Fjalimi i Presidentes Jahjaga në takimin e tetë të Këshillit Kombëtar për Integrim Evropian

Ju dëshiroj mirëseardhje në takimin e tetë dhe në takimin e parë të këtij viti të Këshillit Kombëtar për Integrim Evropian.

Të nderuar udhëheqës të institucioneve të Republikës së Kosovës,
Të nderuar udhëheqës dhe përfaqësues të partive politike,
Të nderuar ambasadorë të vendeve anëtare të Bashkimit Evropian,
Të nderuar përfaqësues të shoqërisë civile,
Të nderuar qytetarë të Republikës së Kosovës,

Ju dëshiroj mirëseardhje në takimin e tetë dhe në takimin e parë të këtij viti të Këshillit Kombëtar për Integrim Evropian.

Që nga takimi i fundit i këtij Këshilli, Kosova ka mbajtur zgjedhje të përgjithshme, dhe pas disa muajsh paqartësish politike dhe ligjore, tashmë kemi të konstituuara institucionet, gjë që i mundëson këtij Këshilli që, pa vonesë, të vazhdojë ndërtimin e konsensusit shoqëror për integrimet evropiane. Më lejoni që njëherit t’i dëshiroj mirëseardhje gjithashtu edhe anëtarëve të rinj të këtij Këshilli.

Pa humbur kohë, dua të kaloj në njërën prej çështjeve më urgjente me të cilën po sfidohemi sot si institucione dhe shoqëri, çështjen e migrimit ilegal.

E kam ftuar këtë takim të Këshillit për të gjetur përgjigjet adekuate nga instancat e mandatuara për t’u përballur me këtë dukuri. Është përgjegjësia jonë që të kemi pasqyrë më të qartë se për çfarë bëhet fjalë saktësisht.

Prioritet i institucioneve të Kosovës mbetet thellimi i reformave të parapara në agjendën tonë evropiane. Ne duhet ta kompensojmë kohën e humbur për t’i realizuar synimet që do të mundësojnë nënshkrimin e Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit dhe përmbushjen e kushteve për liberalizimin e vizave.

Në takimin e këtij Këshilli mirëpresim kontributin e Ministrit për Integrim Evropian, Bekim Çollakut, Ministrit për Punë të Brendshme, Skënder Hysenit, Drejtorit të Policisë, Shpend Maxhunit, perspektivën e përfaqësuesit të Bashkimit Evropian, Samuel Zhbogar dhe përfaqësuesit e shteteve anëtare të Bashkimit Evropian të pranishëm në Kosovë.

Gjithashtu, në përputhje me misionin e Këshillit për të ndërtuar konsensus të gjerë, unë ftoj për diskutim përfaqësuesit e spektrit politik, në veçanti opozitës, dhe të shoqërisë civile, si kontribuuese e pazëvendësueshme e këtij diskutimi.
Të nderuar anëtarë të Këshillit,
Zonja dhe Zotërinj,

Trendet e migrimit ilegal janë shqetësuese dhe ne duhet të ndërmarrim hapa të menjëhershëm për të adresuar faktorët shtytës.

Është e qartë që ato janë probleme që shtrihen në dy kategori – mungesës së hovshme të zhvillimit ekonomik, që lidhet me nivelin e papunësisë dhe varfërisë në Kosovë, dhe rrjeteve kriminale, që po shfrytëzojnë këtë pakënaqësi ekonomike për të përfituar nga qytetarët tanë.

Javën e kaluar, me shumë pikëllim, kam vizituar familjen e Ali Fetahut, qytetarit të Kosovës që ishte gjetur i ngrirë në kufirin hungarez, derisa po synonte rrugën e migrimit. Cilat do qofshin rrethanat e migrimit, një gjë mbetet e pakontestuar: Kjo nuk duhet të jetë Kosova e vitit 2015, sepse të gjithë ne, qytetarët e saj, ndajmë vizion tjetër për shtetin tonë dhe vendin tonë në këtë shtet.

Rastet si ky dëshmojnë nevojën që të bëjmë çdo gjë që është e mundur për të parandaluar migrimin ilegal.

Pres nga kryesuesit e institucioneve që në këtë takim të diskutojmë konkretisht se si mund të arrijmë një bashkërendim ndërinstitucional, qoftë edhe përmes takimeve më të shpeshta të këtij këshilli në nivel qendror apo teknik, për t’u siguruar se do t’i përmbushim përgjegjësitë që na u kanë besuar.

Ne duhet të përforcojmë përpjekjet tona për të fuqizuar arritjet e deritanishme në dialogun e liberalizimit të vizave. Unë jam e bindur që përmbushja e këtyre kritereve jo vetëm që do të mundësojë lëvizjen e lirë të qytetarëve të Kosovës, por do të përmirësojë efikasitetin e sistemit të cilin e kemi ndërtuar që një dekadë e gjysmë.

Si institucione të Kosovës, e kemi për obligim që të ndërmarrim reforma të thella dhe të shpejta në fushën e sundimit të ligjit, si parakusht për tërheqjen e kapitalit të huaj dhe zhvillimin e përgjithshëm të ekonomisë së tregut të lirë. Pavarësisht potencialit që ne e dimë që Kosova mban, nuk ka investitor që do të bindet të vijë në Kosovën e tensionuar politikisht, të ndarë etnikisht dhe të sfiduar nga mungesa e efikasitetit të sistemit të drejtësisë.

Përgjigja jonë kërkon edhe një bashkërendim më efektiv në mes të mekanizmave të sigurisë, fushatave vetëdijesuese që do t’i informojnë qytetarët se kërkesat për azil nga Kosova nuk pranohen, dhe se numri në rritje i këtyre kërkesave në Bashkimin Evropian e vështirëson vendimin e vendeve anëtare të BE-së për të miratuar liberalizimin e vizave për Kosovën. Nuk besoj që ka qytetar të Kosovës që sot me vetëdije e dëmton këtë synim.

Ju faleminderit!