Fjalimi i Presidentes së Republikës së Kosovës, znj. Atifete Jahjaga në International Law Enforcement Academy

Të gjithë jemi të përkushtuar të krijojmë një botë më të drejtë, paqësore dhe stabile dhe qëndrojmë të bashkuar në qasjen tonë për të ngritur sigurinë dhe mbrojtur liritë.

Të nderuar z. Terpinas, z. Stocking dhe znj. Gosi,
Anëtarë të Akademisë Ndërkombëtare të Policisë,
Zonja dhe zotërinj,

 
Të gjithë jemi të përkushtuar të krijojmë një botë më të drejtë, paqësore dhe stabile dhe qëndrojmë të bashkuar në qasjen tonë për të ngritur sigurinë dhe mbrojtur liritë.
 
Sikur që kishte thënë Aristoteli para dymijë vjet më parë, “e vetmja shoqëri stabile është shoqëria në të cilën çdo njeri është i barabartë para ligjit”.
 
Në mënyrë që bashkërisht t’i konfrontojmë të këqijat e të sotmes me të cilat përballemi të gjithë, dhe për të mbrojtur të drejtat e fituara me mund të qytetarëve tanë për të punuar dhe jetuar në paqe, na duhet t’i përmbahemi këtij parimi, të vëmë theksin në bashkëpunim, të premtojmë ndërmarrjen e aksioneve të përbashkëta, të investojmë në masat parandaluese dhe të ripërtërijmë përkushtimin tonë për të këmbyer informata të saktë me njëri-tjetrin.
 
Na duhet të forcojmë platformën tonë të bashkëpunimit, të ndërtojmë sistem arsimimi dhe preventimi që do të krijojë rrethana të pafavorshme për kriminelët dhe rrjetet që duan të keqpërdorin njerëzit, shtetet dhe rrugët ndërkombëtare për të përhapur aktivitetin e tyre kriminal.
 
Na duhet t’i gjejmë të gjithë mekanizmat e mundur për të parandaluar që shoqëritë tona të involvohen me rrjetet kriminale dhe që vlerat e shoqërisë tonë të mos preken nga krimi i organizuar.
 
Andaj, si shoqëri dhe liderë ne duhet të jemi përpara, më të përkushtuar dhe të motivuar në luftën kundër këtyre rrjete kriminale në çdo moment.
 
Ekzistojnë sfida dhe kërcënime ndërkombëtare me të cilat përballemi – duke filluar nga terrorizmi e krimi i organizuar, kontrabanda e narkotikëve dhe trafikimi njerëzor, e deri te krimi në sferën kibernetike - të cilat duhet t’i luftojmë bashkërisht.
 
Nuk mund të korrim sukses në luftën kundër këtyre kërcënimeve nëse e konsiderojmë krimin dhe rrjetet kriminale në izolim, të shkëputura nga konteksti.
 
Krimi i organizuar nuk është problem specifik i Kosovës. Është fenomen ndërkombëtar që operon përmes rrjeteve fluide.
 
Sikur që shumë prej jush e dini, shoqëritë në tranzicion janë strehë për krimin e organizuar. Kjo ndodh për disa arsye. Njëra ndër to është se këto shtete dalin nga diktatura, nga sundimi i hekurt dhe përnjëherë përballen me kolaps institucional.
 
Këto shoqëri nuk janë demokratike; ato shtypin të drejtat e njeriut dhe lirinë e shprehjes. Në një ambient të tillë, ekziston një mungesë e qartë e institucioneve alternative, sikur partitë politike, të cilat ofrojnë një formë të organizimit shoqëror. Ajo çka vjen tutje është mbretërimi i anarkisë.
 
Në këtë situatë të pasigurisë, u krijohet hapësirë grupeve kriminale që përfitojnë nga mungesa e rendit. Ato organizohen shpejt dhe përfitojnë nga vakuumi institucional. Kjo u ndihmon atyre në zgjerimin e rrjetit të kontrabandës dhe hajnisë, eliminimit apo shantazhit të kundërshtarëve të tyre, shkatërrimit të biznesit përmes vendosjes së reketit dhe krijimit të lidhjeve të cilat e përcaktojnë konfigurimin politik në të ardhmen.
 
Varësisht nga pozita gjeografike e origjinës së grupeve kriminale, ato përshtaten dhe zgjerojnë aktivitetet e tyre për t’u pozicionuar në mënyrë që të përfitojnë nga mbulesa politike dhe mosndëshkim duke instaluar kandidatët e tyre në pushtet dhe duke lidhur marrëveshje joformale me ta.
 
