FJALIMI I PRESIDENTES SË REPUBLIKËS SË KOSOVËS NË PROCESIN E BRDO BRIJUNIT NË BUDVË

Sot po takohemi në një kthesë të rëndësishme dhe po aq sfiduese për shtetet tona dhe për rajonin e Evropës Juglindore si tërësi. Përparimi që vendet tona kanë shënuar në konsolidimin e tyre demokratik në vitet e fundit është i pamohueshëm dhe tashmë është bërë i prekshëm përmes thellimit të praktikave që e bëjnë një demokraci funksionale.

Të respektuar Presidentë të rajonit,

Të nderuar kolegë,

Sot po takohemi në një kthesë të rëndësishme dhe po aq sfiduese për shtetet tona dhe për rajonin e Evropës Juglindore si tërësi. Përparimi që vendet tona kanë shënuar në konsolidimin e tyre demokratik në vitet e fundit është i pamohueshëm dhe tashmë është bërë i prekshëm përmes thellimit të praktikave që e bëjnë një demokraci funksionale.

Në të njëjtën kohë, ne akoma vazhdojmë të mbesim peng i mosrealizimit të plotë të reformave që na janë vënë përpara si kushte, plotësimi i të cilave do të aftësonte vendet tona për të qenë kandidate të denja për anëtarësim në Bashkimin Evropian, dhe do të transformonte rajonin dhe shtetet tona të veçanta në vende atraktive të investimit të huaj.

Derisa një pjesë e këtyre reformave janë plotësisht çështje e brendshme e shteteve tona dhe institucioneve që drejtojnë ato, një pjesë e tyre varet nga vullneti ynë për të bashkëpunuar në mënyrë pragmatike për të çuar përpara rajonin në përgjithësi dhe shtetet tona në veçanti.

Konsensusi dhe përcaktimi ynë i përbashkët për t’u bërë pjesë e Bashkimit Evropian nuk mund të mbetet vetëm deklarativ. Ky orientim ngërthen edhe përgjegjësi, veçmas të tilla që kërkojnë përmbajtje nga retorika dhe idetë që e ka stagnuar dhe izoluar këtë rajon për tri dekadat e fundit. Unë, si Presidentja e shtetit më të ri në rajon, dua të besoj fuqimisht që ky përcaktimi strategjik është i paalternativë dhe që nuk do të devijojmë nga ky cak për shkak të politikave të së kaluarës dhe agjendave ideologjike dhe ditore.

Është e qartë që realiteti që na rrethon shpesh nuk është i lehtë. Ngjarjet e këtij viti në rajon dëshmojnë një domosdoshmëri për bashkëpunim ndërshtetëror, sidomos në aspektin ekonomik dhe fushën e sigurisë, dy dimensionet më të theksuara të varshmërisë tonë me njëri-tjetrin.

Në aspektin ekonomik, padyshim në bashkëpunimin ndërshtetëror ne kemi shënuar një ringjallje. Takimet tona të rregullta dhe të shpeshta i kanë kontribuar një klime më të favorshme investive dhe në veçanti harmonizimit të politikave infrastrukturore dhe atyre të energjisë me Bashkimin Evropian. Duke ju falënderuar forumeve si ky i Brdos, i konkretizuar me Nismën e Berlinit në takimet mes qeverive tona, ku kemi mundur të shtojmë zërin dhe t’i elaborojmë nevojat e qytetarëve tanë për një ndërlidhje që do të përmirësonte kualitetin e jetës së tyre, ne jemi në rrugë të mirë për t’u bërë pjesë e pandashme e hartave të Bashkimit Evropian në këto dy fusha ky[e. Kjo ndërlidhje ekonomike që po mëtojmë ta arrijmë në Ballkan është provuar me sukses duke i dhënë pjesës më të madhe të Evropës paqen dhe prosperitetin më të gjatë në historinë e vet. Është një kontekst i tërë i rëndësishëm që nuk duhet ta lëmë anash.

Në aspektin e sigurisë, shtetet tona fatkeqësisht nuk kanë mbetur të paprekura nga kërcënimet globale të terrorit, në veçanti nga ekstremizmi i dhunshëm. Dua të përshëndes dialogun e nisur nga disa nga shtetet tona për t’i dhënë përgjigje të përbashkët këtij rreziku që kanosë stabilitetin e secilit shtet, por poashtu dua të shtoj se si prioritet që është kësaj sfide duhet dhënë përgjigjen adekuate dhe të përbashkët e cila mund të bëhet vetëm me bashkëpunim dhe bashkëveprim. Në Kosovë ne po ballafaqohemi me këtë problem dhe vlerësoj se kemi vendosur një shembull të mirë për rajonin, duke dhënë kontribut konkret në luftimin e këtij kërcënimi dhe mbrojtur imazhin e rajonit të përkushtuar që të kontribuojë në sigurinë e të gjithëve.

Të nderuar Presidentë,

Dua të rikthehem te përkushtimi ynë për vizionin evropian dhe euroatlantik. Një pjesë e konsiderueshme e sfidave tona dhe pengesë serioze e përparimit tonë të mëtejshëm sot janë rezultat i mospërmbushjes së kushteve të përcaktuara nga Bashkimi Evropian për t’u bërë apo për t’u konsideruar si kandidat për anëtarësim i këtij unioni. 

E them me plot bindje që ky synim ka bërë të paimagjinueshmen sot në Ballkan. Më lejoni të përmend dialogu mes Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë si njëri ndër shembujt e këtij angazhimi transformativ të BE-së. Dy shtetet tona, me ndërmjetësimin e BE-së, kanë arritur një numër të konsiderueshëm marrëveshjesh duke ndihmuar në normalizimin e marrëdhënieve të ndërlikuara mes tyre, dhe Republika e Kosovës mbetet e përkushtuar në këtë proces si mënyrën më të mirë për të siguruar paqe dhe stabilitet afatgjatë në Evropën juglindore.

Por, ky normalizim nuk do të jetë i plotë e as i mundshëm pa zbatimin e tyre.

Ne, individualisht si shtete, por edhe si rajon, kemi nevojë për një prani të fuqishme të Bashkimit Evropian, sidomos tani kur konkurrenca në rajon nga qarqe që nuk janë admirues të përparimit tonë shoqëror dhe demokratik, po rritet. Ne na duhen investime evropiane, na duhet komunikim kulturor që na riorienton të gjithëve bashkarisht drejt vlerave dhe idealeve që i ndajmë dhe që i bënë ato të prekshme.

Në këtë debat nuk mund të ketë “ne” dhe “ata” sepse një ndasi e tillë është krejtësisht joproduktive dhe i shkon përshtati të gjithë atyre që e shohin dëshpërimin dhe shqetësimin e qytetarëve tanë si mundësi për të shkaktuar çarje të pariparueshme që do ta kthenin rajonin mbrapa.

Shteti im nuk kërkon rrugë të shkurtë, por ne duam rrugë. Dhe ju inkurajoj të gjithëve përreth tavolinës – shteteve të BE-së dhe shteteve fqinje - që këtë moment ta shohim si mundësi për t’i avancuar agjendat tona të veçanta evropiane.

Ju falemnderit!