Fjalimi i Presidentes Jahjaga në hapjen e konferencës globale ndërfetare në Prishtinë

Për vite me radhë në Kosovë mblidhen përfaqësues të besimeve të ndryshme dhe njerëz që i kanë dedikuar jetën fuqisë së bashkimit shpirtëror, për të treguar vlerën e dialogut ndërfetar dhe ekumenik dhe për të dëshmuar rëndësinë e tolerancës dhe harmonisë ndërfetare.

Të nderuar udhëheqës të bashkësive të ndryshme fetare,

Për vite me radhë në Kosovë mblidhen përfaqësues të besimeve të ndryshme dhe njerëz që i kanë dedikuar jetën fuqisë së bashkimit shpirtëror, për të treguar vlerën e dialogut ndërfetar dhe ekumenik dhe për të dëshmuar rëndësinë e tolerancës dhe harmonisë ndërfetare.
 
Me një traditë shumë më gjatë të tolerancës, harmonisë dhe të bashkëpunimit ndërfetar, madje edhe në periudhat më të rënda të historisë së saj, Kosova ka ndërtuar bazën e mirëkuptimit, tolerancës dhe harmonisë ndër shekuj dhe pikërisht kjo traditë tregon se sa e vështirë është të prishen vlerat që njerëzit bashkërisht i kanë ndërtuar me mund.
 
Prandaj sot, kur mblidhemi për të gjetur një rrugë të përbashkët të mirëbesimit dhe paqes gjithnjë rikthehemi në rrënjët tona që bazohen në bashkëjetesën ndërmjet njerëzve të kulturave të ndryshme. 
 
Duke ndërtuar shoqërinë gjithëpërfshirëse, që bazohet në vlerat e tolerancës dhe mirëkuptimit dhe duke ruajtur vlerën më të madhe të mirëbesimit dhe respektimit ndërnjerëzor, ne duhet të ndihmojmë në vazhdimin e promovimit të dialogut ndërmjet nesh, ndërmjet kulturave dhe traditave e besimeve të ndryshme. 

Pikërisht kjo traditë e dialogut është një vlerë e shtuar e shoqërisë së Kosovës, që ka kaluar një histori të rëndë, por që gjithherë i është rikthyer shpirtit të tolerancës dhe harmonisë edhe ndërmjet qytetarëve por edhe ndërmjet besimeve.
 
Tradita e bashkëjetesës fetare, e kultivuar përgjatë historisë së vendit, e gërshetuar edhe në Kushtetutën tonë, si pjesë e rëndësishme e lirive të njeriut, e bën Kosovën një shtet të respektimit të diversitetit dhe të ruajtjes së paqes.

Megjithëkëtë, në një kohë të sfidave globale të sigurisë, kur njëkohësisht po sfidohet edhe bashkëjetesa, madje edhe fetare, na duhet një përgjigje e përbashkët, gjithëpërfshirëse, për ta ruajtur një vlerë të rëndësishme për njerëzit – mirëkuptimin dhe mirëbesimin ndërmjet tyre.
 
Kjo sfidë, që nuk ka lënë pa e prekur edhe Kosovën, shndërrohet në një betejë të rëndësishme për qytetarët tanë, për të rinjtë tanë, që të ritheksojnë edhe njëherë vlerën e shtetit të ri të tyre, se e ardhmja bazohet në besimin te shteti i përbashkët, i cili ndërtohet mbi shumëllojshmërinë e kulturave dhe traditën e bashkëjetesës midis tyre. Për të siguruar një gjë të tillë, ne duhet të konfrontohemi me ekstremizmat e çfarëdo lloji dhe me ndikimet që ato mund të kenë mbi të rinjtë tanë. Dhe, prandaj, na duhet angazhim i plotë i yni, i shoqërive tona, në hapjen e perspektivave për të rinjtë tanë, në rritjen e nivelit të arsimimit dhe në kultivimin e kulturës së bashkëjetesës. Dhe religjioni është pikërisht këtu, për ta ndihmuar këtë angazhim për një të ardhme më të mirë për të gjitha vendet tona.

Në përpjekjen tonë për ta garantuar paqen dhe sigurinë, jo vetëm për ne por për gjithë rajonin, po edhe më gjerë, në këtë kohë të përballjeve me këto sfida të rënda, ne po provojmë që me angazhimin tonë të ndërtojmë një arkitekturë të re të bashkëpunimit dhe të mirëbesimit.

Vlerat e bazuara në tolerancë, harmoni, mirëkuptim e gjithëpërfshirje duhet t’i mbizotërojnë konfrontimet dhe të çelin rrugën e pajtimit mes popujve dhe shteteve, duke garantuar bashkëpunimin dhe hapjen e perspektivës për të ardhmen tonë.

Të nderuar pjesëmarrës,

Religjionet tona të ndryshme duhet të na bëjnë bashkë dhe jo të na ndajnë në punën tonë të përditshme në ndërtimin e besimit ndërmjet komuniteteve tona, në përpjekjet për të ndryshuar të kaluarën e rëndë dhe për të ofruar njerëzit me afër njëri-tjetrit, për ta mundur të keqen që mund të kërcënojë cilindo prej nesh. Feja nuk mund të shpërdoret për asnjë qëllim tjetër dhe ajo nuk mund të ketë mision më të madh sesa promovimin e paqes dhe të dashurisë për njëri- tjetrin.

Pavarësisht besimeve tona, qytetarët tanë kanë qëllime e synime të tjera dhe, mbi të gjitha, kanë ëndrrat e tyre për një jetë më të mirë dhe më të begatë. Ata duan që besimet të jenë vlera të shtuara të shoqërisë ku jetojnë, në një shtet që i trajton të gjithë si të barabartë, që u ofron mundësinë për të përparuar, që bashkëjeton me fqinjët e tij në paqe dhe që u ofron lirinë e lëvizjes, kujtdo dhe kudo, pa frikë. 

Prandaj, me promovimin e vazhdueshëm të dialogut ndërfetar, ne promovojmë jo vetëm vlerën më të rëndësishme të vendit tonë, të tolerancës, të harmonisë dhe të mirëkuptimit, por njëkohësisht mund të ndihmojmë përpjekjet e vazhdueshme për të ndërtuar dialogun mes komuniteteve të ndryshme.

Kjo konferencë është dëshmia më e mirë e rezultateve të punës sonë të përbashkët, jo vetëm si institucione, por edhe si shoqëri.