Fjalimi i Presidentit të Republikës së Kosovës, z. Hashim Thaçi, me rastin e 17 vjetorit të masakrës në Studime të Vushtrrisë

Kosova ka hyrë në vitin e 17 të çlirimit, ka hyrë në vitin e 9 të pavarësisë, por ende nuk i ka të shëruara plagët e thella të luftës.

Kosova nuk do ta harrojë asnjëherë përmasën e dhimbjes që u shkaktua në Likoshan, në Çirez, në Prekaz e Reçak, në Abri e Krushë të Madhe, në Lybeniq, në Qyshk, në Izbicë e Rezallë, në Mejë në Studime dhe kudo tjetër gjithandej Kosovës.

Këto vendbanime, krahas betejave heroike të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe rezistencës qytetare na kujtojnë gjithmonë çmimin e lirisë dhe pavarësisë sonë.

Ne kujtojnë vrasjen e grave dhe të burrave, të nënave dhe të baballarëve, të rinjve dhe të rejave të pleqve dhe fëmijëve, të cilët  u flijuan për lirinë që  e gëzojmë sot.

Pas shekuj përpjekjesh për liri, Kosova më në fund kishte arritur mbështetjen e botës demokratike.

Para 17 vitesh Ushtria Çlirimtare e Kosovës, bombardimet e aleancës më të fuqishme ushtarake të botës, të NATO-s mbi caqet policore e ushtarake serbe po i jepnin goditjet e fundit pushtimit të vendit tonë.

Këto goditje kishin bërë që forcat policore e ushtarake serbe të mos kursenin asgjë, të digjnin, plaçkitnin dhe të dëbonin popullsinë civile nga vatrat e tyre.

Ato shkuan edhe më tej, nga çdo humbje në terren bëheshin edhe më agresiv, duke dhunuar, vrarë, masakruar dhe duke bërë gjenocid dhe pastrim etnik.

Para 17 vitesh edhe këtu në Studime të Vushtrrisë, popullata civile e këtyre anëve përjetoi një tmerr të vërtetë.

Kam dëgjuar dhe lexuar disa përjetime të familjarëve për masakrën e Studimes. Për vrasjen e burrave në sy të grave, për vrasjen e djemve në sy të nënave, për vrasjen e dhëndrit një ditë pas martesës, për vrasjen e 140 personave brenda dy orësh.

Ky është çmimi i lartë për lirinë tonë.

I lirisë së fituar me gjakun dhe jetën e më të dashurve tuaj.

I lirisë që erdhi me sakrificë, duke lënë shumë jetimë.

I lirisë që prapa la 60 dëshmorë të kësaj ane, që janë nderi dhe krenaria juaj.

Nderi dhe krenaria jonë.

Ne, si institucione të Republikës së Kosovës, asnjëherë nuk do ta ndalim zërin që të zbardhen krimet dhe gjenocidi i bërë mbi popullatën shqiptare në periudhën e luftës 1998/ 1999.

Ne nuk do të ndalemi gjersa të zbardhet fati i personave të pagjetur.

Ne nuk do ta ndalemi gjersa të dalin para drejtësisë autorët e krimeve.

Edhe nga bashkësia ndërkombëtare do të kërkojmë vazhdimisht që të ushtrojë ndikim dhe trysni mbi Beogradin zyrtar.

E kam thënë në ditën e inaugurimit si President se qytetarët tanë janë heronj.

Ata nuk harrojnë, por nuk hakmerren.

Ata kujtojnë edhe kur dinë që të falin.

Ata janë krenar, por dinë të ngrihen mbi të kaluarën.

Në emër të ardhmërisë punojnë për pajtim.

Kosova ka realizuar dy ëndrra të mëdha:

Lirinë dhe Pavarësinë.

Kosova është duke u bërë gati për realizimin e Ëndrrës së Tretë: Integrimit në BE, NATO dhe OKB.

Së shpejti qytetarët e Kosovës do lëvizin të lirë në Evropë.

Rekomandimi për liberalizimin e vizave tani më nuk është çështje javësh dhe muajsh.

Është punuar gjatë për këtë të drejtë.

Rekomandimi për liberalizimin e vizave tani më është çështje orësh.

Qytetarët tanë do të lëvizin aty ku ka qenë dhe është vendi i tyre, tek popujt e lirë dhe demokratikë.

Hapin e përparimit, për gjithë qytetarët tanë pa dallim etnie, religjioni dhe kulture, nuk ka forcë që e ndalë.

Ne do të punojmë për forcimin e shtetit, sundimin e ligjit.

Ne do të punojmë që të rritet cilësia e jetës së qytetarëve tanë.

Kosova do të jetë vend i paqes dhe fqinjësisë së mirë.

Ky është edhe amaneti i të rënëve për liri, i gjithë atyre që u sakrifikuan për shtetin tonë të lirë, sovran dhe demokratik.

Lavdi gjithë atyre që u sakrifikuan për liri!