizim. Dhe që një gjë të tillë ta shpjegojmë e argumentojmë para qytetarëve tanë. Të jemi më të qartë në kërkesat tona. Më aktiv se çfarë duam ne nga ky dialog. Ta përcaktojmë rendin e ditës – për të zhdukurit, për fondin e vjedhur pensional. Të mendojmë për reparacionet nga dëmet e shkaktuara nga lufta. Dhe, në fund, të gjithë neve na duhet më shumë transparencë e debat konstruktiv publik mbi procesin e dialogut.

Përballë nesh kemi një betejë më të madhe vlerash, që tejkalon kontekstin e ngushtë të Kosovës. Shpesh ballafaqohemi me një politikë agresive të një shteti, të Serbisë, të cilën e pret shumë punë për t’u denazifikuar. Ne duhet të dëshmojmë që kemi forcën dhe kurajën të ngrihemi përmbi këtë tundim, sepse rreshtimi ynë është në anën e drejtë të historisë.

Duhet ta kuptojmë që pikërisht për shkak të rrethanave në të cilat krijuam shtet, këtyre vlerave që ne i përqafojmë, do të gjykohemi më ashpër se të tjerët, do të mbahemi gjithmonë karshi një standardi më të lartë. Kjo do të thotë se ne nuk kemi margjinë për të gabuar, nuk ka vend për mediokritet.

Natyrisht se as unë nuk mund ta fsheh dëshpërimin me vendimin e Komisionit Evropian që të vonojë edhe më tej rekomandimin për t’i mundësuar qytetarëve të Kosovës lirinë e lëvizjes, një vlerë fondamentale e projektit evropian. Ne kemi përmbushur kriteret e përcaktuara në udhërrëfyesin për liberalizim të vizave, përkundër faktit që kriteret dhe rekomandimet për Kosovën janë shtuar vazhdimisht.

Megjithatë, konsideroj që vonesat tona në përmbushjen me kohë të kërkesave të BE-së, së paku edhe të një rekomandimi të vetëm teknik, i kanë dhënë hapësirë shërbimeve të ndryshme të BE-së të vonojnë raportet dhe të vonojnë një vlerësim përfundimtar.

Deri në këtë pikë, ne i kemi parë integrimet evropiane si një rrugë dykahëshe, me përgjegjësi dhe obligime të ndërsjella. Konsideroj që Kosova ka përmbushur anën e vet të obligimeve. Tani është radha e BE-së ta bëjë pjesën e vet.

Ne nuk do të zmbrapsemi nga rruga jonë evropiane dhe do ta ndjekim me ngulm të drejtën tonë që e bën këtë rrugë të pakthyeshme dhe pa alternativë për Kosovën. Ne nuk jemi ngarkesë për BE; Kosova dhe qytetarët e saj janë vlerë e shtuar për Bashkimin Evropian. Me punë dhe përkushtim do t’i bindim skeptikët që Kosova, kur i jepet mundësia, ka një potencial të madh.

Ne jemi të përcaktuar për anëtarësim në NATO dhe ju siguroj që me krijimin e Forcave të Armatosura të Kosovës do të jetësohet ky synim.

Të nderuar deputetë
Qytetarë të Republikës së Kosovës,

Para nesh, pra, kemi shumë sfida dhe ato nuk duhet t’i maskojmë. Por, në të njëjtën kohë, dua të numëroj edhe rezultate konkrete në disa fusha, falë përkushtimit të mijëra grave dhe burrave, të cilët me përpjekje vetëflijuese duan ta shohin Kosovën si vend të përparuar dhe atyre kosovarëve që në momentin kur u është dhënë mundësia kanë tejkaluar të gjitha pritjet. Kam parasysh rastin e oficerit të Forcës së Sigurisë së Kosovës, Ismail Hoxhës, i cili ditë më parë u shqua për suksesin e arritur në akademinë britanike të mbrojtjes. Majlinda dhe Nora, dhe sportistë të tjerë që po i përcjellin hapat e tyre, që vazhdojnë të jenë ambasadorët më të mirë të Kosovës. Qindra vajza dhe djem bursistë nëpër shkollat me renome botërore, të cilët po kthehen në Kosovë me entuziazëm për ta transformuar vendin e tyre. Ka shumë shpresë për një shoqëri që në mesin e saj ka idealistë të tillë. Është obligim i yni që zërin dhe talentin e tyre ta shumëfishojmë.

