Fjalimi i Presidentes Jahjaga në manifestimin “Epopeja e UÇK-së”

Çdo vit në këtë ditë, ne përkujtojmë dhe nderojmë sakrificën sublime të gjithë atyre që dhanë jetën për shtetin, për lirinë dhe për paqen. Gjithashtu, kujtojmë sakrificën e të gjithë brezave që me idealin e tyre i dhanë jetën dhe shpirtin pavarësisë tonë.

I nderuar kryetar i Kuvendit të Kosovës, z.Krasniqi,
I nderuar Kryeministër Thaçi
Të nderuar përfaqësues të institucioneve qendrore dhe lokale të Republikës së Kosovës,
Të nderuar ambasadorë dhe përfaqësues të misioneve diplomatike në vendit tonë,
Të nderuar komandantë dhe oficerë të Forcës së Sigurisë së Kosovës,
E nderuara familje Jashari dhe familje të dëshmorëve,
Të nderuar pjesëmarrës,


Çdo vit në këtë ditë, ne përkujtojmë dhe nderojmë sakrificën sublime të gjithë atyre që dhanë jetën për shtetin, për lirinë dhe për paqen. Gjithashtu, kujtojmë sakrificën e të gjithë brezave që me idealin e tyre i dhanë jetën dhe shpirtin pavarësisë tonë.

Sot, mbi rrugën që ata trasuan dhe vlera që i trashëguam, ne po ndërtojmë shtetin demokratik, shtetin e së drejtës, një shtet gjithëpërfshirës të të gjithë qytetarëve të tij të barabartë, në paqe me të gjithë.

Rruga deri këtu ishte e vështirë dhe aspak më e lehtë nuk do të jetë puna dhe angazhimi që po na pret në forcimin e vlerave demokratike deri në arritjen e qëllimeve tona, anëtarësimin në Bashkimin Evropian dhe në NATO. Sot më shumë se kurrë na duhet një dashuri më e madhe për atdheun, një respekt dhe solidaritet për njëri-tjetrin, një bashkim i forcave tona dhe tejkalim i dallimeve të thella politike për qëllimet madhore të Kosovës. Na duhet punë dhe sakrificë më e madhe për t’u bërë ballë sfidave në përmbushje të synimeve tona.

Ne nuk kemi më kohë për të humbur, sepse shteti dhe shoqëria jonë ka nevojë për përmbylljen e të gjitha reformave që janë nisur. Vendit tonë duhet  t’i krijojmë një të ardhme të qëndrueshme, një Kosovë stabile që do të mbetet rrëfim suksesi i përbashkët i yni dhe i bashkësisë ndërkombëtare dhe një vlerë e shtuar për aleatët tanë strategjikë.

Ky ishte amaneti i të gjithë brezave që sakrifikuan për të sotmen tonë dhe këtë amanet ia kemi borxh Kosovës, që ta përmbushin për të ardhmen tonë.

Lavdi!