Fjalimi i Presidentes Jahjaga në ceremoninë e diplomimit të kandidatëve për gjyqtarë dhe prokurorë

Nga sot do të nisni një rrugëtim të ri, për ta përmbushur misionin tuaj si mbrojtës të rendit dhe ligjit. Do të përmbushni synimin tuaj për të ndihmuar vendin dhe për t’i dhënë atij një kuptim të rëndësishëm në fushën e drejtësisë.

I nderuar ministër Kuçi,
Të nderuar përfaqësues nga prokuroria dhe gjykatat,
I nderuar zoti Zbogar,
Të nderuar prokurorë dhe gjyqtarë,

Nga sot do të nisni një rrugëtim të ri, për ta përmbushur misionin tuaj si mbrojtës të rendit dhe ligjit. Do të përmbushni synimin tuaj për të ndihmuar vendin dhe për t’i dhënë atij një kuptim të rëndësishëm në fushën e drejtësisë.

Duke qenë një shtet i ri, me idealin e ndërtimit mbi parimin se të gjithë janë të barabartë përpara ligjit, shumë herë brenda këtyre viteve të pavarësisë jemi zmbrapsur duke mos e përmbushur vizionin e përcaktuar. Shteti i së drejtës është i vështirë të ndërtohet dhe njëkohësisht është vlera më e lartë e një shoqërie.

Por, shteti i së drejtës, një gërshetim i parimit të lirisë dhe të drejtave të njeriut me forcën e ligjit, është e vetmja mënyrë për të realizuar qëllimin - të përmbledhur në Kushtetutën tonë  - për qytetarin e barabartë pa dallim.

Prandaj shteti i së drejtës nuk njeh hierarki dhe fuqi politike sepse dora e ligjit është fuqia vetë. 

Ju jeni sot në rrugën tuaj drejt misionit për  të realizuar dhe ndarë drejtësinë. Kjo drejtësi si sistem i rëndësishëm i vlerave shoqërore, kërkon sot një mbështetje nga ne: por me kushtin që ta kuptojmë rëndësinë se rruga jonë drejt përparimit është e ndërvarur nga funksionimi i mirëfilltë i saj, kur ta kuptojmë se proceset e filluara të shtetësisë sonë janë plotësisht të varura nga rezultati i saj dhe kur ta kuptojmë se paanshmëria politike e saj është më shumë se e domosdoshme për të pasur efikasitetin e duhur.

Këtë sistem të rëndësishëm të shtetësisë sonë duhet ta depolitizojmë, ta ndihmojmë që të ndërtohet mbi bazat e profesionalizmit, integritetit personal dhe mbi kërkesën për një drejtësi për të gjithë. Prandaj neve sot na duhet një sistem i reformuar i drejtësisë, që të kaluarën e tij e ka zëvendësuar me të tashmen, dhe që punën e tij e ka të bazuar mbi aftësinë dhe përgjegjshmërinë e përgjegjësinë e secilit prej tij dhe saj.

Kjo është rruga e vetme për të na dëshmuar se përpjekjet tona për ndërtimin e shtetit ligjor dhe funksional janë në rrugë të drejtë dhe se periudhës së tranzicionit po i vie fundi - duke mundësuar hapjen e kapitujve të ri për vendin posaçërisht procesin integrues të tij.

Dhe prandaj tani është koha të tregojmë se Kosova ka fuqinë e shpirtit të shoqërisë së saj për ta krijuar shtetin ligjor, për të dëshmuar se askush nuk mund të jetë mbi ligjin, për të treguar se ajo nuk është vend i ekstremizmave dhe krimit të organizuar e korrupsionit dhe për të përmbyllur proceset e filluara të rëndësishme të cilat po prekin jetën e gjithsecilit qytetarë tanë.

Prandaj një barrë e madhe do të bie mbi ju, po aq sa edhe mbi të gjithë ata që sot janë në detyrë, për ta rikthyer besimin e lëkundur të qytetarëve mbi sistemin e drejtësisë dhe për t’i dhënë fund ciklit të grumbullimit të lëndëve në gjykata. Besimi në sistemin e drejtësisë nënkupton besim në shtetin dhe rrjedhimisht besim në të ardhmen.

Le t’ua kthejmë besimin atyre që më së shumti kanë nevojë, qytetarëve tanë, qytetarëve të Republikës së Kosovës dhe këtë mundësi, dhe le t’i bëjmë të gjithë pjesë të përgjegjësive të përbashkëta për shtetin tonë të përbashkët.

Ky besim kthehet vetëm me punën dhe përkushtimin tuaj, vetëm duke bërë ju,  punën e juaj që jeni të thirrur me Kushtetutë dhe me ligjet e Republikës së Kosovës, dhe duke mos lejuar që rastet të grumbullohen nëpër sirtarët e gjykatave dhe prokurorive për vite me radhë.

Ju dëshiroj punë të mbarë juve dhe i falënderoj familjet tuaja për përkrahjen që ju kanë dhënë!