Fjalimi i Presidentes Jahjaga në ceremoninë e hapjes së Samitit Global të Grave

Presidentja e Republikës së Kosovës, zonja Atifete Jahjaga, mori pjesë në hapjen zyrtare të punimeve të Samitit Global të Grave, ku mbajti fjalën hyrëse, së bashku me zëvendëspresidenten e Vietnamit, Nguyen Thi Doan, dhe kryeministrin e Malajzisë, Dato’ Sri Mahd Najib bin Tun Abdul Razak.

Në delegacionin e Kosovës në këtë konferencë po merr pjesë edhe kryetarja e Dhomës Ekonomike të Grave të Kosovës, Afërdita Saraçini-Kelmendi, si dhe përfaqësuesja e Rrjetit të Grupeve të Grave të Kosovës, Mirlinda Kusari-Purrini.

Në vijim fjalimi i Presidentes Jahjaga i mbajtur me këtë rast:

Të nderuar zonja dhe zotërinj,
Pjesëmarrës të Samitit,

Kam kënaqësi të veçantë t’ju drejtohem, ju grave nga mbarë bota, të mbledhura në këtë vend të mrekullueshëm, dhe të vendosura që të sjellim përpara ndryshimet të cilat doni t’i shihni në shoqëritë tuaja, ndryshime të cilat e formojnë botën në të cilën jetojmë.

Ndjehem krenare kur shoh aq shumë gra të guximshme, të cilat kanë marrë vendimin aq kurajoz që ta marrin fatin e tyre në duar të tyre, të vendosin për vetveten dhe t’i tregojnë mbarë botës se barazia gjinore nuk është vetëm imperativ moral, por është mënyra e vetme drejt zhvillimit të qëndrueshëm të shoqërive tona.

Dëshiroj t’i përgëzoj organizatorët e këtij samiti të mrekullueshëm të biznesit të grave, i cili këtë vit feston përvjetorin e 23-të. Samiti Global i Grave ka bërë një punë mbresëlënëse gjatë këtyre viteve, duke demonstruar se gratë janë lëvizëset kyçe të rritjes ekonomike dhe duke e transformuar këtë platformë në ngjarjen kryesore globale për gratë ndërmarrëse, rezultate të cilat i shohim çdo ditë.

Pa marrë parasysh prejardhjen tonë, rrugëtimin tonë deri në arritje të pozitave udhëheqëse në politikë, mundin tonë për të themeluar një biznes apo të angazhohemi në avokim apo  të aplikojmë rregullat strikte të etikës dhe të japim shembull se si duhet të sillet një person kur vesh mbi vete petkun e një autoriteti publik, ne ishim të bashkuara në misionin tonë: të fuqizojmë gratë që të bëhen zotëruese të fatit vetjak.

Ju keni demonstruar këtë lloj ndryshimi, vizioni dhe udhëheqjeje, më se të nevojshme për këtë kohë. Kohë, në të cilën duhet të kemi më shumë barazi, më shumë mundësi, më shumë qasje të qëndrueshme ndaj burimeve dhe politika më të balancuara. Kohë, në të cilën duhet të kemi më shumë zë në sferën publike, reprezentim më të madh politik, gjasa më të mëdha për sigurimin e jetesës për familjet tona dhe rol më të madh për themelimin dhe mbarëvajtjen e një shoqërie të drejtë.

Kjo platformë  e ideve dhe vizioneve, e praktikave dhe strategjive më të mira, e rrjeteve dhe partneriteteve në të cilat gratë kalojnë kufijtë dhe dallimet, ideologjitë e ngurta dhe politikat e ngushta, duke folur të gjitha me një zë, ofron një skemë për përmirësimin e jetëve të secilës prej jush. Dhe, rrjedhimisht, jetët tuaja do të ndikojnë jetën e shumë të tjerëve. Sepse gratë janë shtylla: secili vendim të cilin ato e marrin i sjell benefite fëmijës, familjes, komunitetit, shoqërisë dhe vendit.

Ju do të largoheni nga ky samit të fuqizuara. Dhe ju do të përfitoni mënyrat se si t’i fuqizoni shumë të tjera në komunitetin tuaj, duke zgjeruar biznesin tuaj, duke punësuar më shumë njerëz dhe duke investuar më tej në edukimin e fëmijëve tuaj dhe duke i rritur vajzat dhe djemtë tuaj si të barabartë.

Për arsye se gratë janë katalizatore të ndryshimeve, Gratë janë vetë shoqëria.

Unë fuqimisht besoj se investimi në gratë është fundamental për vënien në lëvizje të ndryshimeve shoqërore dhe ekonomike për të cilat kemi nevojë si shoqëri globale. Ju inkurajoj që të mos keni frikë dhe që t’u besoni fuqive tuaja transformuese.

