Fjalimi i Presidentes Jahjaga në ceremoninë e lansimit të doracakut për gjyqtarë dhe prokurorë për trajtimin e rasteve të dhunës në familje

Së pari dua që të përgëzoj Forumin dhe ndihmën që Ambasada Amerikane ka dhënë në përpilimin e doracakut për gjyqtarë dhe prokurorë për trajtimin e rasteve të Dhunës në Familje.

Dhuna në familje është një dukuri shumë e përhapur në të gjitha vendet e botës dhe fatkeqësisht, prek të gjitha grupet shoqërore pa dallim kulture, feje, moshe, standardi të jetës apo niveli të arsimit.
 
Ky fenomen shqetësues është prezent edhe në shoqërinë tonë, e cila është duke kaluar nëpër fazën sfiduese të ndërtimit të shtetit ligjor dhe institucioneve demokratike.
 
Përkundër sfidave dhe prioriteteve të shumta të shtetndërtimit, institucionet e Republikës së Kosovës i kanë kushtuar vëmendje të jashtëzakonshme kësaj dukurie.
 
Përmes mekanizmave të ndërtuar, në bashkëpunim me shoqërinë civile dhe me partnerët ndërkombëtarë, institucionet e Republikës së Kosovës, aktivitetin e tyre e kanë fokusuar në tri shtylla kryesore: në parandalimin, mbrojtjen e trajtimin dhe rehabilitimin e riintegrimin e personave të prekur nga dhuna në familje.
 
Në këtë mes rol shumë të rëndësishëm ka familja. Ajo është shtylla kryesore e shoqërisë, vendi ku fillon dashuria, ku edukohen qytetarët e përgjegjshëm dhe lindin e emancipohen liderët e ardhshëm të një vendi.
 
Por, nuk mjafton vetëm angazhimi i familjes dhe i shkollave e institucioneve edukativo-arsimore, për ta realizuar me sukses mbrojtjen dhe trajtimin apo rehabilitimin e riintegrimin, si hapa të tjerë shumë të rëndësishëm të veprimit institucional dhe mbarëshoqëror. Për këtë kërkohet angazhim konkret dhe shumë proaktiv i  institucioneve të Republikës së Kosovës dhe partnerëve, të cilët kanë dhënë kontribut të jashtëzakonshëm në përpilimin e legjislacionit dhe strategjisë kundër dhunës në familje.
 
Dhuna në familje në Republikën e Kosovës, për fat të keq, vazhdon të jetë në nivel të lartë. Edhe në raportet e institucioneve ndërkombëtarë për progresin në Kosovë, dhuna në familje përmendet si një njollë, si një e metë e cila sfidon demokracinë dhe të drejtat e njeriut, të garantuara me Kushtetutën e vendit dhe me ligjet në fuqi.  
 
Dhuna në familje, e shprehur në format fizike ose psikologjike, cenon integritetin fizik dhe shpirtëror të viktimave dhe mbetet njëra prej shkeljeve më të rënda të të drejtave të njeriut. 
 
Kur flasim për dhunën në familje, theksin zakonisht e vëmë tek keqtrajtimet e formave të ndryshme të grave dhe të fëmijëve, si kategori më të ndjeshme, por këtu nuk bëjnë përjashtim as burrat, sepse dhuna në familje në Kosovë ndodh për pasojë të gjendjes jo të mirë socio- ekonomike të grave, fëmijëve dhe të moshuarve, mbijetesa e të cilëve varet nga anëtarët e tjerë të familjes.
 
Republika e Kosovës ka hartuar strategji veprimi për të luftuar dhunën në familje, madje prej korrikut të vitit 2013 institucionet e Kosovës kanë aprovuar procedurat standarde të veprimit për të parandaluar dhunën në familje, të cilat procedura vihen në zbatim nga Agjencia për Barazi Gjinore, Ministria e Punëve të Brendshme, Ministria e Drejtësisë, Policia, Prokuroria e Shtetit, Këshilli Gjyqësor, Mbrojtësit e Viktimave dhe përfaqësuesit e Strehimoreve.
 
Vlerësimi i bërë si rezultat i Strategjisë Kombëtare Kundër Dhunës në Familje, i zhvilluar nga Ambasada Amerikane dhe UN Women, ka identifikuar se shumica e rasteve të dhunës në familje injorohen nga gjykatat penale dhe trajtohen në gjykata civile si çështje mes personave privatë. Ky doracak adreson praktikat më të mira për sistemin e drejtësisë që të procesojë këto raste në mënyrë efektive si në gjykata civile ashtu edhe në ato penale.
 
E drejta për jetë me dinjitet dhe pa dhunë garantohet me Kushtetutën Kosovës dhe me ligjet përkatëse dhe duke u bazuar në këto garanci, institucionet e Kosovës kanë ndërmarrë një varg aktivitetesh me te cilat është shprehur përkushtimi ynë që, me zbatimin e praktikave më të mira ndërkombëtare, të bëhemi model për parandalimin dhe trajtimin e dhunës në familje.
 
Një hap i tillë është edhe publikimi i këtij doracaku, që ka lindur si nevojë reale për përmirësimin e mënyrës së trajtimit të rasteve të dhunës në familje.
 
Ky udhërrëfyes, padyshim se do t’iu ndihmoj të gjithë profesionistëve por në veçanti gjyqtarëve dhe prokurorëve, për të vlerësuar dhe për të kuptuar më mirë rastet e dhunës në familje, për t’ju ofruar qasje të barabartë të gjithë viktimave dhe padyshim se do të ndikojë në efikasitetin e praktikës gjyqësore.
 
Me këtë rast, dëshiroj t’ju shpreh mirënjohje për punën  e palodhshme dhe kontributin e jashtëzakonshëm të gjithë gjyqtarëve dhe prokurorëve të Kosovës, Departamentit të Drejtësisë të SHBA-ve, shoqërisë civile, si dhe të gjithë partnerëve, të cilët mundësuan përpilimin e këtij doracaku, por që në vazhdimësi kanë mbështetur institucionet e Kosovës në luftimin e këtij fenomeni, dhunës në familje.
 
Dhuna në familje vazhdon të jetë një nga format më të e përhapura të dhunës që prekin kryesisht gratë, fëmijët dhe të moshuarit në Kosovë. Prandaj, ne si shoqëri duhet të deklarohemi qarte se dhuna kundër gruas, fëmijës apo të moshuarve, dhuna në familje, e çfarëdo forme qoftë ajo, nuk është asnjëherë e pranueshme dhe asnjëri prej nesh nuk duhet ta toleroj atë, në asnjë formë apo situatë.