Si Presidente e vendit, në kuadër të kompetencave të mia kushtetuese, këtë vit jam angazhuar të adresoj disa nga problemet strukturore që përbëjnë pengesë për zhvillim dhe gjenerimin e vendeve të reja të punës.

Një çështje së cilës i kemi kushtuar pak vëmendje institucionale në këto vite të pasluftës është zhvillimi ekonomik. Për gjithë këto vite ne kemi dështuar ta bëjmë ekonominë prioritet kryesor strategjik e politik. Prandaj, problemet strukturore si papunësia e lartë, varfëria, produktiviteti dhe konkurrueshmëria e ulët, baza e ulët e prodhimit vendor, shkalla e ulët e inovacionit dhe performanca e pamjaftueshme e sektorit privat, nuk duhet të na befasojnë.

Nuk duhet të na befasojë as fakti se standardi ynë jetësor jo vetëm që është ende shumë larg atij të BE-së, por ka mbetur edhe larg mesatares së rajonit.

Mjeti më premtues për të arritur dhe ruajtur prosperitetin ekonomik është konkurrenca e lirë. Institucionet politike dhe ekonomike të vendit kanë për obligim të krijojnë kushtet që konkurrenca e lirë të funksionojë, sepse zhvillimi ekonomik është detyrim dhe njëkohësisht shprehje e atdhedashurisë e patriotizmit të shëndoshë. Pa ekonomi të fuqishme, nuk mund të kemi as arsim, as shëndetësi, as siguri, as ushtri.

Ne duhet të kuptojmë se detyrë e institucioneve është të krijojnë parakushte për zhvillim e jo varshmëri të qytetarit dhe biznesit nga politika.

Ne duhet të kuptojmë se jemi përballë një dinamizmi ekonomik botëror, që, i nxitur nga revolucioni digjital, po krijon kërkesa të reja mbi shoqërinë, duke sjellë një zhvendosje dramatike drejt metodave të reja të prodhimit, të punës e të mendimit.

Ne duhet të kuptojmë se mënyra më e shpejtë për të transformuar institucionet, shoqërinë dhe ekonominë tonë është përmes edukimit, inovacionit dhe aplikimit të teknologjive të reja.

Rilidhja e ekonomisë së Kosovës me atë botërore mund të bëhet vetëm nëse këto kritere fillojnë të përmbushen. Në të kundërtën, deficiti tregtar do të mbetet i lartë, investimet e huaja të ulëta, papunësia e thellë e varshmëria nga remitencat e përhershme.

Politika të mirëfillta ekonomike nuk janë ato që fokusohen në krijimin e rritjes ekonomike me çdo kusht, por ato që mënjanojnë pengesat që e pengojnë rritjen. Në këtë frymë, unë në fillim të këtij viti i kam paraqitur Qeverisë së Kosovës, përmes Kryeministrit Mustafa, një listë të masave ekonomike, që duhej të ndërmerreshin menjëherë, në mënyrë që disa nga këto pengesa të mënjanohen. Ndër masat e propozuara janë draftimi i ligjit të ri të prokurimit publik dhe sistemin e ri të prokurimit elektronik, për të ulur shkallën e keqpërdorimeve dhe korrupsionin, përshkallëzimi i TVSh-së për të zbutur varfërinë, draftimi i ligjit për investime strategjike për të tërhequr investime të huaja e kështu me radhë.

Pres nga Qeveria që të përshpejtojë përpjekjet që në muajt në vijim të përmbyllet kjo paketë e masave dhe që reformat në dobi të zhvillimit të sektorit privat të mos ndalen.

Zhvillimi ekonomik pa sundim të ligjit është i pamundshëm. Andaj, vazhdoj të insistoj në prokurimin elektronik, për të rritur transparencën në njërin nga sektorët më problematikë të kësaj periudhe të tranzicionit.

Ne po bëjmë përpjekje për të ndërtuar një sistem të pavarur të drejtësisë në Kosovë, në shërbim të qytetarit. Lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar është intensifikuar, por kemi ende shumë punë për të bërë. Me gjithë reformat ligjore dhe institucionale, rezultatet konkrete varen nga vullneti politik dhe guximi i prokurorëve dhe gjyqtarëve për të qenë të pakompromis në këtë luftë.

