Fjalimi i Presidentes Jahjaga në hapjen e panelit ministror të Samitit Global të Gruas

Presidentja e Republikës së Kosovës, zonja Atifete Jahjaga, mbajti sot një fjalë në hapjen e panelit ministror të Samitit Global të Gruas, në Kuala Lumpur të Malajzisë, në temën e fuqizimit ekonomik të gruas dhe rëndësisë së partneritetit publiko-privat. Në këtë panel morën pjesë zëvendës presidentja e Vietnamit, Nguyen Thi Doan, zonja e parë e Namibisë, Penehupife Pahamba, si dhe ajo e Zambisë, Christine Kaseba.

Në këtë panel mori pjesë edhe zëvendëskryeministrja dhe ministre e Tregtisë dhe Industrisë, Mimoza Kusari – Lila.

Presidentja Jahjaga po merr pjesë në Samitin Global të Gruas në Kuala Lumpur të Malajzisë, së bashku me përfaqësueset e shteteve, të qeverive dhe të shoqërisë civile nga e mbarë bota.

Në vazhdim po e botojmë të plotë fjalën e Presidentes Jahjaga në hapjen e panelit ministror:

E nderuara Irene,
Të nderuar Zonja dhe Zotërinj,

Me kënaqësi të madhe po i drejtohem këtij paneli shumë interesant, i cili fillon sot dhe do të doja të shfaq respektin tim të madh për punën e mrekullueshme të cilën e ka bërë Irena gjatë gjithë këtyre viteve për ta shndërruar fuqizimin ekonomik në realitet. Ju jeni një model dhe inspirim për gratë dhe vajzat në mbarë botën.

Për më tepër se një shekull ne kemi galvanizuar shoqëritë tona për ta pranuar faktin se gratë janë shtylla e progresit tonë.

Derisa fillojmë me diskutimet tona, si përfaqësues të sektorëve publikë dhe privatë, ne rishikojmë sukseset të cilat i kemi arritur deri tani me liderë vizionarë, të cilët i kanë vendosur vetes caqe të larta dhe pa asnjë frike e kanë mbrojtur faktin që secili anëtar i shoqërisë duhet të trajtohet në mënyrë të barabartë.

Secili gram i të drejtave të cilat ne si gra i gëzojmë sot, është fituar me punë të rëndë dhe me një qëndrueshmëri të madhe. Lufta për të drejtat e grave në të gjitha skajet e botës ka fytyrë të njëjtë, duke e përfshirë edhe regjionin prej nga vij edhe unë - Evropën Juglindore. Më punë të madhe në jemi duke i ndryshuar stereotipet përbrenda shoqërive tona. Unë me krenari e përfaqësoj një vend i cili para katërmbëdhjetë vitesh doli nga një nga luftërat më gjakësore në Ballkanin Perëndimor, i cili u rigjenerua në paqe duke krijuar një shoqëri inkluzive, duke siguruar që secilit qytetar t’i garantohen të drejta dhe liri të barabarta.

Në Kosovë ne kemi zhvilluar disa nga politikat më efektive, iniciativa të qëndrueshme drejt transformimit të normave gjinore. Është besim i yni se një demokraci e shëndoshë dhe një sistem inkluziv janë mjetet më të mira për një zhvillim të qëndrueshëm.

Gratë në Kosovë sot janë në pozita kyçe dhe gjithnjë e më shumë po bëhen një pjesë me ndikim të madh në procesin e vendimmarrjes. Kosova ka një grua për president dhe dy gra zëvendëskryeministre, një grua e cila udhëheq sektorin e tregtisë dhe industrisë dhe një grua e cila udhëheq procesin e integrimeve në BE. Në parlament, gratë përbëjnë 30 % të anëtarëve të parlamentit.

Gratë kanë akoma për të bërë për ta fituar pjesën e tyre të barabartë në shoqëri dhe të drejtën që të vendosin vetë për jetët e tyre. Por, ne mbesim të vendosur dhe më unikë se kurrë më parë, siç e demonstron edhe ky samit, në garantimin e faktit se secilit individ duhet t’i jepet shansi për të drejta të barabarta dhe mundësi të barabarta në jetë.

Fuqizimi i grave dhe vajzave duhet të jetë prioritet për të gjithë liderët botërorë, të cilët duan ta shohin vendin e tyre duke përparuar. Sepse është një paradoks të flasësh për përparim nëse një pjesë e shoqërisë ka ngecur prapa, i është ofruar më pak mundësi dhe është e diskriminuar.
 
Kemi para nesh një rrugë shumë sfiduese. Pengesat do të vazhdojnë ta bllokojnë rrugëtimin tonë, por ne do të arrijmë sukses ta shndërrojmë fuqizimin e grave në një realitet gjithandej, në secilin shtet, në secilin qytet dhe në secilin fshat.

Për këtë arsye, sa herë që flasim për fuqizimin ekonomik të grave, ne flasim për forcimin e familjeve tona, për forcimin e komuniteteve tona dhe forcimin e shtetit tonë.

E kemi parë shumë shpesh se duke investuar në gra ne në të vërtetë investojmë në një të ardhme më të mirë për të gjithë qytetarët. Sepse investimi në gra nuk është investim në një individ, por është investim direkt në llojin e edukimit që marrin fëmijët tanë dhe llojin e kujdesit shëndetësor që u ofrohet fëmijëve tanë, gjëra të cilat do të kenë ndikim në të ardhmen e tyre dhe në mirëqenien e gjithë familjes.

Të nderuar Zonja dhe Zotërinj,

Kur flasim për drejtat e grave, ne nuk flasim për favore apo privilegje të posaçme për gratë. Ne flasim për atë që është e drejtë, për një gjë të mençur që duhet të jetë një normë e cila duhet të na udhëheqë të gjithëve.

