Fjalimi i Presidentes Jahjaga para pjesëtarëve të Njësisë Speciale të Policisë Kosovës

Presidentja e Republikës së Kosovës, zonja Atifete Jahjaga, e shoqëruar nga kryeministri Hashim Thaçi, vizitoi sot kampin e Njësisë Speciale të Policisë Kosovës, në afërsi të Aeroportit Ndërkombëtar “Adem Jashari” në Prishtinë.

Me këtë rast, Presidentja Jahjaga mbajti një fjalim, të cilin po e sjellim në vijim:

Të nderuar pjesëtarë të Policisë së Republikës së Kosovës,

Erdhëm këtu sot t’ju vizitojmë së bashku me Kryeministrin e Republikës së Kosovës, t’ju shprehim përkrahjen dhe mbështetjen për punën Tuaj në shërbim të shtetit, në mbrojtje të rendit dhe të ligjit, në ruajtjen e tërësisë territoriale të Republikës së Kosovës, të sovranitetit dhe të subjektivitetit të saj, si dhe në angazhimin për të mirën e të gjithë qytetarëve të vendit tonë pa dallim.

Puna juaj tash në kohën e shtetndërtimit dhe të funksionimit të institucioneve demokratike është e një rëndësie të veçantë sidomos kur e kemi një lloj mbikëqyrjeje të lehtë ndërkombëtare dhe kur ende nuk i kemi Forcat e Armatosura të Kosovës dhe kur ende nuk jemi vend anëtar i NATO-s dhe pjesë e një sistemi të sigurisë kolektive ndërkombëtare. Në reformat e vendeve bashkëkohore, Ju e dini se ruajtja dhe mbikëqyrja e kufirit është punë ekskluzive e Policisë dhe së bashku me doganat dhe strukturën tjetër përkatëse ne si vend e bëjmë menaxhimin e integruar të kufirit që është një nga parakushtet e përcaktimit të qartë të rrugës sonë në procesin e integrimeve evropiane.

Të nderuar pjesëtarë të policisë së Kosovës,

Këto ditë ju ishit nderi i të gjithë vendit. Ju ngjallët respektin e të gjithë qytetarëve të Kosovës me aksionin që e kryet sipas vendimit të Qeverisë së Republikës së Kosovës për të kontrolluar kufirin ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë përkatësisht marrjen nën kontroll të plotë të pikave kufitare doganore 1 dhe 31. Këtë detyrë e kryet me sukses dhe mundësuat që për të parën herë në dymbëdhjetë vjetët e lirisë së Kosovës, ne si shtet të kontrollojmë të gjithë territorin dhe të zbatojmë ingerencat e shtetit në të gjitha pjesët e vendit tonë.

Në këtë aksion në krye të detyrës ra një polic, koleg i Juaji, të cilin unë Presidentja e vendit e shpalla Hero të Kosovës, për veprën e sakrificës dhe të heroizmit që e bëri. Ne institucionet e Republikës së Kosovës do të bëjmë kallëzimin penal dhe kriminelët për këtë vepër do të marrin dënimin e merituar.

Republika e Kosovës është më e vendosur se kurrë dhe në këtë e ka edhe përkrahjen e miqve ndërkombëtarë, që në të gjithë territorin e saj ta zbatojë rendin dhe ligjin dhe që njëherë e përgjithmonë të luftojë krimin e organizuar dhe të ndalë kontrabandën. Ky është edhe një kusht për procesin e integrimeve në Bashkimin Evropian dhe kjo është në të mirën e të gjithë qytetarëve dhe në të mirën edhe të Republikës së Kosovës edhe të Republikës së Serbisë si dy vende demokratike që e respektojnë paqen dhe stabilitetin e rajonit.

Policia e Kosovës do të modernizohet në strukturë, në profilizim dhe me të gjitha mjetet e nevojshme që të zbatojë rendin dhe ligjin dhe ne erdhëm me kryeministrin që ta shprehim këtë përkushtim.

E dini se kontrolli i kufijve është e drejtë sovrane e Republikës së Kosovës dhe ne këtë të drejtë do ta zbatojmë vendosmërisht. Për këtë nuk bisedohet me askënd por bëhet bashkëpunimi. Në këtë mandat e shoh edhe misionin e KFOR-it dhe të EULEX-it në Kosovë në ruajtjen e paqes dhe të stabilitetit dhe në zbatimin e rendit dhe të ligjit të Republikës së Kosovës, vendit në të cilin shërbejnë me mandate këto misione.