Çdo ditë ballafaqohemi me një numër të madh të hulumtimeve, fakteve dhe përvojave të cilat tregojnë se potenciali ekonomik i grave është esencial për të gjitha llojet e ekonomive dhe duke rritur nivelin e punësimit të grave deri te niveli i punësimit të meshkujve, ne do të mund të garantojmë një shpejtësi më të madhe të rritjes ekonomike.

Mospërfshirja e grave në zhvillimin ekonomik të një shteti e varfëron vetë atë shtet.

Fuqizimi ekonomik dhe politik i grave është po ashtu fundamental për paqe dhe demokraci; është fundamental për zhvillim të qëndrueshëm dhe drejtësi sociale dhe është fundamental për uljen e varfërisë dhe arritjes së rritjes ekonomike.

Dhe ky është po ashtu një emërues i përbashkët për shoqëritë e dala nga konflikti dhe shoqëritë në tranzicion, si dhe për vendet në zhvillim dhe ato të zhvilluara. Është mençuri si dhe imperative që ekuacionit t’i shtohet talenti i grave në mënyrë që të gjenden zgjidhjet për sfidat tona të përbashkëta.

Në një botë në të cilën burimet sa vijnë e pakësohen, një botë me recesion global dhe një bashkëvarshmërie në rritje, roli i gruas është i pandashëm nga shpejtësia e zhvillimit tonë. Gratë gjithnjë e më shumë konsiderohen si lëvizëse të zhvillimit ekonomik.

Gratë përbëjnë gjysmën e shoqërisë sonë dhe përfaqësojnë gjysmën e kapitalit njerëzor të cilitdo shtet. Talenti dhe aftësitë të cilat gratë mund t’i sjellin fuqisë punëtore mund të jenë përgjigje për nevoja e tregjeve gjithnjë e më garuese.

Ne shohim se si gratë ndërmarrëse e drejtojnë zhvillimin ekonomik në vendet në zhvillim, në të cilat gratë janë pronare të rreth dyzet për qind të ndërmarrjeve të  vogla dhe të mesme, të cilat janë motor i ekonomive tona.

Fuqizimi ekonomik i grave nuk është më vetëm zgjidhje e mençur afariste, por edhe prioritet i mençur afarist, sepse fuqia e tyre shpenzuese i shndërron ato në katalizator, fakt i cili nuk mund të injorohet. Gratë po shndërrohen në konsumatorët më të mëdhenj në botë dhe është imperative që gratë të përfshihen në bordet e korporatave dhe pozita të larta.

Derisa ne pritnim që argumentet sociale dhe ekonomike të sjellin ndryshimet e nevojshme në qëndrimet dhe percepcionet rreth rolit të grave në shoqëritë tona dhe që do të rezultonin me një përfaqësim më të madh të grave nëpër dhomat ku krijohen politikat dhe merren vendime, gratë janë akoma më pak të përfaqësuara dhe jomjaftueshëm të përdorura në arenën publike dhe private.

Gratë akoma shihen në shoqëritë e tyre si kujdestare të familjeve të tyre dhe mbështetëse të burrave të tyre. Sidoqoftë, çdo ditë e me shumë shohim se si gratë marrin vendime të cilat ndikojnë në mirëqenien e familjeve të tyre. Për çdo ditë mund ta shohim se si gratë mund të jenë edhe kujdestare dhe vendimmarrëse.

Siç e ka thënë mikja ime e dashur, ish-sekretarja e Shtetit, e nderuara Hillary Clinton: ”Gratë nuk janë viktima. Ne jemi katalizatore të ndryshimeve. Ne jemi drejtuese të progresit”.

Me të vërtetë, gratë si palë e interesuar e shoqërisë, çdo ditë luajnë rolin e tyre duke luftuar për të drejtat njerëzore, duke parandaluar konflikte, duke lehtësuar tranzicionin, duke ndërtuar demokraci dhe duke ringjallur ekonomitë e shkatërruara.

Të nderuar Zonja dhe Zotërinj,

Ne hyjmë në këtë shekull me të arritura mbresëlënëse në krijimin e një ambienti divers gjinor. Por, pabarazitë  janë akoma dramatike. Në njërin skaj të botës  ka gra dhe vajza të cilat vriten sepse duan të vazhdojnë të edukohen, gra në të cilat hidhen gurë deri në vdekje, gra të cilave u mohohet secila e drejtë. U mohohet dinjiteti njerëzor.

Në këtë samit, në të cilin po festojmë pikarritjet e reja, duhet të njohim dhimbjen dhe vuajtjen e tyre. Sipas fjalëve të mikes sime, Kongresistes Harman: “Ne nuk duhet që vetëm të tregojmë drejt problemit, ne duhet të gjejmë një zgjidhje për problemin”.