Në vitin e fundit, sistemi gjyqësor ka ngritur ndjeshëm numrin e rasteve kundër zyrtarëve të lartë për raste korrupsioni.
 
Sipas “Indikatorëve Botërorë të Qeverisjes” të Bankës Botërore, Kosova këtë vit ka përmirësuar Kontrollin e Korrupsionit për 16%, krahasuar me vitin e kaluar.

Kemi përgjegjësi të përbashkët që të tregojmë patriotizmin tonë, duke qenë të pakompromis në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar dhe në zbatim të ligjit për të ndërtuar shtetin e së drejtës.

Reformat janë të domosdoshme edhe në sfera të tjera institucionale. Pas përpjekjeve të vazhdueshme të Zyrës time, kam kënaqësinë t’iu njoftoj që para pak orësh Korporata Sfidat e Mijëvjeçarit (MCC), agjenci qeveritare amerikane e krijuar nga Kongresi amerikan, më ka njoftuar se ka përzgjedhur Republikën e Kosovës për të përfituar nga fondet, të cilat arrijnë deri në qindra milionë dollarë për të mbështetur zhvillimin ekonomik dhe zhdukjen e varfërisë.

Kjo asistencë është bërë e mundur vetëm për shkak të përkushtimit institucional të Republikës së Kosovës ndaj parimeve demokratike, lirive ekonomike, luftimit të korrupsionit dhe përmirësimit të dukshëm të indikatorëve.
 
Kosova këtë vit ka përparuar në rangimin e të drejtave demokratike, kryesisht si rezultat i mbarëvajtjes së mirë të zgjedhjeve të vitit 2013 dhe 2014. Në luftën kundër korrupsionit, përmirësimi i bashkërendimit të agjencive të sundimit të ligjit i ka mundësuar Kosovës që, më në fund, të kalojë indikatorin e kontrollit të korrupsionit.
 
Tani që vendimi i bordit është pozitiv, institucionet e Kosovës, në bashkëveprim me njëri-tjetrin dhe në konsultim të gjerë me shoqërinë civile dhe komunitetin e biznesit, duhet të paraqesin një program të qartë të asistencës, bazuar në transparencë dhe pronësi shtetërore.

Lista e prioriteteve është e gjatë, por ne duhet të prioritizojmë sektorët ku efektet e kësaj asistence do të jenë afatgjatë dhe do të përmirësojnë kualitetin e jetës së qytetarëve. Ato mund të shtrihen që nga ribërja e sistemit të shëndetësisë deri në reformat e thella në arsim, apo ndërtimi i infrastrukturës për të krijuar mundësi punësimi për të rinj, sidomos në fushën e inovacionit teknologjik.

Në ndërkohë, institucionet duhet të vazhdojnë adresimin e indikatorëve, duke
mbajtur lart ritmin e reformave të brendshme, cilësinë e demokracisë së institucioneve, adresimin e korrupsionit, investimin në shëndetësi dhe në arsim, nivelin e pjesëmarrjes së vajzave në arsimin fillor e deri te politikat tregtare.

Këtë vit kam shprehur brengën time të thellë për koston që qytetarët e Kosovës po detyrohen ta bartin për të kërkuar shërim jashtë vendit. Në përpjekje për të lehtësuar këtë barrë, jam përkushtuar për ndërtimin e një qendre pediatrike, donacion 22 milion eurosh nga Emiratet e Bashkuara Arabe, gurthemeli i të cilës do të vihet brenda pak muajsh. Kjo qendër, e cila do të funksionalizohet deri në vitin 2018, do të përfshijë onkologjinë, kardiokirurgjinë dhe emergjencën e fëmijëve, spital i cili do të përmbajë teknologjinë më të avancuar shëndetësore pediatrike në botë. Shpresoj që një qendër e këtillë pediatrike do të arrijë të lehtësojë barrën e qytetarëve dhe do të ofrojë shërbime të përmirësuara shëndetësore për gjeneratën e re.

Të nderuar deputetë,

Ne duhet të jemi të vëmendshëm për kërcënimet e vazhdueshme ndaj sigurisë tonë. Përpos rrezikut konvencional, ne sot përballemi edhe me kërcënimet e strukturave ekstremiste të akterëve joshtetërorë, të cilët kanë gjetur shtrirje edhe në vendin tonë.

