Fjalimi i Presidentes Jahjaga në konferencën “Sfidat në luftimin e krimit të organizuar dhe terrorizmit dhe bashkëpunimi në Evropën Juglindore”

Krimi nuk njeh kufij e as madhësi shtetesh. Secili vend i rajonit sot ballafaqohet me probleme serioze të trashëguara qoftë nga tranzicioni qoftë nga mangësitë profesionale e ligjore të cilat po e bëjnë të domosdoshëm bashkëpunimin tonë për ta parandaluar dhe luftuar krimin e organizuar, korrupsionin dhe tash së fundi edhe kërcënimin terrorist që po e rrezikon sigurinë kombëtare të vendeve tona. Gatishmëria e vendeve tona për të bashkëpunuar do të përcaktojë hapin me të cilin do t’i transformojmë shtetet tona në demokraci të mirëfillta edhe shpejtësinë me të cilën rajoni do të ecë drejt integrimeve evropiane si vulë që do të kurorëzojë suksesin tonë për të ndërtuar shoqëri të qëndrueshme. Këtë betejë nuk guxojmë ta humbim sepse po e humbëm ne do të humbim edhe një gjeneratë mundësish për ta jetësuar paqen dhe demokracinë në Evropën juglindore.

I nderuar zv/kryeministër Kuçi,
I nderuar ministër Rexhepi,
I nderuar u.d. Prokuror i Shtetit Hoxha,
E nderuara ambasadore Jacobson,
I nderuari përfaqësues i Zyrës së BE-së, z. Gnocchi,
Të nderuar përfaqësues të institucioneve të Republikës së Kosovës,
Të nderuar përfaqësues të Gjyqësorit, të Prokurorisë, të Policisë së Kosovës,
Të nderuar ambasadorë dhe përfaqësues të misioneve diplomatike në Republikën e Kosovës,
Të nderuar përfaqësues të shoqërisë civile,
Të nderuar përfaqësues të Qendrës Marshall,
 
Krimi nuk njeh kufij e as madhësi shtetesh. Secili vend i rajonit sot ballafaqohet me probleme serioze të trashëguara qoftë nga tranzicioni qoftë nga mangësitë profesionale e ligjore të cilat po e bëjnë të domosdoshëm bashkëpunimin tonë për ta parandaluar dhe luftuar krimin e organizuar, korrupsionin dhe tash së fundi edhe kërcënimin terrorist që po e rrezikon sigurinë kombëtare të vendeve tona. Gatishmëria e vendeve tona për të bashkëpunuar do të përcaktojë hapin me të cilin do t’i transformojmë shtetet tona në demokraci të mirëfillta edhe shpejtësinë me të cilën rajoni do të ecë drejt integrimeve evropiane si vulë që do të kurorëzojë suksesin tonë për të ndërtuar shoqëri të qëndrueshme. Këtë betejë nuk guxojmë ta humbim sepse po e humbëm ne do të humbim edhe një gjeneratë mundësish për ta jetësuar paqen dhe demokracinë në Evropën juglindore.
 
Të nderuar të pranishëm,
 
Jam e nderuar që sot këtu në Prishtinë, ju mirëpresim juve - përfaqësues të mekanizmave të sigurisë të vendeve të rajonit - njerëz që nevojën e vendosjes së sundimit të ligjit e shihni përtej politikave ditore. Ju mirëpresim të gjithë juve që përfaqësoni garancinë e ndërtimit të shtetit të së drejtës dhe që jeni të përkushtuar që luftën kundër krimit të organizuar ta fitoni me bashkëpunim.
 
Në veçanti, dua ta përgëzoj prokurorinë e shtetit të Kosovës për organizimin e kësaj konference, dhe konceptimin e saj si një forum të shkëmbimit të përvojave të të gjitha vendeve të rajonit dhe më gjerë, në luftën kundër korrupsionit, krimit të organizuar dhe terrorizmit.
Po ashtu dëshiroj të falënderoj përfaqësuesit e Qendrës Marshall për përvojën dhe ekspertizën dhe eksperiencën e tyre që në mënyrë të vazhdueshme përkrahin institucionet e rendit dhe ligjit në Kosovë.
 
Vendet tona dhe qytetarët tanë nuk duhet të mbesin peng i të kaluarës sonë dhe është prioritet i ynë që të sigurohemi që e ardhmja e tyre të mos rrezikohet për shkak të mungesës së bashkëpunimit mes nesh, posaçërisht në fushën e sigurisë.
 
Asnjë vend nuk është i paprekshëm dhe i pacenueshëm nga trendet e fundit të radikalizmit dhe ekstremizmit prandaj lufta jonë kundër këtyre të këqijave që po cenojnë sigurinë tonë kolektive duhet të jetë luftë e përbashkët. Ne kemi përqafuar vlerat progresive që përkojnë me aspiratat tona euroatlantike dhe çdo dështim në këtë luftë do të jetë kthim prapa për popujt tanë.
 
