Fjalimi i presidentit Thaçi për tetëvjetorin e miratimit të Kushtetutës së Kosovës

Kam nderin që sot ta kemi bisedën e parë me publik prej ditës së inaugurimit dhe është kënaqësi që kjo paraqitje e imja të jetë mbi temën themeltare të shtetit tonë, Kushtetutën e Republikës së Kosovës.

I nderuar Kryeministër z. Mustafa,
E nderuara Kryetare e Gjykatës Kushtetuese znj. Rama,
I nderuar Kryetar i Gjykatës Supreme z. Hasani dhe kryeprokuror Lumezi,
Të nderuar ministra,
Të nderuar prokurorë, gjykatës,
Të nderuar ambasadorë,

Kam nderin që sot ta kemi bisedën e parë me publik prej ditës së inaugurimit dhe është kënaqësi që kjo paraqitje e imja të jetë mbi temën themeltare të shtetit tonë, Kushtetutën e Republikës së Kosovës.

Presidenti do të veprojë konform Kushtetutës, si një gardian i kushtetutshmërisë, konform nenit 84, pikës 2, e cila thotë se “Presidenti i Republikës garanton funksionimin kushtetues të institucioneve”.

Është jetike që Kosova të ruajë aleancën me vendet mike dhe të investojë në agjendën e përbashkët ndërkombëtare.

Sot për sot, kjo agjendë është e fokusuar edhe në luftimin e radikalizmit dhe ekstremizmit, sepse kjo është çështje që preokupon gjithë botën e civilizuar.
 
Kosova do të vazhdojë të jetë pjesë e aktive e koalicionit antiterrorist.
Këtu po ashtu ndërlidhet Kushtetuta e Kosovës, sepse lufta kundër ekstremizmit dhe qëndrimeve absolutiste fetare përputhet me laicitetin e shtetit dhe ndarjen strikte të fesë nga shteti, që është një nga boshtet themeltare të Kushtetutës sonë.

Pastaj, investimi i mëtejshëm në dialog ndëretnik dhe ndërshtetëror me Serbinë.
Ju e dini se Kushtetuta e Kosovës ka rrënjët në kompromisin e Vjenës dhe krijimin e mekanizmave mbrojtës për komunitetet jo-shumicë.

Institucionet tona do të respektojnë dhe implementojnë në tërësi vendimin apo opinionin e Gjykatës Kushtetuese, që e obligon qeverinë të themelojë Asociacionin e komunave me shumicë serbe, gjithnjë sipas ligjeve të Kosovës.

Pra, sa më shumë e implementojmë Kushtetutën gjeneroze ndaj minoriteteve, aq më shpejt Kosova do të lëviz drejt integrimeve euroatlantike.

Kosova është republikë sovrane dhe e pavarur falë këtij kompromisi tek Ahtisaari dhe nuk është e moralshme që sot ne t’u ikim obligimeve tona, 8 vjet pasi që kemi fituar rezultatin më të shenjtë dhe më të madh të historisë sonë - shtetin tonë të pavarur.

Çështja tjetër ka të bëjë me funksionimin e shtetit sipas pritjeve të qytetarëve që sot nuk kanë të bëjnë shumë me temat politike, por me ato ekonomike.
 
Kam thënë të premten se beteja më e madhe sot është që “fëmijët tanë dhe fëmijët e fëmijëve tanë të ndihen krenarë me shtetin dhe kualitetin e tyre të jetës në Kosovë”.

Tani, ju jeni shumica juristë këtu dhe nuk më takon të propozoj plane konkrete ekonomike, por do të doja të flas më konkretisht se cilat do të ishin disa veprime që si president do t’i inkurajojë partitë politike, shoqërinë civile dhe institucionet e Kosovës t’i ndërmarrin, që të realizojnë ëndrrën e krenarisë për shtet, që ta forcojnë edhe identitetin shtetëror:

E para është që të përforcohet balanci në mes prokurorisë, gjykatës dhe qendrave korrektuese.
 