Në ish-shtetet socialiste, këto struktura kriminale janë të gjithëpushtetshme në periudhën tranzitore dhe krijojnë struktura parashtetërore, të përbëra kryesisht nga sigurimet shtetërore por edhe ish-liderët e lartë e krerët e ndërmarrjeve shtetërore. Ata përdorin përvojën dhe ekspertizën e tyre duke futur në përdorim dosjet dhe informatat për palët e treta për t’i mposhtur kundërshtarët e tyre me shantazh.
 
Duke poseduar njohurinë për resurset e vendit, përfshirë ato të fshehura nga publiku gjatë diktaturës, dhe përdorimin e lidhjeve ndërkufitare me agjencitë e tjera, këta liderë të rrjeteve kriminale përdorin procesin e privatizimit të pronës publike për të akumuluar pasuri dhe për të diktuar tregun.
 
Gjithashtu, vendet në tranzicion preken edhe nga shpëlarja e parave që zakonisht bëhet përmes klaneve familjare dhe lidhjeve fisnore, apo lidhjeve të biznesit jashtë vendit përmes sistemeve të ndryshme bankare.
 
Brenda shteteve, këto struktura ndikojnë në ambientin politik duke përkrahur financiarisht dhe duke u dhënë mbrojtje liderëve të caktuar politikë dhe strukturave të tyre. Qëllimi i tyre është t’ju ndihmojnë politikanëve të fitojnë vota dhe pastaj të ushtrojnë ndikimin e tyre mbi ta, qoftë për favore gjatë procesit të privatizimit apo për dhurimin e tenderëve, sikur rindërtimin e rrugëve dhe licencave bankare.
 
Nën vulën e pluralizmit demokratik, këto grupe gjysmë formale kontrollojnë shumicën e aspekteve të jetës së qytetarëve. Ata kërkojnë të marrin nën kontroll mediat që të ndikojnë në opinionin publik, të instalojnë njerëzit e tyre të besueshëm në pozita të larta institucionale, hapin universitete private që të krijojnë gjeneratat e ardhshme të njerëzve të përkushtuar.
 
Periudha e tranzicionit në këto shtete nuk është shumë e ndryshme nga diktatura, por është e mbuluar me petkun e demokracisë. Pasojat imediate për shoqërinë janë stratifikimi i saj në klasë të pasur dhe të varfër, në llogari të klasës së mesme dhe pronarëve të biznese të vogla.
 
Në këto shtete, niveli i zhvillimit shënon rënie, ndërkaq konsumi shënon rritje. Kapaciteti i agjencive të rendit rritet. Investimet nga buxheti shtetëror rritet dhe i alokohet ndërtimit të infrastrukturës së shtrenjtë, përmes projekteve që u jepen atyre që kanë lidhje me njerëzit në pushtet. Në këto shtete, krijohen monopolet, që  e ndajnë shoqërinë në baze të regjioneve dhe strukturave të caktuara politike. Ndrydhja e kundërshtarëve politik dhe ekonomik vjen pastaj si pasojë e këtij zhvillimi.
 
Lidhjet pastaj zhvillohen me investitorë të huaj të cilët favorizohen në dhënien e tenderëve dhe që i nxjerrin paratë e fituara nga vendi.
 
Këto janë disa nga karakteristikat e ish shteteve socialiste në tranzicion. Sigurisht se i keni përjetuar episodet e ngjashme në vendet prej nga vini. Kapitali që dikur ishte thesar publik, tani akumulohet në duar të vetëm disa individëve.
 
Situata është edhe më e rëndë në shtetet që kanë përjetuar luftë për shkak se në këto vende strukturat që dalin në periudhën e pasluftës janë një miks i paramilitarëve, ushtrive dhe policisë që integrohen në jetën civile por vazhdojnë ta mbajnë strukturën e mëparshme.
 
Këto struktura e përdorin autoritetin dhe famën e tyre të fituar gjatë luftës për të marrë pozita të rëndësishme në institucione. Agresiviteti i këtyre organizatave është i tillë sa që ato nuk ndalojnë kur pozita e tyre dhe ndikimi rrezikohet.
 
Shoqëria dhe institucionet shtetërore duhet të pajisen me ligje dhe rendi duhet të respektohet në konfrontimin e këtyre dukurive të shëmtuara. Kjo është arma e vetme që e kemi në dispocizion për t’u siguruar që vlerat dhe normaliteti vendosen. Kjo është mënyra e vetme për të siguruar një ndjenjë dinjiteti dhe lirie.
 
