Fjalimi i Presidentes Jahjaga në Samitin Global të Grave

Presidentja e Republikës së Kosovës, zonja Atifete Jahjaga mori pjesë sot në hapjen zyrtare të Samitit Global të Gruas, që organizohet në Paris të Francës dhe në të cilin trajtohen çështje të fuqizimit ekonomik të gruas dhe rolit të saj në shoqëri.

Në hapjen zyrtare të Samitit morën pjesë edhe kryeministri i Francës, Manuel Valls, si dhe zëvendëspresidentja e Vietnamit, Nguyen Thi Daan, si dhe zyrtarë të tjerë të lartë.

Presidentja Jahjaga mbajti një fjalim në hapjen zyrtare të Samitit, të cilin po e publikojmë të plotë:

Të nderuara Zonja dhe Zotërinj,
Kam kënaqësi shumë të madhe të marr pjesë në Samitin Global të Grave 2014, eveniment i cili mëton shtytjen e vazhdueshme për pjesëmarrje të plotë të grave, si qenie të fuqishme, në mbarë shoqëritë tona.

Po ju drejtohem me krenari, sepse ju përfaqësoni të gjitha llojet e ideve, besimeve dhe vizioneve, të cilat do të inkurajojnë botën që të njohë rëndësinë e fuqizimit të gruas dhe realizimin e ndikimit masiv të cilin barazia gjinore ka mbi rritjen ekonomike, mirëqenien sociale dhe zhvillimin demokratik të një vendi.

Fillimisht, dëshiroj që mbi të gjitha ta përgëzoj Irene Natividad, për këtë platformë globale, e cila na mbledh bashkë çdo vjet dhe ta falënderoj në emër të çdo gruaje, posaçërisht në emër të grave të Kosovës, për mundësinë që na ofron për të përdorur zërin tonë për të theksuar se përparimi i grave është i domosdoshëm për përparimin e shoqërisë.

Këtë vit, Samiti ngërthen ndikimin bazik të pjesëmarrjes së grave në atë se si ne projektojmë ekonomitë dhe lidershipin tonë, se si parashohim të sigurojmë stabilitet dhe të mbajmë paqen.

Secila nga ne duhet t’i marrë në konsiderim mënyrat se si mund të punojmë së bashku që t’i ndryshojmë percepcionet globale mbi gratë, fuqinë dhe rolet të cilat i kemi brenda shoqërive tona dhe të reflektojnë mbi mundësitë tona që njëmendësisht ta ndryshojnë pozitën e të gjithë grave.

Ne besojmë se nëpërmes fuqizimit të grave - edhe familjet dhe shoqëritë fuqizohen.

Gratë kanë forcë që të ridizajnojnë politika, strategji dhe të hapin dyert të cilat do të garantojnë zhvillim dhe prosperitet më të madh, si dhe të sigurojnë harmoninë në mes të komuniteteve dhe kombeve.

Qëllimi ynë është që të sigurojmë se veprimet tona janë reflektim i respektit tone për të drejtat individuale të grave - të drejtën e tyre për jetë, të drejtën për progres dhe të drejtën për zë.

Vitin e ardhshëm ne do të shënojmë përfundimin e Caqeve Zhvillimore të Mileniumit, të lidhur në mënyrë direkte me të arriturat në fushën e barazisë gjinore. Ne, po ashtu, do të shënojmë edhe përvjetorin e 20-të të adoptimit të Deklaratës së Pekinit dhe Platformës së Veprimit të vitit 1995.

Kanë kaluar pothuajse dy dekada nga kjo, dhe ne duhet t’i shtrojmë vetes pyetjen se – a e kemi pranuar faktin se beteja për drejtat e grave është betejë për drejtat njerëzore?

Sa larg kemi arritur gjatë këtyre dy dekadave në betejën që të zvogëlojmë nivelin e dhunës në familjet tona, në uljen e varfërisë dhe në sigurimin e qasjes në edukim për secilën vajzë?

Ne sot jetojmë në një botë në të cilën vajzave dhe grave i garantohen më shumë të drejta dhe ju ofrohen më shumë mundësi se dy dekada më parë.

Ndryshimi po ndodh dhe mundësitë po krijohen në mënyrë konstante për daljen në pah të talentit të grave dhe thyerjen e barrierave.

Unë jam dëshmi e gjallë e këtij ndryshimi, dhe qëndroj para jush si Presidentja e parë femër në mbarë regjionin e Ballkanit.

Përkundër këtyre përfitimeve të rëndësishme, ne akoma ballafaqohemi me probleme fundamentale, posaçërisht me participimin e plotë të grave në shoqëri; qasjen që ato kanë në burime, duke përfshirë kujdesin shëndetësor, edukimin dhe lirinë e përgjithshme për përparim.

