FJALIMI I PRESIDENTES SË REPUBLIKËS SË KOSOVËS, ZONJËS ATIFETE JAHJAGA NË SAMITIN E PRESIDENTËVE NË SLLOVAKI

Më lejoni të shfaq falënderimin tim kryesuesit të samitit, zotit President, për dërgimin e ftesës, dhe shteteve pjesëmarrëse për pajtimin rreth këtij formati, i cili tregon se vetëm me përfshirje dhe bashkëpunim në çështjet kyçe me rëndësi për të ardhmen e regjionit ne do të mund të lëvizim përpara.

I nderuari President Gasparovic,
Të nderuara shkëlqesi,
Honorable excelencies,
Postovane ekselencije,

 
Më lejoni të shfaq falënderimin tim kryesuesit të samitit, zotit President, për dërgimin e ftesës, dhe shteteve pjesëmarrëse për pajtimin rreth këtij formati, i cili tregon se vetëm me përfshirje dhe bashkëpunim në çështjet kyçe me rëndësi për të ardhmen e regjionit ne do të mund të lëvizim përpara.
 
Kjo po ashtu dëshmon se ne jemi të vetëdijshëm që Evropa do të jetë një tërësi dhe në paqe me integrimin në kuadër të saj të të gjithë popujve dhe kombeve.
 
Po takohemi këtu si liderë në mes të një recesioni dhe krize financiare të vazhdueshme në Evropë, dhe derisa kryeqytetet tona dhe zyrtarët në Bruksel po e konsiderojnë me kujdes të ardhmen e projektit të quajtur Bashkimi Evropian, se si ta tejkalojnë bindjen e opinionit publik rreth politikës së zgjerimit dhe frustrimin e vendasve me nivelin e lartë të papunësisë, standardit jetësor në rënie, reformave të dhimbshme dhe largimit të njerëzve të shkolluar nga vendi, t’i përmendi vetëm disa.
 
Përkundër kësaj, në shumë drejtime, pa marrë parasysh pakënaqësitë të cilat vitet e fundit i kanë sjellë qytetarëve dhe vendeve të Bashkimit Evropian për shkak të recesionit ekonomik, projekti Bashkimi Evropian vazhdon të jetë i vetmi opsion i pazëvendësueshëm i cili do ta ketë ndikimin më të madh dhe rolin më transformativ në ekonomitë tona dhe në zhvillimin e shoqërive tona.
 
Ne duhet që t’ia përkujtojmë vetes qëllimin dhe shkaqet për krijimin e Bashkimit Evropian dhe arsyet për të cilat është treguar aq i suksesshëm. Evropa ka parë një progres gjatë pesë dekadave të fundit si asnjëherë më parë. Jo vetëm që vendet themeluese kanë vazhduar zhvillimin e tyre të qëndrueshëm, por Bashkimi ka ndihmuar tejkalimin e diferencave zhvillimore në Evropë duke u ofruar  ndihmë vendeve të cilat kanë ngecur për shkak të ngjarjeve të dekadës së kaluar.
 
Paqja jo vetëm që ka sjellë rritje dhe zhvillim të paparë, por edhe ka sjellë një periudhë të stabilitetit politik, liri të lëvizjes dhe një mirëkuptim më të thelluar në mes të popujve dhe kombeve.
 
Ju, Presidentë të shteteve në këtë anë të “Perdes së Çeliktë” e njihni më mirë këtë rrugëtim, dhe ne, Presidentët e shteteve të Ballkanit Perëndimor, e kuptojmë më së miri potencialin të cilin ky projekt e bart drejtë ndryshimit të vendeve tona dhe ndryshimit të drejtimit të historisë.
 
Duke u mbështetur në një bashkëpunim të ardhshëm, për një paqe dhe stabilitet të qëndrueshëm, ne, shtetet e regjionit, duhet të punojmë së bashku. Ne kishim një të kaluar të rëndë, një të kaluar nga e cila nuk jemi këndellur në tërësi dhe pasojat e së cilës akoma vazhdojmë t’i vuajmë, por tani po mblidhemi rreth vizionit premtues të Evropës së bashkuar.
 
Proceset në të cilat gjendemi janë të pakthyeshme. E ardhmja jonë është në BE dhe Republika e Kosovës është e përkushtuar për këtë vizion. Ne do të vazhdojmë të jemi faktor i paqes dhe stabilitetit dhe promovues të marrëdhënieve të mira fqinjësore. Si perceptim të këtij samiti, e vlerësoj faktin që kjo perspektivë është respektuar përsëri dhe ripërsëris falënderimin tim organizatorëve dhe vendeve pjesëmarrëse për ndihmën e dhënë vendeve aspiruese që të përafrohen më shumë me BE-në.
 
Perspektiva për anëtarësim e regjionit, e cila na unifikon të gjithëve, duhet të mbizotërojë mbi çfarëdo dyshimi rreth suksesshmërisë së politikës së derës së hapur, sepse kjo perspektivë tanimë ka prodhuar rezultate të cilat ishin të paimagjinueshme para një dekade.
 
