Fjalimi i Presidentes së Republikës së Kosovës, zonjës Atifete Jahjaga, në takimin me Grupin Drejtues Ndërkombëtar

Kosova ka integritetin dhe sovranitetin territorial të saj dhe Kosova nuk mund të ketë zona të hirta që do të ishin tjetërfare dhe ku ligjet dhe sundimi i ligjit do të zbatoheshin ndryshe nga ajo që zbatohet në gjithë territorin e Republikës së Kosovës.

I nderuari z.Faith,
Të nderuar përfaqësues të Grupit Drejtues Ndërkombëtar,
Të nderuar përfaqësues të institucioneve të Republikës së Kosovës,
Të nderuar ambasadorë të vendeve mike në Republikën e Kosovës,
 
Gjatë ditës së sotme mora pjesë në Samitin e Ohrit, në Maqedoni, që është takim tradicional i Presidentëve të Maqedonisë, Shqipërisë, Malit të Zi dhe Kosovës.
 
Në këtë takim të Presidentëve u fol për format e bashkëpunimit ndërmjet shteteve tona, për rrugën e anëtarësimit në Bashkimin Evropian dhe për ndihmën që vendet duhet t’i japin njëra-tjetrës me plotësimin e kushteve dhe standardeve në rrugën e integrimeve euro-atlantike.
 
Të gjithë Presidentët që ishin të pranishëm në takim i dhanë përkrahje procesit të dialogut ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë për çështjet praktike, të cilat do t’ia lehtësojnë jetën qytetarëve dhe do të jenë në të mirën e dy vendeve tona.
 
 
Zonja dhe zotërinj,
 
Puna e Grupit Drejtues Ndërkombëtar për Kosovën është shumë e rëndësishme sepse përcakton vlerësimin e progresit të arritur në Kosovë si dhe fundin e pavarësisë së mbikëqyrur për vendin tim. Unë konsideroj se misionet ndërkombëtare në Kosovë që nga viti 1999 deri më sot, dhanë kontribut të rëndësishëm në rindërtimin e pas konfliktit dhe në ngritjen e kapaciteteve shtetërore të Republikës së Kosovës.
 
Edhe pas shpalljes së Pavarësisë, Kosova pati nevojë për një lloj mbikëqyrjeje të butë ndërkombëtare, e cila ndihmon në ngritjen e kapaciteteve, në forcimin e proceseve demokratike dhe në agjendën tonë evropiane, duke marrë për bazë se misioni ndërkombëtar që vjen nga vendet evropiane do të sjellë këtu praktikat dhe standardet e vendeve nga vijnë që do të ndihmonte që Kosova të mos ngec në këtë proces karshi vendeve të rajonit.
 
Në këtë bazë Zyra Civile Ndërkombëtare dhe misioni i EULEX-it duhet të përfundojnë punën në Kosovë, jo sipas datave të paracaktuara, por sipas kryerjes së detyrave dhe përmbushjes së obligimeve.
 
Kosova ka integritetin dhe sovranitetin territorial të saj dhe Kosova nuk mund të ketë zona të hirta që do të ishin tjetërfare dhe ku ligjet dhe sundimi i ligjit do të zbatoheshin ndryshe nga ajo që zbatohet në gjithë territorin e Republikës së Kosovës.
 
Ne duhet të kemi një plan të qartë të përfundimit të pavarësisë së mbikëqyrur të Kosovës dhe ky plan nuk duhet të ketë fazë të ndërmjetme dhe të bartë kompetencat në cilëndo formë apo pjesërisht në ndonjë institucion tjetër ndërkombëtar.
 
Pavarësia e mbikëqyrur përfundon duke u bartur kompetencat plotësisht vetëm në institucionet e Kosovës, sepse vendi im mund të bëhet anëtar i plotfuqishëm i Bashkimit Evropian vetëm si shtet sovran dhe i pavarur.          
 