Sot, po ashtu jemi dëshmitarë të vuajtjes së motrave tona nigeriane. Në Nigerinë veriore, grupi terrorist “Boko Haram” ka kidnapuar pothuajse 300 nxënëse të cilat vazhdojnë të mbahen peng.
Na i ktheni vajzat tona!

Ka shumë vajza dhe gra të tjera të cilat vuajnë njëlloj por fatet dhe tregimet e të cilave nuk krijojnë kryetituj të lajmeve dhe padrejtësitë mbi të cilat mbesin të padëgjuara dhe emrat e të cilave mbesin të panjohura për ne.

Por, nëse ka edhe vetëm një viktimë të vetme, ajo meriton vëmendjen tonë të plotë dhe betejë globale për drejtësi.

Dhe në këtë pikë, dëshiroj të kthej vëmendjen tuaj në faktin se si këto përvoja përkthehen në kontekst lokal dhe të ndaj me ju mënyrën se si ne po i transformojmë këto principe gjithëpërmbledhëse, në mënyrë që të krijojmë ndryshim në Kosovë.

Zonja dhe Zotërinj,
Siç e dini shumë nga ju, gratë kosovare ishin pjesë e një tragjedie të shkaktuar nga agresioni mbi vendin tim para pothuajse dy dekadash. Ato ishin pjesë e pandashme e përpjekjeve mbarëkombëtare për të mbijetuar. Kjo betejë e gjatë e grave të Kosovës i ka shndërruar në mënyrë simultane gratë në luftëtare më të devotshme për liri dhe të drejtën e secilit individ për jetë, si dhe i ka bërë ato viktimat më të mëdha të shoqërisë.

Gratë vazhdojnë t’i tkurrin dhe t’i mbajnë në vete shenjat e dukshme dhe ato të padukshme të viktimizimit. Ato ishin viktima të dhunës seksuale në Kosovë, të kryera nga forcat serbe, të cilët mëtuan ta përulin dinjitetin e tyre, atë të familjeve dhe fëmijëve të tyre. Viktima të përdhunimit i përdorur si mjet lufte.

Secilën herë që i kam takuar, kam parë në to shenjat e vuajtjes dhe të trajtimit jonjerëzor në formë të dhunës seksuale, të përdorur për përfitime politike.

Përpjekjet e tyre për drejtësi, për thyerjen e barrierave të stigmatizimit të tyre në shoqëri ka qenë një përpjekje e rëndësishme. Përpjekje e cila duhet të përfshijë secilin anëtar të shoqërisë, në mënyrë që viktimave t’u ofrohet një ndjenjë e normalitetit, një jetë ndryshe nga ajo se çfarë kryesit e këtyre krimeve të tmerrshme kishin planifikuar për to.

Në mes të të gjitha prioriteteve të cilat garojnë në mes vete në lidhje me krijimin e shtetit të ri, si dhe debateve të shumta të cilat ndonjëherë ishin edhe jo sensitive ndaj traumave të përjetuara nga viktimat, ne jemi munduar që ta ndërrojmë ambientin e tyre.

Sepse, paqja e tyre është edhe paqja e jonë. Pa paqen e tyre Kosova nuk ka mundur të gjejë paqe.

Përfundimisht, para disa muajsh, kemi aprovuar ligjin i cili njeh statusin e tyre si viktima të luftës, i cili njeh sakrificën e tyre, ligj i cili siguron që pesha e rëndë të cilën e mbajnë mbi vete nuk do të rëndohet edhe më tej për shkak të heshtjes e cila rrethon këtë episod të jetës së tyre.

Sepse të drejtat e tyre janë të drejta njerëzore.

Zonja dhe Zotërinj,
Për më shumë se 15 vjet, që prej kohës kur kam filluar të punoj me Policinë e Kosovës, jam përpjekur që të shtroj çështjen e barazisë gjinore dhe të drejtën e saj për të qenë pjesë e pandashme e shoqërisë ku jetoj. Për më shumë se tre vjet, që kur jam zgjedhur në krye të shtetit të Kosovës, një shteti të ri që ka shpallur pavarësinë e tij më 2008, kam qenë zëri i gruas në shoqëri, zëri i barazisë për secilin qytetar të vendit tim.

Jam zgjedhur në krye të shtetit, në një periudhë të rëndësishme dhe shumë kritike për vendin tim, kur krahas konsolidimit ndërkombëtar të tij, jemi përpjekur të ndërtojmë një shoqëri të bazuar në vlerat demokratike që respekton diversitetin kulturor dhe atë etnik.

