Fjalimi i Presidentes Jahjaga në takimin me Rrjetin e Grupeve të Grave të Kosovës dhe lobin për barazi gjinore

Veçanërisht u emocionova që sot i kemi edhe nënat e dëshmorëve këtu. Ju faleminderit veçanërisht ju që keni ardhë sot këtu.

Përshëndetje të gjithave,
 
Juve të dashura motra, mike,
 
Veçanërisht u emocionova që sot i kemi edhe nënat e dëshmorëve këtu. Ju faleminderit veçanërisht ju që keni ardhë sot këtu.
 
Është një kënaqësi e madhe që jam sot këtu së bashku me ju, që këtë paradite ta kalojmë së bashku me juve mike të mia të dashura. Por fillimisht dëshiroj të falënderoj Safeten, për një poezi jashtëzakonisht të mirë që ka mesazh të jashtëzakonshëm, që secila prej nesh e sheh vetën në secilin varg të kësaj poezie, në periudha të ndryshme të historisë sonë në periudha të ndryshme të cilat ne kemi kaluar edhe si individ, por edhe si shoqëri.
 
Para se të fillojmë bashkëbisedimin tonë, dua të shpreh një përgëzim dhe falënderim të veçantë për Igballe Rogovën Igon, për punë e saj, për përkushtimin e saj  që me pasionin e saj jo vetëm që është shembull inspirimi, duke qenë një aktiviste e fuqishme e të drejtave dhe lirive të njeriut, një ndër aktivistet më të flakta e cila  ka thyer shumë barriera në shoqërinë tonë dhe ka qenë një zë i fuqishëm i grave për vendin tonë, për të gjitha komunat tona. Igo të falënderoj për gjithë punën dhe përkushtimin tënd për këto vite me radhë dhe dua ta them se kemi ende punë së bashku për të bërë.
 
Mike të dashura,
 
Rrejti i grupeve të grave të Kosovës ka qenë gjithmonë një partner i rëndësishëm i imi, në të gjitha funksionet e mia të cilat i kam pas deri më tash. Kjo përkrahje dhe ky partneritet i fuqishëm që ka qenë në mes të Rrjetit të Grave dhe mes meje dhe zyrës sime, ka pas vetëm një qëllim të vetëm, për realizimin e projekteve, koncepteve dhe ideve  të caktuara të cilat kanë pasur vetëm një qëllim, atë për avancimin dhe fuqizimin e rolit të gruas në shoqërinë tonë.
 
Është e vërtet nuk ndodh shpesh herë që të kemi një raport të mirë në mes të institucioneve dhe organizatave të shoqërisë civile, por ne e kemi dëshmuar të kundërtën në mes të Zyrës së Presidentit dhe në mes të Rrjetit të Grupeve të Grave, sepse në radhë të parë jemi gra, dhe ne nganjëherë dalim përtej atyre vijave tona,  dhe së dyti besojmë në fuqinë, potencialin dhe kapacitetin që ka gjithsecila prej nesh dhe gjithsecila grua në shoqërinë tonë dhe atë e orientojmë në të mirën e vendit tonë, në të mirën e shtetit tonë.
 
Ju përgëzoj ju mike të reja të lobit për barazi gjinore, vlerësoj që kjo është një iniciativë shumë e qëlluar. Tashmë kam dëgjuar shumë fjalë të mira mbi platformën tuaj dhe dua t’ju mundësoj dhe t’ju përgëzoj për të gjithë punën që ju e keni bërë deri më tani e cila ka vetëm një qëllim, që të rrisni bashkëpunimin mes veti, të mësoni nga njëra-tjetra, të mbështesni njëra-tjetrën dhe të fuqizoni lëvizjen për avancimin e vajzave dhe grave si në nivelin lokal ashtu edhe në atë qendror.
 
Secila prej jush është shembuj inspirimi për vajzat e reja, tek ju ato gjejnë forcën dhe kurajon për të ndjekur ëndrrat e tyre, për të kërkuar të gjithë ato të drejta që ato i kanë, por të cilat ndoshta nuk kanë mund që t’i realizojnë ashtu siç është dashur deri më tani dhe në ju ka në një shembull të mirë të cilat ato e shohin.
 
Ne e dimë shumë mirë se vetëm duke punuar së bashku mund të arrijmë ndryshimet të cilat aq shumë i dëshirojmë, e dimë shumë mirë që kemi ende shumë për të bërë, ende përfaqësimi i grave nuk është në nivel të kënaqshëm si në nivelin qendror ashtu edhe në atë lokal.
 
