Fjalimi i Presidentes Jahjaga në akademinë solemne me rastin e 5-vjetorit të shpalljes së pavarësisë së Republikës së Kosovës

Në këtë përvjetor të pestë të pavarësisë, qëndrojmë bashkë, të vendosur dhe krenarë, të palëkundur dhe të përkushtuar për Kosovën, këtë vend për të cilin sakrifikuan gjenerata të tëra, për atdheun tonë tashmë shtet të konsoliduar, që ka zënë vendin e merituar në mesin e popujve të lirë, si pjesë e pandashme e botës demokratike.

I nderuar Kryetar i Kuvendit, z. Krasniqi,
I nderuar Zotëri Kryeministër Thaçi,
I nderuar President i Republikës së Shqipërisë, z.Nishani,
Të nderuar Ministra dhe krerë të institucioneve të Republikës së Kosovës,
I nderuar Ministër i mbrojtjes së Republikës së Maqedonisë, z Besimi,
Të nderuar ambasadorë dhe përfaqësues të misioneve diplomatike në Kosovë,
Të nderuara familje të dëshmorëve dhe aktivistëve që kontribuuan për Kosovën e pavarur,
Të nderuar kryetarë të partive politike të Kosovës dhe rajonit,
Të nderuar të pranishëm,
Të nderuar qytetarë të Republikës së Kosovës,
Zonja dhe zotërinj,

Në këtë përvjetor të pestë të pavarësisë, qëndrojmë bashkë, të vendosur dhe krenarë, të palëkundur dhe të përkushtuar për Kosovën, këtë vend për të cilin sakrifikuan gjenerata të tëra, për atdheun tonë tashmë shtet të konsoliduar, që ka zënë vendin e merituar në mesin e popujve të lirë, si pjesë e pandashme e botës demokratike.

Para pesë vitesh, vërshuam rrugët me flamuj në duar, të ngazëllyer dhe përplot shpresë për të ardhmen, zot të së cilës për herë të parë po bëheshim vet ne. Ishte ditë të cilën e ëndërruam gjatë. Ditë të cilës ne, dhe shumë të tjerë para nesh, ia kishin kushtuar një jetë të tërë.

Sot kujtojmë atë hap të guximshëm, këtë vendim fisnik dhe fillet e një projekti të qëndrueshëm dhe vizionar, besnikë të së cilit mbesim të gjithë ne, qytetarët dhe institucionet e Kosovës.

Para pesë vitesh u betuam se Kosovën do ta bëjmë shtet të mundësive të mëdha, ku të gjithë njerëzit, pavarësisht përkatësisë etnike, fetare dhe gjinore, do të gëzonin të drejtat e barabarta, do të jetonin me respekt dhe dinjitet, të vendosur që të bëhemi pjesë e një Evrope të bashkuar.

Më 17 shkurt të vitit 2008, me aktin e pavarësisë dëshmuam se jemi në anën e drejtë të historisë, se stuhia e dhunës në Ballkan mund të na ketë vonuar, por nuk na e ka humbur drejtimin tonë.

Në këtë rrugëtim ne nuk ishim vetëm. Pranë kishim Shtetet e Bashkuara të Amerikës, aleatin dhe mikun tonë të përjetshëm, Britaninë e Madhe, Gjermaninë, Francën, Italinë, shtetet e Bashkimit Evropian, Shqipërinë dhe shtetet e tjera, të cilat  përkrahën përpjekjet tona për t’u bërë zot të fatit tonë.

Si një vend i ri kemi shumëçka për të treguar - një rrëfim suksesi i përbashkët edhe me faktorin ndërkombëtar, një shtet që po vendos bazat e demokracisë, duke tejkaluar me sukses problemet e tranzicionit.

Të nderuar pjesëmarrës,
Të dashur bashkëqytetarë të mi,

Rrugëtimi ynë për ta bërë Kosovën të tillë çfarë premtuam vazhdon.

Pa humbur kohë dhe të përcaktuar, ne po ndërtojmë shtetin e së drejtës, do ta vendosim plotësisht rendin dhe ligjin, në çdo cep të Kosovës. Do ta çrrënjosim korrupsionin dhe krimin e organizuar. 