Është e drejtë që gratë të marrin pjesë në të gjitha fushat e jetës dhe të ofrojnë perspektivën e tyre në rastet kur krijohen politika dhe kur definohen strategji të cilat e afektojnë secilin individ të shoqërisë, secilin mashkull dhe secilën grua, secilin të moshuar dhe secilin person të ri.

Gratë janë motor i shoqërisë sonë. Me ndihmën e punës së tyre të palodhur dhe të fuqive të tyre transformuese kemi parë shoqëritë duke përparuar.

Duke investuar në pesëdhjetë përqindëshin e kapitalit njerëzor të shoqërive tona, ne jemi duke i shtuar ekonomive tona gjeneratorë të rinj të rritjes, që do ta ndryshojnë modelin e zhvillimit ekonomik përgjithmonë dhe me shpejtësi të madhe do ta rrisin ngritjen e një shteti.

Ne jemi dëshmitarë të transformimit i cili po ndodhë në çdo vend, kurdo që gratë marrin pjesë si anëtare aktive në ekonomitë tona.

Ndryshimi është evident derisa gratë janë duke u kthyer në motor lëvizës të ekonomive në vendet në zhvillim duke i përdorur talentet dhe aftësitë e tyre në hapjen dhe pronësinë e shumicës së ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme.

Kjo është më evidente në vendet e zhvilluara, ku diferenca gjinore është më e vogël dhe të cilat gëzojnë shkallë më të lartë të zhvillimit.

Të nderuar Zonja dhe Zotërinj,

Është përgjegjësi e secilit anëtar të shoqërisë që ta konsiderojë këtë betejë si betejë personale të tyren. Sepse kjo betejë nuk është e izoluar për vetëm gratë dhe vajzat, është një sfidë e jona e përbashkët. Për këtë arsye ne duhet t’i kërkojmë zgjidhjet së bashku, nëpërmes urave të bashkëpunimit dhe partneriteteve në nivele të ndryshme, në mes të katalizatorëve të ndryshëm.

Ne duhet ta thyejmë kurthin e varshmërisë ekonomike në të cilën gratë e kanë gjetur veten për gjenerata me radhë. Duke u ofruar barazi në tregun e punës, qasje në burime, qasje në edukim dhe trajnime.

Gratë janë një burim i fuqishëm i një ekonomie. Talenti dhe aftësitë të cilat gratë i sjellin me vete janë esenciale për sektorët publikë dhe privatë. Dhe, me të vërtetë, e kemi parë shpesh se si ky partneritet ka rezultuar në krijimin e mënyrave inovative për fuqizim ekonomik të grave. 

Edhe  përderisa kemi krijuar legjislacion, ne akoma vazhdojmë të shohim gratë të cilat ndalohen nga ligji tradicional. Gratë ende marrin pjesë më pak se meshkujt në fuqinë punëtore dhe janë pronare të vetëm pak për qind të pronës botërore.

Ne duhet ta rimendojmë mënyrën se si të përpilojmë ligjet, politikat dhe si udhëheqim biznese në mënyrë që të akomodojmë nevojat dhe limitimet e grave.

Ne duhet të sigurojmë se jemi duke hartuar legjislacionin i cili i trajton gratë si të barabarta, që garanton të drejtat e tyre trashëgimore dhe të drejtën për pronësi.

Ne duhet të krijojmë mekanizmin i cili do ta zvogëlojë hapësirën ndarëse në burime për gratë dhe burrat, duke u ofruar grave qasje në burime financiare dhe huat bankare mund t’u ndihmojnë që ta fillojnë biznesin e tyre.

Duke ndërtuar ura të bashkëpunimit në mes të sektorëve publikë dhe privatë ne mund të përdorim mjetet për të përkrahur iniciativat të cilat kanë për qëllim të vënë në përdorim fuqinë e grave dhe të akomodojnë talentin dhe aftësitë e tyre në ekonominë e vendit.

Ne duhet të krijojmë një platformë të masave konkrete që t’i mbajmë të qëndrueshme caqet dhe qëllimet të cilat i kemi vendosur. Ne duhet ta krijojmë një zinxhir të bashkëpunimit dhe të ballafaqohemi me këtë problem në secilin nivel.

Mund ta ndaj me ju shembullin e Kosovës, ku me mbështetjen e zyrës sime dhe zyrës së Ministrisë për Tregti dhe Industri dhe USAID-it, ne kemi bërë hapa drejt krijimit të Odës së parë të Grave për Tregti.

Ne iu jemi drejtuar grave të suksesshme ndërmarrëse, të cilat kanë thyer të gjitha barrierat dhe tavanet e qelqta dhe kemi kërkuar nga to që të ndihmojnë ngritjen e grave të tjera, të bëhen mentore të tyre dhe mbështetëse të tyre.

Dhe shohim rezultate pozitive për çdo ditë. Janë këto modele të cilat u japin kurajë grave të tjera që të jenë të pafrikshme, që të marrin pjesë në tregun e punës, të fillojnë biznesin e tyre, të shkojnë në shkollë dhe të ngritin zërin kundër padrejtësive.

Të nderuar pjesëmarrës të samitit,

Ne duhet ta bëjmë si mision të gjeneratës sonë vazhdimin e shtrimit të rrugës për gjeneratën në vijim dhe atë pas saj, kur më nuk do të bëjmë dallime në mes të drejtave të grave dhe të meshkujve, por do të flasim për mundësitë për secilin anëtar të shoqërisë, pa marrë parasysh gjininë.

Fuqizimi i grave duhet të bëhet lëvizja sociale e shekullit të 21-të. Është e drejtë, është gjë e mençur dhe ne duhet të veprojmë drejt kësaj.

Ju faleminderit!