Në planin ndërkombëtar, zgjedhja ime në krye të shtetit, si e para femër jo vetëm në vendin tim por edhe në gjithë rajonin e Ballkanit Perëndimor, ka nënkuptuar një lloj ndryshimi të perceptimit të shoqërive në rajonin prej nga vij si shoqëri patriarkale, ku gruaja ka pak për thënë.

Brenda shtetit, zgjedhja ime ka nënkuptuar më shumë shpresë për secilën vajzë dhe secilën grua, se ne kemi mundësi dhe jemi të afta që të drejtojmë shtetet tona dhe të udhëheqim me proceset e rëndësishme nëpër të cilat kalojnë ato.

Vendi im është një nga ato vende ku tradita shpeshherë i ka parandaluar gratë që të gëzojnë të drejta dhe liri të barabarta, siç janë garantuar me kushtetutën dhe ligjet e vendit.

Por, si një vend me një të kaluar të rëndë, ne kemi qenë dëshmitarë të faktit se si gratë kanë ruajtur strukturën e shoqërisë sonë dhe kanë mbrojtur familjet tona. Kemi qenë dëshmitarë të asaj se si gratë kanë gjetur forcë dhe kurajë për ta rindërtuar shoqërinë tonë të shkatërruar nga lufta dhe t’u japin shpresë fëmijëve të tyre për një të ardhme më të mirë.

Por më së tepërmi, kemi qenë dëshmitarë të asaj se paqja e qëndrueshme, demokracia e zhvilluar dhe një vend i përparuar, të cilin jemi zotuar ta ndërtojmë, mund të arrihen vetëm duke përmbushur të drejtat njerëzore të grave, të drejtën e tyre për drejtësi, të drejtën për pjesëmarrje të barabartë në tavolinat vendimmarrëse.

Ne kemi thyer standardin që përcaktonte se Presidenti i shtetit duhet të jetë mashkull duke zgjedhur Presidenten e parë femër. Ne kemi thyer standardin që përcaktonte se gratë luajnë një rol të margjinalizuar në qeveritë e tyre duke vendosur gratë si udhëheqëse të proceseve më të rëndësishme politike të vendit, në dialogun teknik me Serbinë, në kërkim të stabilitetit në rajon dhe në procesin e integrimit evropian të vendit. Dhe po ashtu kemi thyer standardin që përcakton se vetëm meshkujt mund ta udhëheqin një qytet duke përzgjedhur kryetaren e parë femër të bashkisë.

Por, më lejoni të them se nuk ka qenë e lehtë, përkundër këtyre të arriturave. Nuk e ka qenë e lehtë për të ndryshuar botëkuptimin për neve gratë që udhëheqim me këto procese dhe gjithsesi nuk e ka qenë e lehtë për të dëshmuar se aftësia dhe fuqia jonë mbështetet në dashurinë për njeriun, në komunikimin me njerëz, në afërsinë me secilin qytetar dhe në mirëkuptimin që tregojmë për të tjerët.

Mbi të gjitha, nuk ka qenë e lehtë të dëshmojmë se ne i japim forcë shoqërisë!

Megjithëkëtë, ne gratë në Kosovë, që sot jemi bartëse të proceseve të rëndësishme për vendin tonë, ashtu si edhe në pjesët e tjera jo vetëm të rajonit të Ballkanit por edhe në shume vende të botës, nuk kemi arritur ende që të ndryshojmë perceptimin për ne dhe për dijeninë e fuqinë tonë.

Por, ne jemi të vendosur të lëvizim përpara. Të konsolidojmë këto përfitime të arritura, t‘i bëjmë shoqëritë tona më demokratike, me të drejta dhe më të barabarta.

Në shoqëritë tona, sado që jetojmë në Evropë, në rajonin e Ballkanit Perëndimor, ne vazhdojmë të përballemi me ndalimin e vajzave nga shkolla, duke ua mohuar të drejtën e tyre elementare në edukim dhe arsimim.

Që prej ditës së parë në zyrë, kam ngritur zërin e mbështetjes për të gjitha gratë dhe vajzat, e drejta e të cilave në shkollim, edukim dhe në përparim është mohuar, për shkak të traditës së vjetër familjare.

Ne jemi ende shoqëri patriarkale, sado që bota përreth nesh mund të ketë ndryshuar dhe sado që vetë ne kemi bërë përpjekje ta ndërrojmë perceptimin e qytetarëve tanë për të.

E kaluara e rëndë, konfliktet e pandërprera në rajon, hasmëritë e tejzgjatura dhe niveli i zhvillimit të shoqërive tona, posaçërisht ai ekonomik, i ka mohuar gruas të drejtën e saj për të qenë e barabartë në shoqëri.

