Fjalimi i presidentit Thaçi në vizitën zyrtare në Kukës

I nderuar Kryetar i Bashkisë së Kukësit, z. Bashkim Shehu,
I nderuar ambasador Minxhozi,
Zonja dhe zotërinj,

Jam shumë i nderuar që sot gjendem në mesin tuaj, në një vizitë njëditore në fillim të nëntorit, muajit që shënon 105 vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë.

Jam i privilegjuar t’ju drejtohem qytetarëve të Kukësit me një fjalë rasti në emër të Presidencës së Republikës së Kosovës, në emrin tim dhe të qytetarëve të Kosovës.

Jam këtu për të shprehur FALËNDERIMIN E MADH për gjithë qytetarët e Kukësit dhe të Shqipërisë, të cilët me zemërgjerësi dhe bujari të pakrahasueshme strehuan rreth 500 mijë vëllezër dhe motra të tyre nga Kosova, të shpërngulur dhunshëm në vitet e luftës 1998, 1999.

Në periudhën më kritike të shqiptarëve të Kosovës në fundshekullin njëzetë, Kukësi i ri, Kukësi i vogël në dukje u bë Kukësi i madh, i hapur, i dashur dhe thellësisht bujar e fisnik.

Pas një historie të gjatë të përpjekjeve për liri, Kosova më në fund kishte krijuar organizatën më të rëndësishme politike dhe ushtarake, Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, guerilen më të suksesshme të shekullit që shkoi, për të jetësuar idealin dhe ëndrrën e lirisë.

Për herë të parë, Kosova arriti që të jetë aktore në arenën ndërkombëtare në Konferencën e Rambujesë.
 
Për herë të parë, Kosova kishte në anën e saj miq të fortë ndërkombëtarë, botën e vlerave demokratike.

Ishte pikërisht ky avancim politik i Kosovës që arriti të prodhojë dokumentin ndërkombëtar me të cilin bota demokratike angazhoi aleancën më të fuqishme të globit, NATO-n, për të intervenuar ushtarakisht mbi caqet ushtarake dhe policore serbe.

Lufta e drejtë e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe sukseset e NATO-s e bënë edhe më të egër politikën antishqiptare të Beogradit, që filloi spastrimin etnik përmes vrasjeve, ndjekjeve, dëbimeve dhe gjenocidit.

Popullatën e paarmatosur, gra, burra, pleq dhe fëmijë i larguan me forcë nga vatrat e tyre në drejtim të Maqedonisë dhe Shqipërisë.

Falë solidaritetit, dashurisë dhe ndjenjës së pastër atdhetare, bashkatdhetarët e dëbuar në Kukësin tuaj gjetën ngrohtësinë e vatrës shqiptare dhe me durim pritën përfundimin e luftës.

Ndodhi mrekullia.

Siç shprehej shkrimtari i madh Ismail Kadare: ende pa u ftohur dora e bujkut nga plugu, erdhi momenti i kthimit në Kosovë.

Historia nuk mban mend kthim më të rrufeshëm të njerëzve në shtëpitë e tyre sesa të shqiptarëve të Kosovës, fill pas përfundimit të luftës më 11 qershor 1999.


Zonja dhe zotërinj,

Banorët e Kukësit dhe lumjanët në përgjithësi janë pjesë e përbashkët e historisë së Kosovës.

Ata përjetuan atë që përjetonin bashkëkombësit e tyre në vitet e trazuara të Luftërave Ballkanike dhe gjatë Luftës së Parë Botërore.

Ata përjetuan terrorin e ushtrive serbe.

Ata bënë rezistencë kundër trupave ushtarake serbe që synonin pushtimin e Shqipërisë.

Kukësi dhe Prizreni patën fatin politik, historik dhe gjeografik të ndarjes me kufi shtetëror të padrejtë për një shekull të tërë.
 
Kjo ndarje ishte e thellë dhe e madhe përgjatë epokës së komunizmit.

Por, në këtë ndarje dhe izolim u gjet një formë e komunikimit midis Kosovës dhe Shqipërisë.

Ishte Radio Kukësi, një radiostacion i cili pavarësisht nga ndikimi ideologjik, kreu një mision për të cilin ne, Kosova, kemi vlerësim të lartë.

Mijëra emisione me përmbajtje historike dhe patriotike u emetuan në valët e Radio Kukësit.

Përmes valëve të Radio Kukësit u rrit dhe u kultivua ndjenja e dashurisë ndaj Shqipërisë, ndaj figurave historike të Rilindjes sonë kombëtare.
 
Në Radio Kukës u transmetua historia e ndaluar e Kosovës.

E veçanërisht përkrahja e demonstratave të vitit 1981, me kërkesën për Republikën e Kosovës, pati jehonë të madhe kudo në Kosovë.

Më lejoni që sot të shpreh falënderim të veçantë për këtë kontribut të Radio Kukësit, që ishte zëri i Shqipërisë.


Zonja dhe zotërinj,

Gjatë viteve 1998-1999, Kukësi u bë bazë e UÇK-së.
 
Qyteti i Kukësit përjetoi granatimet e ushtrisë serbe.
 
Shumë kuksianë iu bashkuan radhëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ashtu si hasjanët dhe tropojanët.

Lavdi të gjithë atyre që kontribuuan për luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës!


Zonja dhe zotërinj,

Sot historia e marrëdhënieve midis Kosovës dhe Shqipërisë ka ndërruar rrënjësisht për të mirë.

Asnjëherë në histori nuk kanë qenë më të mira marrëdhëniet tona politike, ekonomike, kulturore dhe të të gjitha fushave të jetës.

Shqipëria demokratike është shtet anëtar i NATO-s.

Kosova e lirë dhe e pavarur është në rrugë të sigurt drejt integrimeve euroatlantike.

Pavarësisht se jemi një komb në dy shtete, ne nuk kemi alternativë tjetër përpos integrimeve euroatlantike.


Zonja dhe zotërinj,

Edhe njëherë shpreh gëzimin që jam në mesin tuaj, në qytetin më të skajshëm nga veriu i Shqipërisë, në qytetin e parë kur Kosova hyn në Shqipëri.

Në Kukësin e mikpritjes legjendare.

Në qytetin që bashkon rrjedhat e përjetshme të dy lumenjve që përshkojnë një pjesë të madhe të viseve shqiptare: Drinit të Bardhë dhe Drinit të Zi.

Ju faleminderit!