Fjalimi i Presidentes Jahjaga në Konferencën vjetore të prokurorëve të shtetit

Jam e nderuar të jem sot mes jush në këtë takim vjetor të njerëzve që bartin peshën e drejtësisë, herë-herë të kritikuar dhe herës tjetër të sfiduar. Është prandaj e veçantë kur biseda me zbatuesit e ligjit kthehet në një dialog aktiv jo vetëm për mënyrat e veprimeve por, mbi të gjitha, për rezultatet konkrete që ato kanë dhënë. Kryeprokuror Lumezi kam besimin e plotë se ky takim vjetor do të shndërrohet nga një vlerësim i zakonshëm i punës në një veprim më konkret në fuqizimin e shtetit të së drejtës dhe në vendosjen e sundimit të ligjit.

Të nderuar pjesëmarrës,

Jam e nderuar të jem sot mes jush në këtë takim vjetor të njerëzve që bartin peshën e drejtësisë, herë-herë të kritikuar dhe herës tjetër të sfiduar. Është prandaj e veçantë kur biseda me zbatuesit e ligjit kthehet në një dialog aktiv jo vetëm për mënyrat e veprimeve por, mbi të gjitha, për rezultatet konkrete që ato kanë dhënë. Kryeprokuror Lumezi kam besimin e plotë se ky takim vjetor do të shndërrohet nga një vlerësim i zakonshëm i punës në një veprim më konkret në fuqizimin e shtetit të së drejtës dhe në vendosjen e sundimit të ligjit.

Ne kemi bërë shumë herë vlerësime, edhe pozitive, për sistemin e drejtësisë në Kosovë, duke u thirrur në qytetarin tonë dhe të ardhmen më të mirë të tij dhe jemi zotuar se do të thellojmë reformat në shoqëri për ta bërë Kosovën një vend më ndryshe. Jemi zotuar për: SHTETIN LIGJOR.

E theksoj se sa e rëndësishme është puna juaj, njerëzve që janë në vijën e parë të zbatimit të ligjit; sa me vlerë për sundimin e ligjit është angazhimi juaj dhe sa me dobi për qytetarin janë rezultatet që ju sillni nga puna juaj. Dhe, prandaj, sërish e theksoj; jeni ju në vijën e parë të shtetit ligjor.

Ne kemi kërkuar reforma në shoqëri; të dhimbshme, sfiduese, aspak të lehta dhe, njëkohësisht, të domosdoshme për ta bërë shtetin e Kosovës një demokraci që zhvillohet, një vend gjithëpërfshirës ku realizohen të drejtat e të gjithëve në mënyrë të barabartë. Kemi kërkuar mbi të gjitha reforma në drejtësi, të një sistemi që vendos vlerën e shtetit: ligjin dhe rendin. Sepse kjo është garanci edhe e zhvillimit edhe e integrimit.

Dhe kjo arrihet me zbatim të ligjit; në respektim të të cilit duhet të jenë të gjithë, pavarësisht. Askush nuk mund të vihet mbi ligjin dhe askush nuk mund të amnistohet për shkelje të tij. Kam adresuar vazhdimisht nevojën për intensifikim të luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar dhe do të vazhdoj ta adresojë këtë çështje në çdo vend, në çdo kohë dhe në çdo mënyrë.

Ne jemi lodhur si shoqëri nga shkalla e lartë e korrupsionit. Ne kemi dëmtuar funksionimin e shtetit me politikat e mosndëshkimit të të gjithë atyre që janë përfshirë në afera korruptive. Ne kemi goditur jo vetëm imazhin në skenën ndërkombëtare me këtë shkallë të perceptimit për korrupsionin. Dhe sërish nuk kemi vepruar aq dhe ashtu si duhet. Sot nuk është koha për të shprehur me fjalë përkushtimin për luftën kundër korrupsionit. Sot është koha që, për hir të mirëqenies së qytetarëve dhe për hir të bërjes së shtetit të Kosovës, ta gjejmë forcën dhe guximin e ta përfundojmë këtë cikël të frikës dhe të mosndëshkimit. Sot është koha ta bëjmë Kosovën vend të pakorruptuar.

Ne kemi dëshmuar se kemi forcë, aftësi dhe vullnet për ta bërë Kosovën pjesë të barabartë të arkitekturës globale të sigurisë dhe ta rreshtojmë atë përkrah të gjitha forcave demokratike në botë. Sepse, nuk mund të lejojmë që vlerat e lirisë dhe të demokracisë të sfidohen nga grupe ekstremiste dhe radikale. Ne nuk mund të shndërrohemi në strehë të asnjë grupi ekstremist dhe prandaj jemi bërë partner global në luftën kundër këtij kërcënimi. Por, beteja jonë është edhe e brendshme, për të ndihmuar të gjithë të rinjtë e të rejat tona, që të mos bien pre e ekstremizmit  fetar, duke iu ofruar më shumë mundësi, më shumë shanse në jetë, më shumë arsimim dhe më shumë perspektivë. Por, ne nuk do të lejojmë që cilido grup ekstremist të sfidojnë shoqërinë dhe shtetin tonë, nuk do të lejojmë ta godasin kushtetutën tonë dhe të lëkundin vlerat e diversitetit dhe tolerancën e harmoninë fetare, të ndërtuar me shumë mund brenda shekujve.

Kjo kërkon koordinim më të afërt të policisë me prokurorinë dhe ndërtimin e rasteve të cilat do të çonin drejt gjykimit dhe dënimit meritor.

Të nderuar pjesëmarrës,

Kemi hyrë në një fazë të re, të një marrëveshjeje të rëndësishme kontraktuale me Bashkimin Evropian dhe prandaj na duhet konsensus i plotë në gjithë shoqërinë për rrugën drejt integrimeve. Bashkimi Evropian nuk ka alternativë për ne dhe njëkohësisht është pika që bashkon gjithë popullin e Kosovës, pa dallim.

Por, kjo rrugë kërkon nga ne më shumë përkushtim dhe më shumë punë. Kërkon institucione të forta dhe demokratike; kërkon më shumë rend dhe ligj; respektim të institucioneve të drejtësisë; më shumë angazhim për të ruajtur vlerat e diversitetit të shoqërisë, edhe atë etnik, edhe kulturor edhe fetar. Por, mbi të gjitha, kërkon dialog dhe marrëveshje. Dialog të brendshëm për të zgjidhur çështjet që nxisin mosmarrëveshje. Dialog pa paragjykime, ndërmjet njerëzve që dikur kanë qëndruar së bashku për ta bërë luftën dhe që sot duhet ta ruajnë paqen. Pra, na duhet që të gjithë së bashku të ulemi dhe të gjejmë zgjidhje, sepse shtetin nuk mund ta sfidojmë për çdo ditë dhe sepse nuk mund të rrënojmë institucionet e vendit, besimin tek të cilat duhet me shumë mund ta rikthejmë tek qytetarët.

Për aq sa na duhet ta rikthejmë edhe besimin e lëkundur të qytetarëve në institucionet e drejtësisë. Dhe barra bie mbi ju: që jeni në vijën e parë të sundimit të ligjit, që ta bëni me përkushtim dhe me vendosmëri një sistem të drejtësisë që është efektiv, i drejtuar kah rezultatet dhe paanshmëria, duke sublimuar frymën e të drejtave të njeriut.