Dhe prandaj tani ka ardhur koha që kjo botë të ndryshojë, dhe që gruaja të mos vlerësohet vetëm për punën e saj në amvisëri dhe brenda mureve të shtëpisë, por për nivelin e saj të edukimit dhe të arsimimit, për dijen e saj dhe në veçanti guximin për t’u përballur me sfidat.

Ne duhet të besojmë në fuqizimin e grave, në përpjekjen për t’u garantuar pavarësi në jetën e tyre, qasje në të gjitha resurset dhe t’u ofrojmë mundësi për përparim.

Sepse, një grua e shkolluar është një mundësi më e madhe për familjen dhe gjithë shoqërinë! Dhe sepse një grua e fuqizuar është fuqi për vetë shoqërinë!

Dhe prandaj – sot sërish thërrasim për të drejtat e grave si të drejtat e njeriut!
Sepse e drejta për të jetuar është e njëjtë për secilën qenie njerëzore!
Sepse e drejta për të punuar është e barabartë për secilin njeri!
Dhe sepse e drejta e gruas për të qenë e përfshirë në çdo segment të jetës është e drejtë po aq njerëzore sa edhe e liria e saj!

Të nderuara Zonja dhe Zotërinj,

Vitin e kaluar Presidenti Obama deklaroi në Universitetin e Cape Toën se: “Ne mund ta matim faktin se sa mirë është duke performuar një vend me atë se si ai vend i trajton gratë e vendit të vet”.

Me të vërtetë, në shumë vende të botës kemi parë se si lidershipi ka përcaktuar shpejtësinë e arritjes së barazisë gjinore dhe si zhvillimi i vendit ka qenë i lidhur me fuqizimin social, ekonomik dhe politik të grave.

Siç e ka bërë barazinë gjinore mikja ime e dashur, dhe mikja e të gjitha grave dhe vajzave të reja në mbarë botën, e nderura Hillary Clinton, duke thyer barrierat dhe duke vendosur standarde të reja, pikëqëndrim kryesor të gjithë punës, angazhimit dhe aktivitetit të saj, duke i drejtuar shtetet dhe shoqëritë që ta njohin dhe pranojnë faktin se investimi në gra garanton ekonomi prosperuese, demokraci kuptimplota dhe mirëqenie në secilën shoqëri.

Ajo e ka bërë të qartë para dy dekadash se të drejtat e grave janë të drejta njerëzore, duke ndryshuar njëherë e përgjithmonë mënyrën se si bota e nënkupton barazinë gjinore.

Përderisa në vendet si Emiratet e Bashkuara Arabe kemi qenë dëshmitarë të asaj se si gratë lidere kanë luajtur një rol thelbësor në vendosjen e barazisë gjinore si pjesë integrale e agjendës së tyre kombëtare të zhvillimit.

Mbështetja e Madhërisë së Saj Sheikha Fatima bint Mubarak, një lidere vizionare dhe një shembull për vajza dhe gra në mbarë botën, dedikimi i së cilës për fuqizimin e grave ka ndihmuar vendin e saj që të ulë shkallën e analfabetizmit në 1% dhe punësimin e 66 % të grave në sektorin publik. Të gjitha shoqëritë kanë nevojë për liderë të tillë inspirues.

Të nderuar pjesëmarrës të Samitit,
Ne duhet edhe një herë të rikonfirmojmë faktin se dallimet tona janë më të vogla se sa njëjtësitë tona, dhe se caku ynë i përbashkët, arritja e të drejtave tona, është njerëzor dhe i drejtë, pa marrë parasysh sfidat të cilat i kemi përpara.

Ne e kuptojmë se ka lidhshmëri fundamentale në mes të fuqizimit ekonomik, social dhe politik të grave. Në mënyrë që ta arrijmë barazinë gjinore, ne duhet të përparojmë në të tri këto fronte.

Politikat dhe sjellja jonë duhet ta njohë faktin se gratë kur janë të fuqizuara, ato ndryshojnë qasjen në shërbim shëndetësor, edukim dhe fatin e fëmijëve të tyre. Duke e ndërruar njëherë e përgjithmonë qarkun vicioz të diskriminimit.

Është mision i gjeneratës sonë që ta ndryshojë drejtimin e historisë dhe të çrrënjosë të gjitha format e diskriminimit ndaj grave dhe vajzave.

Së bashku ne mund ta ndërtojmë një botë gjithëpërfshirëse në të cilën barazia gjinore më nuk do të jetë temë e diskutimit.

Do të doja të ndahem nga ju me një citat nga një poete, autore dhe aktiviste e të drejtave njerëzore, që sapo është ndarë nga jeta, Maya Angelou, e cila thotë: “Guximi është virtyti më i rëndësishëm, sepse pa guxim nuk mund ta zbatoni asnjë virtyt tjetër në mënyrë konsistente”.

Qëndroni të guximshme. Ju faleminderit.