Ju e dini se ne kemi shumë gra të suksesshme dhe kemi shumë gra të fuqishme si në politikë nga niveli qendror në atë lokal. Po ashtu kemi gra të suksesshme në biznes, media, gra të fuqishme asambleiste siç jeni ju në nivelin lokal. Po ashtu kemi gra të fuqishme udhëheqëse të fuqishme të organizatave të shumta joqeveritare, por kemi ende goxha shumë punë për të bërë për të arritur aty ku neve dëshirojmë, edhe aty ku kanë arritur edhe vendet e tjera që tanimë kanë arritur zenitin e demokracisë.

Problematikat me të cilat përballemi janë të shumta, por unë dua të fokusohemi në disa prej tyre.
 
Ju e dini që për këto katër vite sa unë jam Presidente e vendit, në çdo detyrë dhe funksion timin, unë kam pasur një qëllim kryesor, në avancimin e rolit të gruas në shoqërinë tonë.
 
Në vitin 2012, ju e dini se unë kam organizuar Samitin Ndërkombëtar të Gruas, për herë të parë në Kosovë, por për herë të parë edhe në këtë pjesë të Evropës juglindore ku kanë marrë pjesë më shumë se 100 vende të shumta të botës dhe nga ky Samit janë nxjerrë një numër i konsiderueshëm i parimeve të cilat për këto dy vite e gjysmë me radhë pas përfundimit të Samitit, janë shkrirë në ligje, udhëzime të caktuara dhe rregullore të punës, duke përfshirë edhe rezolutën e Kuvendit të Kosovës që deri në vitin 2050 të kyçen 50 për qind të grave në shërbimin civil sepse shoqëria jonë përbën mbi 50 për qind dhe ne kërkojmë një trajtim të barabartë të gjysmës së shoqërisë sonë.
 
Dy çështje që dua t’i adresoj me ju sot që ne ende ballafaqohemi me një problem të tillë. E para është shkollimi i vajzave, e dyta është qasja në pronë dhe trashëgimi. Shkollimi është çelësi për të thyer barrierat, për të ngritur zërin, për të kërkuar të drejtat dhe ne duhet të luftojmë pareshtur që vajzat tona të mos ndalojnë shkollimin.
 
Ju e dini shumë mirë, që Kosova, vendi ynë, komunat tona, ende në statistika janë në përqindjen më të lartë, jo vetëm në rajon, por edhe më gjerë për analfabetizmin e vajzave, dhe këtë ne nuk duhet ta lejojmë. Unë kërkoj nga ju, në nivelin lokal dhe në atë qendror, të jeni zëri im i fuqishëm, të jeni zëri i njëra-tjetrës që vajzave t’u ipet e drejta në shkollim, sepse investimi në to nuk është vetëm investim në individ, por është në të ardhmen e shtetit tonë.
 
Qasja në pronësi dhe në trashëgimi është një çështje sfiduese për shoqërinë tonë edhe është një çështje me prioritet, pasi gratë dhe vajzat duhet të kenë pavarësinë e tyre ekonomike. E dimë që pavarësia ekonomike është një faktor shumë i rëndësishëm që mirëqenien e familjes, në trajtimin e gruas brenda familjes dhe kjo është e ndërlidhur drejtpërdrejt në pavarësinë e gruas dhe në qëndrueshmërinë e saj ekonomike, dhe për këtë ne duhet të kemi një fokus të veçantë.
 
Më keni dëgjuar ta them shpesh herë duke thënë se të investosh në grua, nuk është vetëm të investosh në individ, por shkon një në tre. Të investosh në grua, është të investosh në fëmijë, në familje, në shoqëri dhe pastaj është investimi më i mirë, në shtet dhe në të ardhmen e vendit tonë.
 
Unë shoh te ju gra të fuqishme cilat do të kontribuoni në komunitetin tuaj, për të fuqizuar gra të tjera dhe sidomos vajzat, duke ju dëshmuar atyre që me punë, me besim, me përkushtim, barrierat kalohen. Sfidat kanë për të qenë gjithmonë, sfidat janë për të gjithë ne, në çdo nivel, në çdo fushë të jetës, pasi vazhdojmë të përballemi me mentalitet patriarkal dhe me paragjykime gjinore. Por duhet t’i inkurajoni ato të mos tërhiqen sepse nuk ka sfidë për të cilën ne e kemi dëshmuar veten që nuk do t’ia dalim ballë dhe vetëm në qoftë se jemi bashkë dhe e përkrahim njëra-tjetrën, neve do të tejkalojmë të gjitha barrierat dhe të gjitha sfidat të cilat dalin para nesh.
 
