Fjalimi i Presidentes Jahjaga në pritjen me rastin e shtatëvjetorit të pavarësisë së Kosovës

Para shtatë vjetësh, qytetarët kishin vërshuar sheshet dhe rrugët e Kosovës për të qenë dëshmitarë të kurorëzimit të përpjekjes kolektive e shekullore dhe sakrificës individuale për ta bërë Kosovën shtet.

Të nderuar përfaqësues të institucioneve të Republikës së Kosovës,
Të nderuar ambasadorë,
Të dashur qytetarë të Republikës së Kosovës,
Zonja dhe zotërinj,
 
Para shtatë vjetësh, qytetarët kishin vërshuar sheshet dhe rrugët e Kosovës për të qenë dëshmitarë të kurorëzimit të përpjekjes kolektive e shekullore dhe sakrificës individuale për ta bërë Kosovën shtet.

Në ato ditë acari zemrat tona ngroheshin nga një shpresë – më e madhja që kishim përjetuar – dhe në sytë tanë kishin zënë vend lotët për të gjithë ata që nuk i kishim më pranë.
 
Për të gjitha ato përjetime të rënda, të cilat vranë ëndrrat e shumë gjeneratave të këtij vendi.

Atë ditë, patëm guximin që, përkundër shumë vështirësive dhe të panjohurave që i kishim përpara, do të qëndronim të bashkuar, do të shihnim përpara. Ishim të vendosur ta bënim Kosovën shtet.
 
Me dorë në zemër, u zotuam se vendin ku përjetuam e pamë aq shumë vuajtje do ta bënim Republikë të qytetarëve të barabartë. Të barabartë në të drejta, në përgjegjësi dhe në privilegje.
 
U zotuam se në Kosovë do të rikthenim një traditë të tolerancës, të harmonisë, të besës, të solidarizimit dhe mirësisë që i ka rrënjët thellë në këto troje.
 
U zotuam se ndërtimin e Kosovës së pavarur do ta bënim me virtyte tona, që na cilësojnë si popull përgjatë historisë.
 
Me shpresë dhe vullnet. Me sakrificë dhe zell. Me guxim dhe këmbëngulje për t’u bërë zotë të vetes. U zotuam se dashuria për këtë vend do të jetë udhërrëfyes për të gjitha veprimet tona. Ishte dashuria për këtë vend që na bashkoi dhe na u dha drejtim të gjitha synimeve tona.

Duke e bërë Kosovën shtet, e kthyem një faqe të re të historisë. Dhe në këtë histori do të mbetet e shkruar qartë se të drejtat të cilat i fituam me shumë mund, nuk do t’ua mohonim të tjerëve.
 
Mbi këtë premtim, Ne, të gjithë Ne, e bëmë Kosovën shtet.
 
E realizuam kauzën shekullore për të jetuar një jetë të dinjitetshme, për ta vënë në vend amanetin e brezave para nesh, për të jetësuar vizionin e arkitektit të pavarësisë, Presidentit Rugova, dhe për ta nderuar gjakun e luftëtarëve të lirisë, dëshmorëve dhe martirëve që dhanë jetën e tyre për lirinë që sot e gëzojmë të gjithë ne.
 
Krah për krah me ne, qytetarët e Kosovës, për ta ndërtuar Kosovën e shpresës u rreshtua e tërë bota demokratike, me besim të fortë në vlerat që po i vendosnim në themelin e shtetësisë tonë janë njëkohësisht edhe vlera universale në emër të të cilave bota demokratike u vu në anën tonë dhe në mbrojtjen tonë. Nuk u lëkundëm asnjëherë së besuari se do ta bëjmë Kosovën.
 
Në këtë përvjetor të shtatë, e kam vetëm një mesazh: Kosovën e bëmë, në kuptimin e plotë të fjalës. Republika e Kosovës është realitet i pamohueshëm dhe i pakthyeshëm.

Me këtë rast, dua të falënderoj në veçanti Shtetet e Bashkuara të Amerikës për përkrahjen e pakursyer në shtetndërtimin tonë. Ju kemi miq të përjetshëm.
 
Njëkohësisht, falënderoj shtetet e Bashkimit Evropian, aleatët tanë që besuan në vendosmërinë tonë për ta ndërtuar Kosovën e pavarur, si dhe në përkushtimin tonë për integrimin në strukturat evropiane dhe euroatlantike.
 
Sonte dua të falënderoj edhe diasporën tonë, ata qindra mijëra qytetarë të Kosovës që jetojnë me shumë mall për këtë vend dhe kurrë nuk kanë reshtur së punuari për te. Ju kemi në zemër.

Të nderuar qytetarë të Republikës së Kosovës,
Zonja dhe zotërinj,
 
Rrugëtimi ynë për ta jetësuar vizionin për Kosovën e pavarur, demokratike, të lirë dhe në paqe vazhdon të jetë i vështirë.
 
Shumë punë është bërë. Janë bërë edhe gabime. Sukseset kanë qenë të shumta, por edhe sakrificat kanë vazhduar e me to edhe sfidat e njëpasnjëshme.
 
Shpeshherë kemi qenë të dëshpëruar, të izoluar, të pashpresë. Jemi ndier të pafuqishëm, të zhgënjyer, të lodhur.
 
Sepse Kosova e sotme, për të cilën u bënë shumë sakrifica, ende duhet t’i përmbushë pritjet tona. Ajo ende nuk është Kosova që e kemi shpresuar dhe dëshiruar.
 
Por, ne jemi gjenerata që e mban mbi supe ndërtimin e shtetësisë tonë, sikur që gjenerata para nesh mbajti mbi supe realizimin e kauzës për Kosovën shtet.
 
Asnjëherë nuk kemi menduar që ky shtetndërtim do të jetë i lehtë, sepse resurset dhe kapacitetet tona janë të kufizuara, dhimbjet e rritjes janë të mëdha, prioritetet janë të shumta e pritjet janë të larta.
 
Por, nuk kemi kohë për dëshpërim, nuk ka vend për ngurrim dhe hamendje. Mbi të gjitha, Kosova është e qytetarëve të saj.

Në këtë përvjetor, më shumë se kurrë, na duhet vendosmëri për ta konsoliduar shtetësinë tonë dhe na duhet punë e mund për t’u ndarë nga praktikat e vjetra të cilat po e lëkundin besimin e qytetarëve.
 
Ne jemi të gjithë Kosovë sot! Jemi njerëz të kësaj toke – të këtij vendi – shtetas të barabartë dhe të pagjunjëzuar. Jemi qytetarë që për këto 7 vjet të pavarësisë kemi bartur me krenari emrin e shtetit të ri. Emrin e kësaj Republike, emrin e këtij vendi që secili prej nesh e bart në zemër.
 
Në këtë përvjetor kjo është Kosova – e sfiduar por e palëkundur. Dhe në këtë përvjetor ky është atdheu ynë i përbashkët – një vend që kërkon dorën tonë të përbashkët për ta bërë atë që e duan të gjithë – shtetin e së drejtës, të zhvilluar dhe pjesë të pandashme të kombeve të lira.
 
Kosovën e bëmë. Tani na duhet ta ndërtojmë shtetin të cilin të gjithë e dëshirojmë.
 
Urime ditëlindjen e shtatë, shteti ynë!