Të nderuar zonja dhe zotërinj,
 
Kosova po e bën transformimin e pronës dhe qeveria tashmë ka miratuar një strategji të zhvillimit ekonomik. Unë pardje mbajta një fjalë në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës në ditën kur në këtë Aeroport filloi puna konkrete e konzorciumit ndërkombëtar i cili me koncesion për një periudhë të caktuar e mori administrimin e kësaj pike të rëndësishme të aviotransportit.
 
Të urojmë që ky të jetë një shembull i mirë i angazhimit të investitorëve të huaj në Kosovë që rrisin cilësinë dhe që përmirësojnë shërbimet, dhe që në standardet e kërkuara Aeroportin e Kosovës e modernizojnë në nivel të aeroporteve të tjera ndërkombëtare.
 
Procesi i privatizimit ka pasur sukseset por edhe ngecjet e veta dhe të gjithë ne pajtohemi që ky proces të jetë në funksion të zhvillimit, të tërheqjes së kapitalit dhe ndërlidhjes së ekonomisë kosovare me firmat dhe kompanitë e njohura ndërkombëtare.
 
Kosova duhet ta ketë rrugën e qartë të integrimit në Bashkimin Evropian. Është deprimuese për vendin dhe qytetarët e mi, që të vetmit në rajon të mos jenë të përfshirë në procesin e liberalizimin e vizave në kohën kur së paku një e katërta e qytetarëve të mi me dekada jetojnë dhe punojnë në vendet e Evropës, ku janë qytetarë plotësisht të integruar atje dhe që me remitencat e veta kontribuojnë në Kosovë, duke ndihmuar pjesët e mbetura të familjeve të tyre dhe duke ndikuar që kriza sociale në vendin tim të jetë më e zbutur.
 
Zonja dhe zotërinj,
 
Ne jemi të përkushtuar që të zbatojmë pakon e Ahtisaarit dhe ne tashmë kemi bërë një decentralizim të suksesshëm dhe kemi pjesëmarrje të të gjitha komuniteteve në administrim lokal, në nivel të komunave por edhe pjesëmarrje në Kuvendin dhe Qeverinë e Kosovës.
 
Me planin e Ahtisaarit duhet të krijohet komuna e Mitrovicës së Veriut, dhe pastaj në komunën tjetër të Mitrovicës të krijojmë një trup që do të koordinonte punën. Në këtë proces kemi ngecje ashtu si dhe në integrimin e plotë në administratën e Kosovës dhe strukturat e shtetit të Kosovës të komunave të Leposaviqit, Zubin Potokut dhe Zveçanit. Gjendja në këto komuna dikujt i shërben që të flet për problemin e veriut të Kosovës.
 
Të nderuar miq,
 
Unë jam e përkushtuar në çdo mënyrë dhe me çdo mjet ta luftojë krimin dhe korrupsionin. Ndihma juaj në këtë proces dhe në të gjitha proceset e tjera është më se e nevojshme. Kosova duhet të ndihmohet në kapacitetet e hetimit dhe të ndjekjes së krimit dhe Kosova duhet të jetë pjesë e organizatave dhe mekanizmave ndërkombëtarë, sepse territori i vendit tim shpeshherë është vend transit i krimit të organizuar.
 
Unë jam e përgjegjshme dhe do të shfrytëzoj gjithë kapacitetin tim kushtetues dhe ligjor që Kosovën ta bëjmë një vend të sundimit të ligjit, një vend që e ka të qartë dhe shkon drejt anëtarësimit në BE dhe në NATO.
 
E kam thënë dhe e përsëris se Kosova është dhe do të jetë një tregim i suksesshëm vendor dhe ndërkombëtar. Unë jam e përkushtuar që vendi dhe populli im të ketë sukses në ndërtimin e shtetit dhe të demokracisë dhe të jetë një vend ku do të sundojë rendi dhe ligji.
 
Ju faleminderit!