Institucionet e Kosovës vazhdojnë të jenë vigjilente ndaj kësaj sfide ndaj sigurisë kombëtare. Këtë vit kemi qenë dëshmitarë të përpjekjeve të këtyre rrymave terroriste që të shtrijnë ndikimin e tyre, duke vazhduar rekrutimin e qytetarëve të Kosovës për t’iu bashkangjitur kauzave të tyre të rrejshme dhe terroriste në Siri dhe në Irak.

Përgjigja jonë si institucione ka qenë e menjëhershme dhe ka rezultuar e suksesshme. Këtë vit është shënuar një rënie drastike e kosovarëve që u janë bashkangjitur rrjeteve terroriste, falë sensibilizimit për këtë fenomen, por edhe për shkak të vendosmërisë tonë që të veprojmë dhe të mos lejojmë që Kosova të bëhet strehë e terroristëve.

Veprimi ynë ka marrë formë ligjore, me aprovimin nga ky Kuvend të ligjit që penalizon bashkëngjitjen e qytetarëve të Kosovës në luftëra të huaja, por që po ashtu dënon nxitësit dhe rekrutuesit e kësaj kauze. Ne kemi forcuar bashkëpunimin tonë rajonal dhe vazhdojmë të japim kontribut të çmueshëm në koalicionin global për t’u konfrontuar me këtë të keqe të përgjithshme.

Ne e kemi dëshmuar deri më tani se institucionet e sigurisë të Republikës së Kosovës janë plotësisht të përkushtuara që këto elemente dhe veprimtaritë e tyre të mos gjejnë vend në Kosovë, por përpjekja jonë për të çrrënjosur këtë sfidë për sigurinë e qytetarëve të Kosovës dhe të aleatëve tanë do të varet nga një bashkëpunim i gjerë dhe gjithëpërfshirës, që adreson shkaktarët që e nxisin ekstremizmin e dhunshëm.

Për të ndihmuar në fuqizimin e shoqërisë dhe komuniteteve të rrezikuara që të adresojë këtë problem, Zyra ime ka arritur të përfshijë Kosovën si shtet përfitues nga Fondi Global për Angazhim të Komunitetit dhe Rimëkëmbjes me seli në Gjenevë, fond ky i themeluar si përpjekje globale përmes partneritetit publiko-privat, në bashkëpunim me qeveritë, shoqërinë civile dhe sektorin privat, për të mbështetur përpjekjet e shteteve për të adresuar ekstremizmin e dhunshëm dhe radikalizmin.

Qasja e Kosovës në fondin prej 25 milionë dollarëve do t’ju mundësojë nismave të ndryshme në Kosovë ndihmën e nevojshme financiare për të parandaluar këtë fenomen. Përmes këtij fondi, ne kemi mundësi të krijojmë partneritete të reja dhe të jemi pjesëmarrës në iniciativa të ndryshme që do të ndihmojnë fuqizimin e qytetarëve për të luajtur rol aktiv në parandalimin e ekstremizmit të dhunshëm.

Të nderuar deputetë,
Qytetarë të Republikës së Kosovës,

Ky adresim është adresimi im i fundit para këtij Kuvendi në prag të përmbylljes së mandatit tim si Presidente e Republikës së Kosovës.

Në këto pesë vite nuk ka pasur nder më të madh për mua se të jem Presidentja e Kosovës. Ua them me kuptimin e plotë të fjalës se nuk ka pasur privilegj më të madh se të qëndroj në ballë të një shoqërie që, nën represion, spastrim etnik dhe kërcënim të vet ekzistencës, asnjëherë nuk u zmbraps nga ëndrra e të bërit shtet. Që vazhdon të mbështetet fuqishëm në vlerat më të avancuara të njerëzimit. Që me krenari e lartëson partneritetin dhe miqësinë e thellë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Që synon pa u dekurajuar integrimin në Bashkimin Evropian. Që edhe sot, përkundër vështirësive dhe debatit të ashpër për ta trasuar rrugën e vet, është e palëkundur në përpjekjen për ta bërë Kosovën vend të denjë për të jetuar.

Ju faleminderit!