Fjalimi i Presidentes Jahjaga në ndërrimine Komandës së KFOR-it

Kam kënaqësinë që të jem në mesin e pjesëtarëve të forcës paqeruajtëse të NATO-s në Kosovë, me të cilët ne, institucionet dhe qytetarët e Republikës së Kosovës, ecëm bashkërisht për pesëmbëdhjetë vite për ta ndërtuar paqen. Për të garantuar ambient të qetë dhe të sigurt për të gjithë qytetarët e vendit tonë. Për t’i ngritur kapacitetet tona të sigurisë. Për ta bërë shtetin tonë faktor të paqes dhe stabilitetit. Për ta ndërtuar vizionin e një Kosove demokratike, anëtare të Bashkimit Evropian dhe kontribuuese të sigurisë kolektive si pjesëtare e NATO-s.

I nderua kryeministër, z.Thaçi,
Të nderuar përfaqësues të institucioneve të Republikës së Kosovës,
I nderuar admiral Ferguson,
I nderuar admiral Mantelli,
I nderuar Gjeneral Farina,
I nderuar Gjeneral Figliuolo,
Të nderuar ushtarë të KFOR-it,
Të nderuar Zonja dhe Zotërinj,

Kam kënaqësinë që të jem në mesin e pjesëtarëve të forcës paqeruajtëse të NATO-s në Kosovë, me të cilët ne, institucionet dhe qytetarët e Republikës së Kosovës, ecëm bashkërisht për pesëmbëdhjetë vite për ta ndërtuar paqen. Për të garantuar ambient të qetë dhe të sigurt për të gjithë qytetarët e vendit tonë. Për t’i ngritur kapacitetet tona të sigurisë. Për ta bërë shtetin tonë faktor të paqes dhe stabilitetit. Për ta ndërtuar vizionin e një Kosove demokratike, anëtare të Bashkimit Evropian dhe kontribuuese të sigurisë kolektive si pjesëtare e NATO-s.

Në emër të popullit te Kosovës, më lejoni të përgëzoj oficerët dhe ushtarët, mbarë personelin ushtarak të KFOR-it, për përmbushjen e misionit të juaj dhe për mbështetjen që na keni dhënë për vendosjen e themeleve dhe forcimit të demokracisë në Kosovë. Qytetarët e Kosovës do të jenë përherë falënderues për mbështetjen të cilën na e keni dhënë, për besimin të cilin vendet e juaja respektive kanë pasur në vizionin tonë për ndërtimin e një Kosove demokratike dhe dedikimin e pamohueshëm të cilin e kanë treguar duke na qëndruar pranë, në partneritet, derisa jemi duke e jetësuar këtë vizion. Secili nga ju do të jetë pjesë e historisë së Kosovës. Shpresoj se do ta mbani Kosovën në zemër dhe se do ta mbani mend si një shtëpi larg shtëpisë suaj. Ne me siguri se do t’i ruajmë miqësitë dhe urat e bashkëpunimit të cilat ju i keni ndërtuar gjatë qëndrimit tuaj këtu.

Të ndërtosh paqen në Kosovë nuk ka qenë aspak e lehtë. Në këtë përpjekje tonën, secili nga ju dhatë kontributin tuaj duke sjellë me vete një ndjenjë sigurie, paqeje dhe lirie, në mënyrë  që qytetarët e Kosovës të fillojnë të rindërtojnë të ardhmen e tyre të lirë nga shtypja dhe diskriminimi me të cilat u ballafaquan përshumë gjatë.

Kosova është një rrëfim i  jashtëzakonshëm i shpresës. Ne do të sigurohemi që ajo të mbetet gjithmonë e tillë.

Të nderuar mysafirë,

Dëshiroj të shpreh falënderimin tim të sinqertë dhe vlerësimin tim të lartë për komandantin në largim të KFOR-it, Gjeneralin SalvatoreFarina, për lidershipin dhe kurajën në udhëheqjen e kësaj force multinacionale, këtyre burrave dhe grave në uniformë, në detyrën e tyre bujare të ndërtimit të paqes.

Gjeneral Farina,

Në emër të popullit dhe institucioneve të Kosovës, ju faleminderit. Gjatë këtij viti kemi pasur shumë sfida dhe suksese të konsiderueshme, por në të dy rastet, unë isha e inkurajuar nga mbështetja, bashkëpunimi dhe partneriteti të cilat ju i keni ofruar institucioneve të Kosovës në kryerjen e detyrave të tyre duke siguruar integritetin dhe suverenitetin tonë territorial. Ne kemi arritur disa caqe të rëndësishme, siç janë procesi isuksesshëm i zgjedhjeve lokale dhe atyre të përgjithshme, të mbajtura në mbarë territorin e Republikës së Kosovës, si dhe mendimi afatgjatë rreth përcaktimit të vizionit tonë për krijimin gradual të Forcave të Armatosura të Kosovës, një force e cila do t’i reflektojë nevojat e vendit tonë për siguri dhe e cila do të ndërtohet në partneritet me NATO-n.

Për kontributin tuaj në forcimin e paqes dhe stabilitetit të Kosovës, unë ju nderoj me Medaljen Ushtarakepër Shërbim në Kosovë.

I nderuari Gjeneral Figliuolo,

Në emër të popullit të Kosovës, ju uroj mirëseardhje në vendin tonë. Jeni i sigurt se institucionet e Kosovës do të punojnë ngushtë  dhe në koordinim së bashku me ju në çimentimin e suksesit të përbashkët për të ruajtur trashëgiminë e dhjetëra mijëra ushtarëve në ruajtjen e paqes në Kosovë. KFOR-i vazhdon të jetë institucioni më i vlerësuar. Dhe besoj se ju do ta ngrisni këtë besim duke përmbushur mandatin tuaj për të siguruar një ambient të sigurt për qytetarët e Kosovës dhe lëvizjen e lirë për të gjithë.

Ne do të vazhdojmë të punojmë së bashku në integrimin e të gjithë qytetarëve në rendin politik dhe shoqëror të Republikës së Kosovës dhe të punojmë bashkërisht në krijimin dhe forcimin e kapaciteteve të Kosovës për të qenë kontribuuese e sigurisë kolektive. Jemi të bindur se vetëm në këtë mënyrë do ta sigurojmë prosperitetin e qytetarëve të vendit tonë, do ta garantojmë stabilitetin e tij, derisa me ngulm ndjekim dhe realizojmë vizionin tonë të palëkundur për të qenë pjesë e familjes euroatlantike.