Fjalimi i Presidentes së Republikës së Kosovës, zonjës Atifete Jahjaga në „Java e Gruas“ të organizuar nga NDI

Sfidat e mia janë sfida të udhëheqësve presidentë, pavarësisht gjinisë, por në të shumtën e rasteve janë të ngjashme me sfidat e shumë prej jush në kapacitetet tuaja të ndryshme profesionale.

Mike te Nderuara
 
Të nderuara pjesëmarrëse,

 
Kam kënaqësi të veçantë sot të jem këtu me ju për të ndarë vizionin tim për rëndësinë e angazhimit të grave në të gjitha fushat e vendimmarrjes në Kosovë.
 
Shumë herë, brenda këtyre 11 muajve, më kanë pyetur: cilat janë sfidat që gratë presidente kanë në udhëheqjen dhe përfaqësimin e shtetit?
 
Sfidat e mia janë sfida të udhëheqësve presidentë, pavarësisht gjinisë, por në të shumtën e rasteve janë të ngjashme me sfidat e shumë prej jush në kapacitetet tuaja të ndryshme profesionale.
 
Të jesh gruaja e parë Presidente në rajon dhe të përfaqësosh një vend me synime të qarta dhe një gjeneratë të re të liderëve, nuk është vetëm një përgjegjësi shtese. Por, përgjegjësi që i jep një kuptim të plotë angazhimit të secilës prej nesh në fushën publike.
 
Kjo ka të bëjë me motivimin e rinisë sonë, veçanërisht të grave të reja, që t’i bashkëngjiten sferës publike dhe të japin kontributin e tyre të vlefshëm në procesin e shtetndërtimit të vendit tonë.
 
Javën e kaluar, derisa po merrja pjesë në samitin e Grave Lidere në botë të mbajtur në New York, para afro 2000 pjesëmarrëseve, kam insistuar se asnjë shoqëri nuk është e sigurt nëse pjesëtarët e saj, në veçanti gratë, nuk janë të sigurta. Siguria për gruan nënkupton siguri për fëmijën, siguri për familjen dhe siguri për tërë shoqërinë.
 
Atë që ne e kemi mësuar gjatë gjithë kësaj kohe në takimet me gratë në botë është se: një vend mund të përparojë nëse gruaja është e përparuar. Një vend mund të përparojë nëse gruaja është e arsimuar, e edukuar, e punësuar dhe e fortë ekonomikisht. E drejta e gruas për të qenë e përfaqësuar denjësisht në shoqëri është thelbësore për zhvillimin e kësaj shoqërie dhe të gjithë ne edhe burrat edhe ne gratë kemi përgjegjësitë tona për ndërtimin e vizionit për familjen dhe për vendin tonë.
 
Nëse e duam një shoqëri të drejtë dhe të sigurt, roli i gruas është qenësor në procesin e vendimmarrjes, përfshirë hartimin dhe zbatimin e politikave.
 
Prania e gruas si pjesëtare e barabartë e shoqërisë është e lidhur ngushtë me përparimin e shoqërisë dhe shtetit tonë.
 
Nuk duhet të kemi mëdyshje se a munden gratë të jenë udhëheqëse dhe shembull i suksesit për të mirën e gjithëmbarshme shoqërore, sepse vendi ynë dhe bota tashmë ka përfituar aq shumë nga pjesëmarrja e grave dhe lidershipi i tyre, përkundër numrit relativisht të vogël të tyre në postet publike.
 
Më lejoni t’i përmend dy shembuj nga skena ndërkombëtare - dy mike të Kosovës, Sekretaren e Shtetit Amerikan znj. Hillary Clinton dhe ish-Sekretaren e Shtetit znj. Madeleine Albright. Ato janë ndër udhëheqëset e para në botë, që me aftësitë e tyre diplomatike dhe me guximin e marrjes së vendimeve të mëdha kanë  ndikuar në ndryshimin e realitetit politik në botë, duke i hapur perspektivë demokracisë në vendet me sisteme totalitare.
 
Njëkohësisht, ato kanë punuar shumë në krijimin e lidhjeve të forta ndërmjet grave të angazhuara në fusha të ndryshme, duke promovuar partneritetin si në nivelin lokal ashtu edhe në atë qendror mes sektorit publik, privat dhe shoqërisë civile.
 
Ashtu siç do të thoshte sekretarja amerikane e shtetit „ Kur investojmë në gruan nuk investojmë vetëm në një individ. Ne investojmë në familje, investojmë në gjeneratat e ardhshme, investojmë në shoqëri dhe në shtet“
 
Në Kosovë puna dhe përgjegjësia jonë si shoqëri ndaj gruas është larg të qenit e përfunduar. Gruaja në Kosovë vazhdon të jetë në pozitë të vështirë dhe të pafavorshme, e goditur në vazhdimësi nga varfëria dhe dhimbjet e një jete me mungesa të mëdha. Për të përmirësuar gjendjen dhe ngushtuar hapësirën për diskriminimin e gruas duhet patjetër t’i japim një shtytje më të madhe emancipimit dhe arsimimit të gruas në Kosovë, si e drejtë e pamohueshme njerëzore.
 
Studimet statistikore të zhvilluara në Kosovë gjatë kësaj dekade dëshmojnë se gruaja kosovare vazhdon të jetë viktima kryesore gjatë tranzicionit; numri i femrave analfabete vazhdon të jetë 10 për qind më i lartë se i meshkujve të së njëjtës grupmoshë dhe prejardhjes së përafërt socio-ekonomike.
 
Ne sot duam të flasim me një zë për të gjitha ato gra - zëri i të cilave ka mbetur i padëgjuar dhe përvoja e të cilave nuk është parë ende.
 
