Fjalimi i Presidentes Jahjaga në tubimin përkujtimor në Krushë të Vogël

Presidentja e Republikës së Kosovës, zonja Atifete Jahjaga mori pjesë sot në tubimin përkujtimor në përvjetorin e masakrës së forcave serbe ndaj banorëve të fshatit Krushë të Vogël, në vitin 1999.

Presidentja Jahjaga gjithashtu bëri homazhe para varreve të viktimave të masakrës në këtë fshat, ndërsa më pas ajo foli para të pranishmëve të shumtë në tubimin përkujtimor.

Në vijimi fjalimi i Presidentes Jahjaga:

Të nderuar përfaqësues të institucioneve të Republikës së Kosovës të nivelit qendror dhe lokal,
Të nderuar veteranë dhe invalidë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës,
Të nderuara familje të dëshmorëve,
Të nderuar qytetarë,
Të nderuar Krushjanë,

Në ditët si kjo sot, ne ndiejmë dhimbje dhe pikëllim sepse mblidhemi së bashku për të kujtuar më të dashurit tonë që u vranë dhe u masakruan nga dora gjakatare. I kujtojmë me dhimbje të pashuar fëmijët, bijtë dhe bijat, vëllezërit, motrat, nënat, baballarët dhe të afërmit tanë, që sot nuk janë me ne. Një numër i këtyre dëshmorëve ende nuk e kanë një varrë ku të prehen, një vend ku vijmë dhe i nderojmë në ditët tona të dhimbjes.

Masakra e Krushës tash e katërmbëdhjetë vjet përpara, e tronditi gjithë atdheun. Është një nga masakrat më të turpshme e kryer mbi popullsinë civile, ndër masakrat dhe vrasjet masive që u bënë prej paramilitarëve dhe policisë dhe ushtrisë okupuese serbe anekënd Kosovës.

Të nderuar Krushjanë,

Sakrifica e bijve dhe bijave më të shtrenjta të popullit tonë që ranë për lirinë e atdheut është e shenjtë dhe do të kujtohet gjithmonë si një dëshmi se liria dhe pavarësia nuk u fituan lehtë.

Duke e pasur gjithmonë këtë në mendje, ne sot duhet të marrim forcë, të jemi më të organizuar, më të përkushtuar, duke kapërcyer çdo vështirësi, duke e bërë vendin tonë, duke e bërë Republikën e Kosovës një shtet demokratik e të përparuar, një vend të zhvilluar, një vend që u krijon mundësi të gjithë qytetarëve për punë, për shkollim, për një jetë më të mirë, për neve që sot jetojmë dhe që i kemi të freskëta vuajtjet dhe traumat e luftës dhe për gjeneratat që do të vijnë, që të jetojnë të lirë të barabartë dhe të dinjitetshëm duke qenë Kosova vend i Bashkimit Evropian dhe duke pasur një miqësi të përjetshme me shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Të nderuar qytetarë,

Rruga jonë drejt lirisë, pavarësisë e demokracisë ishte një rrugë e drejtë, ishte një përkushtim dhe një angazhim i të gjithë popullit, me dije, me organizim dhe me luftë të armatosur. Në realizimin e këtij ideali tonin për të cilin u shkrin shumë veprimtarë e intelektualë çfarë është profesori i nderuar Ukshin Hoti, ne nuk ishim vetëm.

Si asnjëherë gjatë historisë sonë shekullore, ne patëm dhe kemi ndihmën e sinqertë dhe të plotë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, të vendeve të Bashkimit Evropian dhe të Aleancës ushtarake veri-atlantike ushtarake të NATO-s.

Ne si popull dhe si shtet ndjejmë falënderim për këtë ndihmë dhe zotohemi se do të punojmë me nder, do të punojmë pa kursyer asgjë nga vetja për të nderuar kujtimin e të gjithë të rënëve, për të realizuar idealin e tyre të lirisë, për të treguar se sakrifica e tyre u bë për atdheun.

Me punën, rezultatet dhe sukseset tona, në të gjitha fushat, të dëshmojmë se e kemi merituar ndihmën ndërkombëtare të miqve tanë.

Të nderuar bashkëqytetarë të Krushës,

Në këto çaste të dhimbjes dhe pikëllimit duhet të mbledhim forcën dhe të jemi krenarë për historinë tonë, të jemi të fortë përpara veprës dhe sakrificës të ma të dashurve tanë, dhe të ecim kryelartë përpara, sepse lirinë askush nuk na e fali. Në themelet e saj janë dëshmorët dhe në këto troje më kurrë nuk do të shkelë këmbë e okupatorit.

Të nderuar Krushjanë,

E kam thënë se ne asnjëherë nuk do të ndalemi përderisa të gjithë kriminelët t?i sjellim përpara drejtësisë, sepse vetëm në këtë mënyrë sigurojmë se krimi nuk do të mbetet i pandëshkuar dhe vetëm në këtë mënyrë parandalojmë që krimet e tilla të mos i ndodhin më asnjë populli dhe asnjë vendi. Ky është përkushtim i përhershëm i organeve tona të drejtësisë. Dhe ne sot jemi krenarë se Republikën e Kosovës po e ndërtojmë si faktor paqeje dhe stabiliteti, po e ndërtojmë si shtet qytetar, në të cilin të gjithë njerëzit i gëzojnë liritë dhe të drejtat e barabarta, pa marrë parasysh numrin dhe përkatësinë kombëtare dhe fetare.

Vlerat e shoqërisë tonë janë vlera të civilizimit evropian dhe ne ecim përpara duke mbledhur forcën në kujtimin e dëshmorëve, në flijimin e më të dashurve tanë.

Nderim i përjetshëm për të gjithë Dëshmorët.