Fjalimi i Presidentes Jahjaga në ceremoninë e ndërrimit të komandës së FSK-së

Jam e nderuar që sot jam në mesin tuaj. Fillimisht për t’iu përgëzuar juve, ushtarë, nënoficerë dhe oficerë, si dhe paraardhësit tuaj, për punën e palodhshme që keni bërë për ngritjen e këtij institucioni qenësor për të ardhmen e Republikës së Kosovës.

I nderuar Kryeministër Mustafa,
Ministër Demolli,
Gjeneral Kastrati,
Gjeneral Rama,
Gjeneral Filuolo,
Ambasadorë dhe përfaqësues të misioneve diplomatike në Kosovë,
Të nderuar të pranishëm,
 
Jam e nderuar që sot jam në mesin tuaj. Fillimisht për t’iu përgëzuar juve, ushtarë, nënoficerë dhe oficerë, si dhe paraardhësit tuaj, për punën e palodhshme që keni bërë për ngritjen e këtij institucioni qenësor për të ardhmen e Republikës së Kosovës.
 
Ndërtimi i çdo institucioni në Kosovën e pasluftës ka qenë sfidues, po aq sa ishte edhe rrugëtimi i qytetarëve tanë për të realizuar ëndrrën e gjeneratave të tëra për të ndërtuar një Kosovë që frymon lirshëm, sovrane dhe të pavarur.
 
Këtyre sfidave që na dolën përpara: si institucione dhe shoqëri, ju përgjigjëm me optimizëm. Bashkë me partnerët tanë ndërkombëtarë, i krijuam kushtet ta shpallim Kosovën shtet të pavarur, të njohur e të pranuar sot në botë, me aspiratën e qartë për t’u bërë anëtare e OKB-së, NATO-s dhe BE-së.
 
E ngritëm kredibilitetin e shtetit tonë si një faktor konstruktiv në forumet rajonale e ndërkombëtare. Morëm vendime të rëndësishme, shtrimë dorën e bashkëpunimit edhe atëherë kur nuk ishte aspak e lehtë. Dhe këtë e bëmë me një qëllim – që Kosovën e lirë, sovrane dhe të pavarur, ta bëjmë të qëndrueshme, të palëkundur dhe të konsoliduar plotësisht.
 
Në këtë përpjekje ndonjëherë testuam edhe demokracinë tonë, po aq sa edhe durimin e qytetarëve tanë, duke e zgjatur ende procesin e tranzicionit të vendit, por njëkohësisht duke u pjekur në sistemin e ri të vlerave, atë të demokracisë. E kaluam një rrugë të gjatë, por akoma më shumë ka mbetur dhe qytetari ynë me të drejtë po kërkon një jetë më të dinjitetshme dhe me mirëqenie në Kosovë.
 
E prandaj sot, të gjithë ne jemi përgjegjës për këtë shtet. Përgjegjës për ta ringritur dhe për ta bërë: të dinjitetshëm e të zhvilluar, të barabartë me të gjithë popujt e tjerë, të sigurt, stabil dhe në paqe. Sepse, ua kemi borxh atyre që kanë sakrifikuar për të dhe, mbi të gjitha, e kemi obligim për gjeneratat e reja. Prandaj, sot le ta zhvillojmë patriotizmin tonë për shtetin, për përparimin e tij dhe për të ardhmen e tij më të ndritur.  
 
Forca e Sigurisë së Kosovës ka qenë shtyllë e këtij rrugëtimi tonë – gjithëpërfshirëse, patriotike, profesionale dhe shumë e besueshme. Nuk është e rastësishme që sot po e ndërtojmë vizionin, i cili do të shtojë obligimet tuaja, sepse si qytetarë të Kosovës, pavarësisht nga prejardhja etnike, ne besojmë në ju dhe në misionin fisnik që ju e keni ndërmarrë për ta mbrojtur Kosovën, për t’i ruajtur vlerat e idealet mbi të cilat u betuam dhe për të avancuar bashkëpunimin me aleatët tanë strategjikë.
 
Ju e keni kaluar edhe një hap: Keni përmbyllur me sukses një periudhë të rëndësishme të Forcës së Sigurisë, duke hapur një kapitull të ri për ju dhe për gjithë vendin: krijimin e një Force moderne të armatosur, me kapacitete mbrojtëse, që adreson sfidat e sigurisë, e kompleton infrastrukturën tonë të sigurisë dhe në proces e sipër të profesionalizimit me standarde të NATO-s dhe që synon anëtarësimin në këtë aleancë.
 
I nderuar Gjeneral Kastrati,
Në emër të gjithë qytetarëve të Kosovës dhe institucioneve të Kosovës, ju faleminderit për punën e përkushtimin tuaj shumëvjeçar në ndërtimin e këtij institucioni shembull të shtetit tonë, Republikës së Kosovës.
 
Ju po e përmbyllni këtë detyrë duke lënë pas vetes një institucion profesional, të gatshëm për të marrë përgjegjësitë që i takojnë në garantimin e sigurisë kombëtare, që ngërthen në vete vlerat dhe idealet e Republikës së Kosovës dhe aspiratën tonë për të qenë pjesë e  infrastrukturës euroatlantike të sigurisë.
 
Juve Gjeneral Rama, që sot merrni detyra të reja dhe përgjegjësi të reja, ju dëshiroj punë të mbarë. Ju pret një rrugë e gjatë në profesionalizimin e mëtutjeshëm të Forcës së Sigurisë së Kosovës, një Force multietnike profesionale dhe një institucioni që gëzon besimin më të madh në mesin e të gjithë qytetarëve të Kosovës dhe që së bashku me të gjitha institucionet e vendit punon në shërbim të të gjithë qytetarëve tanë.
 
Besoj fuqishëm që do të vazhdoni ta thelloni këtë besim të qytetarëve duke përmbushur misionin e kësaj force në ruajtjen dhe forcimin e kapaciteteve të Kosovës, për të qenë kontribuuese e sigurisë kolektive. Jemi të bindur se vetëm në këtë mënyrë do ta sigurojmë prosperitetin e qytetarëve të vendit tonë, do ta garantojmë stabilitetin e tij, në përpjekjen tonë për të përmbushur vizionin e palëkundur për të qenë pjesë e familjes së madhe euroatlantike.
Të jeni krenarë për institucionin që i shërbeni.
 
Ju priftë e mbara!