Ne duhet ta gjejmë kurajën në secilën prej nesh që t’i përmbyllim këto pabarazi. Ne duhet ta kuptojmë që ato janë ne dhe ne jemi një!

E kam parë forcën të cilën gratë e posedojnë për ta ndryshuar drejtimin e historisë. 

Në Liberi, gratë të cilat ishin viktima të një dhune të paparë, sollën deri tek përfundimi i një lufte civile katërmbëdhjetëvjeçare, e cila la pas vete dyqind e pesëdhjetëmijë të vdekur.

Nëpër rrugët e Egjiptit, gratë ngritën zërin e tyre dhe shembën një diktator mizor.

Në Bosnjë dhe Hercegovinë, këmbëngulja dhjetëvjeçare e grave të Srebrenicës për gjetjen e eshtrave të tetë mijë burrave dhe djemve të vrarë gjatë luftës, i siguroi atyre një vendprehje të përhershme. Ato e kanalizuan dhimbjen e tyre, humbjen e tyre, drejt gjetjes së drejtësisë dhe sjelljes së akterëve para gjyqit.

Gratë e vendit tim i kanë po ashtu të njohura vuajtjet nga lufta. Dua të ndaj me ju një histori rreth fshatit të Krushës, fshat të cilit shpesh i referohen si fshati pa meshkuj, një komunitet i vogël të cilit i është ngarkuar pesha jo vetëm e dhimbjes nga humbja por edhe e përgjegjësisë për sigurimin e jetesës për familjet e tyre, nga hiri i luftës.

Këto gra janë heroina të vërteta, për të cilat nuk flitet në lajme, por të cilat e kanë shembur çdo lloj barrierë për të siguruar mbijetesën e familjeve te tyre. Ato i kanë marrë mbi vete rolet të cilat tradicionalisht nuk u përshkruhen grave, siç është puna në ara dhe promovimin e tyre si ndërmarrëse. Duke e ndryshuar shoqërinë tonë përgjithmonë.

As Kosova e as Bosnja nuk janë unike. Histori të tilla ka me bollëk nëpër vende të cilat janë shkatërruar nga tmerri i luftës. Ajo që është e fuqishme në këto histori është se ato janë mobilizuar që të shohin drejt së ardhmes, që të gjejnë mundësi për të ndërtuar shoqëri prosperuese dhe që kurrë të mos lejojnë që lufta t’i thyejë ëndrrat e gjeneratave të reja.

Nëpër vende të tjera, betejat e grave kanë dimensione të tjera. Gjithnjë e më shumë, gratë përbëjnë shumicën e atyre që diplomojnë nëpër universitete. Ato përfaqësojnë gjysmën e forcës globale punuese, ndërsa akoma paguhen më pak se meshkujt për punë të njëjtë, pa mundësi që ta thyejnë tavanin e qelqtë.

Mesatarisht, ato vazhdojnë të jenë pronare të vetëm pak për qind të pronave, të privuara nga siguria ekonomike – siç janë kapitali fillestar, huat bankare, pa të cilat ato nuk mund të fillojnë të merren me biznes në mënyrë serioze.

Fuqizimi ekonomik i grave do të çlirojë talentin e secilit anëtar të shoqërisë. Kjo për shkak se gratë investojnë pjesën më të madhe të të hyrave të tyre brenda familjes, duke investuar në fëmijët e tyre.

Gratë nuk janë më pak të afta se meshkujt; ato nuk janë më pak të fuqishme që t’i kryejnë detyrat tradicionale, të cilat tradicionalisht i përshkruhen meshkujve. Gratë janë forca drejtuese e zhvillimit të shoqërisë. Kudo ku gratë janë të pavarura dhe ekonomikisht të fuqizuara, atëherë liria e tyre nuk është shumë e kërcënuar dhe dinjiteti i tyre është i respektuar.

Pavarësimi ekonomik i grave është thelbësor për zhvillimin e tyre dhe zhvillimin e mbarë shoqërisë. Varshmëria ekonomike e grave nga familja ose burri apo ndonjë anëtar tjetër i shoqërisë do ta mbajë jetën e saj në kurth të varshmërisë dhe ne nuk do të mund ta arrijmë atë të cilën po e synojmë sot: fuqizimin e grave, respektimin e te drejtave njerëzore të grave, dhe mbi të gjitha, barazinë gjinore.

Çelësi për përkujdesjen ndaj shoqërive prosperuese dhe shteteve të qëndrueshme qëndron në pjesëmarrjen e grave në politikë dhe vendimmarrje, në fuqizimin ekonomik të grave dhe qasjen ndaj burimeve dhe sigurinë dhe qasjen e grave në sistemin e drejtësisë.