Duam të flasim me një zë për gruan ndërmarrëse, udhëheqëse e fuqishme e biznesit dhe e ekonomisë në përgjithësi. Dhe ne kemi shembuj të mirë të gruas në biznes gjithandej Kosovës që tregon se fuqizimi i gruas është thelb i zhvillimit të gjithëmbarshëm.
 
Në vendin tonë, gratë deputete në Kuvendin e Republikës së Kosovës na kanë dëshmuar me punën e tyre të palodhshme dhe ekzemplare se sa kemi nevojë për partneritet dhe punë ekipore.
 
Problemet me të cilat në ballafaqohemi sot, qofshin ato pabarazitë gjinore, mungesa e resurseve dhe kapaciteteve apo varfëria, nuk mund të zgjidhen në izolim apo nga një lider i vetëm. Jemi dëshmitarë se deputetet tona shpesh kanë kaluar vijat partiake dhe bindjet politike dhe kanë punuar bashkërisht brenda institucioneve tona. Për këtë arsye i admiroj.
 
Të nderuara pjesëmarrëse,
 
Qëllimi im nuk është të përcaktoj se a janë gratë apo burrat më të mirë në qeverisje, sepse ne jemi të krijuar të barabartë. Qëllimi im është të përmend përfitimet pozitive për shtetin tonë me praninë e gruas në udhëheqje, gruas në krye të kompanive të biznesit dhe nevojën për praninë e tyre në sferën publike. Ashtu si gratë kujdesen për familjen, bërthamën e shoqërisë, ashtu mund të kujdesen, të udhëheqin dhe marrin vendime për mirëqenien e shtetit dhe shoqërisë.
 
Studimet e shumta kanë treguar së fundi se gratë lidere janë më demokratike dhe gjithëpërfshirëse në vendimmarrje dhe kanë aftësi më të shprehura ndërpersonale, që janë qenësore në diplomaci. Në rrugëtimin tonë drejt karrierës në shërbim publik, ne të gjitha kemi hasur në gra të forta dhe inspiruese, të cilat na përkrahën dhe u përkujdesën që ne të mbërrijmë te caku.
 
Dhe, tani që jemi të përfaqësuara në pushtetin ekzekutiv dhe ligjvënës – për një kohë i paprekshëm për shumë gra - e kemi për obligim t’u ndihmojmë grave tjera në këtë rrugë.  Gratë në Kosovë, si para edhe pas luftës, si dhe në kohën e tranzicionit deri në shtetndërtim vazhdojnë të jenë simbol i paqes, tolerancës, pajtimit por edhe forcë shtytëse në zhvillimin e Kosovës.
 
Ne vazhdojmë të dëshmojmë se si shoqëri mbesim të përkushtuar për krijimin e një sistemi të barabartë dhe të drejtë në të gjitha nivelet.
 
Në zgjedhjet e kaluara 35 për qind të deputetëve që u përfaqësuan në nivelin lokal dhe qendror janë gra. Ky është një sukses i ndjeshëm duke marrë parasysh së në botë sot gratë përbëjnë vetëm 16.4% në nivelin legjislativ.
 
Por, ky trend  i zbatimit të kuotave gjinore nuk guxon të bëhet i vetëmjaftueshëm. Për të siguruar barazinë gjinore na duhet demokratizimi i partive politike, ndërtimi i shtetit në bazë të parimeve të sundimit të ligjit ku askush nuk do të jetë mbi ligjin dhe ku politikbërja u përgjigjet interesave të qytetarëve, dhe përfundimisht krijimi i një shoqërie me mundësi të barabarta për të gjithë qytetarët. 
 
Përvoja ime e deritanishme më ka mësuar se këto përpjekje nënkuptojnë ndryshimet në kulturën organizative, mënyrën si e shohim zhvillimin e gruas në familje dhe në punë, ofrimin e mundësive për të zhvilluar karrierën e saj, si dhe ofrimin e mundësive për shkollim dhe mentorim, që gratë të hapin rrugën e tyre në marrjen e pozitave strategjike pa dyshuar asnjëherë në aftësitë e tyre udhëheqëse.
 
Mike të nderuara,
 
Duke u vetëdijesuar dita - ditës, për rolin qenësor të cilin e luajmë si në familje, komunitet, shoqëri dhe në udhëheqje, ju inkurajoj secilën prej jush që kurrë mos të pushoni të aspironi, por edhe të jeni modele për gratë tjera në familjen e juaj dhe më gjerë, duke qenë shembull për vajzat e reja, lideret e së nesërmes.
 
Pjesëmarrja e grave në të gjitha proceset e një shoqërie është qenësore për suksesin tonë lokal dhe global, pa marrë parasysh se ku jetojmë.
 
Le ta shohim këtë takim tonin të përbashkët si një mundësi të mirë për të vepruar në të mirë të shoqërisë në tërësi. Le të krijojmë një mundësi të mirë që secila grua në Kosovë të trajtohet me respekt dhe dinjitet  dhe që secili burrë e grua të ndjehet i barabartë.
 
Le të krijojmë një mjedis të sigurt për të gjithë, e në veçanti për gruan, që të ecim përpara, përtej fjalëve, për të ndërtuar vizionin e botës së lirë që duam ta shohim, për të mirën e gjeneratave të ardhshme.
 
Ju faleminderit për punën tuaj të palodhshme. Dhe më lejoni që në fund të citoj miken time të mirë, ish-sekretaren amerikane të shtetit, Madeleine Albright: „Një vend i posaçëm në ferr është i rezervuar për gratë - që nuk ndihmojnë gratë“!