Fjalimi i Presidentes Jahjaga në ceremoninë me rastin e fillimit të punës të Shkollës Plus

Është kënaqësi për mua që të hap ceremoninë me rastin e fillimit të Shkollës Plus, të projektit Atomi, e cila do t’iu ofroj fëmijëve me inteligjencë të jashtëzakonshme, gjenive të Kosovës, mundësinë për të eksploruar e studiuar në fushat e tyre të interesit.

I nderuar Rektor, z.Gashi,
Të nderuar përfaqësues të Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës,
Të nderuar anëtar të Bordit Këshillues të Projektit ATOMI dhe ligjërues të Shkollës Plus,
Të nderuar nxënës dhe prindër,
Të nderur të pranishëm,
 
Është kënaqësi për mua që të hap ceremoninë me rastin e fillimit të Shkollës Plus, të projektit Atomi, e cila do t’iu ofroj fëmijëve me inteligjencë të jashtëzakonshme, gjenive të Kosovës, mundësinë për të eksploruar e studiuar në fushat e tyre të interesit.
 
Besoj se përmes këtij projekti, Gjenitë e Kosovës do të përsosin aftësitë dhe talentin e tyre, do të ruajnë origjinalitetin dhe do të ushqejnë mendimin kritik, për të cilin Kosova ka shumë nevojë.
 
Ne mburremi me rininë tonë, por atyre duhet t’iu ofrojmë kushte që të mund të vendosin se si ta orientojnë energjinë dhe talentin, që për vendin tonë do të thotë zhvillim, përparim dhe integrim në familjen e vendeve të zhvilluara.

Personat me inteligjencë të jashtëzakonshme e kanë aftësinë për të arritur suksese edhe pa ndihmën e të tjerëve, por ata gjithsesi duhet të gëzojnë mbështetjen e institucioneve të vendit, nëse synojmë që ata të jenë bartës të inovacioneve dhe zbulimeve të ndryshme shkencore, teknologjike dhe mjekësore.

Në Kosovë ka pasur dhe vazhdon të ketë projekte që përkrahin përfshirjen në shkollim të kategorive të margjinalizuara - por Kosova si çdo shoqëri tjetër duhet të investojë tek njerëzit me talentë të veçantë që të stimulojë kreativitetin e tyre.

ATOMI është projekt i rëndësishëm sepse përcaktohen format e përkrahjes për fëmijët me inteligjencë të jashtëzakonshme. Ky investim afatgjatë në resurse humane, do t’i kthehet Kosovës në formën më të mirë, përmes zhvillimit të fushave të ndryshme të shoqërisë.

Unë, në kapacitetin e Presidentes së Republikës së Kosovës, jam angazhuar për krijimin e Fondit për Edukim, sepse jam e përkushtuar për ngritje të cilësisë dhe standardit të arsimimit në të gjitha nivelet. Synimi im është që të gjithë fëmijëve t’u krijohen kushte optimale për avancim të aftësive dhe talentit të tyre por edhe për studim në kuadër të institucioneve të arsimit publik në Kosovë. Kosova ka nevojë të ec në hap me zhvillimet globale e për këtë të rinjtë tanë duhet të kenë kushte dhe mundësi për hulumtime shkencore dhe për inovacione.

I përgëzoj psikologët që po punojnë me mbi 100 fëmijë me inteligjencë të jashtëzakonshme, më gëzon shumë fakti që këta gjeni i takojnë moshës 13 deri 18 vjeç dhe janë të orientuar për shkencat ekzakte. 

Ata janë energjia dhe motivi për zhvillim, që i ka munguar Kosovës.

Ata janë garanci për përparimin e përgjithshëm të shtetit tonë!

Ju jeni krenaria jonë!
 
Suksese dhe Ju faleminderit!