Vitin e kaluar kam organizuar samitin e parë ndërkombëtar në rajon me titull: “Partneriteti për paqe: Fuqizimi i grave”. Ne u mblodhëm së bashku për të galvanizuar ndryshimet në shoqëritë tona, duke ndarë përvojat dhe mënyrat se si mund të përmirësohet roli i grave.

Ne duhet ta ndërmarrim këtë qasje trenivelëshe që të mund ta përmbyllim pabarazinë gjinore në shoqëritë tona. Sepse kjo nuk bëhet vetëm për përmirësimin e pozitës së grave por për sigurimin e një shoqërie të zhvilluar.

Qeveritë, liderët e bizneseve dhe vendimmarrësit duhet ta rikonsiderojnë rolin të cilin ua japin grave në institucione të cilat ata i udhëheqin.

Konvencionalizimi gjinor duhet të shndërrohet në objektiv tonin kur krijojmë politika dhe legjislacion, në mënyrë që të sigurojmë se i kemi përfshirë edhe nevojat dhe limitimet e meshkujve dhe femrave, duke marrë parasysh kapacitetet e tyre dhe kontributin, në mënyrë që të krijojmë politika të balancuara.

Ne duhet të ndryshojmë pikëpamjet kulturore dhe normat sociale të cilat i konsiderojnë gratë në një shoqëri si të nënshtruara. Ne duhet ta konsiderojmë rolin e grave si qenësor dhe të barabartë më atë të meshkujve kur vendoset se si do ta udhëheqim vendin tonë dhe bëjmë parashikime mbi zhvillimin e vendit.

Ndonjëherë duhet të mbështetemi në masa të përkohshme siç janë kuotat për rritjen e përfaqësimit të grave në sektorët publikë dhe privatë, duke lehtësuar kështu përfshirjen më të shpejtë të grave në të gjitha segmentet.

Nëpërmes kuotave, ne nuk po përpiqemi që të rrisim në mënyrë sasiore numrin e grave, por po përpiqemi që të rrisim diversitetin dhe kualitetin e vendimmarrjes. Në këtë kohë të teknologjive të reja, kur ne jemi duke kuptuar se secili individ paraqet një vlerë shtesë dhe kur jemi duke inkurajuar inovatorizmin në mënyrë që të evitojmë varfërinë, efektet valore të ndryshimeve klimatike, qasjen në ujë të pastër dhe parandalimin e pandemive që kërcënojnë jetët tona.

Ne duhet ta mbyllim hapësirën e cila akoma ekziston në mes të grave dhe burimeve financiare, në mes të potencialit të grave dhe rolit të pritshëm të tyre nga shoqëria.

Ne duhet ta mbështesim duke nxitur më shumë gra që t’i hyjnë tregut të punës, të hyjnë si forcë punuese dhe t’i parashtrojnë vetes caqe të larta dhe të bëhen pjesë e vendimmarrjes në shoqërinë e tyre.

Për të gjitha këto çështje, ne kemi nevojë për më shumë legjislacion, praktika më të mira dhe implementim më të mirë.

Por, mbi të gjitha, siç e thash më lart, ne kemi nevojë për një masë kritike për ndryshim kulturor. Ne kemi nevojë për një platformë të përbashkët dhe zotim të përbashkët që t’i realizojmë këto reforma në komunitetet tona respektive. Ne duhet të tregojmë atë lloj kuraje, e cila në mënyrë radikale i ka transformuar shoqëritë tona.

Ju inkurajoj që të hulumtoni partneritetet të cilat do të rrisin rolin të cilin ju do ta luani në të ardhmen e vendeve tuaja aty ku ato nuk kanë ekzistuar më parë; në mes të akademisë dhe politikëbërësve, në mes të ndërmarrjeve dhe zyrave publike, në mes të kombeve dhe fqinjëve.

Ne duhet të vazhdojmë të ndërmarrim iniciativa të reja duke prezantuar dhe promovuar çështjen e fuqizimit të grave në mbarë botën.

Ne duhet të vazhdojmë të punojmë për fuqizimin e grave, sepse ne dëshirojmë që secili individ në shoqërinë tonë të gëzojë të drejtat e tij të dhëna nga Zoti dhe të përdorin potencialin e tyre të dhënë nga Zoti.

Ne duhet të vazhdojmë të veprojmë rreth kësaj çështjeje, sepse ne dëshirojmë që fëmijët tanë të fitojnë një arsimim më të mirë, të shohim familjet tona më të forta dhe të shohim shoqëritë tona duke lulëzuar dhe shtetet tona duke prosperuar. Sepse ne dëshirojmë që paqja të mbizotërojë.

Ju faleminderit.