Përtej vullnetit politik dhe përkushtimit për të bashkëpunuar, sot na nevojitet një bashkëpunim konkret dhe strategjik ndërmjet strukturave të sigurisë që bëjnë parandalimin dhe luftimin e këtyre rreziqeve të cilat shtrihen përtej kufijve të secilit vend, me qëllim që përgjigja ndaj tyre të jetë e plotë dhe efektive. Përgjigje e përbashkët dhe e pakompromis.
 
I gjithë rajoni i Evropës Juglindore sot përballet me një numër sfidash në fushën e sigurisë dhe së fundmi çdo shtet po përballet me problemin e migrimit ilegal që i ka bashkuar rrjetet e grupeve kriminale dhe që po e sfidon edhe përgjigjen tonë profesionale ndaj tyre pikërisht për shkak të mungesës së koordinimit tonë në rrafshin e sigurisë.
 
Ky është vetëm njëri nga problemet e shumta me të cilat sot ballafaqohemi si rajon dhe që e bën bashkëpunimin ndërkombëtar jo çështje dëshire e vullneti por një nevojë dhe domosdoshmëri urgjente e cila kërkon përgjigjen tonë dhe të vendeve tona, por edhe të institucioneve tuaja.
 
Përgjigja sërish duhet të jetë e përbashkët dhe prandaj na duhet komunikimi ndërmjet nesh, ndërmjet strukturave të sigurisë, me qëllim që të pengojmë rrezikimin e jetës së qytetarëve të vendeve tona dhe të pengojmë këto procese negative. Kosova nuk mund të lihet jashtë këtij bashkëpunimi dhe ajo nuk mund të perceptohet e ndarë nga vendet e tjera në luftën kundër krimit të organizuar, korrupsionit dhe krimeve të tjera. Kosova duhet të përshihet në të gjithë mekanizmat qoftë rajonalë edhe ndërkombëtarë në fushën e sigurisë, sepse vetëm kështu lufta kundër këtyre dukurive bëhet e plotë dhe e fuqishme. Kosova duhet të jetë pjesë e pandashme e këtyre mekanizmave, përfshirë EUROPOL dhe INTERPOL, sepse kjo garanton suksesin e ndërprerjes së zinxhirit të krimit në Evropën Juglindore dhe goditjen e fortë ndaj korrupsionit jo vetëm brenda shtetit të Kosovës por edhe në vendet e tjera.
 
Ne jemi zotuar që të jemi partner të bashkësisë ndërkombëtare për luftimin e këtyre dukurive. Bashkëpunimi në nivel të këtillë e vendos Kosovën si partner të barabartë në luftimin e së keqes. Sundimi i ligjit dhe siguria është çështje që shkon përtej politikës, është domosdoshmëri globale, andaj ftoj bashkësinë ndërkombëtare dhe qeverinë e ardhshme që të punojnë intensivisht në këtë drejtim. Kjo konferencë dhe lista e sfidave para nesh e dëshmojnë më së miri këtë domosdoshmëri dhe këtë nevojë emergjente që e kemi para nesh.
 
Të nderuar të pranishëm,
Gjithëpërfshirja është thelbi i zgjidhjes së çështjeve të hapura në fushën e sigurisë dhe përjashtimi i cilitdo do të pamundësojë luftimin e tërësishëm të dukurive negative në veçanti të korrupsionit dhe krimit të organizuar.
 
Koordinimi i mekanizmave tonë institucionalë duhet të dëshmojë se ne i kemi kapacitetet për t’u ballafaquar në mënyrë kredibile me fenomenet të cilat cenojnë frymën dhe vlerat mbi të cilat ne kemi ndërtuar sistemet tona ligjore.
 
Në fund, dëshiroj të ju falënderoj për këtë organizim dhe jam e sigurt se konferenca si kjo dhe shumë konferenca të tilla që duhet të organizohen në nivele të tjera në të gjitha vendet tona të rajonit, do të intensifikojnë bashkëpunimin e mëtutjeshëm në të gjitha mekanizmat e rendit dhe të ligjit dhe të bëjë më efektive punën tuaj përbrenda shteteve dhe institucioneve tona në këtë pjesë të Evropës Juglindore. Ju dëshiroj fat dhe suksese z. Hoxhaj dhe shpresoj shumë se kjo konferencë do të nxjerrë probleme konkrete për avancimin e bashkëpunimit të mëtutjeshëm dhe konkret siç e thash edhe më herët se çështja e rendit dhe sigurisë së qytetarëve tanë, shkojnë përtej barrierave politike. Sukses dhe punë të mbarë!