Andaj, shumë duhet të investohet në adoptimin e legjislacionit të përpiktë dhe institucionet e rendi e ligjit që janë të gatshme të godasin krimin e organizuar. Rregulli tjetër thelbësor është që të ketë ndarje të saktë të pushtetit legjislative, ekzekutiv dhe gjyqësorit krahas sqarimit se nuk duhet pasur vija të kuqe dhe se askush nuk mund të jetë mbi ligjin.
 
Këto jo vetëm që janë parakushtet për luftimin e krimit të organizuar, por janë të rëndësishme për organizimin e shoqërisë.
 
Po ashtu, është e rëndësisë së veçantë të ndërtohen tri shtyllat kryesore: policia, prokuroria dhe gjyqet, ku duhet të zënë vend njerëz që janë të përkushtuar, të ndershëm dhe dinjitoz, që paguhen mirë dhe e kanë mbrojtjen ligjore.
 
Shumica e vendeve në tranzicion, përfshirë këtu edhe vendin tim, duhet t’i kushtojë vëmendje zbatimit të rendit e ligjit po aq sa i kushton vëmendje procesit të rindërtimit dhe çështjeve ekonomike. Kjo posaçërisht vlen kur bëhen fjalë për zhvillimin dhe ku kapitali i huaj është kërkuar për ta iniciuar ekonominë, por që nuk joshet për shkak të mungesës së rendit dhe ligjit dhe mbrojtjes së investimeve.
 
Një hap tjetër i rëndësishëm është adoptimi i ligjeve që drejtpërdrejt e parandalojnë dhe luftojnë krimin e organizuar, përfshirë edhe ligjin për konfiskimin e pasurisë. Ky ligj është një mënyrë se si mundet krimi i organizuar duke sulmuar frytet e tija, gjë që ndihmon në kthimin e besimit të qytetarëve në institucionet e tyre. Masa tjetër është ajo e mbrojtjes së dëshmitarëve.
 
Nga perspektiva e politikës, që respekton ndarjen e pushteteve dhe zbaton Kushtetutën, parimi kryesor është mbajtja e zgjedhjeve të lira dhe korrekte. Vetëm ata kandidatë politikë që kanë përkrahjen dhe votën e shumicës së njerëzve do të jenë në pozitë dhe do të kenë kurajën të vendosin rend dhe ligj e të prezantojnë një politikë me zero tolerancë për krimin e organizuar. Sistemi zgjedhor dhe mbikëqyrja parlamentare sigurojnë që qëllimet e politikanëve të kuantifikohen dhe që ata të mbahen përgjegjës nga votuesit për veprimet e tyre. Monitoruesit ndërkombëtarë janë faktor kyç në ofrimin e garancive për zgjedhje të lira dhe korrekte.
 
Të nderuar zonja dhe zotërinj,
 
Rrjetet kriminale që janë në shënjestrën tonë nuk janë të kufizuara nga sovraniteti; ato janë të lidhura nga interesi dhe nuk i njohin kufijtë tonë. Ato tashmë i tejkalojnë edhe dallimet etnike. Në fakt, në këtë kontekst, armiqtë politikë janë partnerë në krim.
 
Në rajon, ne gjejmë shqiptarë të Kosovës dhe serbë që bashkëpunojnë në rrjete kriminale sikur në rastin e kontrabandimit ilegal të njerëzve në Evropën Perëndimore.
 
Besoj se nuk më duhet t’ua përkujtoj që dy shtetet tona, Hungaria dhe Kosova, janë lidhur nga një tragjedi para dy vitesh, kur një barkë që barte njerëz fatkeq që donin të kalonin në Evropën Perëndimore, u përmbys në lumin e ftohtë të Tiszas. Pesëmbëdhjetë qytetarë të Kosovës, në mesin e tyre edhe fëmijë, u fundosën në ujërat e lumit atë natë.
 
Por, në përputhje me atë që avokoni këtu në ILEA, në mesin e kësaj tragjedie, hetuesit dhe gjykatësit në rajon dolën të përcaktuara të bashkëpunojnë për të parandaluar aktivitetet e këtyre grupeve kriminale dhe shfrytëzimin e vrimave politike e ligjore. Ata e filluan një hetim të madh dhe kompleks që përfshiu shumë vende dhe juridiksione për të siguruar dënimin për këtë grup kriminelësh.
 