Një temë e cila na bashkuar sot është trajtimi i një çështjeje shumë të ndjeshme për shoqërinë tonë të pasluftës, që ka qenë një temë tabu dhe një temë që qëllimisht është mbajtur si një kapitull i mbyllur, i dhimbshëm, i motrave tona, i nënave tona, i vajzave tona, për plotë 16 vite pas përfundimit të luftës, padrejtësisht është mbajtur kjo, e që ka të bëjë për të mbijetuarit e dhunës seksuale gjatë luftës. Ju më keni dëgjuar shumë shpesh duke thënë që faji nuk është mbi to, faji është mbi ata të cilët e kanë kryer këtë krim makabër dhe neve vetëm me punë të përbashkët mes veti, duke përkrahur njëra-tjetrën ne do ta shmangim fajin nga to. Ne do ta tërheqim stigmën nga shoqëria jonë, duke e vendosur nga ata, të cilët e kanë kryer këtë krim makabër, dhe ato kërkojnë vetëm një çështje, ato kërkojnë drejtësi dhe neve duhet t’ua japim këtë drejtësi përbrenda shoqërisë sonë, por edhe jashtë vendit tonë duke e ndërkombëtarizuar këtë çështje.
 
Igo dhe ju të gjitha anëtarët e Rrjetit të Grupeve të Grave, keni ofruar një mbështetje të jashtëzakonshme dhe të pakursyer për këtë pjesë të shoqërisë sonë dhe keni bërë përpjekje të pareshtura që zëri i tyre të dëgjohet dhe drejtësia për to të shkoj në vendin e duhur.

Rrugëtimi për rehabilitimin e të mbijetuarve nuk ka qenë i lehtë, ka qenë edhe i vonuar. Por vitin e kaluar ne kemi bërë një hap të jashtëzakonshëm.  Tashmë ne kemi një mekanizëm institucional, një mekanizëm të munguar për plotë 15 vite me radhë, Këshillin kombëtar për të mbijetuarit e dhunës seksuale gjatë luftës, ku ju si Rrjet jeni anëtar aktiv të tij, që në instancat e para të themelimit të tij, i dedikuar plotësisht për të ofruar njohjen ligjore, rehabilitimin psiko-social, qasjen në shëndetësi, qasjen në drejtësi dhe ngritjen e vetëdijes në shoqërinë tonë. Dua që në emrin tuaj dhe tonën të falënderoj Lobin për një punë të jashtëzakonshme për këto 16 vite me radhë për këto gra, duke qenë zëri i vetëm për këto vite me radhë dhe tanimë të institucionalizuar.
 
Në një vit, siç e dini, kemi arritur të bëjmë shumë së bashku, dhe këto të arritura pa dyshim që na shtyjnë të besojmë se duke punuar së bashku do të arrijmë t’ju ofrojmë atyre trajtimin dinjitoz ashtu siç e meritojnë ato dhe jo ashtu siç janë trajtuar deri më tani.
 
Sensibilizimi i shoqërisë sonë mbi këtë krim lufte vazhdon të mbetet thelbësor për të gjitha proceset të cilat ne duam të shtyjmë përpara duke filluar nga implementimi i ligjit, të qasja në drejtësi, të trajtimi i komunitetit, por mbi të gjitha atyre u nevojitet paqja shpirtërore dhe atë ua ofron drejtësia dhe mos-stigmatizimi i shoqërisë sonë.
 
E di që secila prej jush ka sjell sot me vete fustane apo funde për të kontribuar në instalacionin artistik “mendoj për ty”, të artistes Alketa Xhafa Mripa, që jo vetëm kjo artiste, por edhe shumë të tjera, përmes veprave të tyre, përmes iniciativave të tyre, janë munduar që të ngrisin vetëdijen tek shoqëria jonë lidhur me atë çfarë kanë kaluar një pjesë e madhe e shoqërisë sonë, sepse nuk kemi të bëjmë me një numër të vogël, por kemi të bëjmë me 20 mijë gra, kemi të bëjmë me 20 mijë motra, nëna dhe vajza tona të cilat zëri i tyre ka qenë i heshtur për këto vite me radhë. Ju më keni dëgjuar shpesh duke thënë se nuk jemi NE dhe ATO, jemi NE dhe jemi NJË!.
 
Krejt në fund, dëshiroj të ju falënderoj gjithsecilës prej jush për punën tuaj, për angazhimin tuaj dhe për  përkushtimin tuaj dhe për pasionin tuaj që e bëni në çdo detyrë dhe çdo funksion tuaj. Në mua nuk e keni vetëm një President të vendit, mos e shihni vetëm si një përfaqësuese e një institucioni, por më keni një ndër miket më të fuqishme tuajën, më keni një lobiste të fuqishme të rolit dhe pozitës së gruas,  por tek unë keni edhe aleatin e fuqishëm të fuqizimit të rolit tonë të përbashkët, jo vetëm në Kosovë, por edhe në mbarë botën.
 
Ju faleminderit!