Qëndrueshmëria jonë si shtet, përparimi ynë si shoqëri dhe aspiratat tona për ta bërë Kosovën anëtare të Bashkimit Evropian varen nga vendosmëria jonë në këtë betejë, të cilën do ta fitojmë. Nuk kemi alternativë tjetër. Të gjithë jemi unikë për këtë.

Ne do ta zhvillojmë ekonominë dhe të krijojmë klimë biznesi, konkurrencë tregu të lirë dhe gjenerim të vendeve të reja të punës që do t’i sigurojnë secilit qytetar të Kosovës jetë të dinjitetshme.

Ne do të tejkalojmë ndasitë me unitetin tonë politik për të thelluar reformat demokratike në çdo sferë. Do ta forcojmë stabilitetin tonë të brendshëm, i cili do të vazhdojë të reflektojë në konsolidimin tonë të jashtëm duke vazhduar anëtarësimin tonë në organizata dhe mekanizma ndërkombëtarë, duke e bërë Kosovën faktor që nuk mohohet.

Ne i kemi mposhtur të gjitha mëdyshjet për qëndrueshmërinë tonë si shtet. Me seriozitet i kemi kuptuar përgjegjësitë dhe me përkushtim i kemi përmbushur ato duke e bindur, ndër të tjera, me sukses faktorin ndërkombëtar për të përmbyllur mbikëqyrjen ndërkombëtare të pavarësisë.

Këto suksese janë rezultat i punës së palodhshme të qytetarëve të Kosovës, të patriotizmit, të dashurisë së pafund për Kosovën, të solidarizimit të tyre me njëri-tjetrin, të përkushtimit ndaj vlerave demokratike, që përbëjnë edhe themelet mbi të cilat po e ndërtojmë shtetin tonë, atdheun tonë të përbashkët.

Para çdo sfide, i kemi qëndruar besnik vizionit dhe sakrificës së bërë nga ata që ishin para nesh. Ne nuk e humbëm perspektivën dhe nuk u hamendëm për rrugën tonë edhe atëherë kur mbi gërmadhat e luftës projektonim Kosovën e së ardhmes, të integruar në Bashkimin Evropian dhe në NATO.

Ky betim të cilin e kemi bërë para pesë vitesh vlen për secilin prej nesh.

Republika e Kosovës është realitet i pamohueshëm. Pavarësia e saj është proces i pakthyeshëm. Vullnet i realizuar i qytetarëve të saj. Një tërësi tokësore e pandashme dhe e garantuar ndërkombëtarisht. Republika e Kosovës është shtet i të gjithë atyre që jetojnë në kufijtë e saj, pa dallim.

Përkushtimin tonë për një Kosovë shtëpi të të gjithë qytetarëve të saj, faktor paqeje dhe stabiliteti në rajon, e dëshmojmë si vizion të realizuar.

Qytetarë të Republikës së Kosovës,
Të nderuar të pranishëm,

E kemi fituar të drejtën të mburremi me atë që përfaqësojmë dhe me atë që kemi arritur deri këtu. Kemi akoma rrugë të gjatë, e mbase edhe të mundimshme, për të bërë.

Por, prania jonë këtu sonte shërben si përkujtues për të gjithë ata që nuk kanë pasur besim te ne; për të gjithë ata që lëkundjet tona të herëpashershme i shohin si mundësi për të vënë në dyshim vendosmërinë tonë.

Ky përvjetor dhe suksesi ynë i përbashkët deri këtu është dëshmia më e mirë se ne nuk gjunjëzohemi para sfidave, por sikur në të kaluarën, do t’iu bëjmë ballë vështirësive të panumërta, sepse jemi të bindur në misionin tonë të drejtë.

Kosova dhe qytetarët e saj kanë një të ardhme të ndritur përpara. Në rrugëtimin tonë drejt përmbushjes së aspiratave për integrim në Bashkimin Evropian ne do inspirohemi nga ky përkushtim ndaj vlerave të cilat na sollën deri këtu.

Ju falënderoj të gjithë juve që besuat gjatë dhe bindshëm se bashkërisht do ta realizojmë këtë ëndërr këtë vepër te madhe.

Kosovë, gëzuar përvjetorin e pestë të pavarësisë!
Zoti e bekoftë Kosovën dhe miqtë e saj.