Rajoni nxori dy mësime nga përvoja me këtë tragjedi: Krimi i organizuar është fenomen ndërkombëtar dhe ne na duhet një përgjigje ndërkombëtare për ta luftuar.
 
Asnjë vend nuk mund ta luftojë krimin e organizuar vetëm.
 
Andaj, në këtë kthesë, për të qenë më efikas në luftimin e krimit të organizuar dhe kërcënimeve ndërkombëtare, Kosova si shtet duhet të përfshihet në regjime ndërkombëtare dhe organizata rajonale që fokusohen në luftimin e këtyre kërcënimeve.
 
Deri më tani, për shkak të bllokadave të imponuara nga Serbia në organizatat rajonale ku nevojitet konsensusi për anëtarësim, Kosova është përjashtuar nga këto marrëdhënie të rëndësishme. Një veprim i tillë e ka lënë vendin tim në pozitë ku i kërkohet përgjegjësia për luftimin e krimit të organizuar, por qasja në informacion dhe veprime të përbashkëta nuk i jepet.
 
Megjithatë, institucionet e Kosovës kanë krijuar marrëdhënie të rëndësishme Vendet individuale në rajon dhe gjithandej në botë, të cilat e kanë njohur pavarësinë e Kosovës si shtet, t’i përgjigjen sfidave që paraqet krimi transnacional. Ne kemi dëshmuar çdo herë se jemi një partner i besueshëm
 
Në shumicën e rasteve ky bashkëpunim ka rezultuar me përshpejtimin e shkëmbimit të informative, ndihmë në vëzhgim dhe në parandalimin ose hetimin e suksesshëm të krimit të organizuar, që shumë herë çoi në shkatërrimin e këtyre rrjeteve kriminale.
 
Pas luftës Kosova ka mirëpritur misionet e ndryshme civile dhe ushtarake ndërkombëtare. Ato ishin të suksesshme në ndërtimin e shtetit, duke ndihmuar që Kosova të krijojë kapacitetet e saj përmes proceseve demokratike por gjithashtu edhe në krijimin e mekanizmave të sigurisë.
 
Policia e Kosovës është një shembull i mirë i kësaj përpjekjeje të përbashkët. Pjesëtarët e saj janë të shkolluar dhe të trajnuar me praktikat më të mira të SHBA-së dhe të Bashkimit Evropian. Një tjetër rrëfim i suksesshëm është Forca e Sigurisë së Kosovës, një organizatë civile e emergjencave që mund të jetë një bërthamë e ushtrisë së ardhshme të Kosovës, e trajnuar nga programet më të mira të NATO-s.
 
Këto institucione dhe ndihma ndërkombëtare kanë siguruar që Kosova nuk do të jetë burim dhe eksportues i krimit të organizuar. Për shkak të pozitës së saj gjeografike, në udhëkryqin ndërmjet Perëndimit dhe Lindjes, Kosova është identifikuar si rrugë tranziti i krimeve të ndryshme me të cilat përballemi sot: trafikimi me qenie njerëzore, tregtia me narkotikë, kontrabandimi i armëve dhe mallrave. Ngjashëm janë pak a shumë edhe të gjitha vendet e tjera të rajonit.
 
Rendi dhe ligji janë në qendër të përpjekjeve tona për të vendosur një shtet stabil dhe të kontribuojmë për stabilitetin dhe sigurinë e rajonit tonë.
 
Përparimi dhe qëllimet tona strategjike për t’iu bashkuar Bashkimit Evropian dhe NATO-s varen nga vendosja e suksesshme e rendit dhe ligjit.
 
Ashtu siç pati thënë edhe Presidenti amerikan Dëight Eisenhower me një rast: “Bota nuk ka më zgjedhje ndërmjet forcës dhe ligjit; nëse civilizimi do që të mbijetojë, ai duhet të zgjedhë sundimin e ligjit”.
 
Kosova ka zgjedhur sundimin e ligjit.

Ju faleminderit!

*****
 
Në ditën e tretë të vizitës në Budapest, Presidentja Atifete Jahjaga vizitoi Ambasadën e Republikës së Kosovës në Hungari, ku u prit nga ambasadorja Shkëndije Sherifi.
 
Po kështu, Presidentja Jahjaga zhvilloi një takim të gjatë dhe miqësor me ambasadoren e SHBA në Budapest, Eleni Tsakopoulos.
 
Pas përfundimit të takimeve në ditën e tretë të vizitës shtetërore në Republikën e Hungarisë, Presidentja Atifete Jahjaga u kthye sot në Prishtinë.