Sot, ne kemi dëshmuar kreativitet dhe konstruktivitet drejt tejkalimit të armiqësive të kaluara dhe ndërtimit të besimit, pajtimit dhe ndryshimit të imazhit të mbarë regjionit, të vetëdijshëm se, nëse nuk i ndërmarrim të gjitha këto, ne do të mbetemi të izoluar, dhe duke e humbur edhe një gjeneratë nga papunësia dhe mospërfshirja sociale.
 
Zhvillimi i të gjitha vendeve të Ballkanit Perëndimor, duke përfshirë edhe zhvillimin ekonomik, varet nga njëra-tjetra dhe, përkundër diferencave momentale dhe mospajtimeve të përkohshme rreth njohjes së realiteteve të reja, është mjet i nevojshëm për bashkëpunim dhe përparim të përgjithshëm të kësaj pjese të Evropës.
 
Ne jemi shtete të vogla me vullnet të madh dhe caqe të qarta që të bëhemi pjesë e Bashkimit Evropian dhe që të shtojmë aktivitetin tonë drejt përmirësimit të sigurisë dhe stabilitetit të saj.
 
Vendet tona kanë ambicie që të bëhen vende anëtare të Bashkimit Evropian dhe ky rrugëtim, edhe pse individual për secilin shtet, do të bëhet më i lehtë nëse ne bashkëpunojmë dhe i kanalizojmë burimet tona dhe ato të Bashkimit Evropian me mençuri.
 
Në këtë aspekt, vendet aspiruese duhet të zhvillojnë bashkëpunim më të ngushtë bilateral dhe regjional, duhet të investojnë në ndërtim të mekanizmave dhe politikave të cilat do ushqejnë dhe zhvillojnë bashkëpunimin ekonomik, do të krijojnë mundësi dhe motivim për gjithsecilin që të stimulojë zhvillimin ekonomik, të intensifikojë projekte të përbashkëta të investimeve kapitale, duke vjelë fonde të Bashkimit Evropian dhe fondeve të tjera zhvillimore. Ne të gjithë do të përfitojmë nga këto projekte të përbashkëta dhe nga lidhshmëria nga bashkëpunim do të sigurojmë një paqe të qëndrueshme për gjeneratat e ardhshme.
 
Ne do të mund ta arrijmë këtë nëpërmes përmirësimit të infrastrukturës sonë, menaxhimit të përbashkët të ujërave, përmes ruajtjes dhe konservimit të përbashkët të ambientit, nëpërmes investimeve në regjionet kufitare, porteve detare dhe terminaleve të lidhura me korridoret evropiane.
 
Në vendet tona, ne duhet të shfrytëzojmë të gjitha burimet tona dhe të marrim mësime nga praktikat më të mira të njëri-tjetrit. Si regjion, ne jemi të bekuar me burime të ndryshme dhe, me menaxhimin e tyre të duhur dhe strategjik, do të jemi një vlerë shtesë për Bashkimin Evropian.

Duke intensifikuar bashkëpunimin në fushën e sigurisë dhe sundimit të ligjit, ne do të zhvillomë koordinim më të mirë të institucioneve relevante në vendet tona përkatëse ndaj luftimit të korrupsionit, kontrabandës dhe krimit të organizuar, me qëllim të krijimit të mekanizmave të përbashkët të cilat do të dëshmoheshin sit ë suksesshëm në luftimin e të gjithë këtyre fenomeneve.
 
Fronti ynë i përbashkët drejt krijimit të sundimit të ligjit dhe rregullit do të hapë tregje të reja dhe do t’i forcojë ekonomitë tona. Ne duhet të zhvillojmë projekte të përbashkëta për zhvillim ekonomik, duke mos i lënë anash ato brenda kufijve tanë, por të cilat do avancojnë më tej qasjen tonë në tregjet e treta.
 
Sot, asnjë shtet, pa marrë parasysh mundësinë e tij, nuk është i vetëmjaftueshëm. Ne duhet të bashkëpunojmë.

Të nderuara Ekselenca,
 
Unë mbetem e bindur se Evropa do ta mundë këtë recesion ekonomik, të shkaktuar po ashtu edhe nga paaftësia për ta menaxhuar këtë sistem shumë të madh financiar dhe politikën fiskale e cila nuk krijoi mekanizma të mjaftueshëm për monitorimin e investimeve dhe kredive, dhe do të dalë nga ky recesion më e fortë. Siç mund ta shohim, BE-ja tanimë ka krijuar mekanizma të cilat veprojnë në bazë solidariteti dhe të cilat intervenojnë  për të ndihmuar vendet e prekura drejt krijimit të politikave të shëndosha financiare dhe drejt tejkalimit të krizës.
 
Evropa Juglindore është një pjesë e pandashme e Bashkimit Evropian. Integrimi në BE është jo vetëm vizion, por një realitet i pamohueshëm dhe opsioni më i mirë për regjionin. Nëpërmes Bashkimit Evropian ne ndërtojmë të tashmen dhe vizionin për të ardhmen, sepse e kaluara e jonë dëshmon se BE është zbulimi më i mirë për zhvillimin tonë të tërësishëm.
 
Përderisa Bashkimi Evropian e shton Kroacinë, anëtarin e saj të 28-të, në gjirin e saj, ne përsëri përkujtojmë potencialin të cilin e kemi si regjion. Ne do të jemi një aset i çmueshëm për Bashkimin Evropian dhe jo një peshë e rëndë për të.
 
Ju faleminderit..