Fjalimi i Presidentes Jahjaga në Takimin e Katërt të kryetarëve të shteteve të Ballkanit Perëndimor në Budvë

E shpreh kënaqësinë që ne Presidentet e vendeve të rajonit po e mbajmë takimin e katërt dhe po e vazhdojmë këtë traditë të mirë me qëllimin që të zgjerojmë bashkëpunimin ndërmjet vendeve dhe popujve tanë.

I nderuari President  i Malit të Zi. Zotëri Filip Vujanoviq.
I nderuari President i  Maqedonisë  zotëri Gjorgji Ivanov,
I nderuari President i Shqipërisë zotëri  Bujar Nishani,
 
E shpreh kënaqësinë që ne Presidentet e vendeve të rajonit po e mbajmë takimin e katërt dhe po e vazhdojmë këtë traditë të mirë me qëllimin që të zgjerojmë bashkëpunimin ndërmjet vendeve dhe popujve tanë.
 
Ne vendet tona jemi të orientuara në njëri tjetrin. Të kaluarën e kishim të vështirë, prandaj duke marrë mësim dhe përvojë ne duhet të zhvillojmë marrëdhëniet e mira dhe të gjithanshme që janë në funksion të përparimit dhe të mirëkuptimit.
 
Vendet tona e kanë synimin që të anëtarësohen në Bashkimin Evropian dhe këtë rrugë mund ta kalojmë më lehtë duke bashkëpunuar e duke u ndihmuar ndërmjet vete dhe gjithsesi duke marrë përvojat e njeri - tjetrit.
 
Ne shtetet e rajonit kemi një bashkëpunim të mirë që duhet zhvilluar më tej duke nënshkruar marrëveshjet bilaterale dhe multilaterale në të gjitha fushat. Qeveritë tona duhet t’i hulumtojnë të gjitha mundësitë për bashkëpunimin ekonomik dhe për lehtësimin e qarkullimit të njerëzve dhe mallrave ndërmjet vendeve tona.
 
Duhet të intensifikojmë bashkëpunimin në fushën e sigurisë,  koordinimin më të mirë ndërmjet institucioneve përkatëse të vendeve tona në luftimin e kontrabandës, krimit të organizuar, me qëllim që të krijojmë mekanizmat e përbashkët e të suksesshëm që do të ndihmonin në efikasitetin e luftës kundër dukurive negative.
 
Në këtë proces duhet të ndihmojmë njëri tjetrin, të shfrytëzojmë përvojat dhe ekspertizat, në fushën e luftimit të korrupsionit që ndërlidhet me krimin e organizuar dhe krimet e tjera transkufitare.
 
Edhe një herë ju kisha kërkuar që të jepni gjithë kontributin tuaj që Kosova të jetë anëtar i barabartë i të gjithë mekanizmave të sigurisë rajonale dhe ndërkombëtare, sepse vetëm kështu Kosova vetë dhe drejtpërdrejt i merr të gjitha përgjegjësitë dhe e jep kontributin, në parandalimin dhe në luftimin e krimit të organizuar.
 
Vendet tona duhet të zhvillojnë një bashkëpunim më të ngushtë bilateral dhe rajonal që të ndërtojmë mekanizmat për ndihmën që mund t’i japin njëra tjetrës në fushën e ekonomisë. Krijimi i mundësive dhe lehtësive ndërmjet vete për të stimuluar zhvillimin e ekonomik, intensifikimi i projekteve të përbashkëta të kapitalit dhe të investimeve, të tërheqjes së investitorëve të huaj, të shfrytëzimit të përbashkët të fondeve nga Bashkimi Evropian, Fondi Monetar Ndërkombëtar, Banka Botërore, Banka Evropiane për Rindërtim ku i shfrytëzojmë të gjithë përmes projekteve të përbashkëta.
 
Këtë mund ta bëjmë me përmirësimin në infrastrukturën rrugore, hekurudhore, në menaxhimin e përbashkët  e ujërave, në mbrojtjen dhe ruajtjen e përbashkët të natyrës, në investime në zonat kufitare, në terminalet dhe portet detare, në ndërlidhjen me korridoret Evropiane.
 
