Fjalimi i Presidentes Jahjaga në përurimin e ndërtesës së Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë

Është nder i veçantë të jem e pranishme në përurimin e ndërtesës së Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë, sepse në këtë ditë dhe me këtë rast po përgëzojmë më shumë se një objekt fizik dhe një adresë permanente të një institucioni fundamental për vendin tonë.

I nderuar Kryeministër,
Të nderuar udhëheqës të institucioneve të Republikës së Kosovës,
Ambasadorë dhe përfaqësues të misioneve ndërkombëtare në Kosovë,
Udhëheqës dhe pjesëtarë të Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë,
Zonja dhe Zotërinj,

Është nder i veçantë të jem e pranishme në përurimin e ndërtesës së Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë, sepse në këtë ditë dhe me këtë rast po përgëzojmë më shumë se një objekt fizik dhe një adresë permanente të një institucioni fundamental për vendin tonë.

Ne sot po nderojmë punën e deritashme në ngritjen e këtij institucioni të pavarur dhe përkushtimin e tij që Kosovës dhe qytetarëve të saj çdo ditë t'ju garantojë një të ardhme të sigurt - sigurinë që do t'ua mundësojë atyre një jetë gjatë të cilës do të realizojnë potencialin e tyre të plotë, në një vend që do të respektojë me përpikëri të drejtat e tyre dhe do t'i marrë me seriozitet liritë e tyre, duke e trajtuar secilin qytetar me dinjitet dhe barazi pavarësisht prejardhjes etnike, religjioze apo gjinore. Në një vend ku institucionet do ta meritojnë besimin e qytetarëve, do të jenë transparente, demokratike dhe llogaridhënëse.

Në dekadat e fundit, vendi ynë ka kaluar nëpër procese të shumta transformuese nga të cilat kemi dalë me guxim dhe vendosmëri për të realizuar plotësisht ëndrrën e gjeneratave të tëra, që sakrifikuan shumë për lirinë tonë. Kosova e sotme është realizim i kësaj ëndrre të gjatë dhe zbatim i një vizioni të qartë të udhëheqësisë dhe qytetarëve të saj me përkrahjen e bashkësisë ndërkombëtare për të ndërtuar një vend të pavarur dhe demokratik, prosperues dhe faktor stabiliteti në rajon dhe më gjerë.

Përparimi dhe përvoja e Republikës së Kosovës në ngritjen e kapaciteteve dhe ndërtimin e institucioneve për të garantuar vlerat mbi të cilat është bazuar shteti ynë është një rrëfim suksesi i jonë i përbashkët vendor dhe ndërkombëtar që e bën historinë më të fundit të Kosovës një shembull global të shtetndërtimit dhe angazhimit të pashembullt ndërkombëtar.

Brenda një periudhe të shkurtër kohore, ne kemi arritur të transformohemi nga një vend ku agjencitë e inteligjencës ishin mjete represioni dhe ku qytetarët i shihnin ato me drojë, në një shoqëri që ka për synim parësor investimin në sigurinë e çdo qytetari të saj dhe ku secili qytetar bashkëpunon me institucione me besimin se ato ekzistojnë për t'i mbrojtur dhe për ta kryer punën e tyre në lehtësimin e jetës së qytetarit me ndershmëri.

Në këtë udhëtim për të realizuar vlerat sublime mbi të cilat u betuam se do ta ndërtojmë shtetin tonë, Agjencia e Kosovës për Inteligjencë përbën boshtin e këtyre përpjekjeve fisnike. Mandati dhe puna e kësaj agjencie janë qenësore për të ardhmen e Kosovës dhe qytetarëve të saj dhe janë të lidhura ngushtë me drejtimin që ka marrë shteti ynë në mbrojtje të lirisë, pavarësisë dhe demokracisë.

Andaj, shumë punë është bërë që në këtë Agjenci të mblidhen asetet më të vlefshme të Kosovës dhe qytetarët e saj më të devotshëm. Pavarësisht se natyra specifike e fushëveprimtarisë tuaj bën që rezultatet e punës tuaj të mos identifikohen dhe  të mos shihen nga sytë e opinionit publik, ato janë të prekshme çdo ditë dhe në vazhdimësi reflektojnë në sigurinë e Kosovës dhe vendeve të rajonit.

Më lejoni që. në emër të qytetarëve të Kosovës. të falënderoj zyrtarët e AKI-së të cilët uroj që gjeneratave të reja t'ua lënë trashëgim një Kosovë edhe më të sigurt. Po ashtu, falënderoj përzemërsisht të gjitha shtetet mike, partnerët tanë strategjikë dhe organizatat për ndihmën e vlefshme në ngritjen profesionale të këtij institucioni të rëndësishëm të Republikës së Kosovës.

Zonja dhe Zotërinj,

Të nderuar pjesëmarrës,

Ne jemi të vetëdijshëm se siguria e Kosovës ende është e sfiduar nga faktorë të brendshëm dhe të jashtëm. Por jam e bindur se përkushtimi ynë për t'i mposhtur këto sfida, për të ruajtur rendin kushtetues dhe vlerat e idealet mbi të cilat u betuam dhe për të përforcuar bashkëpunimin me aleatët tanë strategjik, kurrë nuk do të vihet në dyshim.

Në një botë e cila ende jeton nën hijen e bipolaritetit të Luftës së Ftohtë, por përballet me kërcënime jokonvencionale nga individë dhe grupe me lidhje të brishta në kënde të ndryshme të botës që shfrytëzojnë përparimin teknologjik të shekullit 21, si udhëkryq ku gërshetohen interesa të shumta dhe të ndryshme, ne kemi një rol të rëndësishëm për ta luajtur në parandalimin dhe luftimin e fuqishëm të terrorizmit global, ekstremizmit dhe krimit të organizuar. Puna dhe vigjilenca juaj do të vazhdojnë të jenë thelbësore për sigurinë e Kosovës dhe të aleatëve të saj sepse si institucione të vendit kemi marrë mbi supe të garantojmë lirinë e qytetarëve, paqen dhe rendin demokratik të Republikës së Kosovës.

Ne jemi vënë në anën e drejtë të historisë dhe në përmbushjen e këtij vizioni do të qëndrojmë të palëkundur.

Ju faleminderit!