Mendoj se kemi nevojë që Kodi Penal, i cili është draftuar para disa viteve dhe është mjaft i mirë, megjithatë me disa ndryshime që do t’i inicioj në të ardhmen do të përforcohet, që mos të lejohen vrimat dhe dobësitë e identifikuara që po irritojnë publikun e Kosovës.

Çdokush është i pafajshëm deri sa të vërtetohet fajësia, por në momentin kur të vërtetohet, publiku pret që dënimi të mbahet konform vendimeve dhe standardeve gjyqësore.

Ata që janë terroristë të ISIS-it, të dënuarit apo të inkriminuarit e këtij vendi nuk mund të shëtisin të lirë, përkundër dënimeve që marrin.

Kjo praktikë e keqe duhet të marrë fund.

Besoj se një përmirësim dhe përforcim i Kodit Penal, do ta adresonte këtë çështje shumë të ndjeshme për publikun, por edhe për imazhin ndërkombëtar të shtetit.

E kam thënë se hero i Kosovës është prokurori i mirë, gjyqtari i drejtë, por shtoj sot se hero edhe më i madh është gardiani i qendrave korrektuese, i cili respekton dhe punon strikt sipas ligjit. 

Ata që janë të dënuar nuk mund të shëtisin të lirë.

Çështja e politizimit apo departizimit të institucioneve
Mund të jetë ironike që unë, si një ish-kryetar i partisë më të madhe, të bëj thirrje për më pak ndikime partiake në borde e agjenci, por mendoj se na duhet të ribalancojmë institucionet tona konform nevojës për performancë optimale të qeverisë dhe agjencive.

Mos të keqkuptohemi, nuk besoj se ne mund të kemi liderë apolitik apo zyrtarë të shkurorëzuar nga realitetin ynë.
 
Po ashtu, mendoj dhe e di se disa prej njerëzve më të aftë që ka Kosova janë në parti politike.

Por, në disa raste, kur partitë emërojnë në nivel komunal apo qendror persona me dosje inkriminuese apo dyshime serioze për shkelje ligjore, ndërsa njerëz të kualifikuar rrinë anash dhe nuk angazhohen – mendoj se edhe kjo e dobëson besimin e qytetarit në shtet.

Njerëz me aktakuza nuk do të këtë në institucione apo agjenci. Edhe në listat zgjedhore të partive politike nuk duhet të jenë të njëjtit.

Mendoj se pika e tjetër ka të bëjë edhe me juve sot në këtë sallë që po festoni Kushtetutën: Ju në gjyqësor, deputetët në parlament, por edhe qeveria dhe shoqëria civile duhet të jeni më të guximshëm kur ta mbroni Kushtetutën në publik.

Kjo është Kushtetuta më moderne në Evropë, nëse jo në botë.

Ka mekanizmat më të mirë të mbrojtjes së drejtave të njeriut.

Është Kushtetutë e ndërtuar në bazat e politikës progresive të fokusuara kah qytetari.

Pse pra lejojmë që kundërshtarët e Kushtetutës, qoftë në vend apo jashtë vendit – të shajnë, ta shkatërrojnë dhe ta abuzojnë Kushtetutën tonë? Prej çështjes së drejtave minoritare dhe Asociacionit e deri tek funksionimi demokratik i institucioneve, që të gjitha janë të bazuara mirë në Kushtetutë dhe ne duhet të jemi më të mirë, më vokal dhe më të vendosur në mbrojtjen e saj publike.

Janë këto përmirësime që kërkojnë pak vullnet dhe duken ndoshta minore, por efekti i tyre është madhor në perceptimin publik dhe forcimin e besueshmërisë.

Duhet ta rikthejmë besimin qytetar tek institucionet legjitime.

Me punën tonë duhet ta rrisim besimin qytetar tek shteti ynë.

Pra, në përfundim, ne kemi bërë punë madhore në 8 vite të pavarësisë, kemi krijuar një shtet dhe një sistem gjyqësor që është përmirësuar.

Ju do të keni përgjegjësi të reja pas tranzicionit të EULEX-it, që besoj se do t’i kryeni me nder.

Si president i vendit, do ta keni përkrahjen time të palëkundur në 5 vitet e ardhshme.