Ne vendet tona duhet t’i shfrytëzojmë resurset dhe tregjet tona, të intensifikojmë bashkëpunimin ekonomik dhe këmbimin tregtar që më lehtë t’i përballojmë pasojat e krizës globale.
 
Të nderuar Presidentë,

Ne më mirë se kushdo e dimë se stabiliteti dhe paqja janë të një rëndësie të veçantë për gjithë rajonin dhe se normalizimi i marrëdhënieve ndërmjet të gjitha shteteve të Ballkanit Perëndimor nuk ka alternativë, duke përfshirë normalizimin e plotë të marrëdhënieve ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë. Kjo është në të mirën e të gjithë qytetarëve dhe i kontribuon rrugës drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian.
 
Kosova dhe Serbia duhet ta ndihmojnë njëra tjetrën dhe duhet që të hapin një kapitull të ri të marrëdhënieve ndërmjet vete si shtete të pavarura dhe sovrane, që respektojnë integritetin territorial dhe që respektojnë të drejtat dhe liritë themelore të qytetarëve të të dyja vendeve. Prandaj normalizimi më i shpejt i këtyre marrëdhënieve do të shtynte përpara agjendën evropiane të secilit vend.
 
Ne jemi duke zhvilluar një dialog në Bruksel të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian me mbështetje të fuqishme nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Muajt e fundit e kemi ngritur nivelin në rang të kryeministrave të dy shteteve tona, dhe llogarisim që vitin e ardhshëm, deri në pranverë, të arrijmë pajtim dhe marrëveshje për të gjitha çështjet kryesore. Dialogu ka dhënë rezultate dhe ne duam që t’i shohim ato në terren të zbatuara. Një prej rezultateve të këtij dialogu është menaxhimi i integruar i kufijve me të cilën marrëveshje edhe Kosova edhe Serbia ka avancuar në menaxhimin e integruar te kufijve si një parakusht për anëtarësimin në Bashkimin Evropian. Dëshirojmë që sistemin e menaxhimit te Integruar të kufirit ta bëjmë edhe me shtet e tjera fqinje.
 
Ky shekull është shekull i integrimeve, i mirëkuptimit, i bashkëpunimit dhe i ndihmës së ndërsjellë. Duke e lënë pas hegjemoninë dhe imponimin e zgjidhjeve me dhunë dhe e politikave të ndarjes dhe të konfrontimeve të mëtejme që do të mbanin peng të ardhmen e secilit shtet të rajonit. Ne tashmë kemi hapur kapitullin e marrëdhënieve të sinqerta si popuj dhe si vende të lira, të barabarta dhe të dinjitetshme. E ardhmja e vendeve tona është e qartë dhe e pandalshme.
 
Prandaj i gjithë rajoni, sot ka nevojë të madhe për pajtim. Për një pajtim mes njerëzve dhe mirëkuptim mes shteteve që do të do të ngriste bashkëpunimin mes nesh, duke hapur një horizont të ri për gjithë Ballkanin. Kjo kërkon angazhim të të gjithëve që historia të mos përsëritet asnjëherë. Kërkon të ndërtojmë një të ardhme më të sigurt dhe më të mirë duke marr mësim nga e kaluara. Pajtimi nënkupton respektim të të gjitha sakrificave. Prandaj le të shohim drejt përpara, t’u afrohemi dyerve të Evropës, aty ku popujt tanë e kanë vendin dhe ku përparimi do të jetë më i sigurt.    
 
Ne katër vendet fqinje po japim një shembull të mirë të bashkëpunimit dhe këtë samit duhet ta zgjerojmë edhe me pjesëmarrjen e Serbisë dhe të Bosnjë e Hercegovinës, sepse kështu e forcojmë bashkëpunimin rajonal dhe kështu e ndihmojmë rrugën e gjithë Ballkanit Perëndimor drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian.
 
Falënderoj Presidentin Vujanoviq për mikpritjen dhe organizimin shumë të mirë të këtij samiti. I urojmë Presidentit Nishani që të bëj organizim po kaq të mirë të samitit të ardhshëm dhe shpresoj që këtë samit do ta organizoj gjatë verës kur do te kem mundësi në atmosferë edhe më të relaksuar t’i shijojmë bukuritë dhe klimën e Shqipërisë.
 
Ju faleminderit!