Fjalimi i Presidentes Jahjaga në shënimin e 27 Prillit – Ditës së të Pagjeturve të Kosovës

Presidentja e Republikës së Kosovës, zonja Atifete Jahjaga mori pjesë sot në manifestimin qendror për shënimit e 27 Prillit – Ditës së të Pagjeturve të Kosovës, të organizuar në Mejë të Gjakovës.

Në një fjalim të mbajtur në këtë manifestim, Presidentja Jahjaga theksoi:

Të nderuar përfaqësues të institucioneve të Republikës së Kosovës,
I nderuar kryetar i komunës së Gjakovës,
Të nderuar veteranë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës,
Të nderuar familjarë të dëshmorëve,
Të nderuar familjarë të personave të pagjetur, që tash e 14 vite jetoni në ankth për të ditur fatin e më të dashurve tuaj,
Të nderuar qytetarë,

Në këta përvjetor të dhimbjes së  madhe ne mblidhemi këtu së bashku për të kujtuar më të dashurit tanë: fëmijët tanë, vëllezërit dhe motrat, nënat dhe baballarët, më të dashurit dhe më të afërmit tanë, që u flijuan për atdheun, që u vranë dhe u masakruan, që të vdekur dhe të gjallë u morën dhe u larguan me qëllim që të fshihen gjurmët e krimeve makabre që në trojet tona kundër popullsisë së pafajshme i bëri okupatori, i bënë policët, paramilitarët, ushtarët të ndihmuar nga bandat e ndryshme me të vetmin qëllim që ta zbrazin territorin, të bëjnë spastrimin etnik dhe të ndryshojnë strukturën kombëtare të popullsisë. Motiv i vetëm për të kryer krimet ishte se këta dëshmorë ishin shqiptarë.

Të nderuar bashkëqytetarët e mi,

Sot Republika e Kosovës është shtet sovran dhe i pavarur, me rrugën e qartë të integrimit në Bashkimin Evropian në miqësi të përjetshme me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Sot jemi të lirë që së bashku me miqtë tonë ndërkombëtarë të ndërtojmë një të tashme dhe një të ardhme te sigurt, më të mirë për neve dhe për brezat që do të vijnë. Asnjëherë më në trojet tona nuk do të shkel këmba e okupatorit.

Republika e Kosovës është shtet qytetar. Vend i njerëzve të barabartë dhe të lirë, pa dallim përkatësie kombëtare apo fetare.

Ne e ndërtojmë vendin dhe marrëdhëniet mes njerëzve në bazë të dashurisë dhe mirëkuptimit e jo të urrejtjes.

Ne e ndërtojmë shtetin e rendit dhe sundimit të ligjit, që nënkupton se të gjithë kriminelët do të dalin para drejtësisë dhe do të marrin dënimin e merituar për veprat e tyre të shëmtuara.

Të nderuar qytetarë,

Masakra e Mejes është një nga goditjet më të mëdha që armiku u mundua t’ia bëjë popullit tonë.

Është masakra në të cilën përnjëherë e pësuan një numër i madh i njerëzve të të gjitha moshave, duke mos kursyer as fëmijët dhe as pleqtë.

Okupatori këtë e bëri me qëllim që të nxisë shpërnguljen dhe të bëjë spastrimin etnik, të godasë zemrat tona duke na i vrarë, masakruar e rrëmbyer më të dashurit tonë, duke dashur që ta mbysë vullnetin tonë për liri, për pavarësi dhe demokraci.

Si presidente e vendit ju them se ne si institucione, me ndihmën edhe të misionit ndërkombëtar, asnjëherë nuk do të ndalemi derisa të gjithë këta kriminelë të mos i nxjerrim përpara drejtësisë. Nuk ka dhe nuk do të ketë amnisti për ta. Nuk ka vend ku mund të fshihen.

Të nderuar bashkëqytetarë të mi,

Përkulja dhe nderimi para vendit të amshueshëm të këtyre dëshmorëve të kombit tonë shqiptar, të të gjitha besimeve që e dhanë jetën në altarin e lirisë së atdheut, është një nderim për jetën e tyre, për ëndrrat dhe idealin që sot e kemi realizuar dhe është një përkujtim për të gjithë ne se liria dhe pavarësia u fitua me shumë mund dhe me shumë sakrifica.

Kujtim dhe nderim i përjetshëm për më të dashurit tanë që sot na mungojnë të gjithëve,

Lavdi e përbotshme.